Dhimitër Gjoka: Koha i jep personazheve të caktuar hierarkinë e vlerave

Dhimitër Gjoka: Koha i jep personazheve të caktuar hierarkinë e vlerave
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press ikona e edicioneve qendrore të lajmeve, folësi, regjisori dhe skenaristi Dhimitër Gjoka: “Kohë goxha e gjatë që iu përkushtova ekranit, janë rreth 40 vjet, pikërisht vitet më produktive të jetës time. I dhashë transmetimeve të drejtpërdrejta televizive gjithçka që kisha brenda meje dhe çfarë  unë dija, me emocion dhe shumë dashuri dhe mora një feedback absolut nga një audiencë kombëtare e ndërkombëtare që hera herës më befason, ndaj i falenderoj përzemërsisht për vlerësimet e tyre dhe ky është sodisfaksioni më i madh i punës time, që s’ka të paguar.”

***

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Viti 2018 u mbyll bukur për të. Fondacioni “Harpa” e përzgjodhi “Njeriun e Vitit 2018” dhe sigurisht që ikona e lajmeve shqiptare, Dhimitër Gjoka, nga lartësia e eksperiencës që të fal thjeshtësi dhe mirënjohje, shprehu shumë emocione. Vitet kalojnë, më shumë se 40 në ekran, por përsëri figura e tij me kostumet e rregullta e hijeshi, me portretin fisnik, zërin e ngrohtë dhe krenarinë që transmeton, ka mbetur e pazëvendësueshme. Pas disa eksperienca të ndryshme në televizionet private, Dhimitër Gjoka u rikthye aty ku ai vetë shprehet se ndihet si në shtëpi. Dhimo, siç e thërrasin miqtë e kolegët, himarjoti ekspresiv por serioz ku e kur duhet, ka qenë një nga drejtuesit e mi të parë në RTSH. Figurë e lajmeve qendrore por edhe regjisor shumë i mirë dhe moderator sharmant spektaklesh, kërkues me veten e me të rinjtë, por gjithmonë me takt. Një nga ato vlerat kombëtare të cilat na afron ose barazon me botën dhe televizionin e huaj, për profesionalizëm dhe thithje audience. Bisedova me të, duke qenë e bindur se ka ende shumë e shumë për të thënë e se vetëm sa ceka pak nga historia e tij.

Nuk është e lehtë të intervistosh një personazh që dikur e ke pasur koleg, madje edhe drejtues. Por ja ku kalojnë dekadat e ju jeni përsëri aty, brenda kutisë magjike. Cili është sekreti që një gazetar ekrani, spiker, figurë mediatike, t’i rezistojë kohës kështu?

Shumë kënaqësi që po komunikoj me ju pas një kohe të gjatë dhe pikërisht duke e hapur bashkëbisedimin tonë me shprehjen “ti rezistosh kohës si një produkt”. Po përdor fjalën “produkt” sepse e tillë është ajo  çka në i ofrojmë publikut, një produkt me vlera  të shumëfishta artistike, kulturore, estetike edhe didaktike. Ekrani  televiziv mbetet gjithmonë për mua një dritare e jashtëzakonshme komunikimi që bën vërtet mrekullira tek audienca shumësyrëshe, ku përpara objektivit të kamerës ti arrin të depërtosh në koshiencën dhe gjithë qenien e publikut që të ndjek.

E kam hasur në biseda me shumë njerëz. Rikthimi juaj në drejtimin e lajmeve në RTSH ishte një rikthim vlerash. Ju vetë si e përjetuat rikthimin në vendin nga e nisët?

Sigurisht me hapjen e televizioneve  private në erën e re të mediave të lira, pata edhe unë fatin dhe kënaqësinë të isha pjesë e ekranit të disa televizioneve prestigjioze si AS, Top Channel, Albanian Screen, News 24 etj ku jam ndjerë padyshim i privilegjuar dhe i vlerësuar. Në gjithë këto eksperienca të pasura televizive,  TVSH- ja mbetet starti në rrugëtimin e  mrekullueshëm të sprovës time televizive. Aty u ndjeva pikërisht si në shtëpinë time. Megjithëse koha kishte kaluar dhe mjaft bashkëkolegë të mi të dikurshëm nuk ndodheshin më aty, e ndjeja sharmin dhe peshën që ajo godinë aq e dashur ruante për mua. E siç e thamë më lart, ti rezistosh kohës do të thotë se s’ka shumë rëndësi vendndodhja, pra ku ishe, ku je e ku do të shkosh, por produkti që sjell në hapësirën e kohës tënde.

Me premisa shumë të mira për të qenë një aktor i mirë dhe një regjisor i zoti. Sa e ka ndihmuar fati himarjotin e pashëm të shkelte shkallët e RTSH-së?

Unë fatit sigurisht i besoj, i besoj edhe asaj shprehjes se famshme “rastësia mbreti i domosdoshmërisë”, por mbi të gjitha i besoj mundësive, caqeve të mija, i besoj edhe asaj këmbënguljes, kokëfortësisë se himarjotit. Ndihem me fat për pedagogët e mi të nderuar me ligjësitë e shenjta për skenën, aktrimin dhe regjisurën. Iu jam thellësisht mirënjohës për vlerësimin dhe besim e tyre. Me fat ndihem qe m’u besua ekrani në edicionet qendrore të lajmeve, me fat ndihem për kolegët dhe eprorët e mi, me cilët pata bashkëpunime të shkëlqyera. Por fati nuk të ndihmon gjatë pa disiplinën që kërkon puna, përkushtimin, sakrificën.

A ka në jetën tuaj personazhe të cilët u bënë parësorë për ecurinë e karrierës tuaj më pas?

Patjetër modele ka gjithmonë, ngado dhe në çdo kohë. Këtu qëndron dhe e bukura e evoluimit në shoqërinë njerëzore ku e përkryera apo kryevepra mbetet burim frymëzimi. Koha i jep personazheve të caktuar hierarkinë e vlerave, duke i bërë kështu shembuj modeli për brezat e rinj.

Sot televizione ka shumë por sado kohët kalojnë ju bashkë me disa kolegë jeni ikona të ekranit. Sa punë ju desh të arrihej kjo dhe cilat janë disa strategji ose elementë që i duhen një figure të ekranit të “pushtojë” publikun?

Kohë goxha e gjatë që iu përkushtova ekranit, janë rreth 40 vjet, pikërisht vitet më produktive të jetës time. I dhashë transmetimeve të drejtpërdrejta televizive gjithçka që kisha brenda meje dhe çfarë  unë dija, me emocion dhe shumë dashuri dhe mora një feedback absolut nga një audiencë kombëtare e ndërkombëtare që hera herës më befason, ndaj i falenderoj përzemërsisht për vlerësimet e tyre dhe ky është sodisfaksioni më i madh i punës time, që s’ka të paguar.

Nga dora dhe mendja juaj kanë dalë shumë dokumentarë, programe televizive, dublime ekselence filmash, spektakle etj. Jeni vlerësuar dhe me shumë çmime. Keni ndonjë program ose punë tuajën që e keni më shumë për zemër?

Përsa i takon regjisurës, krahas emisioneve rutinë në të gjitha zhanret televizive, kam lëvruar mjaft dokumentarë ku jam vlerësuar me çmime kombëtare. Ndërsa puna ose dokumentari artistik që kam më shumë për zemër është “O JETO” i xhiruar i gjithi në Himarën me bukuri magjepsëse por zbrazur prej emigrimit të bijve të saj, ku ndërthuren valët e ikjeve të reja dhe të vjetra me këngën e vajzës së valëve të të madhit himariot Neço Muko. Dokumentari u vlerësua me çmim ndërkombëtar “LUX CLARIOR” në Assisi të Italisë.

Pas kaq shumë vitesh që jetoni në Tiranë, sa aromë Himare keni ende brenda vetes?

Sipas llogarive aritmetike kam me shumë vite që jetoj në Tiranë sesa në Himarë dhe ndihem sigurisht goxha mirë i nderuar, i respektuar, i plotësuar, i realizuar në ëndrrat e mia, patjetër ky kryeqytet që dimensionohet në shtratin e tij dita ditës, në kaosin e zhurmshëm të rritjes më dha mundësinë e artë për të  qenë ky që jam. Sigurisht të gjitha rrugët e Shqipërisë të çojnë në Tiranë. Ajo mbetet  Meka për gjithë shqiptarinë. Ndërsa përsa i përket aromës, jam i gjithi aromë Himare.

Sa i thellë është ndryshimi midis “të lexosh një lajm” e “ta interpretosh atë”?

Parësore, në çdo lloj leximi, është të dominojë leximi logjik, aq më tepër kjo në leximin profesional apo artistik të folësit. Nëse arrin të balancosh tre elementët bazë, artikulim të pastër, logjikën e frazave dhe ndjeshmërinë e lajmit që transmeton, ke superuar veten, ke fituar audiencën.

Sot programet televizive kanë larmi dhe gjithashtu edhe kërkesat e publikut janë nga më të ndryshmet shpaguan. Por a mendoni se cilësia dhe korrektësia në një program ende?

Kemi nevojë për më shumë etikë në ekrane, më shumë filtra trasmetimi për të mbërritur tek teleshikuesi. Jemi në kërkim të identiteve të reja, përsa i përket formateve televizive. Merren shabllon formate të huaja, adaptohen pa mundur të përcjellin tek teleshikuesi atë aromën e domosdoshme kombëtare, atë palcën shqiptare. Ka nevojë për elementë kombëtarë si aksesorë që plotësojnë kuadrin e kombit. Dhe trashëgimia jonë kulturore, në të gjitha fushat e artit të kultivuar dhe flokut, është minierë e pafund. Është e domosdoshme për të konturuar  identitetin e brezit të ri. Kjo bën ta duash më shumë vendin tënd, na bën më pak nihilistë dhe na bën të jemi më me këmbë në tokë, pa hiperbolizuar shumë kulturën e huaj. Pse kanë shikueshmëri disa emisione që promovojnë natyrën, etnosin, gastronominë e krahinave të ndryshme shqiptare, sepse aty ndjen aromën e vërtetë shqiptare. Kemi nevojë ta duam më shumë veten, ta respektojmë më shumë njëri-tjetrin, të besojmë më shumë tek vetvetja. Televizioni kjo fuqi e jashtëzakonshme mediatike e ka domenin për ta bërë këtë, për t’i bashkuar më shumë shqiptarët.

Kthehemi pas në kohë. Ju ka ndihmuar fakti se ishit (dhe ende jeni) një burrë i hijshëm? Po vokalin unik e keni të trashëguar nga dikush në familjen tuaj?

Çfarë thamë, aroma e bregut, aty është ashti im.

Ka qenë ndonjë moment në karrierë kur keni thënë “mjaft” ose “u lodha” ose “dua të largohem nga Shqipëria?

Sinqerisht puna nuk më është mërzitur kurrë. Ajo më ka mbajtur gjallë.

Kam pasur disa mundësi pothuaj të kryera për t’u larguar, por jam tërhequr, megjithë insistimin e vazhdueshëm të familjes. Pikërisht puna më mbajti lidhur në këtë vend.

Por punohet edhe për të ardhura ekonomike. Jashtë Shqipërisë ju do të kishit siguruar një jetë luksoze për mbi te breza familjes. A mendoni se është një mëkat i madh që artistët, aktorët, gazetarët, folësat e figura historike si ju duhet të trajtohen me një kujdes më të veçantë nga tregu dhe institucionet?

Gjatë karrierës time televizive në tregun e mediave shqiptare jam ndjerë,  në periudha të caktuara i vlerësuar finaciarisht. Sa për standartin shqiptar, është për të ardhur keq, hierarkia e vlerave nuk ka taban.

Sa peshë zë në jetën tuaj e bukura, muzika, ngjyrat, natyra?

Jam i rrethuar nga e bukura, muzika, ngjyrat dhe natyra...

Me kë e pini kafenë e parë në mëngjes?

Sigurisht me bashkëshorten...çdo mëngjes është një fillim i ri...

Por ajo që ju mirëpriti e para në media në vitet ’70 ishte Radio Tirana. E kujtoni atë ditë kur shkelët aty? Më rrëfeni ndonjë detaj të asaj kohe?

Ajo ishte porta e parë që hapi dyert për mua. Rastësia e një audicioni u bë domosdoshmëri, u bë profesioni im i jetës. Impakti im me mikrofonin ishte emocion i papërshkrueshëm dhe përgjegjësi e madhe.

Keni ju ndonjë peng në karrierë ose ndonjë projekt që e latë në mes?

Jo, jo.

Folëse femra ka më shumë, ekrani shqiptar “lëngon” për folësa meshkuj, ata vijnë më rrallë. Nëse ndonjë djalë i ri do të donte të ndiqte gjurmët tuaja keni ndonjë këshillë për të?

Nëse parametrat që kërkon ekrani dhe mikrofoni përputhen, pse jo, bëhet për mrekulli. Pa harruar asnjëherë regjimin vetjak, disiplinën që kërkon profesioni, përkushtimin për atë që bën.

Në tërë këto arritje tuajat, sa peshë ka zënë familja juaj, bashkëshortja juaj?

Familja dhe bashkëshortja ime janë për mua ekuilibri, mbështetja, dashuria.

Do të vazhdoni me publicistikën? Keni nxjerrë disa publikime shumë cilësore...

Pse jo... hera herës më pëlqen të hedh në fletë kujtime, impresione, fantazi, është bukur të shkruash, të hysh në labirinthet e meditimit...lum ai që gjen kohën dhe e bën këtë...