Hasan Luçi: Misioni bamirës i Italisë në Vlorën e vitit 1914, si u kthye nga “çlirues” në pushtues

Hasan Luçi: Misioni bamirës i Italisë në Vlorën e vitit  1914, si u kthye nga “çlirues” në pushtues
INTERVISTA/ Flet ish-diplomati Hasan Luçi: “Në fillim, u mendua se italianët e çliruan jugun e vendit nga grekët, por shpejt, Italia e hodhi poshtë flamurin çlirues dhe po tregohej dalngadalë pushtuese...”

Pasi shpërtheu Lufta e Parë Botërore, në tetor 1914, Italia nisi planin e pushtimit të Shqipërisë, duke filluar me dërgimin e “misionit sanitar” në Vlorë, gjoja për të nihmuar muhaxhirët (refugjatët e vajtur aty, pas pushtimit grek të jugut). Në fakt, ky komision përbëhej nga oficerë e agjentë italianë, si pararojë për t’u njohur me gjendjen e zonës dhe për të përgatitur terrenin për pushtim. Kështu pohon gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ish-diplomati Hasan Luçi. Duke argumentuar më tej sesi forcat e këtij misioni në dukje bamirës, së bashku me tradhëtarët shqiptarë, filluan punën dhe organizuan komplotin e datës 29 dhjetor të vitit 1914, kur në Vlorë zbarkoi ushtri e shumtë italiane, gjoja për ta mbrojtur nga rreziku grek, pasi ajo s’kishte siguri për mbrojtje....

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 Sipas jush, z. Luçi, çfarë qëllimi kishin në fakt forcat e këtij misioni “bamirës”?

Në fakt, ky zbarkim ushtarak u bë me nxitjen e fuqive të Antantës për ta kthyer Italinë pas qerres së tyre. Italia shpresoi edhe në marrëveshjen me agjentin e saj, Esat pashë Toptanin, për të realizuar qëllimet e pushtimit, si synime të vjetra këto për zotërim të Ballkanit. Pra, Shqipëria u pushtua nga Italia. Ndërkohë, edhe Serbia ripushtoi Shqipërinë e Mesme e Durrësin, kurse Mali i Zi pushtoi Shqipërinë e Veriut e Shkodrën. Kështu, shteti shqiptar u pushtua nga ushtritë armike.  Më 25.08.1916, italianët pushtuan malin e Bogonicës dhe lumin e Vlorës, Kurveleshin e Poshtëm, përfshirë Kuçin. Ata zbarkuan në Porto Palermo dhe dëbuan ushtrinë e autoritetet greke nga krahina e Himarës dhe Kurveleshi i Poshtëm. Kurse në shtator dhe tetor 1916, italianët çliruan Gjirokastrën dhe të gjitha krahinat e jugut nga grekët. Populli u shqetësua tej mase dhe filloi të mendonte si ta përballonte këtë pushtim, megjithëse ky mundësoi kthimin e muhaxhirëve nëpër fshatrat e veta, për ta nisur jetën primitive nga e para për gjithçka, pasi pushtimi i mëparshëm i kishte kthyer në gërmadha, se u dogji e shkatërroi çdo gjë, duke prerë edhe pemët frutore. Vetëm në Fterrë mbi 1.000 rrënjë ullinj, duke djegur edhe pyjet. Teksa në vitet 1912-1918, vetëm nga Kuçi qëndër u larguan rreth 200 familje dhe u vendosën në rrethinat e fshatit apo mërguan lumit të Vlorës, deri në Fier.

Po në botë, si po zhvilloheshin ngjarjet?

Ndërkohë, jehona e revolucionit të tetorit më 1917 në Rusi arriti pa dyshim edhe në Shqipërinë e bërë shesh lufte nga rivalitetet e pushtuesve fqinjë, që zaptuan trojet shqiptare, qysh gjatë luftrave ballkanase dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Njëkohësisht, shqiptarët mësuan edhe pazarllëqet që denoncoi Lenini të Traktatit të Londrës dhe të marrëveshjes për copëtimin e ri të Shqipërisë. Në fillim, u mendua se italianët e çliruan jugun e vendit nga grekët, por shpejt, Italia e hodhi poshtë flamurin çlirues dhe po tregohej dalngadalë pushtuese. Gjenerali Ferrero e ngriti flamurin italian, krahas atij shqiptar, më 3 qershor 1917 në Gjirokastër dhe shpalli “pavarësinë e gjithë Shqipërisë, nën hijen e mbretërisë së Italisë”, pra siç kishte vendosur traktati i Londrës, protektorat italian, i cili në fakt, fshihte bashkimin e Vlorës dhe të krahinave të saj me Italinë, siç e deklaroi në parlament vetë ministri i Jashtëm italian “me zotërimin e drejtpërdrejtë dhe të sigurtë të Vlorës e të territorit të saj nga ana jonë, ashtu edhe me rregullimin e përgjithshëm të Adriatikut”. Lajmi për një forcë të re imperialiste dhe zemërimi i shqiptarëve të kërcënuar rëndë, sërish nga fqinjët dhe fuqitë e mëdha, i nxiti ata dhe u ngjalli shpresa për luftën për liri e pavarësi, sigurimin e tërësisë së trojeve etnike kombëtare dhe përparim të vendit. Ndërkohë, vijoi puna për rimëkëmbjen e gjendjes. Burra kuçiotë filluan punë në rrugët ushtarake që hapte  Italia, u punësuan në familje bregdetase e gjetkë, krahas punës në fshat. Ndërkohë, në vitet 1916 e më pas, u hapën shkollat në krahina. Sërish, Italia nisi politikën e saj pushtuese edhe në fushën arsimore, për të marrë drejtimin e shkollave, u fut mësimi i detyruar i gjuhës italiane në vend kryesor dhe nga mësues italianë, edhe për lëndë të tjera, për të nxitur edukimin e politikën e tyre, ndërsa mësuesi shqiptar vihej nën varësinë e atij italian. Kështu, populli tashmë qe mësuar të mos u besonte premtimeve të Italisë dhe sjelljet e italianëve shiheshin kudo me dyshim.

A pati reagim nga ptriotët shqiptarë në këtë kohë?

Në radhë të parë, u hodhën në veprim mësuesit atdhetarë si Jani Minga, Halim Xhelo, Mustafa Luçi etj., të cilët i kthyen shkollat në çerdhe atdhetare, duke iu kundërvënë mësuesve dhe politikës italiane. Ndërkohë, edhe italianët filluan terrorin, arrestimet, përndjekjet, censurimin, keqtrajtimet e njerëzve të pambrojtur që vepronin kundër tyre. Duke mos pasur asnjë përkrahje tek të huajt, atdhetarët nisën organizimin e qëndresës me forcat e veta e në ballë doli djalëria e Vlorës dhe e krahinave, sepse i kërcënoi rreziku i aneksimit italian.

Ndërkohë, po zhvillohej Konferenca e Paqes në Paris, çfarë po ndodhte aty?

Ndërkohë në Konferencën e Paqes në Paris, në janar 1919, Greqia, Serbia e Mali i Zi paraqitën memorandume për synime të reja territoresh shqiptare. Trupave italiane u njihej juridiksioni “mbi tokën që përfshihej brenda zonës së fortifikuar të Vlorës (rrjedha e Vjosës që nga gryka deri në Tepelenë, rrjedha e Drinos, malet e Kurveleshit). Edhe pranë qeverisë shqiptare emërohej një komisar i lart italian, që varej nga Ministria e Jashtme italiane, që vihej mbi qeverinë shqiptare, pra qeveria e Durrësit e kthente Shqipërinë në protektorat italian.

Sipas dokumenteve, më i keq ishte qëllimi i diplomacisë së forcës europiane ndaj Shqipërisë?

Më 09.12.1919, SHBA, Anglia dhe Franca i paraqitën Italisë një memorandum me miratime të tilla: së pari, i njihnin qeverisë italiane sovranitetin e plotë mbi Vlorën, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke në Labëri, gjoja për mbrojtjen e Vlorës; i njihnin mandatin mbi shtetin e cunguar shqiptar në Shqipërinë e Mesme; së dyti, i njihej e drejta Serbisë  për dalje tregtare në Adriatik përmes tokave shqiptare; së treti, i njihej Greqisë e drejta e pushtimit të trojeve shqiptare në jugperëndim të vendit (kufiri nga Himara në Pogradec). Kurse qyteti i Vlorës me rrethina “së bashku me hiderlandin me të vërtetë të domosdoshëm për mbrojtjen e zhvillimin e tij do të kalonte nën sovranitetin e plotë të Italisë”. Ky copëtim tripalësh amerikano-anglo-francez qe më i favorshëm për Greqinë. Meqënëse ky memorandum e bëri  të pakënaqur qeverinë italiane, se humbte një pjesë të mirë të Kurveleshit, kur ajo donte ta përfshinte me Vlorën, u vendos që të filloheshin bisedimet e reja, në fillim të janarit 1920. Kështu, me memorandumin e 13.01.1920 përfaqësuesit e Francës dhe Anglisë i ribënë këto dhurime nga tokat shqiptare: Serbisë iu dha Shqipëria e veriut me qendër në Shkodër, e cila gëzonte gjoja “autonomi të veçantë”; Greqia merrte Korçën e Gjirokastrën; Italisë i jepej sërish Vlora me një sipërfaqe më të gjerë toke në jug dhe mandatin mbi shtetin e cunguar shqiptar (të qeverisë së Durrësit).

Si dhe kur dilloi qëndresa atdhetare kundër pushtimit Italian?

Duke parë se pushtuesit italianë, pas mbarimit të luftës më 1918-tën, nuk kishin ndërmend të iknin vetë nga Shqipëria, atdhetarët shqiptarë filluan të shqetësoheshin dhe nisën përgatitjet për t’i dëbuar me forcat e veta me luftë, pasi edhe fuqive të mëdha nuk u zinin besë.

Po përfaqësuesit ndërkombëtarë si e shikonin lëvizjen shqiptare? Si po vlerësohej prej tyre Konferenca e Paqes?

Përfaqësuesi anglez Harry Lam, që vizitoi Shqipërinë e jugut, në qershor 1919, i shkruan Ministrisw sw Jashtme angleze: “Vetë Vlora po zien gjithandej nga pakënaqësia dhe askush nuk nxjerr një fjalë të mirë nga goja për qeveritarët italianë”. Teksa më 03.09.1919 në Vlorë, u krijua komiteti me 11 vetë, të cilët përfaqësonin krahinat dhe qytetin e saj. Ky komitet shtypi dhe shpërndau trakte kundër Italisë edhe në Himarë , Kurvelesh, Mallakastër, Berat, Gjirokastër, Korçë etj. Kurse më 24.09.1919, vlonjatët filluan protestat drejtuar Konferencës së Paqes në Paris kundër marrëveshjes sekrete Titoni-Venizellos dhe copëtimit të  ri  të trojeve tona, sipas  memorandumeve të lartpërmëndur. Më 16.03.1919, përfaqësuesit e qytetit të Vlorës dhe të krahinave protestuan me shkrim kundër planeve gllabëruese italiane të trojeve tona dhe ia dërguan kërkesën SHBA-ve, Anglisë dhe Francës, pasi u nënshkrua nga shumë persona, të cilët më vonë do të drejtonin edhe luftën e Vlorës. Më 28.11.1919, populli i Vlorës festoi ditën e flamurit, ku  vepronte komiteti, një pjesë e anëtarëve, të të cilit kishin vendosur lidhje me të gjitha krahinat e Shqipërisë, duke mbajtur lidhje të fshehta dhe bënin udhëtime nëpër krahinat e jugut. Komisioni shtypi sërish e shpërndau trakte në Kurvelesh, Himarë, Mallakastër, Gjirokastër, Korçë nga Halim Xhelo me shokë. Ndërkaq, në Vlorë në ditën e flamurit u bë një demostratë me pjesëmarrje të vlonjatëve dhe të fshatarëve që kishin zbritur në qytet nga krahinat, e cila u kthye në përleshje të përgjakshme me pushtuesit, një ngjarje kulmore që bëri bujë, shprehu e nxiti zemërimin atdhetar popullor.

 

EVENTI

 

Kongresi i Lushnjës, me një rëndësi të veçantë historike

 

Memorandumi i 09.12.1919 i fuqive të mëdha për copëtimin e ri  të Shqipërisë u mbajt i fshehtë, por pazari i ri  i copëtimit, më 14.01.1920, u bë i njohur në Shqipëri. Populli shqiptar u trondit thellë. Duke parë se nuk kishin asnjë mbrojtje tjetër, atdhetarët vendosën se ishin pjekur kushtet, për të krijuar një Lidhje të dytë të Prizrenit në kuvend kombëtar, për të luftuar me forcat e veta. Për këtë qëllim, atdhetarët vendosën thirrjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjës, në fund të janarit 1920. Italianët mësuan  për thirrjen e kongresit, u alarmuan dhe gjeneral Piaçentini i shkroi Romës se kongresi do mblidhej më 11 janar 1920 dhe do të përmbyste edhe qeverinë filo-italiane të Durrësit. Edhe Roma zyrtare e kuptoi se do dëmtoheshin rëndë interesat e Italisë, prandaj urdhëroi komandën italiane të bashkëpunonte me qeverinë e Durrësit, për të penguar mbajtjen e kongresit. Edhe fqinjët tanë shovenë u përpoqën ta ndalonin apo ta sabotonin këtë kongres. Kështu, më 10 janar 1920, u vra në Shkodër Sali Nivica, anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe drejtor i gazetës “Populli”, që kundërshtonte pushtimin italian të Vlorës dhe akuzonte italianët për dredhi e politikë imperialiste, veç që përkrahu fort kongresin e Lushnjës.Më 15 janar 1920, u vra edhe delegati i Durrësit Abdyl Ypi. Këto ishin vrasje politike nga qeveria e Durrësit, për t’i frikësuar delegatët të mos shkonin në kongres. Edhe Myfit bej Libohova, ministër i Brendshëm i qeverisë së Durrësit, dërgoi dy batalione të milicisë në Fier, për të penguar delegatët e Jugut të mbërrinin në Lushnjë. Këto masa terrori vonuan disa ditë fillimin e punimeve dhe shtuan urrejtjen ndaj pushtuesve e qeverisë kuislinge të Durrësit. Kongresi u hap, më 21 janar 1920, megjithse nuk ishin shumica e delegatëve se u penguan gjatë rrugëve dhe u shty për 28 janar 1920. Përfaqësues të Kurveleshit ishin major Ismail Haki Kuçi dhe Dervish Seit Gusmari. Delegatët nga krahinat e Gjirokastrës e Shkodrës mbërritën më 29 janar 1920. Kështu morën pjesë 50 delegatë nga i gjithë vendi. Kongresi mori vendime historike dhe pohoi pavarësinë e plotë të vendit, u shpreh kundër çdo mandati apo protektorati të huaj mbi sovranitetin e shtetit shqiptar, duke sfiduar planet e coptimit nga Konfreneca e Paqes në Paris. U shpall shkarkimi i qeverisë së Durrësit, u krijua senati dhe u hartua kushtetuta me 6 pika dhe Tirana u bë kryeqytet i vendit. Por Kongresi protestoi edhe kundër vendimeve të Anglisë e Francës për coptimin e ri të trojeve tona, vendim që “dënon një shtet të paanshëm të njohur dhe një ndër kombet më të vjetra të Europës”, sikundër edhe I bëri thirrje “botës së qytetëruar që të marrë në konsideracion parimet e shpallura prej kryetarit të Shteteve të Bashkuara e prej përfaqësuesve të Antantës, mbas një lufte që çliroi një numër kombesh nga kulari i huaj”. Më tej, Kongresi i kërkoi pavarësi të plotë edhe Konferencës së Paqes në Paris dhe protestoi e u bëri të qartë se “shqiptarët janë gati me ba çdo lloj sakrifice, edhe me derdhun pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo veprimi që mundet me vu në rrezik pavarësinë e Shqipërisë e tërësinë e saj tokësore”. Ndwrkaq, vendimet e kongresit patën rëndësi të madhe se u hodhën poshtë planet e fuqive të mëdha dhe atyre fqinje imperialiste; u godit qëndrimi kapitullues i reaksionit të brendshëm çifligaro-kapitalist etj. që ishin vënë në shërbim të armiqve të Shqipërisë; mori vendimin që të çlirohej Shqipëria nga pushtuesit italianë e serbë. Konkre-tisht, në protestën e kongresit drejtuar fuqive të mëdha thuhet: “Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj flije edhe deri në pikën e fundit të gjakut, kundër çdo vendimi që mundet të vërë në rrezik pavarësinë e tyre dhe tërësisë kombëtare”. Shkurt ky kongres shtroi çështjen e vendosjes së sovranitetit të vendit, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ndërkaq, Fan Noli mori takim me presidentin e ShBA-ve, Uillsonin dhe “Lidhjen e kombeve”, në dhjetor 1920, për mbrojtjen e vendit nga copëtimet e pushtimet e reja imperialiste. Populli i Kurveleshit, në përputhje me traditën, u gëzua për vendimet e kongresit dhe mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës, që doli nga ky kongres. Italia e demaskoi veten si armike e Shqipërisë. Edhe tërheqja e trupave austriake e lehtsoi gjendjen e vendit.

****

 2.

 

Si u realizua përgatitja dhe zhvillimi i Luftës heroike të Vlorës?

Kongresi i Lushnjës krijoi kushtet dhe i nxiti krahinat e jugut, për luftë kundër Italisë pushtuese.Gadishmëria e veprimet diplomatike të qeverisë së dalë nga kongresi i Lushnjës  e kryeministrit Sulejman Delvinës  gjeti, përgatiti  dhe u përcaktua edhe gjendja më e dobët e Italisë, për të goditur edhe politikën imperialiste europiane, me kryengritjen e armatosur, pasi tashmë Vlora e Labëria qenë ngritur si djepi i traditës, për Shqipërinë e pavarur, për të hedhur Italinë në det.Pasi delegatët u kthyen në vendlindjet e tyre, në Labëri filluan përgatitjet për kryengritjen e armatosur.Gjatë shkurtit 1920, u bënë mbledhjet e pleqësive e fshatrave për të qënë gati në luftë kundër pushtuesit. Në Vlorë, më 3 shtator 1919, ishte themeluar “Komisioni I Vlorës” prej 11 vetësh, i kryesuar nga Hamza Isai. Më 10 mars 1920, ky komitet  i fshehtë u riorganizua si “Mbrojtja Kombëtare”,e kryesuar nga Osman Haxhiu (M.çami-v.c.f.164). Aty u vendos që çështja e Vlorës të zgjidhej me kryengritje dhe urdhëroi përgatitjen e krahinave, duke dërguar anëtarët e tij në fshatrat e Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës.U krijuan edhe komitete të tjera të fshehta në Tepelenë,Gjirokastër etj.

-Si u vendos ?

Më 20 mars 1920, u bë mbledhja e parisë së qytetit të Vlorës dhe e fshatrave, ku u vendos  që “çështja e Vlorës të zgjidhej me armë “( gazeta Mbrojtja Kombëtare, Vlorë, 28.10.1920).Në fakt, ky ishte kushtrimi drejtuar fshatarësisë atdhetare, siç ishte tradita kryengritëse shqiptare kundër pushtuesve. Pas kësaj mbledhje, u bënë të tjera  nëpër fshatra, ku përfaqësuesit e tyre propaganduan vendimet e marra dhe filluan përgatitjet për të qënë gati, kur të jepej sinjali i luftës frontale.Po në mars, Osman Haxhia bëri një letër, ku kërkonte nga parësia e fshatrave të grumbullonin aërmë dhe të përgatiteshin për luftë si dhe të ndërmerreshin aksione kundër postëkomandave italiane në Kuç,Brataj, Llogora, etj.( B.Gaçe-L.Malo f.31-32). Në takimet që bëri H.Xhelo në Dukat, Armen, Vajzë e Mesaplik mori pjesë edhe Arif Mëhillaj nga Kuçi, që qenë ngarkuar nga Komiteti i mbrojtjes, për të krijuar nënkomitetet e Vlorës ( B.Gaçe-v.c. f.26).Kur atdhetarët kërkonin armë për t’i bërë ball armikut, prefektët kuislingë thoshin ; “ç’i doni armët, të vrisni veten ?”.Gjatë muajit maj u bënë mbledhje e kuvende  në krahinat në Labëri, ku u lidh besa me njëra tjetrën, për të luftuar pushtuesin deri në çlirim.

-A e nuhatën italianët organizimin e kryengritjes?

Më 09.05.1920, pushtuesit italianë, përmes agjenturës së tyre, nuhatën organizimin e kryengritjes popullore dhe morën masa shtypëse; më 16.05.1920,ata shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.Autoritetet italiane nuk i lejuan as përfaqësuesit e qeverisë shqiptare të hynin në Tepelenë ,më 17 maj 1920, për të vendosur autoritetin shqiptar, si në Berat, Gjirokastër, duke i qëlluar me top e mitroloza, në fushën e Luzatit, bandën e shoqërisë “Vatra” dhe trupat e xhandarmarisë e vullnetarët shqiptarë, që shkuan për të marrë në dorëzim Tepelenën (gazeta Drita, Gjirokastër,22 maj 1920  nr.8.f.2-3).Në Vlorë, italianët filluan arrestimet, më 18 maj 1920 disa atdhetarë u torturuan në një anije në det.Kështu u armiqësuan më tej, me shpejtësi marrëdhëniet mes shqiptarëve e italianëve dhe kjo valë terrori  e armikut shpejtoi veprimet luftarake. Anëtarët e komitetit e plotë atdhetarë shkuan nëpër fshatra.Osman Haxhiu njoftoi të takoheshin në fshatin Ramicë për kuvendin, më 24 maj 1920 .Atje u vendos thirrja e mbledhjes te Rrepet e Ismail Qemalit në Mesaplik, ku H.Xhelo e Q.Kokoshi hartuan shpalljen, për thirrje banorëve të Mesaplikut e Kurveleshit, për të shpëtuar vendin nga pushtuesit.Në këtë mbledhje foli Arif Mëhillaj nga Kuçi,Toto Hosi,Sali Vranishti e Memo Metua nga Brataj.Aty u vendos  mbledhja e përgjithshme e krahinave, më 29 maj, në Barçalla të Dukatit.A.çiraku e Kanan Mazia, vajtën në Nivicë, më 26 maj 1920, ku  bënë mbledhje dhe u diskutua organizimi i çetave të armatosura etj.Sipas  Riza Runës, më 24 maj 1920, mbriti H.Xhelo dhe po atë ditë italianët u përzunë nga Kurveleshi, ikën natën nga Progonati.Në Nivicë u ngrit flamuri shqiptar.Mbledhja e Nivicës qe e ngushtë.  U bë mbledhje, me pjesëmarrje më të gjerë, nga të gjitha fshatrat në Gusmar, më 27 maj 1920, ku fshatrat bënë besëlidhjen për luftë për liri.U vendos të liheshin mënjanë hasmëritë, gjaqet.U biseduan masat përgatitore dhe u bënë listat e luftëtarëve për çdo fshat si dhe u caktuan komandantët e çetave.Ky kuvend u mbyll me ngritjen e flamurit kombëtar.U deklarua se nuk do të njihej asnjë pushtet i huaj.Në Progonat u ngrit nënprefektura nga populli.Pra veprimet e para u bënë në Kurevelesh.

-Flitet për kuvendin e Barçallasë, kur u mblodh dhe ccfarë vendimesh mori?

Në këto kushte, në zbatim të vendimit të kongresit të Lushnjës, kuvendi i të gjitha krahinave të Vlorës, kuvendi i Barçallasë u bë ,më 29 maj 1920. I thirrur nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, ku morën pjesë 200 vetë nga qyteti i Vlorës dhe pleqësia e fshatrave të Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës.Qeveria e Tiranës dërgoi atje Ismail Haki Kuçin, me detyrën urgjente për organizimin e qëndresës, nën drejtimin e komitetit, detyrë të cilën e priti me gëzim, sipas bashkëluftëtarëve me të. Dhe u nis pa humbur kohë, duke përshkuar fshatrat e Myzeqesë, u hodh me lundër në Seman e Vjosë, shkoi nëpër kodrat e Mifolit, duke bërë edhe propagandë atdhetare për luftën e Vlorës.Ky komitet miratoi njëzëri shpalljen e kryengritjes së përgjithëshme, pjesëmarrësit u betuan para flamurit kombëtar, për ta çliruar vendin nga pushtuesi italian.Kuvendi zgjodhi “Këshillin Kombëtar” prej 30 vetë, me kryetar Osman Haxhinë, prej të cilëve 12 vetë në Komitetin e ri të “Mbrojtjes Kombëtare”(KMK) për drejtimin e kryengritjes, më 29.05.1920, në Barçalla të Dukatit.Ky këshillë bëri thirrjen për luftë. Aty u krijua edhe komisioni ushtarak “Komisioni Epror I Luftës”,me pjesëmarrës ushtarakë të njohur si Ahmet Lepenica, major Ismail Haki Kuçi, Azis çami, Xhevdet Picari, Memo Metua, Tosun Selenica etj.Komandant i forcave kryengritëse u caktua A.Lepenica. Operativ i komisionit ushtarak, njëkohësisht edhe anëtar I “Këshillit Kombëtar”, u caktua major Ismail Haki Kuçi, i deleguar i qeverisë së Tiranës (B.Gaçe-Osman Haxhiu,Tiranë,2002,f.101) . “Komiteti I Mbrojtjes Kombëtare” e caktoi I.H.Kuçin edhe si komandant të grupit të dytë të forcave, për aftësit e tij ushtarake.Ismail Haki Kuçi u caktua edhe si gjyqtar ushtarak dhe me nismën e tij u bë organizator I gjyqit ushtarak që gjykoi e dënoi me vdekje me pushkatim disa dezertorë dhe spiunë gjatë luftës si dhe agjentë italianë (Fane Veizi- qeveria e kongresit të Lushnjës e veprimtaria e saj, 1918-1920,f.164).Avokati Avdul Kuçi (Hoxhaj) nga Kuçi u caktua anëtar i gjyqit të luftës si dhe Rasim Babameto,Neki Xhuveli etj.U caktuan edhe komamndatët e zëvendësit e çetave për çdo fshat dhe të gjitha forcat kryengritëse të mblidheshin në Beun, më 2 qershor 1920.Pjesëmarrësit në kuvend u kthyen në vendet e tyre dhe dhanë kushtrimin, për t’u vënë në gadishmëri forcat e armatosura e vullnetarët.Një përfaqësi u dërgua në Tiranë,(ndofta Ismail Haki Kuçi, i cili u kthye në Tiranë), për t’i njoftuar qeverisë vendimet e kuvendit për të filluar kryengritjen e bashkërenduar veprimtarinë me të dhe kërkuar ndihmën e mundur.Forcat e Kurveleshit ishin gati në fund të majit dhe prisnin vetëm sinjalin e fillimit të luftës (Sejfudin Meçe nga Kuçi- kujtime mbi Luftën e Vlorës). Siç shkruan Bardhosh Gaçe, nga Kuçi morën pjesë në kuvend edhe Arif Mëhillaj e Xhafer Aliko.Në Kurvelesh u hodhën parrullat: “çdo gjë për luftën, për mbrojtjen e kombit”,”E mbrojmë me gjak, se lëshojmë aspak”.

-Kush e përbënte “komisionin e oficerëve”?

Në Barçalla u emërua  “komisioni i oficerëve” që do të drejtonin luftën, nga ana ushtarake, me kryetar A.Lepenicën .Por polemika se kush u zgjodh komandant i përgjithshëm vazhdon ende sot.  Në Beun, më 04.06.1920, major A.Lepenica u zgjodh komandant i përgjithshëm, se nuk mbriti ai person, që pritej dhe i emëruar nga qeveria në  Tiranë ( Enver Lepenica  “Emblema e një epopeje” dhe Ago Agaj – Lufta e Vlorës). Në Drashovicë A.Lepenica u emërua komandant i përgjitshshëm i xhandarmarisë dhe nën komandant i luftës. Major Ismail Haki Kuçi u emërua shef operativ i luftës së Vlorës nga qeveria e Tiranës, si akademist ushtarak dhe që dha prova  edhe kundër agresorëve grekë në jug dhe kundër serbëve, më parë në Tiranë. Sipas Gani Iljaz Abazit,” në këshill u zgjodhën personat më me influencë në krahina, ku nga Kuçi u zgjodhën Avdul Kuçi (Hoxhaj), prokuror dhe major I.H.Kuçi. Delegatët e KMK shkuan në Gjirokastër, Kurvelesh, Tepelenë, Korçë, Berat, Elbasan, Durrës etj.për t’i njohur me vendimin për luftë kundër Italisë. Një përfaqësi me në krye Osman Haxhinë shkoi  në Tiranë, për bisedime e ndihmë nga qeveria . Masat popullore të krahinave të Vlorës, të pushtuara nga italianët, mbaheshin të veçuara nga qeveria e përkohëshme proitaliane e Durrësit, se Italia donte ta mbante Vlorën nën sundim. Për këtë arsye, populli i krahinave të Vlorës gjykoi, se hedhja e Italisë në det, u hiqte të drejtën edhe shovenëve grekë, serbë e malazez, të mbanin të pushtuar trojet shqiptare.

-Kur u dha sinjali i kryengritjes popullore?

Sinjali i kryengritjes popullore u dha, më 29 maj 1920, në malin e Barçallasë në Dukat, ku u mblodhën parësitë e qytetit dhe të fshatrave pjesëmarrëse në këtë kryengritje popullore. Kjo luftë ishte kërkesë historike e kohës. Vendimi u firmos dhe u vulos nga të gjitha përfaqësitë e fshatrave të prefekturës së Vlorës, me përjashtim të n/prefekturës së Himarës dhe Tepelenës që në atë kohë vareshin nga Vlora, por nuk del ende arsyeja pse ndoddhi kështu. Më 02.06.1920, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare u vendos në malin e Beunit, mbi fshatin Vajzë. Atje u caktuan çetat, që do të luftonin në Kotë, Gjorm, Llogora, Drashovicë dhe më vonë në kalanë e Kaninës e gjetkë.Numuri i luftëtarëve kurveleshas arriti rreth 700 vetë, kurse i tërë kryengritësve 4.000 vetë, edhe sipas H.Xhelos.Më 2 qershor 1920 në Beun,çetat kryengritëse u vendosën te rrapi i Gurrave, ku komisioni ushtarak bëri organizimin e tyre, duke i bashkuar çetat e fshatrave, në njësi luftarake më të mëdha, sipas krahinave.Komisioni ushtarak u dha detyrat luftarake dhe i përhapi forcat në terren në gadishmëri. Mehmet Selim Mallkeqi, i caktuar nga komiteti, i dorëzoi ultimatumin e parë gjeneral Piaçentinit, bërë nga KMK.Pasi ai agresor e arrogant nuk u përgjigj,veç me një gjuhë barbare ultimatumit, më 05.06.1920 në mbrëmje, filloi kryengritja, çarmatosja dhe dëbimi i qendrave të karabinerisë italiane nga  fshatrat.Kryengritësit u bënë më të vendosur dhe nuk përfillën këshillat e frikacakëve, se gjoja qe marrëzi t’i hapje luftë Italisë 40 milionëshe.Aq më pak, nuk u dëgjuan bejlerët tradhëtarë, të shitur te Italia dhe u zbuluan edhe përpjekjet e tyre, për ta sabotuar kryengritjen, para dhe pasi filloi apo gjatë luftës.Këta tradhëtarë hodhën edhe trakte mashtrues se gjoja “ Italia qe mike e donte me gjithë zëmër të mirën e vendit e lirinë e Shqipërisë”,se “kush e do Shqipërinë, nuk duhet ta shajë Italinë, kush lufton Italinë, don coptimin e Shqipërisë” etj.marrëzi.

 Përgatitja e Kuçit dhe nisja e luftës për çlirimin e Vlorës

Komiteti i luftës së Vlorës, përveç kuçiotëve pjesëmarrës, për rëndësinë e rolin e Kuçit në këtë luftë, dhe të traditës së mirënjohur në vend, dërgoi anëtarin e tij atdhetarin trim Halim Xhelo, i cili u prit me përzëmërsi dhe u takua me parinë e pleqësinë e Kuçit, me të cilët njihej mirë, për organizimin dhe mobilizimin e popullit të Kuçit, në luftën çlirimtare të Vlorës. Paria e pleqësia e Kuçit vendosën dhe thirrën në Grabovë, në lumin e Kuçit, më 31 maj 1920, një kuvend popullor të traditës, ku foli Arif Mëhillaj, i cili parashtroi vendimet e rëndësishme të KMK, si pjesëmarrës në të, nevojën e domosdoshme për pjesëmarrjen e popullit të Kuçit në këtë luftë dhe gadishmërinë e popullit për çlirim të vendit.Populli e priti me gëzim e krenari thirrjen e bërë, ai tregoi gadishmëri  të plotë, si gjithmonë për të luftuar pushtuesit. Halim Xhelua njoftoi vendimin e Barçallasë për çlirimin e Vlorës me luftë dhe të tërë krahinave, nën pushtimin italian.Ai i bëri thirrje popullit të Kuçit që, edhe këtë herë, të tregonte atdhetarizmin e lart e trimërinë që kishin treguar, në luftrat e gjata për liri e pavarësi.Atje u bisedua sërish, për masat e përgatitjes së kryengritjes së armatosur dhe u krijua një komision, i kryesuar nga major Ismail Haki Kuçi, për rregjistrimin e përgatitjen e luftëtarëve.Ia vlen të shënohet se për herë të parë, në kuvendin e Grabovës, Kadri Gjoleka shfaqi mendimet e veta, kur ai tha: “ Italia është fuqi  e madhe dhe ne nuk kemi ç’t’i bëjmë, se ajo do të na dëmtojë e shkatërrojë më shumë, se ne të djegur e të shkatërruar jemi “ (Historiku i Kuçit 1969 f.48). Ai kujtoi dëmet e luftës me grekët, për t’i dhënë vlerë mëdyshjeve të tij, për fitore në luftën e Vlorës. Ai u largua nga mendimi e vendimi i shumicës dhe për këtë arsye populli e qortoi qëndrimin e tij disfatist. Ai nuk mori pjesë në luftën e Vlorës dhe u radhit në anën e konservatorëve, gjatë dhe pas luftës, biles bashkëpunoi me Myfit bej Libohovën, dallaverexhi e agjent i italianëve e grekëve.Por i biri i Kadriut, Xhevdet Gjoleka nuk e ndoqi qëndrimin e babait, si më sipër, dhe u rregjistrua vullnetar në këtë kuvend.

Më në fund A.Mëhillaj iu drejtua Halim Xhelos : “Ne do të shkruhemi në çeta dhe do të vijmë të gjithë në luftën e Vlorës.Jepini të fala komitetit dhe sigurojeni atë, për pjesëmarrjen e gjithë popullit të Kuçit, në luftën për çlirimin e Vlorës”!.

Dy ditë më vonë, pasi u largua Halim Xhelo nga Kuçi, më 02.06.1920, çetat e Krveleshit të Poshtëm, paria dhe i gjithë populli i Kuçit u mblodhën në Gjibuf të Kallaratit, kufi me Bletëzën e Sheshin e Rethit të Kuçit, që i ndan lumi, ku u organizuan dhe u nisën për në Gjorm, ku u ishte caktuar detyra luftarake.Kuçiotët bënë rregjistrimet, me baza vullnetare të luftëtarëve, gjithsej 109 vetë, sipas një liste të historikut të Kuçit 1969 dhe,sipas atij të 1986, gjithsej 180 vetë, lista të cilat në fakt, janë jo të plota, se luftëtarët shkonin e vinin në luftë, sipas nevojave të luftës dhe halleve familjare. Sipas rregullit luftarak, çdo fshat dërgonte  në çetë, në çdo 5 burra duhej të dilte një luftëtar, por përjashtoheshin djemtë e vetëm, jetimët, të sëmurët, të gjymtuarit. Mustafa Luçi, djal i vetëm, shkoi në luftën e Vlorës, ku qëndroi  6 javë si edhe Polo ( Pelivan) Tahir Zenelaj. Ata që nuk do të shkonin në front do të përballonin punët në bujqësi e blektori në fshat.Në fillim çetat e Kuçit patën 120 luftëtarë, që u vunë nën komandën e Zenel Shaqir Gjolekës ( i cili u tërhoq shpejt nga lufta), Rrapo Aliut, Meto Peçit, Arshi Saraçit (Brahimaj) e Jaho Gjoligaj si “ këshillë i luftës “ së Kuçit. Më vonë, pati disa mosmarrëveshje dhe komandant çete u zgjodh Meto Peçi, i cili mbeti deri në fund të luftës, ndërsa  Rrapo Aliu e Arshi Saraçi mbetën nën komandantë deri në fund ( Mustafa Luçi – Ligjërime nga Labëria f.563-564).Për drejtimin e forcave të Kuçit u zgjodhën drejtues me përvojë si Meto Peçi, Sefedin Meçe, Rrapo Aliu, Jaho Gjoligu e Arshi Saraçi, në rolin si komandantë  të çtave të Kuçit. Seit Alikaj përmënd si komandant çete edhe Ismail Meto Brahimaj (  Kuçi i Labërisë në shekujf.143), por nuk përmëndet në asnjë dokument tjetër, veçse si luftëtar. Në një material përmendet si komandant çete edhe Zenel Shaqir Gjoleka. çetat u organizuan, sipas një ndarje të caktuar të luftëtarëve, por nuk jepen ndarjet, sipas zonave të fshatit, sepse nuk dihen dhe nuk i përmend askush as numurin e tyre të plotë, të të rregjistruarëve me banim në fshat apo jashtë tij, në fshatra posht Lumit të Vlorës, ku ishin me banim a punë. Nuk jepet as lista e ushtarakëve kuçiotë të armëve të ndryshme që luftuan  në Vlorë, citohen vetëm dy  vetë: I.H.Kuçi e B.Guro.Ishte edhe Hamit Duro Kuçi (Aliaj) etj.

-Si u ndanë detyrat?

Sipas detyrave të KMK, forcat e Kuçit u ndanë në dy drejtime: një çetë e komanduar nga Jaho Gjoligu shkoi në çlirimin e Tepelenës dhe pjesa tjetër, 4 çeta, komanduar nga M.Peçi  e Rr.Aliu etj. në drejtim të Lumit të Vlorës. Siç u pa më lart, veprimet e çetave filluan më parë në Kurvelesh.Më 03.06.1920  e para, nisi luftën çeta e Kuçit  se rrethoi postëkomandën e karabinerisë italiane në fshat, që ishte atje nga viti 1916, ku kishte 60-70 vetë të armatosur gjer në dhëmbë. Populli kërkoi t’i çarmatosnin karabinerët, por Kadri Gjoleka me parinë e pleqësinë  vendosën t’i linin të lirë të iknin dhe u përcollën, në dy drejtime paqësisht, nga rruga Pilur-Himarë dhe drejt Vlorës, po atë ditë.Ata u përcollën nga populli me këngë, valle e hare, me thirrjen “Vlora,Vlora, ja do mbetet Vlora jonë, ja do bëhet shkrum e hi”, e cila frymëzoi të gjithë luftëtarët, kudo që luftonin. Kështu Kuçi u çlirua, më 3 qershor 1920 se kuçiotët rrëmbyen armët të parët, para se të fillonte lufta e Vlorës, më 05.06.1920.Materialet ushtarake të postës së karabinerisë italiane, bombat e municionet etj.u mbajtën në fshat dhe iu shpërndan popullit, për t’u armatosur dhe  për t’u mbrojtur. Kjo mirësjellje e Kuçit u bëri përshtypje të mirë italianëve dhe bëri bujë, sa ata e kujtonin këtë ngjarje edhe kur pushtuan Shqipërinë më 1939, siç tregoi një oficer i SIM-it që kishte qënë në postën e Kuçit, kur i përcollën deri në Pilur e Himarë që të iknin në Itali, pa u dëmtuar e jo të shkonin në luftë në Vlorë. Pasi çliruan fshatin, vullnetarët e Kuçit, të organizuar në 4 çeta, u nisën drejt Vlorës, më 4 qershor, duke u bashkuar me çetat e Kallaratit, Bolenës, Vranishtit, Bratajt e Tërbaçit, sipas planit për sulm mbi armikun, që filloi me njëherë në të gjitha drejtimet.

-Sa ishte numri i trupave italiane në zonën e Vlorës?

Trupat italiane në zonën e Vlorës ishin 12 mijë ushtarë,një divizion.Italianët kishin bërë fortifikime të ndryshme (bunkerë,transhe, istikame), qëndra zjarri, të mbrojtura, me thasë me rërë e të rrethuara me tela me gjëmba, të mbrojtura nga topa e mitralozë, furnizuar për qëndresë nga 4-6 muaj.Kryengritësit qenë tri herë më pak dhe të pajisur me armë primitive, të ruajtura brez pas brezi,të llojeve të ndryshme si mushqeta e maliherë italianë; mauxerrë, dyfeqe shishopua a kapsollie, nga të kohës së sulltan Azizit, dogra e armë gjahu, municionet ishin fare të pakta.Shumë prej luftëtarëve vajtën në luftë vetëm me sopata, thika, hanxharë, cekure, biçak etj., me shpresë t’i merrinin armikut armë, siç thotë edhe kënga popullore. Sipas planit luftarak, të hartuar nga komisioni ushtarak, veprimet do bëheshin në dy faza: E para,me objektiv asgjësimin e garnizoneve  italiane në Llogora, Gjorm,Kotë,Vajzë,Drashovicë,Sinanaj e Tepelenë, që përgatisnin fazën e dytë, marrjen e kalasë së Kaninës e Vlorën, duke qënë të siguruar nga shpina, nga forcat kryengritëse, që do të rrethonin qytetin e  Vlorës.

-Si nisi kryengritja?

Më mbrëmjen e 4 qershorit, në errësirën e natës , së pari, u prenë linjat telefonike të Vlorës me garnizonet në terren,duke paralizuar ndërlidhjen italiane; së dyti, u prishën urat e rrugët; së treti, u çarmatosën pa luftë të gjitha postat e karabinerisë, duke i mbajtur robër këto forca.Vetëm në Cmokthinë, forcat e Krveleshit ranë në prit me 70 karabinerë,të cilët ca i vranë, ca u ikën në Gjorm. Më 4 qershor natën, kryengritësit nisën lëvizjet drejt objektivave luftarakë.Më  5 qershor, këto çeta, përfshi kuçiotët, rrethuan e sulmuan forcat italiane në Gjorm, nga disa drejtime ( nga Lepenica, rrëza e malit të Gjormit e nga lumi).Sulmi i çetave ishte i fort. Pasi kaluan telat me gjëmba e llogoret, u bënë përleshje trup me trup, ku u vranë oficerë, ushtarë dhe një n/kolonel që hiqej si i sëmurë. Pas luftimesh të ashpra dhe pas qëndresës së dëshpëruar prej 2-3 orësh, armiku u dorëzua, duke lënë 40 të vrarë,shumë të plagosur dhe 80 robër, u zunë edhe dy topa, 7 mitroloza, pushkë e municione etj..Materialet e spitalit në Brataj u grabitën nga populli, në rrëmujë e sipër, por komisioni i luftës u ndaloi marrjen e kafshëve të ngarkesës dhe armatimeve të zëna,të cilët i vunë në duar të sigurta për nevoja e luftës, me roje italiane, nën komandën e luftëtarëve besnikë shqiptarë.Ndërkohë armiku në Kotë dëgjoi oshëtimën e armëve, por e kuptoi sikur luftëtarët qenë thyer. Këto fitore e ngritën moralin dhe besimin e luftëtarëve në forcat e veta për çlirimin e Vlorës.

-Si vazhdoi kryengritja pas çlirimit të Gjormit?

Pas çlirimit të Gjormit, çetat vullnetare, përfshi kuçiotët, u nisën në Kotë për të luftuar. Gjatë rrugës po shtoheshin vullnetarët si ortek nga fshatrat e Lumit të Vlorës dhe forcat që vinin nga Tepelena. Kryengritësit mbritën në vijën e sulmit, pa u parë nga armiku, nga ora 22-23 të datës 5 qershor1920. Të gjitha forcat, pasi morën urdhërin, u hodhën në sulme të befasishme,  nga të gjitha anët mbi garnizonet armike, nga Llogoraja në Sinanaj.Komisioni drejtues i luftës u nis pas forcave mbi Kotë dhe u vendos në Brusnjë, në juglindje të Kotës afër qafë Dushkut. Luftimet më të ashpra u bënë për marrjen e Kotës, si nyje kryesore që kontrollonte rrugën Vlorë-Gjirokastër dhe ishte furnizuar mirë me ushqime e armatime, për qëndresë të gjatë edhe në rrethim, për arsye të terrenit të ngushtë mes kodrash,ku dy lartësitë ishin rrethuar me disa radhë telash me gjëmba.Në Kotë  drejtonte gjeneral Goti me një rregjiment artilerie, bateri topash, fortifikata të mbrojtura me mitrolozë të rëndë, automjete etj.Sulmi i çetave, përfshi ato të Kuçit, ishte i fort .Armiku bëri qëndresë të ashpër, por nuk pati rezultate në terrenin real, pasi luftëtarët i kaluan telat me gjëmba me lesa e guna mbi ta,pushtuan llogoret , duke i vënë italianët në grykën e zjarrit të dëndur, tërë natën deri në mëngjez,ku zunë shtabin e garnizonit armik.Më tepër qëndroi komanda e spitali, por sërish luftëtarët u futën njëlloj dhe italianët ngritën flamurin e bardhë.Kur u futën në oborrin e komandës, plagosën rëndë kolonelin e artilerisë Kavalo.Ndërkohë kur gjeneral Goti, po i përgjigjej thirrjes për t’u dorëzuar,u vra sa doli nga dera.Vdekja e tij i demoralizoi krejt forcat italiane, të cilat i hodhën armët.Kështu pas 8- 9 orë luftimes të rrepta, Kota ra në duartë e kryengritësve. Një çetë e Kuçit goditi italianët m’atanë lumit në Kotë, të zbuluar nga njësiti i Halit Bishës, më 05.06.1920, ku u vra edhe gjenerali Goti. Ushtarë italianë, që hodhën lumin u kapën robër nga kuçiotët dhe u çuan në  fshatin Vajzë nga njësiti i Halit Bishës ( Sami Kapaj- Halit Bisha f.33). Në këto luftime u plagos kuçioti Fejzo Xhaferi dhe vdiq më vonë, nga plagët e marra, i cili është shpallur dëshmor në vitet e socializmit.

-Përse këmbëngulnin italianët në Kotë?

Forcat e armikut për mbrojtjen e Kotës qenë të shumta dhe komandoheshin nga gjeneral Goti, i cili qe shquar në luftën e parë botërore, por forcat vullnetare i sfiduan shpejt italianët në Kotë.Italianët patën humbje të rënda: 80 të vrarë,shumë të plagosur, rreth 400 robër,mes të cilëve shumë oficerë.Materialet ushtarake qenë të shumta dhe ranë në duart e kryengritësve, veç ushqimeve, ilaçeve, kafshëve etj (AQSh, dosja 3, Lufta e Vlorës).Me këto armë u armatosën luftëtarët pa armë apo të vjetra a me armë të ftohta. Gëzimi i kryengritësve qe i madh për këtë fitore në Kotë,ku fitoi trimëria labe mbi armatimin modern të Italisë.Kjo fitore rriti guximi e besimin për çlirimin e Vlorës.Në këto luftime ranë Zigur Lelua e Kanan Mazja nga Shkoza, me thirrjen “Rroftë Shqipëria e lirë”.Pati pak të plagosur. Kjo fitore në Kotë e gjetkë e çau më dysh frontin e mbrojtjes italiane, se nuk mund t’i vinin në ndihmë njera tjetrës : së pari,Tepelena me Kotën, së dyti, Vlora me Llogoranë e Himarën.Tepelena e Vlora mbetën në darën e rrethimit nga kryengritësit. Pas Kotës, çetat e Kuçit etj. asgjësuan garnizonin e Mavrovës, ku u kap rob shtabi italian.Pastaj luftuan në urën e Drashovicës, ku u luftua 10 orë dhe u çlirua në mbrëmjen e 05.06.1920.Italianët u detyruan të tërhiqen, pasi dogjën urën e Drashovicës.Gjatë, më pak se dy ditëve, u çliruan Vajza, Radhima,Jonufra e Matohasanaj që u dorëzuan pa luftë.Llogoraja u mor 2-3 ditë më vonë.Humbjet e armikut qenë 180 të vrarë dhe një gjeneral, mbi 1.000 të plagosur dhe mbi 1000 robër,rreth 200 oficerë.Armatimet u kapën në sasi të mëdha.Forcat kryengritëse arritën në 4.000 luftëtarë, kurse ato italiane qenë 20.000 ushtarë, nën komandën e gjeneral S.Piaçentinit dhe 12 gjeneralëve të tjerë.

Pas 2-3 ditësh që nisi lufta e Vlorës, populli i Kuçit u mblodh sërish në kuvend, në Vaun e Tojës, në lum të Kuçit, ku Arif Mëhillaj mbajti një fjalim, para popullit e vullnetarëve të rinj, ku ndër të tjera tha: “ne do të nisemi në luftë në Vlorë, pra spiunët le të bëjnë punën e tyre”, ne tonën. Kur luftëtarët kuçiotë arritën në qafën e Ubavit në Kallarat, atje u mblodhën edhe luftëtarë bolenas dhe nga Kurveleshi i Sipërm. Atje përsëri A.Mëhillaj mbajti një fjalim të zjarrtë, siç shkruan Mustafa Luçi, i pranishëm atje, për t’i nxitur luftëtarët kundër pushtimit italian, që i solli vendit dhe i bëri aq të këqia ( M.Luçi- Ligjërime nga Labëria f.563). çeta e Kuçit, e komanduar nga Jaho Gjoligu mbriti në Tepelenë dhe të nesërmen, më 05.06.1920 mori pjesë në rrethimin e forcave italiane atje, së bashku me forcat e Kurveleshit, Tepelenës etj. duke u vendosur në një sektor tepër të vështirë, në perëndim të qytetit. Seit Alikaj shkruan se atje mori pjesë, në drejtim të çetës edhe Xhafer Aliko, me porosi të Halim Xhelos (Kuçi i Labërisë f.143), por J.Gjoligu nuk e përmend në kujtimet e tij, dhënë gazetës “Luftëtari”. R.Memushaj e përmend në “Historinë e Kurveleshit” Xh.Alikaj si komandant,  së bashku me J.Gjoligun, por në tërësi çetën kuçiote nën komandën e J.Gjoligut.

Mësymja

Mësymja filloi në të  gdhirë ,më 06.06.1920, nga të gjtha drejtimet.U luftua me heroizëm, ditë e natë, më 6 e 7 qershor, por armiku i pengoi të hynin në qytet, me zjarrin e dëndur të artilerisë, me të gjitha llojet e armëve, përfshi artilerinë dhe mortajat. Më 8 qershor, në të gdhirë, luftëtarët sulmuan me furi dhe e detyruan komandën italiane, të rregjimentit 72 të këmbsorisë dhe grupin 157 të artilerisë malore, ta braktisnin pjesën perëndimore dhe të strukeshin në qytet dhe pak më vonë në kala, ku qëndruan të rrethuar dhe nën goditjet e kryengritësve. Në pamundësi shpëtimi, italianët u detyruan të dorëzoheshin. Kështu, më 21.06.1920 ora 18.30, në Tepelenë valoi flamuri shqiptar. Atje u kapën robër 270 ushtarë dhe 30 oficerë, mes të cilëve edhe komandanti major Kalcibi. U kapën edhe sasi të mëdha armatimesh, municionesh e materiale luftarake. Pas kësaj fitorje, forcat vullnetare, përfshi çetën e Kuçit, u nisën në Drashovicë, ku u bashkuan me forcat e tjera për çlirimin e Vlorës. Për luftimet në Tepelenë, Jaho Gjoligu shkroi kujtimet e veta,dhe ndër të tjera thotë: .. “ iu betuam Ismail Qemalit se do të mbronim nderin e kombit tonë ...nën udhëheqjen e Halim Xhelos dhe të Selam Musait, u përgatitëm të hidheshim mbi pushtuesit dhe ta marrë vesh breshkamadhi se shqiptarët janë gjallë dhe Shqipëria është bërë varr për të huajt.çeta jonë në fillim zuri pozicionet në afërsi të Tepelenës, ku kishte forca të mëdha italiane.Kur gjeneral Piaçentini hodhi posht ultimatumin, ne morëm urdhër të fillonim luftën. Kurveleshasit u vërsulën me tërbim mbi armikun, i cili u detyrua të futej në kalanë e Tepelenës. Armiqtë të strukur në kala ngordhën si qentë nga etja dhe uria, kështu që ne i shpartalluam krejtësisht. Prej andej u nisëm për në Babicë, ku italianët kishin fortifikuar gjithë kodrat dhe shtigjet.Përpara pozicioneve qenë telat me gjëmba dhe pas tyre armiku mbrohej; hoqëm palltot dhe i hodhëm mbi tela, u përleshëm fytazi me italianët; atë ditë qëlluam me batare dhe rrëzuam edhe një aeroplan. Me luftimet tona të përgjakshme në Kotë, Kaninë, Gjorm e Llogora, ku  mori pjesë i gjithë populli, armiqtë u shpartalluan.Të 12 gjeneralët  italianë me ushtritë e tyre u thyen në panik, kështu Vlora ishte dhe mbeti  e jona” ( Këngë popullore  1918-1920, botim i 1970 dhe Jaho Gjoligu- kujtime, gazeta Luftëtari 27.07.1960). Veç planeve të hartuara më parë, për nisjen e luftës, të miratuar nga qeveria e Tiranës,  KMK caktoi oficerët e karrierës ushtarake, kryesisht  edhe Ismail  H.Kuçin, të studjonin, nëse mund të dëbohej armiku nga Vlora, duke marrë parasysh pozicionet kyçe të Kaninës, Vlorës dhe armatimet e italianëve dhe të shqiptarëve. Pasi u dhanë përfundimet se po, KMK dha urdhërin e sulmit për çlirimin e Kaninës e Vlorës, më 09.06.1920 ( R.Zeqiraj- Lufta e  Vlorës 1920 f.35-36).

Ndërkohë, Avni Rustemi asgjësoi në Paris

Ndërkohë, Avni Rustemi asgjësoi në Paris, më 13.06.1920, tradhëtarin Esat pash Toptanin, si rrezikun kryesor si agjent i Italisë, një rrezik për pavarësinë e Shqipërisë, në qeverinë e Durrësit. Me e rëndë u bë edhe gjendja e pushtuesit në Vlorë, të cilën gazeta italiane ”Picolo giornale d’Italia”, më 12.06.1920, e përshkruan kështu : “Po jetojmë orë të tmerrshme.Të ngjethet misht nga pamja e mjerueshme e qytetit. Disa thonë se kryengritësit janë 5.000 vetë, të tjerë thonë 10.000 vetë, por asgjë nuk dihet me siguri. Është e pamundur të vërtetosh shumën e saktë të humbjeve  tona dhe ato të kryengritësve”.Kjo tronditje e ushtarëve nuk do koment.Luftimet e para të kryengritësve dëshmuan epërsinë e plotë të tyre dhe u vërtetua taktika e strategia e tyre: aftësitë komanduese, nuhatja luftarake , trimëria e guximi i luftëtarëvë, shfrytëzimi i errësirës së natës e kushteve të terrenit mbrojtës, sulmi i befasishëm e i shpejt, qëndresa fizike e luftëtarëve, armatimi i lehtë, ushqimi e gjumi i pakët, shfrytëzimi i mjeteve rrethanore për të kaluar fortifikimet e asgjësuar armikun etj.Gjatë luftimeve dyjavore kryengritësit patën 25 të rënë, mbi 150 të plagosur.Armiku pati 200 të vrarë, mbi 1.000 të plagosur dhe rreth 1.500 ushtarë e oficerë robër.Humbjet në armatime të mëdha.Disfata italiane qe e shkurtër dhe vendosmëria e kryengritësve e madhe, për besimin në fitore e liri. KMK vendosi qendrën e tij tek ura e Drashovicës, më 15.06.1920 dhe prefektura me pushtetet e qeverisë së veçantë. çetat atdhetare luftëtare, përfshi 5 çetat e Kuçit, u riorganizuan më mirë, të gatëshme për të sulmuar mbi Kaninën e Vlorën, siç dëshmojnë disa luftëtarë, historianë e studjuesë. KMK njihte qeverinë shqiptare në  Tiranë, por jo administratën civile e ushtarake në Vlorë, të vendosura nga pushtuesit italianë, as qeverinë e Durrësit. Në mbledhjen e KMK në Drashovicë morën pjesë kuçiotët Arif Mëhillaj, Rrapo Ali e Jaho Gjoligu, të shoqëruar nga Halit Bisha, Braho Fiku, Haki Elmazi, ku A.Mëhillaj lavdëroi Halit Bishën, si zbulues i zoti ( S.Kapaj-v.e c. f.37). Më 1920, avokat i mirënjohur atëhere, Avdul Kuçi (Hoxhaj) qe një ndër udhëheqësit e luftës së Vlorës dhe u zgjodh drejtuesi i prokurorisë, që u krijua në Drashovicë, me zv.prokuror Rasim Babameton. A. Kuçi botoi gazetën “Fjala e lirë” në Vlorë, më 1920-1922.

Duke qënë në shkollën  e xhandarmarisë, Xhevdet Gjoleka u ndodh në fushën e Picarit në Gjirokastër, në qershor 1920, ku mbajti një fjalim të zjarrtë luftëtarëve e fshatarëve që shkonin në luftën e Vlorës. Ai e vlerësoi si detyrë të rëndësishme dhe me vendosmëri burrërore theksoi:  “unë jam një gur i birë dhe jo një gur i shtirë ( i hedhur pa rrënjë).Kush ka frikë nga lufta ta thotë që tani dhe ta dërgojmë në karakoll ( postëkomandë)”. Nuk pranoi asnjë njeri të kthehej prapa. Me këto forca Xhevdeti shkoi në Golëm e Nivicë të Kurveleshit. Gjatë rrugës kapi njerëz keqbërës dhe hajdutë.Në Nivicë Veip Runa dhe nëna e tij i thanë Xhevdetit: “ ku shkoni? Ju jeni pa krahë, si do të bëni luftë?”. Ai ua priti: “ për krahë kemi gjithë popullin, gjithë Labërinë!”. Ai grumbulloi forca dhe shkoi në Vlorë, së bashku me mbi 70 oficerë vullnetarë ( H.Luçi-Gjolekajt e Kuçe në breza f.140).Lëkundja e të atit, Kadriut mbi Xhevdetin nuk ndikoi, mori pjesë në këtë luftë në fillim, por më vonë, ai u zu me komisionin për një çështje të vogël dhe u largua ( M.Luçi-v.e c. f.564). Në atë kohë, disa nga Gjolekajt i dëmtonte mëndjemadhësia për rolin e vet historik dhe kështu pasardhësit e Zenel e Myslim Gjolekës e humbën rëndësinë e derës së tyre  dalngadale.

Pas fitores në Kotë, çetat e Kuçit u caktuan nga shtabi luftarak që të zinin vijën e parë të frontit në Sherishtë-Baro.  çetat e Kuçit morën pjesë në fitoret ushtarake të arritura nga kryengritësit deri më, 21.06.1920 që nuk u vunë në diskutim. Këto fitore i hapën rrugën e bisedimeve me pushtuesit, por Roma i refuzonte me kokëfortësi. Në këto rrethana të vështira, në pamundësi për t’u marrë vesh me pushtuesit, shqiptarët ishin të detyruar të vepronin, siç thotë kënga popullore: “Atje ku nuk shkon dot fjala, për shqiptarin vendos pallla”!

Nga fundi i muajit qershor, në Va të Tojës, në lum të Kuçit, u bë sërish një kuvend i popullit, ku M.Peçi  foli mbi nevojën e daljes rishtas të vullnetarëve të rinj për në luftë.Por atje, disa kundërshtarë vunë Sulejman Zhapën, i cili bërtiti me ironi: “ra kabineti i Meto Peçit”!, pasi në fakt ishin pakësuar luftëtarët . Mbedhja pati rezultat, se u ngrit besimi dhe numuri i vullnetarëve në 150, 180 dhe mbi 200 vetë, sipas historikut të fshatit ( të 1986 f. 564 ).Në Kurvelesh u hodh parrulla: ”E mbrojmë me gjak, se lëshojmë aspak” (fjala është për Vlorën).

Përgatitjet, për fazën e dytë të çlirimit të Vlorës, u bënë në Drashovicë, ku u grumbulluan luftëtarët.Komiteti i mbrojtjes kombëtare, më 9 qershor 1920, i dërgoi ultimatumin e dytë  gjeneral Piaçentinit, për të dorëzuar Kaninën e Vlorën.Italianët përforcuan qëndresën në qytet dhe kërkuan ndihmë nga Roma.Italia dërgoi reparte arditësh, mes të cilëve edhe kriminelë të marrë nga burgjet, të gënjyer se “do të shuanin një kryengritje të vogël barinjsh” si dhe armatime,municione e autoblinda.Në Vlorë vajti edhe rregjimenti italian nga Himara e reparti nga Saranda.

Komiteti i mbrojtjes kombëtare në Drashovicë bëri planin e organizimit të administratës së pushtetit si prefekturë e Vlorës në Drashovicë, organizimin e sulmit mbi Kaninë e Vlorë,shpalli shtetrrethimin për një kohë të pacaktuar në Vlorë,Himarë e Tepelenë.U bë ndarja e forcave, të cilat, më 9 e 10 qershor 1920, zunë vijat e frontit të luftimeve.

Sipas planit, komisioni ushtarak, një çetë të Kuçit,atë të Bolenës e Kallaratit, në bashkëpunim me atë të Vranishtit e të Kaninës rrethuan kalanë e Kaninës dhe zunë të parat vijën e anës lindore  e verilindore dhe të tjerat anën veriore e jugore të kalasë.çeta tjetër e Kuçit, çetat e Shullërit e Cmokthinës zunë kodrat e Qishbardhës e Kallafetit, me drejtim sulmi majën e Veshtave të mëdha , të tjerat, përfshi të Kuçit, nga qafa e Koçiut në Nartë.çetat e Kuçit komandoheshin nga Meto Peçi,Rrapo Aliu,Arshi Saraçi, Jaho Gjoligu e Sefedin Meçe.Sulmi filloi në të gdhirë, më 11 qershor 1920 në Kaninë,Babicë e Panaja.Armiku volli zjarr të fuqishëm me mitrolozë, nga fortifikimet dhe prozhektorët e bënë natën ditë.Artileria e rëndë italiane qëllonte nga kalaja e Kaninës, maja e vreshtave e qafa e Koçiut.Bateritë e topave të flotës detare shtinin nga kryqzori i madh San Marko.Ky zjarr i madh nuk i trëmbi luftëtarët, të cilët i shkulën italianët nga logoret, nga maja e Vreshtave të mëdha deri në gropën e Derrit, duke kapur pikat zotëruese të terrenit.Disa çeta përparuan dhe u futën në thellësi të mbrojtjes italiane.Afër mëngjezit  këto mbritën tek shtëpitë e para të qytetit. Selam Musai,me një grup luftëtarësh,pa pritur çetat e Kurveleshit të Sipërm, që u vonuan pak,duke kapërxyer  me guna pengesat me tela me gjëmba, në vijat e mbrojtjes italiane, në qafën e Topit e në Vreshtat e mëdha,arriti në Kucbaba,mbi qytet.Atje u vra, duke luftuar trup me trup me armiqtë në llogore.Sipas Abaz Luçit nga Kuçi dhe  kuçiotë të tjerë të çetës që po luftonin atje, Abazi ishte për bri Selamit, kur ai u vra (H.Luçi-kujtime nga gruaja e Abazit Haxhika dhe kunatat Veziko e Veso Luçi).

Ndërkohë nga ana e Babicës, fronti nuk përparoi, këto forca që u futën si pykë po rrezikoheshin dhe komisioni ushtarak urdhëroi tërheqjen, në vijën Qishbardhë-Xhuherinë-majat e Risilisë-majat e Bestrovës.

Në qershor, çeta të Kuçit u caktuan nga shtabi i luftës, që të zinin vijën e parë të frontit në Sherishtë.Gjatë këtyre dy muajve, çetave të Kuçit iu desh të bënin goditje të ashpra, me sulme e kundër sulme, në zonën e Sherishtës, në qafën e Qishëbardhës, Kallafet, kalanë e Kaninës dhe në qafën e Koçiut ( gropa e Derrit). Në këto luftime të përgjakshme, në krye të luftëtarëve kuçiotë, ka vepruar, herë pas here dhe ka drejtuar luftimet e sulmet, vetë major I.H.Kuçi, njëkohësisht anëtar i komitetit drejtues  të luftës së Vlorës dhe shef operativ i shtabit ( H.Luçi-I.H.Kuçi f.31-34) dhe veteranët e kujtonin me nderim për trimërit e tij. I.H.Kuçi bashkëpunoi me Riza Cerovën, ish qark-komandant i xhandarmarisë së Vlorës etj. duke ndihmuar në organizimin e armatosjen e forcave revolucionare.Luftime të ashpra u bënë për marrjen e kalasë së Kaninës, ku luftëtarët e mbajtën gjatë rrethimin,por zjarri i armikut u shtua me përdorim të aviacionit, artilerisë,flotës luftarake etj. dhe kryengritësit  u tërhoqën për të kapur vijë fronti më të mirë, nga ku e mbanin nën kontroll kalanë.Në një raport të kohës tregohet për trimëritë e luftëtarëve që “çuditën botën” me trimërinë e traditës, ku thuhet se “humbja më shumë është nga populli Kurvelesh,Kudhës,Smokthinë”.Për marrjen e kalasë u vranë 50 luftëtarë e 40 të plagosur (AQSh-dosje 3,raport i Xh.Ypit).

Italianët patën shumë humbje, por komanda e tyre nuk po ndërgjegjësohej për gjendjen e pashprësë të luftës.Pasi u këshillua me Romën,gjeneral Piaçentini u dërgoi ultimatum kryengritësve, duke bërë bllof se u kërkonte të dorëzonin armët e robërit brenda 18 qershorit 1920, ndryshe do të bënte  sulm ndëshkimor.Kryengritësit ia kthyen prerazi se “nuk do t’i lëshojmë armët, veçse atë ditë, kur toka jonë e shënjtë do të zbrazet krejt nga trupat e huaja”.Pas kësaj italianët vijuan me krime më mizore ndaj popullsisë së pafajshme, duke pushkatuar, internuar në Sazan të dyshimtët, grumbulluan në spitalë gratë e fëmijët,afër zjarrit të luftës, grabitën dyqanet, shtëpitë e atdhetarëve, bënë përpjekje të cënonin nderin e grave etj.Jashtë qytetit, aeroplanët e flota bombardonin pa pushim dhe shkaktuan shumë viktima të pafajshëm.Ky operacion ndëshkimi në rritje nuk e trëmbi popullsinë shumë, fëmijë e gra morën pjesë në luftë, si dhe ata në prapavijë.

-Por, më 19 qershor 1920 nisën kundërsulmin?

Italianët përgatitën kundërsulmin me forcat sulmuese arditësh, bersalierësh, aviacion luftarak, autoblinda,artileri tokësore e detare dhe nisën planin,  më 19 qershor 1920,për të sulmuar Drashovicën, në disa drejtime.Ajo ditë qe bajram dhe italianët menduan se luftëtarët do ishin kthyer në shtëpitë e tyre për festën fetare,pra do t’i zinin në befasi.Luftëtarët nuk ishin të gjithë në front, por kishin lënë roje dhe nuk u kapën në befasi.Italianët, e nisur natën, u diktuan në rrëzën e Shashicës, ku u luftua me rreptësi deri nga mesi i ditës.Luftëtarët patën terren të favorshëm dhe me sulm i detyruan italianët të tërhiqen në panik, me humbje të mëdha, aty e në qafën e Brumbullit, kundër karvanit të kuajve, me material lufte,pranë një burimi.Po kështu rreth 1.200-1.500 arditë, të shoqruar nga autoblindat, që ecnin të shkujdesur, për të sulmuar Drashovicën,ranë në kurthin e kryengritësve, të cilët i lanë të futeshin midis dy krahëve të tyre dhe u kapën si miu në çark.Në kthesat e Sherishtës ranë nën zjarrin e fuqishëm, nga të gjitha anët.Sipas italianëve, kjo betejë u kushtoi rreth 100 të vrarë e të plagosur.Po kështu u goditën fuqishëm ,gjatë tërheqjes nga çetat e Kuçit, Bolenës,Kallaratit e Rrëzëz, në shpatët e grykën e Kallafetit, ku u futën në çarkë, pa mundësi tërheqje, duke i asgjësuar krejtësisht arditët atje.Arditët mbanin këmishë të zeza e thika me dhëmbë dhe ishin zotuar, sipas planit sulmues, të hanin “drekën në Kotë, darkën në Tepelenë”, por u thyen në të gjitha drejtimet.Kjo shëtitje u kushtoi rëndë dhe Piaçentini, që u mburr disa herë, urdhëroi tërheqen e tyre në Vlorë.Kjo disfatë ua vështirësoi më shmë gjendjen italianëve, pasi atje u vranë qindra ushtarë, më shumë të plagosur,qindra robër dhe humbje të mëdha materiali luftarak.Dy herë në javë anijet italiane çonin të plagosurit në Itali.

 Fati i luftës së Vlorës kaloi plotësisht në anën e kryengritësve.

Më 20.07.1920, luftëtarët kuçiotë zunë në befasi  rojet e depove italiane, në Bisht të kalldrëmit të Kaninës, një pjesë i çuan në komandë, të tjerëve u morën armatimet dhe pjesës tjetër të materialeve iu vu zjarri. Armiku u alarmua dhe filloi sulmi i gjerë 27 km nga Jonufri, Kanina, kodrat e Vreshtave, qafa e Koçiut, gropa e Derrit, qafa e Ullinjve deri në Zvërnec, më 21.07.1920.

Mësymjet e kryengritësve ndeshën në qëndresë të fortë të armikut, të favorizuar, sa nga terreni kodrinor edhe nga fortifikimet e bëra  dhe nga fuqia e zjarrit armik. Gani Iljaz Abazi shkruan për takimin e komisionit në Vreshtat e Mëdha, ku Qazim Koculi, së bashku me I.H.Kuçin e Ahmet Lepenicën përgatitën planin e sulmit të 22.07.1920. Sipas këtij plani ushtria italiane u godit nga 7 drejtime ( G.Iljazi v. c.,1955, f.13,25,42,48). Në qafën e Fierit u shqua për trimëri major Ismail H.Kuçi etj. Pranë tij kanë qëndruar deri në fund të luftës, pa iu ndarë luftëtarët kuçiotë Rizo Xhaferi, Hamit Gjini, Bajram Guro, Sejfudin Meçe, Abaz Goxhi, Dalan Goxhi, Refat Limaj, Haki Baze Elmazi, Shaqo Selman Idrizi, Hysni Zeka, Hysen Kaçi, Haxhi Xhaferaj etj.U dalluan edhe kuadrot ushtarakë kuçiotë si Hamit Duro Kuçi (Aliaj) e Bajram Guro. Nën goditjet e forcave vullnetare, italianët u mbyllën në qytet, duke mbajtur kodrat për rreth dhe Kaninën me kala. Gjendja e popullit në qytet e rrethinat e tij ishte e rëndë. çetat e Kuçit etj. bënë sulme edhe më 23.07.1920 kundër pozicioneve italiane, sulme me qëllim politik e ushtarak. U sulmua edhe qafa e Koçiut, qafa e ullinjve, kodrat e Vreshtave të Mëdha, ku një  çetë e Kuçit  bëri qëndresë të fortë  dhe doli në Shashicë, ku u dalluan kuçiotët Hamit Gjini, Halit Bisha, Magrip Sulaj, Rrapo Buxheli etj.çetat e Kuçit arritën në afërsi të kalasë së Kaninës. Kuçiotët , së bashku me vullnetarët e Kallaratit, Bolenës etj. luajtën një rol të madh në luftë kundër italianëve ,që sulmuan ditën e festës së bajramit, kur mjaft luftëtarë kishin shkuar në shtëpitë e veta. Salih Mahmud Alibali, ish shef i shtabit të batalionit vullnetar të Shijakut e zv.komandant i tij, që luftoi nën komandën e I.H.Kuçit në Llakatund në qershor korrik 1920,kujton: “Lufta vazhdon.Më 22,23,24 qershor bëhen luftime të ashpra në frontin Llakatund-Risili.Në teatrin e veprimeve luftarake vullnetarët po tregojnë moral shumë të lartë dhe trimëri të jashtëzakonshme.Komandanti i grupit të dytë major Ismail Haki Kuçi vjen deri në vijat e para, me kurajo të madhe na flet, me fjalë të ngrohta na urdhëron të bëjmë qitje me saktësi, të kursejmë municionin dhe të qëllojmë gjithmonë mbi shënjat e gjalla të armikut, na këshillon të maskohemi me kujdes me degë ullijsh e fieri, të ruhemi nga pamja e armikut etj.”(S.M.Alibali-kujtime, 8 janar 1971 f.3-4 (arkivi familjar).Po ky kujton, se  I.H.Kuçi qe njeri i përzëmërtë me humor të hollë.Kur më 29 qershor na erdhi në ndihmë Baba Xhaferi, me një forcë prej 50 pushkësh, ai i tha: “vonë të ka dërguar Teqeja, o Baba Xhafer!Po ç’ka, më mirë vonë se hiç”!

Çetave të Kuçit etj.iu dha urdhëri e detyra e çlirimit të kalasë së Kaninës, vendi më dominues, ku ishte reparti i specializuar italian i fortifikuar mirë, që kontrollonte lëvizjet e rrethinave të qytetit të Vlorës. Luftëtarët kuçiotë e filluan sulmin në kodrat e Sherishtës e Xhuherinës dhe në qafën e Topit, ku luftuan disa ditë. Në këtë kohë Osman Haxhia e Qazim Koculi takuan çetat e Kuçit dhe O.Haxhia u tha ndër të tjera: “Kalaja e Kaninës do të merret, sepse kuçiotët gjithë jetën i kanë marrë kalatë me luftë me armiqtë, sikur të ishin gurë në këmbët e tyre”! Njësiti zbulues me kuçiotë, vranishnjotë etj. gjeti shtigje e rrugë  dytësore, për sulmin mbi kalanë e Kaninës. Në këtë betejë në Kaninë, pikë strategjike e luftës, vullnetarët kuçiotë qenë,  nga të parët në sulme. Luftimet u bënë të ashpra, mbi një terren të vështirë se kishte gjerdhe me tela me gjëmba, mure të larta të kalasë,por duke përdorur sherqet e mjete të tjera për t’i kaluar, vranë italianë dhe të tjerë u dorëzuan.Të parët që hynë në kala ishin kuçiotët Halit Bisha, Abaz Goxhi, Mehmet Nani, Musa Bisha, Hamit Luçi, Polo Tahir Zenelaj, Halo Idrizi, Dine Zeneli, Riza Kacaboni  e Hysen Xhaferaj ( S.Kapaj-v.e c.f.36).Kalaja u muarr nga kryengritësit. çetat e Kuçit u vendosën në kodrat e Vreshtave, ku mbronin rrugën se mos u merrnin krahët italianët, të cilët nuk u futën atje se nuk mund të vepronin më tej.

Kryeministri Xholiti deklaroi

Më 27 qershor 1920, kryeministri Xholiti deklaroi në parlament se Italia hiqte dorë nga mandati mbi Shqipërinë dhe u shpreh për pavarësinë e saj të plotë, në kufijtë e 1913, ndërsa Vlorën nuk mund ta lironte, pasi ajo ish një pikë strategjike, që po të pushtohej, nga një fuqi jo mike e Italisë, do të përbënte një rrezik të madh “për të” (P.Pastorelli-Albania nella politica estera italiana 1914-1920,Napoli,1970 f.370). Gjatë korrikut u bënë bisedime midis të dërguarit italian Alioti dhe qeverisë shqiptare,përfaqësuar nga S.Delvina e A.Zogu, që mbajtën qëndrim të palëkundur, duke e detyruar qeverinë italiane të hiqte dorë nga kërkesa e fillimit, për mbajtjen e Vlorës dhe nga ajo, më pas, për të mbajtur Sazanin e kepin e Triportit, të Gjuhëzëz etj. në veri të Karaburunit.Qeveria bashkëpunoi me komitetin e Mbrojtjes Kombetarë dhe nuk luajti nga kërkesa e saj për t’ikur italianët nga Vlora, pa kushte.

“Më 5 korrik 1920, kujton S.M.Alibali,I.H.Kuçi kishte dhënë një urdhër urgjent për sulm dhe ne oficerët e caktuar, duke zgjedhur nga 30 luftëtarë trima, sulmuan pozicionet në objektivat e duhura, me qitje të vazhdueshme dhe me bomba dore.Italianëveu hyri tmerri, ndërsa forcat tona u rikthyen në pozicionet e tyre të nisjes në bazë pas tre ore luftimesh të ashpra.Major Ismaili kishte depërtuar thellë në pozicionet e armikut dhe gjatë ditës së 6 korrikut mbeti i rrethuar, duke qënë i gozhduar nga zjarri shumë i dëndur i kundërshtarit.Ai u kthye në bazë vetëm në orën 19.00, pasi çau me guxim të madh rrethimin e fort.Në këto luftime ka treguar trimëri të madhe personale”( Histori e Shqipërisë,v.3f.230-232).

 Sulmi për çlirimin e qytetit të Vlorës

Komiteti i kryengritjes kishte dyshime të forta, se italianët po i zvarrisnin qëllimisht bisedimet, dhe i paralajmëroi se do bënte sulmin e ri ndaj tyre.Por këtë sulm e shpejtoi edhe qëndrimi  i gjeneral Piaçentinit, që u mburr si trim se i kishin premtuar dërgimin e një mijë ushtarëve nga ishulli i Rodit, prandal, më 17 korrik 1920, me urdhër dite ai shpalli: “Jemi dhe do të qëndrojmë në Vlorë”!

Pas këtij provokimi mburravec italian, kryetari i komisionit ushtarak bëri mbledhjen e fshehtë, me komandantët e çetave dhe u vendos që, më 22 korrik 1920, të sulmohej Vlora, nga 7 drejtime.

Pas tre ditësh, që u morën qëndrat e fortifikuara italiane jasht qytetit, u përgatit sulmi i parë mbi Vlorën.U grumbulluan të gjitha fuqitë njerëzore dhe materiale luftarake.Atje mbritën edhe disa oficerë vullnetarë, të qeverisë së Tiranës. Forcat u ndanë, sipas vendeve të caktuara, nga Shashica dhe deri në liqenin e Nartës. Gjithë këto ditë, luftëtarët nuk u tërhoqën nga kalaja e Kaninës, ku ishin  çeta e Kuçit, Vranishtit e Bratajt. Një çetë e Kuçit, Kallaratit e Bolenës  ishin në majën e vreshtave. Sulmi filloi në orën 22 të 22 korrikut 1920, në të gjitha frontet.”Në mes të natës më 12, u dha urdhëri dhe burrat u nisën vetëm me dyfeqe, shkruan një korespodent,po plot kurajo dhe shpresë.Ikën duke kënduar, duke hedhur valle dhe me gaz shumë…Për trimëri çquajnë major Ismail Haki Kuçin..”(gazeta “Drita”,31.07.1920,”Ofensiva e kryengritësve kundër Vlorës”).

Nga Jonufra, kalaja e Kaninës deri në Nartë ( shih buletinin e studimeve historike nr.2/1970 dhe kujtimet e G.I.Abazit),Italianët u kapën në befasi dhe qysh në fillim braktisën një pjesë të llogorove; arditë, bersalierë e karabinerë u tërhoqën dejt Vlorës.Kryengritësit morën pikën mbrojtëse të fortifikuar mirë në qafën e Koçiut.Nga maja e  vreshtave kuçiotë, bolenas, vranishnjotë e gjormiotë kapërxyen pengesat prej telash dhe afër mëngjezit kapën, vijën e parë të mbrojtjes armike, që ra në duartë e kryengritësve.çetat e Kuçit dhe pararoja zbuluese e saj etj. qenë në vijë të parë të sulmit, kur u dha urdhëri “ Sulm mbi Vlorën”! Italianët bombarduan me artileri të gjitha kodrat rreth qytetit, por lufta ishte frontale, megjithse me një ushtri armike të madhe përballë.Të gjithë kryengritësit sulmonin pa u ndalur, duke u hedhur nga pozicioni në pozicion, në çdo ledh, gurë, trungje ullinjsh,shkuresh, me sherqet mbi tela me gjëmba, duke kapërxyer çdo pengesë.

Disa çeta si e Kuçit, Bolenës, Kallaratit e Gjormit etj. arritën të parat të zënë shtëpitë e para të qytetit, prej nga u tërhoqën në mëngjez, pasi sa zbardhi dita, armiku i riorganizuar u hodh në kundërsulm, për të marrë vijën e frontit të humbur, i mbështetur nga artileria e autoblindat, që dolën nga qafa e Koçiut. Armiku nuk i zuri të gjitha pikat e pozicioneve të më parëshme.Për të mos u goditur, në terrenin e hapur, pa mbrojtje ,në mesditë u tërhoq, në vende më të sigurtë.

Luftimet më të përgjakshme u bënë në të gjithë vijën e frontit, por ato në qafën e Koçiut e Mesovën arritën kulmin, ku luftonin çetat kurveleshase.Me thirrjet “Rroftë Mëmëdheu”, ata sulmonin parmes zjarrit të fort armik, kalonin telat me gjëmba, hidheshin në llogore e fortifikime, në përleshje trup me trup me italianët, u rrëmbenin mitrolozët etj.Kështu vdiq Toto Hosi, duke i ngulur thikën mitralierit armik dhe vdiq bashkë me të.Atje luftoi edhe gruaja e T.Hosit.

Më 22 dhe 23 korrik 1920, italianët humbën mbi 600 të vrarë, të plagosur shumë.Kryengritësit patën 100 të rënë dhe 200 të plagosur.Ky sulm i afroi më shumë me qytetin, ndërsa  me tjetrin do të zinin Vlorën.

Thuhet se Selam Musai, kur sulmoi Vlorën, nga qafa e Koçiut, mbeti i plagosur rëndë pranë spitalit të qytetit, u kap prej italianëve dhe i spërkatur me benzinë, u dogj i gjallë ( E.Lepenica-v.e c.f.30). Luftëtari Abaz Luçi nga Kuçi , vullnetar i çetave kuçiote, tregonte se S.Musai vdiq pranë tij, gjatë sulmit mbi Vlorën , pra jo, siç shkruhet e thuhet. Një këngë epike e Vlorës, në 1924 thotë:.”.vdesin gjithë për Shqipërinë/ ca nga plumbi të goditur/ca të djegur me benzinë”! Por djegia e S.Musait me benzinë është  keqkuptim.Nuk kam lexuar ndonjë dëshmi më të saktë të luftëtarëve të kohës, veç të Abaz Luçit.

Kjo fitore e kryengritësve i detyroi sërish italianët, të vijonin bisedimet që i kishin zvarritur shumë.Për ta bindur palën shqiptare se qeveria italiane paskish qëllime serioze,  njoftoi diplomatin e saj Gaetano Manxoni, në pasditën e 23 korrikut, kur sapo pat zbritur në Durrës, se Italia, me një notë zyrtare, drejtuar qeverisë greke, pat denoncuar traktatin Titoni-Venizellos (P.Pastorelli-v.c.f.391).Bisedimet filluan dhe më, 2 gusht 1920, kryeministri Sulejman Delvina dhe italiani Manxoni nënshkruan protokollin, sipas të cilit, trupat italiane do të largoheshin nga Vlora, nga bregdeti i saj dhe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, duke mbajtur vetëm Sazanin, ndërsa forcat kryengritëse do të tërhiqeshin përtej lumit Shushicë, ku do të qëndronin, gjatë gjithë periudhës së riatdhesimit të trupave italiane (po aty f.391 P.Pastorelli).

“Kur isha me detyrë në burgun e italianëve dhe depove të municionit te ura e Drashovicës, kujton M.Hajro,herë pas here bëja takim me luftëtarë vlonjat që vinin nga fronti i luftës, nga të cilët kemi dëgjuar shumë fjalë të mira mbi aktivitetin e trimërinë e major I.H.Kuçit, i cili në atë kohë komandonte një grup luftëtarësh”(M.Hajro-kutime-arkivi familjar f.9-10).I.H.Kuçi ishte një nga anëtarët kryesorë të delegacionit shqiptar që diskutoi çështjen e armëpushimit me një delegacion ushtarak italian, i dërguar nga gjeneral Piaçentini, kryekomandant i forcave italiane të Luftës së Vlorës.Italianët kërkuan armëpushim me kusht që të mbanin të pushtuar Vlorën e Sazanin.Por delegazioni shqiptar, jo vetëm që nuk pranoi kërkesat absurde italiane dhe i hodhi posht ato me përbuzje, por I.H.Kuçi, si diplomat patriot, në emër të popullit shqiptar e delegacionit,u vuri këto kushte italianëve: të paguanin gjithë dëmet e luftës, të linin të gjithë materialin luftarak,veshmbathjen e ushqimet e depove të tyre ushtarake si kompesim të rezervave të harxhuara nga populli ynë në luftë dhe për të plotësuar nevosa imediate, të lironin menjëherë Vlorën dhe Sazanin, duke i tërhequr forcat ushtarake në Itali, të dorëzonin një për një gjithë personat e marrë peng në Sazan, duke marrë detyrimin se edhe shqiptarët do të lironin ushtarët italianë të zënë rob, të cilët ishin me mijra etj.”(V.Zeneli- major I.H.Kuçi- reista “Për mbrojtjen e Atdheut”,1964f.66).I.H.Kuçi iu kundërvu edhe vendimit të qeverisë së Sulejman Delvinës që, në marrëveshjen e pushimit të luftës, iu la italianëve Sazanin.Ai u deklaroi bashkëatdhetarëve në Vlorë se “Sazani është portë e kalasë së Shqipërisë.Ai është tokë shqiptare, toka jonë.O burra t’i sulmojmë e t’i ndjekim edhe që andej italianët!Përndryshe, Sazani do të na qëndrojë gjithmonë si shpatë mbi krye”( V.Zeneli-po aty).I.H.Kuçi ishte luftëtar, politikan e ushtarak largpamës, bëri vlerësim të drejtë Luftës së Vlorës në tërësi dhe pozitës politiko-ushtarake të ishullit të Sazanit.(H.Luçi- I.H.Kuçi, f.31-34).

 Vlora u çlirua në orët e mëngjezit, të 22 korrikut 1920.

Italianët u grumbulluan në Skelë dhe në anijet e tyre. At Shtjefën Gjeçovi i shkruan kryepeshkopit të Shkodrës: “Kur të vij në Shkodër do t’ju bëj të flisni toskërisht se vlonjati për Shqipërinë fal pasurinë, jep fëmijën dhe djeg shtëpinë”.Në fakt, Vlora u çlirua, më 17 gusht 1920 nga italianët dhe xhandarmaria shqiptare hyri në qytet, me të cilën, nga ushtarakët e parë ishte edhe I.H.Kuçi me çetat e Kuçit (Gazeta “Drita”,gusht 1920 f.4).Atje hynë edhe autoritetet e qeverisë shqiptare ( M.çami-v.c.f.198),të cilët morën në dorëzim administratën e vendit.

Bisedimet italo-shqiptare me Karlo Aliotin nisën, në fillim të korrikut për t’i dhënë fund luftës, por sukseset e shqiptarëve në luftë çuan në nënshkrimin e protokollit, më 02.08.1920, duke vazhduar luftën me furi, derisa u bë marrëveshja e dorëzimit të Vlorës kryengritësve. Kështu, më 02.08.1920, Italia u detyrua të nënshkruante kapitullimin për largimin nga Vlora, më 03.09.1920. Më 17.08.1920 kryengritësit hynë në Vlorë, 12 mijë  vullnetarët dhe 36 anëtarët e KMK me Qazim Koculin  në krye dhe qëndruan para konsullatës italiane, sot bashkia e Vlorës.Po në këtë ditë, sipas marrëveshjes mes dy qeverive italiane e shqiptare, qeveria shqiptare dërgoi  forca  ushtarake në Vlorë, të cilat morën në dorëzim qytetin. Ndërkohë çetat e Kuçit qëndruan në gadishmëri në kodrat e Vreshtave dhe qafën e Koçiut, nga ndiqnin çdo lëvizje të italianëve të dorëzuar e anijeve të tyre.

Më 3 shtator 1920, në Vlorë hyri edhe ushtria shqiptare 

Më 3 shtator 1920, në Vlorë hyri edhe ushtria shqiptare  dhe forcat vullnetare kryengritëse, në mënyrë të organizuar, të rregullit ushtarak në çeta, sipas fshatrave, hynë triumfalisht në Sheshin e Flamurit, ku u pritën me përzëmërsi, brohoritje, me këngë e valle, me lule nga i gjithë populli i Vlorës e krahinat e tjera, që mbritën atje.Për merita luftarake, shtabi drejtues caktoi luftëtarët e çetave të Kuçit, të parakalonin, në krye të çetave të tjera, me flamurin kombëtar, të shpalosur dhe luftëtarët të hypur në kuaj.Në krye të çetave të Kuçit printe Abaz Goxhi, Rrapo Aliu, Halit Bisha, me flamur në dorë, sipas miratimit njëzëri nga KMK ( M.Luçi vep.e cit.f.564). Kështu forcat vullnetare kryengritëse parakaluan, me gëzim e hare në qytetin e Vlorës, më 03.09.1920. Major Ahmet Lepenica dhe At Shtjefën Gjeçovi ngritën flamurin kombëtar në Kaninë, më 03.09.1920. Sipas Bardhosh Gaçes, me propozim të Shtjefën Gjeçovit e Ibrahim Avdullahut, flamurin në ballkonin e prefekturës e ngriti Osman Haxhiu (B.Gaçe-Osman Haxhiu, Tiranë,2001,f.136). Për vërtetësi historike, shënojmë se Ahmet Lepenica mori pension nga Ahmet Zogu, kurse major Ismail H.Kuçi me gruan u helmuan nga mbreti i vetshpallur ( H.Luçi-I.H.Kuçi, monografi,1999).Thuhet se I.H.Kuçi ngriti një këngë për Luftën e Vlorës, por nuk kam mundur ta gjej, megjithse thuhet se e botoi gazeta “Dielli”në 1920.

Gjatë ceremonisë festive, më 03.09.1920, KMK përmendi luftëtarët e lirisë. Në mbarim të ceremonisë luftëtarëve iu dhurua nga një qylaf i bardhë dhe nga një okë rrush, duke i uruar si fëmijët: “tani jini të lirë për të shkuar në shtëpitë tuaja”! Festa e fitores zgjati dy ditë dhe të tretën luftëtarët u shpërndanë në vatrat e tyre. Në krye të drejtimit të punëve në Vlorë mbetën Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, Osman Haxhiu ( M.Luçi-v.e c.).Këta dhe qeveritë e më vonëshme nuk treguan as kujdesin më të vogël për dëshmorët dhe të plagosurit e luftës, asnjë ndihmë, asnjë nderim për gjakun e derdhur dhe mundimet e rreziqet e mëdha  luftarake, me një pushtues të fuqishëm.

Forcave vullnetare kryengritëse të Kurveleshit iu dha flamuri  për trimërinë e treguar dhe  arritjet luftarake.Vullnetarët  vendosën , që flamurin t’ia dhuronin bashkisë së Kurveleshit, për nder të atyre që luftuan trimërisht kundër pushtuesve italianë në Vlorë ( Kujtime e këngë popullore,v.e c.f.85). Veprimtarinë luftarake të lebërve, përfshi kuçiotët, e përshkroi kështu gazeta “Koha” e 31.07.1920: “Rënia e Vlorës i kushtohet trimërisë së Lebërve, ata trima të Labërisë që më 1914 luftuan me grekët dhe me rrebelët, u vranë e u therën, gjersa më në fund u dogjën edhe shtëpitë e tyre dhe i lanë refugjatë nëpër ullishtet e Vlorës, prapë ata sot në kohën më të shtrenjtë të njeriut që mejton të sigurojë rrojtjen e dimrit, morën armët kundër qeverisë italiane.Nuk mendonin për të korrat e të shirat, por mendonin si të dëbonin armikun nga Vlora e bukur...Vendimi i tyre i lumtur ishte luftë dhe e deklaruan luftën. Po me se do të luftonin? Pa top, pa mitroloz, vetëm me nga 100 fishekë për mezi dhe një dyfek të ndryshkur. Luftën nuk e bëka topi e mitrolozi, por e bëka trimëria e bashkimi. Labët e bashkuar me vlonjatët dhe me trimërinë e tyre të parrëfyer, nuk kishin nevojë as për top as për mitraloz as për gërshërë për të prerë telat e italianëve që kishin rrethuar Vlorën, por vinin gunat e tyre të dhirta për t’i kapërxyer. Ju lumtë, o lebër se i nderuat edhe një herë faqet e historisë shqiptare dhe do të mbeteni një shëmbull për të tjerët”!

Çetat e Kuçit qëndruan në Vlorë deri më 03.09.1920. Gjatë  kohës së luftës, karvani i mushkave, në dy grupe bënte furnizimin Kuç-Vlorë për luftëtarët me ushqime, veshmbathje  etj.Gratë e vajzat e Kuçit i zëvëndësuan burrat në blektori  e bujqësi dhe përgatitnin edhe furnizimet për luftëtarët. Ato bënë punë vetmohuese në të korra, të shira, mbajtjen e gjësë së gjallë, veç familjes dhe problemeve të ndryshme jetësore në fshat. Ato e jetuan vullnetarisht e aktivisht tërë kohën e luftës dhe nxitën burrat e djemtë të shkonin në luftë, pa merak për familjen. Ato qenë prapavija e sigurtë e kryengritësve.

Më 03.09. 1920, në Vlorë u bë ceremonia e dëshmorëve të rënë në luftë, ku foli Jani Minga etj.Duke mos pasur shifra të sakta për dëshmorët e luftës së Vlorës ,u muarr si e mirëqënë shifra 400 dëshmorë, ndërsa E.Lepenica ( Memisha) nxjerr 175 dëshmorë e 475 të plagosur, sipas Syrja Vlorës  në kujtimet e tij. Abdyl Agalliu shënon 580 të vrarë në kujtimet e tij. Shkurt nuk u bënë listat e plota as për dëshmorët as për të plagosurit as për vullnetarët që morën pjesë, në këtë luftë të madhe atdhetare kryengritëse, njëlloj, siç ndodhte edhe me kryengritjet e mëparshme kundër osmanëve e pushtuesve të vendit si serbë, malazezë, grekë, duke mos i shërbyer historisë kombëtare, si e meriton populli shqiptar në shekuj. Fatkeqësisht kjo ndodhi edhe pas LANC-it, duke mos e vlerësuar, siç e meritojnë dëshmorët, të plagosurit e viktimat e luftrave çlirimtare, por edhe luftëtarët e ndihmësit e tyre. Këto mangësi  të mëdha kanë lejuar edhe spekullime nga njerëz që duan të ngrenë fshatin apo fisin e vet, pa të drejtë dhe është vështirë të gjesh të vërtetën, kur nuk hapen apo nuk shfrytëzohen mirë edhe ato pak arkiva që janë brenda e jashtë vendit.

Presidiumi i Kuvendit Popullor socialist dekoroi,  për merita të shquara atdhetare e trimëri, gjatë luftës së Vlorës, kuçiotët Meto Peçi, Rrapo Aliu, Ismail H.Kuçi, Sejfudin Meçe, Arshi Saraçi, Fejzo Xhaferi, Xhafer Aliko, Arif Mëhillaj, Ismail Meto Brahimaj etj. gjithsej 25 vetë. Nga luftëtarët kuçiotë nuk pati më tepër se një dëshmorë, as u plagos kush rëndë. Haxhi Qamil Xhaferaj hapi një bombë dore, pasi mbaroi lufta dhe u plagos rëndë, vdiq në Kuç (M.Luçi v.e c.f 564).Në librin e E.Lepenicës (f.40,379) del i plagosur Zenel Isai nga Kuçi, por ky nuk del në listën e luftëtarëve kuçiotë, ndofta ka ikur më shpejt nga Kuçi, posht Lumit të Vlorës.Sidoqoftë në luftën e Vlorës janë shpallur  dëshmorë kuçiotët Xhelo Mete Metaj e Haxhi Qamil Xhaferaj.U plagosën Zenel Shaqir Gjoleka e çune Laze Lamaj (S.Alikaj –f.143). Por edhe dekorimet, para e pas luftës së Vlorës, u bënë me shumë shtërngime dhe subjektivizëm, se sidomos ata që kishin vdekur, para kësaj kohe që u morën vendimet, u harruan edhe për indiferentizmin e pasardhësve të vet, kështu që përfituan “më të shkathëtit” në këto raste përfitimesh të padrejta.

Rapsodët kuçiotë i kanë kënduar luftës së Vlorës dhe për këtë shih librin e Mustafa Luçit- Ligjërime nga Labëria,( f.138-150) dhe botime të tjera për luftën e Vlorës.Veç kujtimeve të tij për luftën e Vlorës, M.Luçi, si arsimtar e mbledhës folk lori, mblodhi  kujtime edhe nga ish luftëtarët Abaz Goxhi, Rrapo Buxheli, Rizo Xhaferaj, Hamit Gjini etj.siç përmenden në libër( f.264). Këngë ka mbledhur edhe Rebi Alikaj, shih librin e tij.Këtu nuk po i riprodhojmë këngët, por kush dëshiron le t’u drejtohet botimeve zyrtare e private, të kohës së socializmit e të tranzicionit deri sot.

Mbështetja kombëtare atdhetare dhe e huaj për  “Luftën e Vlorës”

Lufta e Vlorës pati mbështetje të madhe me vullnetarë dhe ndihma materiale e financiare nga shumë krahina, fshatra e qytete të Shqipërisë. Këtu po dëshmojmë një pjesë të tyre, sipas të dhënave të pjesëshme:  së pari, Kuçi gjithmonë ka vepruar në mbështetje apo ka kryesuar luftrat për çlirim, por edhe për faktin se kuçiotët kanë pasur që herët edhe lidhje farefisnore, krushqie me fise të shquara në Lumin e Vlorës, të Vlorës si psh Gjolekajt, Arif Mëhillaj,Avdul Kuçi, Xhafer Alikaj etj. veç lidhjeve administrative mes një pjese të Labërisë e Vlorës si kryeqëndër,dhe veç Gjirokastrës në anën tjetër. Dega e KMK e Malakastrës e shtabi i saj u vendos në Llakatund. Popullsia e Tiranës bëri një meting, ku u pohua se “ nuk lëshojmë asnjë pëllëmbë toke prej Vlore, Sazani e Pashalimani”. Populli i Shkodrës pohoi se “Shkodra e Vlora janë e kanë qënë kalatë e pandame të Atdheut”. Më 07.06.1920, Korça dërgoi në Vlorë 100 mijë franga franceze, veç 800 kokë bagëti, dhe u nisën vullnetarët për të luftuar në Vlorë. Elbasani dërgoi  luftëtarë, bandën muzikore “Afërdita” dhe 250 napolonë. Berati dhe Gjirokastra dërguan luftëtarë dhe mblodhën 100 mijë franga ari.Në qarkun e Beratit komisionet e fshatrave dhanë ndihma 1/10 e drithit çdo familje (mbi 600 qase misër në Berat) dhe gjë të gjalla për luftëtarët. Lushnja dha 300 qase misër. Populli i i Kolonjës dërgoi 300 desh në Vlorë dhe 11.000 okë grur. Kurveleshi dërgoi 2.000 kokë bagëti, veç luftëtarëve të shumtë.Nga Delvina shkuan nëpër Kuç 200 vullnetarë nga Konispoli, Rrëzoma etj. Populli i Vlorës mblodhi 57.000 lireta. Shoqata “Vatra” e ShBA dërgoi vullnetarë dhe bandën muzikore “Vatra”, nën drejtimin e Thoma Nasit.Edhe kolonia shqiptare në Francë, Angli etj. luajtën rol në përkrahjen e kësaj lufte.Për luftën e Vlorës u shprehën e vepruan të tria bashkësit fetare në Shqipëri, nga krahina të ndryshme. Ish refugjatë nga jugu i vendit në Vlorë, pas agresionit grek, më 1912-1914, vanë vullnetarë ose dërguan ndihma si nga Korça, Mallakastra etj. At Shtjefën Gjeçovi, katolik nga Veriu, luftoi në Vlorë dhe simbolizoi edhe bashkimin veri-jug.Gazeta italiane “Avanti” (Përpara) e PS Italiane bëri thirrje dhe populli u ngrit në greva e demostrata dhe lagu me gjak rrugët, në disa qytete si Trieste, Brindizi, Ankona etj. Nën oficeri italian Xhovani Valenca, me origjinë arbëreshe, u dorëzoi kryengritësve shqiptarë depot e municionit të armatimeve e materiale të tjera, në Panaja të Vlorës dhe ky u vra në Vlorë, më 1927 nga një spiun i dërguar nga Italia.Ai bëri një shërbim të madh për luftëtarët shqiptarë.Populli  italian u ngrit në protesta e greva kundër pushtimit italian të Vlorës dhe sabotoi edhe dërgimin e forcave ushtarake që niseshin në Shqipëri, nga portet italiane si dhe me artikuj në shtypin italian.Me çetat e luftës së Vlorës u bashkuan edhe kaçakë etj.të rretheve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Kurvelesh etj.U luftuan edhe disa banditë e hajdutë, gjatë kësaj lufte.Kryqi i kuq amerikan ndihmoi në Kotë, për mjekimin e të plagosurve si edhe mjekët italianë të zënë robër. Nuk shënoj pjesëmarrjen e fshatrave të Lumit të Vlorës në këtë luftë, se për këta është folur e shkruar shumë në librat e tjera apo shkrime, qysh më parë, duke dhënë edhe të rënët e shquar, në këtë luftë apo luftëtarët me statistika për çdo fshat, ndërsa për Kuçin s’është bërë asnjë herë.Janë të rrallë ata historianë a studjues që shkruajnë për rolin e çetave kuçiote në këtë luftë, për vetë pjesëarjen e gjerë të Kuçit, si fshati më i madh, si krahinë e jo fshat.

Shtypi  vendës i kohës denoncoi edhe veprimtarinë antikombëtare të Siri dhe Eqrem bej Vlorës, dhe botoi vendimin e gjyqit ushtarak të KMK, për dënimin e tyre me vdekje, për spiunazh në favor të Italisë pushtuese. Këto vendime për spiunë e agjentë, dezertorë apo filoitalianë i përmend edhe Fane Veizi e Ago Agaj etj.në librat e tyre.Flitet edhe për intriga e grindje për të përçarë KMK.Edhe Faik Konica (1876-1942) nuk ishte dakort me luftën e Vlorës kundër ushtrisë italiane pushtuese, pasi  e quante të nevojshme për mbrojtjen e Shqipërisë jugore kundër trysnisë së Greqisë ( Ismail Qemali, kujtime f.490).Vlen të theksohet se udhëheqësit feudalë e  borgjezë në Shqipëri, pasi u fitua lufta e Vlorës, nuk e ndien më nevojën e mbajtjes së popullit afër dhe të vlerësonin gjakun e mundimin e tij në luftë, ta mbronin atë dhe ta zhvillonin vendin e shkrumbuar, nga disa luftra të përgjakshme, por menduan të qeverisnin për hesapin e vet, në kurriz të popullit fukara.Por kryengritësit edhe pse të pakënaqur, nga trajtimi që iu bë në Vlorë, me dhurata qesharake dhe më pas, u kthyen pranë familjeve të tyre dhe iu shtruan sërish punës e jetës së vet, për të shëruar plagët e rënda të luftrave dhe për të përballuar vështirësit ekonomike mesjetare në vend dhe ato të rrjedhojave të pushtuesve grekë e italianë.

Kryengritësit shqiptarë e mundën ushtrinë italiane edhe pse pati epërsi  ushtarake dhe agjenturore në Shqipëri. Megjithse ushtria italiane, me 20.000 trupa dhe 12 gjeneralë, bëri që gjeneral Piaçentini t’i shkruante komandantit të divizionit 13, gjeneralit E.Pulieze: “Është fjala për një masë amorfe, që nuk ka udhëheqje, që nuk ka rregulla disiplinore dhe që nuk ka asnjë organizim të shërbimeve” ( Historia e Popullit Shqiptar nr.3, Tiranë 2007 f.158).Pikërisht ky nënvlerësim dhe kryeneçësia e shtabit italian nuk i lejoi të vlerësonin kryengritjen shqiptare popullore, me përvojë luftarake më të mirë, se ato të akademive ushtarake pushtuese.Edhe morali i ushtrisë pushtuese italiane qe i ulët, se ushtarët e dinin, se bënin një luftë të padrejtë pushtuese.Ja si shkroi një ushtar italian për luftën e Vlorës: “Puna është keq..na   grinë shqiptarët..çuditem, luftova kundër gjermanëve, austriakëve, por si albanezët ( shqiptarët) nuk kam parë trima.Nuk duken fare, janë si hije, janë nishanllinj shumë të fortë, asnjë plumb nuk u vete kot..na shuan”(AQSh -fondi Lufta e Vlorës, D.1, dok.51282).Komenti është i tepët.

             Rëndësia e Luftës së Vlorës në historinë kombëtare shqiptare

Lufta e Vlorës është një nga epopetë, më të mëdha të Labërisë, që mbeti në histori, se ndaloi coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë, në vitet ’20 të shek. XX. Shqiptarët fituan një luftë që i bëri më të  njohur, në gjithë Europën, megjithse populli  vuajti shumë, nga ana ekonomike dhe luftëtarët nuk morën asgjë, për atë që dhanë në luftë, veç kryerjes së dëtyrës atdhetare, dëbimin e pushtuesve. Kryengritja kundër pushtuesve italianë filloi në Kuç, më 03.06.1920 dhe mësymja luftarake kryengritëse, më 05.06.1920 dhe përfundoi në Vlorë, më 03.09.1920, kur manifestimet e fitores zgjatën 3 ditë.Rëndësia e Kongresit të Lushnjës dhe e Luftës së Vlorës, si dy ngjarje madhore historike kombëtare, çmohen, për vlerat atdhetare dhe morale që sollën, për fatet e popullit shqiptar dhe barazohen, pa mëdyshje me shpalljen  e pavarësisë, më 28.12.1912, duke shpëtuar vendin nga coptimi tragjik i radhës, që kishin planëzuar fuqitë e mëdha dhe miqtë e tyre vasalë, fqinjët tanë shovenë antishqiptarë, në dej e në shekuj, dhe zyrtarizuan sovranitetin e Shqipërisë së mbetur, nga coptimet e mëparëshme të trojeve tona etnike, natyrore e historike.Ky kongres dhe kjo luftë qenë faktorët kryesorë të forcave të brendëshme të vendit, për ta rifituar, me siguri e garanci, pavarësinë e shtetit shqiptar, pas Luftës së Parë Botërore.Për rëndësinë dhe rrjedhojat  e këtyre dy ngjarjeve të mëdha, njëzëri  janë shprehur historianë e studjues, burra shteti, intelektualë e atdhetarë.E drejta për t’u lavdëruar dhe krenaria u takon, së pari, popullit të Vlorës dhe të krahinave të Labërisë etj.që derdhën gjakun për çlirimn e trojeve shqiptare, nga pushtuesit italianë, më 1920 dhe gjithë atyre që i mbështetën, brenda e jashtë vendit, këto ngjarje madhore  për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, pas rreziqeve të mëdha, faktike e reale, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe gjatë Konferencës së Paqes, nnë Paris apo më pas. Me luftën e tyre heroike në Vlorë, kryengritësit i detyruan fuqitë e mëdha dhe fqinjët shovenë, ta dërgonin në arkiva dosjen e tyre për “çështjen shqiptare” dhe të vulosnin përkohësisht, se më vonë ato i hapën sërish, por sërish i mbyllën si pavlefshmërinë e Traktatit të Fshehtë të Londrës etj.plane kriminale kundër kombit shqiptar (  Histori e  Shqipërisë,V.2 1965,f.496). Halim Xhelo i ka vlerësuar shkaqet e fitores së luftës së Vlorës  në gazetën “Liria Kombëtare”, Gjenevë, Zvicër. Po kështu edhe At Shtjefën Gjeçovi. B.Gaçe në librin “Ata që e shpallën pavarësinë e Shqipërisë” shkruan”: “Për herë të parë, pas luftës së Vlorës, Shqipëria shpalli pavarësinë e pakufizuar dhe kurorëzoi sovranitetin e Shqipërisë nga 1912...KMK organizoi e udhëhoqi  luftën e Vlorës”.Arben Puto shkruan: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së  Shqipërisë së pavarur.Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës, ashtu edhe lufta e Vlorës, mund të barazohen me shpalljen e pavarësisë, në nëntor 1912” ( A.Puto- Shqipëria politike më 1912, Tiranë 2009 f.273).Gazeta “Liria Kombëtare” dt 01.09.1920 shkroi se ”Heroizmi i katundarit shqiptar zbërtheu istikamet e thurrura me tela me gjëmba e të mbrojtur prej qindra gryka mitrolozësh”. M.çami shkruan se me Luftën e Vlorës Shqipëria “këtë herë ia detyroi vetes shpëtimin dhe pavarësinë e saj”.

Lebërit, si gjithmonë kryengritës në shekuj,luajtën rolin kryesor, një meritë ligjore atdhetare. Lufta e Vlorës vendosi në panteonin popullor e ligjor të merituar edhe luftëtarët e Kuçit, me komandantët e çetave, me ushtarakët e shquar,dhe luftëtarët trima të vendosur që luftuan me vetmohim.Këtë rol vendimtar të lebërve e njohu edhe qeveria shqiptare, e cila në përgjigje përgjigje të kërkesës italiane për të mbajtur pjesë të rajonit të Vlorës, theksonte: “Lëvizjet shqiptare në Vlorë,Tepelenë,Kurvelesh dhe Himarë…,provojnë se vëndësit e këtyre viseve nuk janë të kënaqur të rrojnë nën administratën italiane: janë betuar të vdesin, në qoftë se nuk hyjnë nën qeverinë e tyre të Shqipërisë”(Dokumente e materiale..v.c).H.Xhelo e vlerëson kështu: “në pati Greqia e moçme një Spartë e një  Thermopilë,Shqipëria e re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut” (H.Xhelo- Vlora më 1920,Poitika, 3 shtator 1924,nr.25,f.97) .Gazeta Koha e Korçës shkruante:”Por luftën nuk e bëka topi e mitrolozi, po e bëka trimëria dhe bashkimi.Labët, të bashkuar me vlonjatët dhe me trimërinë e tyre të rrëfyer, s,kishin nevojë as për top,as për mitraloz, as për gërshërë që të presin telat..”Djemtë e Kurveleshit që mbajtën peshën kryesore në luftën me grekët më 1913-1914,dhanë ndihmesën e shquar edhe gjatë epopesë heroike të luftës së Vlorës, se Vlora ishte bërë simbol i iris e pavarësisë, zemra e shpirti i Shqipërisë qysh nga 1912.

Rëndësia e kësaj lufte është vendimtare, pas shpalljes së pavarësisë më 1912, siç është edhe ajo e LANC-it kundër fashizmit italian e nazismit gjerman, në 1939-1944. Lufta e Vlorës shpëtoi kombin tonë, nga coptimi i tretë i trojeve tona, siç shpëtoi edhe LANC-i ,nga coptimi i katërtë, pas çlirimit nga komplotet për përmbysjen e pushtetit popullor.Por Shqipëria shpëtoi edhe nga coptimi i pestë, i shitjes së detit Jon nga Sali Berisha e Lulzim Basha.Presim të shpëtojmë edhe nga coptimi tjetër i kërkuar nga BE, për t’i dhënë Malit të Zi nga trojet kosovare, veç padrejtësive që u bënë për ndarjen nga Kosova të Luginës së Preshevës e tjera troje nën Serbi  e Bosnjë,si edhe dhënien e një territori  shqiptar rishtas Maqedonisë.Sërish Europa rrezikon trojet shqiptare edhe në shek.XXI, gjatë integrimit euro-atlantik?! As populli shqiptar, nga të dy anët e kufirit, nuk proteston (tragjike kjo gjendje),pa le më qeverisjet kapitulluese, të tranzicionit para BE,ShBA , OKB e fqinjëve shovenë, që ende kërcënojnë  shqiptarët, me luftë e synime të ndryshme, si Serbia,Greqia ,Mqedonia e Mali i Zi, tashmë të njohura, si shtete shovene në Ballkan, të cilat ende sot kanë edhe ndihmën e Rusisë së Putinit, që kërcënon ende Ballkanin për të dalë në Mesdhe e Adriatik, sipas projektit të Pjetrit të Madh.

             Një sqarim i domosdoshëm një studjuesi agresiv kundër Kuçit

Një studjues “demokrat i kulluar”, që ka luajtur poker me mbiemrat e vet, ka hapur një polemikë shterpë, me zjarrmi antikomuniste, se demokracinë shqiptare të tranzicionit e quan se u bë deti kos, kundër Kuçit dhe gjeneralit të shquar Qazim Kondi, luftëtar e bashkëdrejtues  me Mehmet Shehun, në shtabin e çlirimit të Tiranës më 1944, veç detyrave të tjera gjatë LANC-it  dhe pas çlirimit, se gjoja ky paska cënuar meritat e Ahmet Lepenicës në luftën e Vlorës. Cmirziu studjues, pasi polemizon edhe me Ago Agaj mbi kujtimet e tij për A.Lepenicën, akuzon se “ pavarësisht nga e vërteta historike, për shkak të rrethanave të kohës, A.Lepenicës nuk i lejohej as t’i shqiptohej emri..Mjafton për këtë të sjellim shëmbullin e gjeneralit komunist të Sigurimit të Shtetit Qazim Kondit, i cili bën vërejtje Xhafer Matukës “ ( shih librin e tij f.256-257). Sipas kujtimeve të kuçiotit Sejfudin Meçes, që ka qënë edhe shoqërues  i Ismail H.Kuçit ( xhaxhait të Qazim Kondit) në luftën e Vlorës dhe i Avni Rustemit, planin  dhe drejtimin e luftimeve në Kotë, i ka realizuar ky, Ismail Haki Kuçi, akademist ushtarak i Stambollit dhe jo A.Lepenica.Ky studjues turret edhe më me furi, kur deklaron se “ mashtrimin e komunistit Qazim Kondi e nxjerr në shesh një komunist tjetër, edhe ky oficer i Sigurimit të Shtetit, Hasan Luçi, bashkëfshatar i Qazim Kondit nga Kuçi, i cili dëshmon të vërtetën se Ismail H.Kuçi nuk mori pjesë në fazën e parë, të veprimeve luftarake 5-10 qershor 1920, kur forcat e Kurveleshit ishin në Tepelenë, sepse ai luftonte ende rreth Tiranës, me forcat serbe e esadiste, pasi shkoi në Tiranë pas mbledhjes së Barçallasë, si duket i thirrur nga qeveria, edhe për  t’i treguar vendimet e saj, pastaj e kanë komanduar në ato luftime për aftësitë e tij ushtarake.Të njëjtën gjë pohon për I.H.Kuçin edhe Gani I.Abazi në kujtimet e tij” . Më posht ai shton se “edhe prof.K.Frashëri, njësoj si gjenerali i Sigurimit të Shtetit Qazim Kondi, bën një gabim tjetër, “harron” se në 1954 ka thënë se “luftimet drejtoheshin nga A.Lepenica” dhe në 2008 mohon atë që ka thënë më 1954”.Studjuesi pedeist i thekur “sahat omega”, pasi bën këto sulme pedeiste, vijon e zbut fandakosjen e vetë (shih f.257), duke thëë se “natyrisht në konsultim dhe diskutim me shtabin e luftës!”.Por zotëria Lepenica, se Memisha është si pseudonim demek, harron një gjë fare fare të vockël, të cilën po ia kujtoj që ta lexojë pa syze, açikë, thotë shkodrani: në librin mbi historinë e Kurveleshit, autori R.Memushaj shkruan: “Por në këto luftime të fazës së parë ( deri në fitoren në Kotë- H.L),pati edhe mangësi në dretimin e luftimeve, konkretisht Ahmet Lepenica qëndroi larg zjarrit të luftës dhe nuk bëri dot korigjimet taktike në fushën e luftës, për t’i nxjerrë luftëtarët  nga vështirësit.Për këto të meta, A.Lepenica u shkarkua si komandant i përgjithshëm, detyrë që iu ngarkua Qazim Koculit”( R.Memushaj- Histori e Kurveleshit  ).Pra le të rrimë shtrëmbër, thotë një fjalë e urtë popullore, por të flasim drejtë! Por demokrati 24 karatë nuk i pëlqen këto teori e praktika urtësie dhe mënçurie popullore, se ia ka hypur gomarit së prapthi.