Silvana Rusi: Po realizoj qëllimet me forcat e mia, kjo më pëlqen

Silvana Rusi: Po realizoj qëllimet me forcat e mia, kjo më pëlqen
Flet këngëtarja e re Silvana Rusi: “Këtë vit kam arritur që të realizoj qëllimet e një viti më parë dhe duke qenë se po i arrij një nga një me forcat e mia, jam shumë e kënaqur. Sigurisht edhe të kënduarit dhe performuarit live në mënyrë sistematike të rrit akoma më shumë profesionalisht. artistikisht dhe në çdo aspekt.”

***

Në intervistën tonë të mëparshme, më shumë se një vit më parë, biondia me sy të bukur, Silvana Rusi, vinte nga një këngë e bukur dhe e ndjerë tek “Kënga Magjike”. Pas kaq kohësh karriera e saj ka ecur dhe pak ditë më parë ajo doli me një këngë të re në treg me një titull bombastik, “Kriminale”. Vajza që ende studion ndërkohë që këndon “live” gati çdo natë, na tregon se sa i ngushtë është edhe bashkëpunimi me familjen në realizimin e videoklipeve.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Nuk ka shumë ditë që ka dalë në tregun muzikor kënga jote më e re. Një titull shumë intrigues. Na tregon diçka më shumë se si erdhi ky titull dhe ky bashkëpunim?

Është e vërtetë, kripi im më i ri ka vetëm një javë që është publikuar, realiteti i këtij titulli ka qenë plotësisht spontan. Në momentet e krijimit të vijës melodike, erdhi natyrshëm dhe thjeshtë ky refren me atë fjalë dhe ashtu mbeti sepse ngjiti tek ne dhe menduam se do të ngjiste edhe tek publiku. Sëbashku vendosëm ta titullonim kriminale dhe sigurisht i gjithë teksti do të bazohej në përmbajtjen e refrenit.

Në tekst kënga ka si mesazh një dashuri të prerë në mes nga mungesa e sinqeritetit. Ti personalisht do e toleroje mungesën e sinqeritetit?

Me këto kohë të “arta” që kemi sot jo dhe jo. Nuk do e toleroja aspak.

Një këngë që i fton të rinjtë edhe të kërcejnë. Po ndonjë baladë do të dëshiroje të sillje për fansat e tu?

Në fakt kam edhe dy projekte me të cilat synoj që pubiku të kërcejë dhe të këndojë, pra të hareshme, unë dua shumë që bashkë me mua edhe ata të kënaqen pafund e të ndihen mirë. Baladë padiskutim që do të ketë, por mund të them që tek “Kënga Magjike” 2017 isha me një këngë disi baladë ndaj tani, këtë vit, kam ardhur përpara publikut me këngë më ritmike.

 

Si është pritur kënga deri më tani? Po kolegët si të janë shprehur për të?

Nuk e prisja sinqerisht që të pritej kaq mirë nga të gjithë kënga ime e re, kolegët e mi sigurisht, duke parë anën profesionale si dhe cilësinë e produksionit, janë shprehur shumë pozitivisht dhe e duan shumë si këngë. Kjo më gëzon shumë.

 Në videoklip shfaqesh me një look shumë ndryshe. Si ishte bashkëpunimi me një nga stilistet më “të çmendura” shqiptare? Emrin na e thuaj vetë...

Ha ha ha, po, kam bashkëpunuar me Arjeta Palushajn dhe me grimin tim dhe stilimin e flokëve është marrë motra ime Linda. Për Arjetën do të thosha që është një vajzë jashtëzakonisht punëtore dhe e talentuar dhe shumë po shumë e shpejtë. E dua shumë.

 Ka kaluar mbi një vit nga intervista jonë e fundit. Si ka qenë ky vit në jetën tënde?

Nuk arrij ta besoj se sa shpejt iku ky vit dhe kaloi, nuk e kam kuptuar aspak, jua them me sinqeritet. Ka qenë një vit shumë intensiv, aq sa ndonjëherë kam thënë me vete se u lodha, por ja kam dalë të mos i lë gjërat në mes.

 Karriera jote bën që të kesh një jetë shumë intensive, muzika live kërkon impenjim. Si arrin t’i ekuilibrosh gjërat?

Po, kjo është jeta ime e përditshme, unë jam pothuajse çdo mbrëmje në netët live dhe kjo kërkon energji dhe shumë sakrifica. Nuk e di se si por ja arrij të jem edhe në shkollë. Qëndron, në rastin tim, ajo shprehja se kur i do gjërat gjen kohën në çdo moment dhe unë kështu po ja dal.

 Ajo çka transmeton përmes fotove dhe videove është një pjekuri më e madhe artistike. Je e kënaqur artistikisht nga ky vit?

Të falenderoj shumë për këtë konstatim, unë këtë vit kam arritur që të realizoj qëllimet e një viti më parë dhe duke qenë se po i arrij një nga një me forcat e mia, jam shumë e kënaqur. Sigurisht edhe të kënduarit dhe performuarit live në mënyrë sistematike të rrit akoma më shumë profesionalisht. artistikisht dhe në çdo aspekt. Për fotot e mia kujdeset vëllai im, Çlirim Rusi që është një fotograf shumë i talentuar dhe po e them këtë jo se është vëllai im, kuptohet.

 A ka ndonjë projekt të ri që je në punë e sipër?

Po, kam dy projekte në vijim, një videoklip dhe një  këngë të re për një nga festivalet e ardhshme por nuk dëshiroj ta saktësoj që tani nëse është skena e “Kënga Magjike” apo festivali në RTSH.

 Këtë vit nuk të pamë në skenat e festivaleve. Por a janë ata pjesë e ideve të tua të mëtejshme?

Ky vit ishte pauzë për sa i përket festivaleve pasi siç e thashë më lart synoj të kem dy videoklipe në treg për këtë vit dhe patjetër do të jem në një nga festivalet që vjen.

 Shumë elegante dhe gjithmonë e kuruar. Cili është stili ose ngjyrat që preferon dhe çfarë nuk do të vishje kurrë?

Mundohem të jem sa më vetvetja unë i preferoj të gjitha stilet dhe më beso që do të dal me të gjitha, i dashuroj të gjitha ngjyrat.

 A kishte ndonjë plan në karrierë që këtë vit nuk u realizua por do të realizohet më pas?

Jo, ato plane që pata po realizohen tani me punën time dhe me ndihmën e Zotit do i realizoj deri në fund 3 projektet e mia për të gjithë 2019.