Pas 23 koncerteve në Itali, Ermal Meta rikthehet në Tiranë

Pas 23 koncerteve në Itali, Ermal Meta rikthehet në Tiranë
Kantautori rikthehet në Tiranë më 4 mars, koncert me instrumentistët e “GnuQuartet”

Të gjithë ata që pëlqejnë zërin e kantautorit Ermal Meta do të mund ta ndjekin sërish nga afër. Pas koncertit të parë të mbajtur më 1 qershor 2018 në sheshin “Skënderbej”, Ermal Meta rikthehet sërish në Tiranë për një mbrëmje të paharruar. Më 4 mars, kantautori shqiptar do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, në vijim të turit "Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet".

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi dje qytetarët që të mos e humbasin këtë shfaqje të bukur muzikore. “Ju kujtohen emocionet e koncertit të Ermal Metës? Talenti shqiptar kthehet përsëri në Tiranën e tij, krahas 23 koncerteve në skenat më të mira në 19 qytete italiane. Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s'e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një supershfaqje te Pallati i Kongreseve”, - thotë Veliaj. Së bashku me katër artistë të talentuar italianë të GnuQuartet, ata pritet të sjellin një atmosferë magjike që nuk duhet humbur.

Me mbështetjen e bashkisë së Tiranës, ky koncert vjen si vazhdimësi e një turneu të paharrueshëm që Ermal Meta ka realizuar gjatë verës së vitit 2018, me një performancë artistike mbresëlënëse. Nuk mund të mos përmenden koncertet e realizuara në Romë, në Firence, në kështjellën “Scaliger” në Villafranca; apo në amfiteatrin në Sardenja. Dhe së shpejti, kantautori shqiptar nis një tur të ri, ku do të ndalet edhe në Tiranë, së bashku me “GnuQuartet”, për të sjellë para publikut më shumë ri, dhe ritme të paharruara duke bërë bashkë violë, violinë, violinçel dhe flaut.