Marjona Metohu: Festivalet janë demoralizim për artistët e rinj

Marjona Metohu: Festivalet janë demoralizim për artistët e rinj
Flet këngëtarja e talentuar Marjona Metohu: “Jo me larg se para pak muajsh isha pjesëmarrëse e një festivali dhe me ato çfarë më panë sytë dhe më dëgjuan veshët, për mua janë zero! Demoralizim për artistët e rinj.”

***

Një vajzë bukuroshe, me një fizik prej modeleje, madje aq sa e krahasuan edhe me Elvana Gjatën. Por Marjona e rritur në Kuçovë dhe më pas e shkolluar në Berat, është një këngëtare e muzikës live, e parë kjo si një profesion. Në një ambient dinjitoz të Tiranës, Marjona së bashku me koleget tashmë, Eneda Tarifa, Eranda Libohova etj, performon çdo fundjavë. Por kush është vajza që e ka nisur nga festivalet e fëmijëve, me çmime të fituara, më pas me pjesëmarrjen tek “Gjeniu i Vogël” e deri në skenën e festivalit “Kënga Magjike” por që i la një shije të hidhur artistes së re? Ky është rrëfimi i saj për Albanian Free Press.

Intervistoi për Albanian Free Press Juela Meçani

Na tregoni diçka më shumë për veten, ku ke lindur dhe si ka qenë fëmijëria jote?

 

Shumë më njohin si vajzë nga Berati, por realisht unë jam rritur në qytetin e Kuçovës, domethënë një pjesë të mirë të fëmijërisë time e kam kaluar atje. Më pas shkollën e kam kryer në qytetin e Beratit. Mund të them me plot gojë që kam patur një fëmijëri shumë të bukur (kam qenë një çun harram) ha ha ha shumë nuk e besojnë kur shohin këtë Marjonën e sotme, por kam qenë një fëmijë shumë aktiv dhe si isha një dite nuk ndodhte të isha tjetrën. Por ajo që mbaj mend më shumë është që të afërmit e mi prisnin me padurim të largohesha diku që t’i binin veshët qetësi, pasi veç këndoja dhe flisja pa pushim.

 Në cilin vit ose moshë jeni aktivizuar me këngën për herë të parë? Mund të na tregoni ato emocione?

Në moshën 9-10 vjeçare kam filluar aktivitetet e para në Qendrën Kulturore për Fëmijë në Berat. Dhe babi ka qenë ai që më shoqëronte në çdo aktivitet timin duke më mbajtur prej dore. Çuditërisht nuk doja askënd nga familja të më shikonte kur performoja, babi ishte i vetmi person që mua më jepte shumë siguri dhe kisha nevojë gjithmonë ta kisha pranë vetes në ato momente. Dhe sigurisht që ja shpërbleja dhe sakrificat e tij ja vlenin pasi gjithmonë dilja nga skena me çmime të para. Koncertet e asaj kohe më kanë ndihmuar dhe përgatitur shumë për skenat më të mëdha që unë kam qenë pjesëmarrëse në vitet në vijim.

Sa ju ka mbështetur familja juaj në pasionin tuaj për këngën?

 

Siç e thash dhe me sipër, përveç pjesës tjetër të familjes që gjithmonë krenoheshin me arritjet e mia, babi ka qenë personi që më ka mbështetur dhe gjithmonë më është gjendur pranë.

A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje?

 

Me thënë të drejtën, pak, pasi si çdo gjë tjetër në jetë, edhe me këtë pjesë mësohesh. Ajo që mua më shqetëson gjithmonë, kur jam në lëvizje, janë vaktet e ditës, pasi nuk i kam dhe aq të mira marrëdhëniet me ushqimin dhe këto lëvizjet e shpeshta sikur janë justifikim për shmangien sado pak ha ha ha.

 Si arrini ekuilibrin midis artit, angazhimeve dhe jetës së përditshme?

 

Akoma nuk jam në atë pikë që ditët e mia të jenë shumë të zëna me angazhime, kjo gjë ndodh vetëm me sezone të caktuara. Por mundohem t’i bëj të gjitha nga pak dhe asnjerën perfekt.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë në këngë?

 

Janë shumë pasi vetë puna që unë kam më bënë të jem në bashkëpunim në shumë projekte dhe evente me shumë këngëtarë. Por më të ngushtët janë ata që unë performoj çdo fundjavë, Fifi, Eneda Tarifa, Eranda Libohova etj..

Merreni shumë me pamjen tuaj të jashtme gjatë aktivitetit? Kujdeseni vetë apo keni bashkëpunëtorë?

 

Për çdo detaj timin kujdesem vet, nga këmbët deri tek koka hahaha. Është apo jo në dëshirën time, me veten e kam si detyrë tani të merrem. Kështu që kur kam aktivitet e marr shumë seriozisht dhe kujdesem për çdo gjë.

Cilat janë planet në ardhmen e afërt në këngë?

 

Më mirë nuk po i tregoj, sepse kohët e fundit, sa më shpesh po e tregoj, aq më tepër po e lë mbas dore ha ha ha.

Je një vajzë e re, a ka ndonjë ëndërr që kërkon të realizosh në art?

 

Ëndrrat janë të shumta, por duan kohën e tyre dhe ato dhe mbi të gjitha shumë përkushtim.

Si është një ditë e jotja e zakonshme jashtë karrierës muzikore?

 

Ditë pak më mbetet, më tepër natë, ha ha ha. Por mundohem ta mbush ditën time me gjëra që vërtetë ja vlejnë, si fitnesi, takoj mbesën time që s’mund të rri pa e parë dhe pjesën tjetër, nëse më mbetet kohë ja dedikoj motrave të mia ose ndonjë shoqeje.

Cili është mendimi juaj për kompeticionet kanore, festivalet, në Shqipëri dhe sa mendoni se ato janë një vlerësim real i cilësisë së një artisti?

 

Jo me larg se para pak muajsh isha pjesëmarrëse e një festivali dhe me ato çfarë më panë sytë dhe më dëgjuan veshët, për mua janë zero! Demoralizim për artistët e rinj.

Cilën quan nga këndvështrimi yt, një këngë të bukur?

 

Një këngë që më mbetet në mendje me dëgjimin e parë.

Po nëse nuk do të ishe artiste, cili mendon se do të ishte profesioni yt?

Hahahahha definitivisht aktore.

Je pjesë e një grupi artistësh të njohur që performoni në jetën e natës së Tiranës. Si është të jesh me kolege si Eranda Libohova ose Eneda Tarifa dhe sa ke mësuar prej tyre?

Hahaha vajzat janë një dashuri. Perfekte në atë që bëjnë,sigurisht mësoj shumë pasi shpesh herë edhe performoj me to në ambiente të ndryshme. Por duke qenë se si artiste të mëdha dhe me vlera, publiku i njeh. Unë mund të them se janë mikesha shumë të mira, janë shumë me humor dhe gjithmonë më ndihmojnë me mbështetjen dhe sugjerimet e tyre.

Pse po rikthehet suksesi i muzikës live në Shqipëri?

 

Sepse në fund të fundit është cilësia ajo që gjithmonë vlerësohet.

Kush janë njerëzit ose emocionet që të japin më shumë forcë të ecësh përpara?

Janë pa disktutim publiku, pa dallim, dhe familja.