Eriola Gusho: Po i ke vënë vetes qëllim, çdo gjë bëhet!

Eriola Gusho: Po i ke vënë vetes qëllim, çdo gjë bëhet!
Flet posaçërisht për Albanian Free Press këngëtarja e talentuar e muzikës popullore, Eriola Gusho: “Unë jam besimtare e krishterë dhe besoj shumë në Zot.  Falë tij  kam çdo gjë të mirë në jetë! Ne njerëzit bëjmë pa fund muzikë për çdo gjë që na rrethon, por harrojmë të falenderojmë  Zotin për gjithçka ne kemi.  Dëshiroj që Zotin ta falenderoj edhe nëpërmjet këngës dhe zërit që më ka dhuruar.”

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

E lindur në Tiranë por me origjinë nga Korça e bukur, Eriola Gusho e ka nisur dashurinë me këngën që shumë e njomë. Pjesëmarrëse tek “Gjeniu i Vogël” e më pas në shumë kompeticione të tjera, ajo zbuloi se kënga popullore e tërhiqte më së shumti ndaj sot, kur dashuria me bashkëshortin e saj muzikant profesionist, e ka transferuar në Vlorë, Eriola është një nga këngëtaret më të kërkuara të muzikës popullore të tabanit. Por jo vetëm kaq. Ajo vjen në këtë rrëfim për ne, me një qytetari dhe delikatesë që i shkojnë shumë edhe hireve të saja.

Ju këndoni me dashuri këngën e Shqipërisë së Jugut veçanërisht. Por si erdhët deri tek kënga?

Ju falenderoj shumë që më ftuat për këtë intervistë në gazetën tuaj. Është kënaqësi!

Që e vogël më ka pëlqyer shumë të këndoj, e dashuroja këngën, edhe në shtëpi dëgjonim shumë muzikë popullore, sidomos korçare, sepse babi im është nga qyteti i Korçës. Dëshira dhe pasioni për të kënduar ka nisur që në moshë fare të njomë, gjë e cila nuk u la pa u vënë re edhe nga institucioni i shkollës. Le të themi se karriera ime si këngëtare startoi me programin "Gjeniu i Vogël" ku fitova një eksperiencë të bukur për 3 muaj me radhë. Edhe pse konkurrenca ishte e madhe, dëshira dhe pasioni  vazhduan akoma më fort në aktivitete të tjera si festivali i "Zërave të rinj". Aktivitetet vazhdonin dhe i radhës do të ishte ai i ansamblit të shoqatës atdhetare kulturore "Gora" ku edhe fillova të këndoja këngën popullore, e cila çuditërisht më ngjiti dhe që nga ajo kohë  u bë pjesë e pandashme e imja.

Na tregoni diçka më shumë për veten, ku ke lindur dhe si ka qenë fëmijëria jote?

Kam lindur  në qytetin e Tiranës. Fëmijëria ime ka qenë një fëmijëri e bukur, jam rritur me dy motrat e mia që janë pak më të vogla së unë dhe me prindërit, të cilët ndihemi shumë të bekuara që i kemi dhe që na kanë mbështetur në çdo sekondë të jetës.

Në cilin vit ose moshë jeni aktivizuar me këngën për herë të parë? Mund të na tregoni ato emocione?

Për herë të parë kam kënduar në moshën 6 vjeçare, në një nga aktivitetet muzikore që zhvillohej në shkollë. Të them të drejtën,  pasioni për muzikën ka qenë gjithmonë më i madh sesa emocionet që po ashtu  janë prezentë  kurdoherë. Kënga e parë që kam kënduar ka qenë "Dua më shumë Shqipërinë".

Sa ju ka mbështetur familja juaj në pasionin tuaj për këngën?

Familja më ka mbështetur gjithmonë në pasionin tim për këngën pasi ata e shihnin që përveç talentit, kisha edhe shumë vullnet për të marrë pjesë kudo në aktivitete. Jo vetëm kur isha e vogël por edhe e rritur, ata më shoqëronin kudo nëpër koncerte dhe mbrëmje ku unë isha e ftuar si këngëtare.

A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje?

Siç e dimë, në Shqipëri, profesioni i artistit është jo i lehtë, madje edhe pak i vlerësuar. Videoklipet janë të kushtueshme dhe çdo videoklip ka rëndësinë e tij se bashku me të gjitha elementët e tjerë. Kam fatin e madh dhe jam tepër e bekuar dhe me bashkëshortin tim Kristianin i cili është  producent. Këngët e mia janë të kompozuara nga ai vetë, ndërsa mua më pëlqen shumë të  krijoj tekstet e tyre pasi që e vogël kam pasur pasion edhe të shkruarin dhe universitetin e kam mbaruar në degën gjuhë-letërsi, ku aktualisht punoj edhe si mësuese. Kështu, bashkimi bën fuqinë!

Si arrini ekuilibrin midis artit, angazhimeve dhe jetës së përditshme?

Këtë pyetje ma bëjnë shpesh edhe persona të tjerë. Nëse i ke vendosur vetes një qëllim dhe objektiv, atëherë çdo gjë mund ta bësh. Me punë gjithçka arrihet. Jam me fat që kam edhe Kristin, bashkëshortin tim, që më gjendet krah për çdo gjë, jo vetëm në profesionin tonë si muzikantë por edhe në jetën e përditshme.

Kur zgjidhni repertorin tuaj, a hulumtoni në mesin e këngëve të vjetra të zonës?

Patjetër që po...këngët e vjetra mbeten gjithmonë të bukura dhe më shumë vlera, po ashtu edhe vetë populli i kërkon kudo në dasma apo në mbrëmjet familjare ku unë këndoj.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë në këngë?

Kam vetëm një bashkëpunëtor i cili është  bashkëshorti im Kristian Gusho dhe pre mua është i pazëvendësueshëm, ha ha ha.

Merreni shumë me pamjen tuaj të jashtme gjatë aktivitetit? Kujdeseni vetë apo keni bashkëpunëtorë?

Pamja është elementi më i rëndësishëm, krahas talentit, për një këngëtar. Patjetër që kujdesem për të. Përsa i përket veshjes, unë gjithmonë kam dikë që kujdeset si për veshjet e klipeve po ashtu edhe të aktiviteteve ku këndoj dhe ajo është stilistja Ermiola Gjata. Ndërsa si make up artist kam të preferuar Sagerin, një vajzë mjaft e talentuar në punën që bën.

Cilat janë planet në ardhmen e afërt në këngë?

Shume shpejt do të publikoj dy videoklipe të reja, pra dy këngë të reja. Njëra është një kolazh dasme në bashkëpunim me një tjetër këngëtar të talentuar dhe tjetra është një këngë moderne shumë e bukur ku videoklipi është  realizuar nga MAX Production. Urojmë t'i sjellim  sa më bukur tek publiku!

Si është një ditë e jotja e zakonshme jashtë karrierës muzikore?

Siç ju thashë pak më lart, unë kam mbaruar studimet e larta në degën gjuhë shqipe-letërsi  dhe punoj  si mësuese ne një ndër shkollat 9 vjeçare në qytetin e Vlorës ku edhe banoj aktualisht.  Pas mësimit, vazhdoj të studioj muzikë rreth 1 orë në ditë me mësuesen e parë të Kristit e cila i ka mësuar violinën.  Dita vazhdon  me fëmijët e kopshtit të vjehrrës sime në Vlorë, ku unë punoj edhe aty si mësuese dhe kështu kaloj edhe një kohë të mirë edhe me  të që për mua është më shumë si motër dhe si nënë.

Darka më gjen në shtëpi ku më pret Kristiani dhe shpesh mbrëmjeve dalim shëtitje buzë detit i cili të fal një qetësi të papërshkrueshme ose vazhdojmë punën me projektet e radhës. Sigurisht që e shtuna dhe e diela janë pushim ose kohë pune për projektet muzikore.

A ke ëndrra dhe shpresa që pret të të realizohen?

Patjetër që po.  Unë jam besimtare e krishterë dhe besoj shumë në Zot.  Falë tij  kam çdo gjë të mirë në jetë! Ne njerëzit bëjmë pa fund muzikë për çdo gjë që na rrethon, por harrojmë të falenderojmë  Zotin për gjithçka ne kemi.  Dëshiroj që Zotin ta falenderoj edhe nëpërmjet këngës dhe zërit që më ka dhuruar.

A ka mjaftueshëm aktivitete për këngën popullore burimore?

Në ditët e sotme nuk mendoj se ka mjaftueshëm aktivitete për këngën popullore burimore. Do dëshiroja shumë që këto aktivitete të ishin gjithmonë e më të shumta sepse e di që edhe njerëzit e duan shumë  këngën popullore  dhe emocionohen kur dëgjojnë këngë të tilla,  sidomos të krahinës së tyre. Dhe më bukur është kur ajo trashëgohet edhe ndër breza të tjerë.

Në cilën fazë të jetës je tani dhe kush të bën të lumtur?

Ndihem shumë e bekuar për çdo gjë që Zoti më ka dhënë në jetë.Tani jam ende  duke punuar fort  për të arritur edhe më shumë gjëra të bukura. Të lumtur më bën gjysma tjetër e imja, Kristiani.