Agim Krajka: Ka njerëz që po pasurohen me këtë krim që bëhet në muzikën e sotme shqiptare

Agim Krajka: Ka njerëz që po pasurohen me këtë krim që bëhet në muzikën e sotme shqiptare
Kompozitori i mirënjohur Agim Krajka në këtë pjesë të dytë të intervistës me “Albanian Free Press”, flet për nivelin e muzikës dhe këngës në Shqipëri. Ai pohon se ka njerëz që po pasurohen me këtë krim që bëhet në muzikën e sotme shqiptare.

Intervistoi: Albert Zholi

Ansambli ka shkuar në shumë vend të botës, po ju a ishit pjesë e tij kur shkonit jashtë? Si ndiheshit kur shihnit zhvillimin ekonomik të vendeve që vizitonit?

Me Ansamblin kam dalë shumë herë jashtë qysh në monizëm, kur çdo njeri qoftë dhe me titull e kishte ëndërr të dilte. Sa herë shkonim çdo gjë na dukej utopi, si përrallë dhe s’e besonim. E krahasonim me vendin tonë dhe 100 pyetje i bënim vetes. Utopia e vërtetë ishte kur shkonim atje, se ndjeheshim si të droguar. Çdo gjë dilte jashtë parashikimeve tona. Këta të partisë na porosisnin, që nëse na afroheshin shqiptarë (të arratisur ose emigrantë) t’i largonim dhe të mos i takonim. Nuk kam qenë nga ato njerëz që kam patur shumë frikë. Me mundësitë që na krijoheshin kishim kontaktet tona. Por gjithsesi situata ishte absurde. Dieta jonë ishte 1 dollar në ditë, por ne ndjeheshim krenarë për kombësinë që përfaqësonim. Ama, kur vinim, heshtnim. As gruas nuk i tregoja çfarë kisha parë. Kur u sillja të afërmve ndonjë çamçakëz apo stilolaps, më shikonin sikur u kisha dhënë botën. E papranueshme mos të kishte as çamçakëz në Shqipëri, absurde! Lëre që dyqanet andej ishin plot, thyheshin nga mallrat, ndërsa në dyqanet tona thyente hundët miu se ishin bosh. Por heshtnim dhe vuajtjen shpirtërore e bluanim përbrenda.

Ndoshta ishte kjo varfëri që ju detyroi të merrnit rrugën e mërgimit që në fillim të viteve ’90?

Sigurisht, kjo ishte çështja kryesore. Kjo ishte ajo që më nxiti më shumë. E njihja botën jashtë para shumë të tjerëve, e dija si ishte realiteti. Me kohë bluaja se si të ikja. Në atë kohë në Shqipëri fukarallëku ishte kthyer në plagë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për intelektualët. Duke qenë se unë i kisha kaluar shumë herë kufijtë shqiptarë me turnetë që bënim jashtë me Ansamblin, duke prekur të katër kontinentet, e njihja mirë jetën jashtë. Sigurisht që para ’90-ës nuk kisha menduar ndonjëherë të arratisesha për shkak të frikës nga persekutimi ndaj familjes, por me ardhjen e demokracisë m’u krijuan kushtet për t’u larguar. Ditën që u largova nga Shqipëria nuk ika me emocione sepse ishte thjesht një kontratë e përkohshme për të fituar disa para në Nju Jork. Më ofrohej një sasi e madhe parash për një kohë të shkurtër dhe vendosa ta provoja. M’u dha mundësia të shkoja fillimisht në Australi, më pas të shkoja në Amerikë dhe të punësohesha në një lokal me pronarë shqiptarë si instrumentist. Isha në Amerikë bashkë me tim bir që më ndihmonte duke i rënë pianos dhe baterisë. Tim biri iu desh që të kthehej më shpejt se vazhdonte Konservatorin, në vitin e parë. Ka qenë dhjetori i vitit 1991 kur më mori në telefon, një javë pasi ishte kthyer në atdhe duke më treguar për kaosin që ishte krijuar në vend dhe turbullirat e mëdha që po ndodhnin në Shqipëri. Më tha se po të rrija në Amerikë do t’u hapja një dritë jeshile. Me anë të një miku kosovar arrita të gjeja një strehë për familjen time dhe më pas mundësinë për t’i tërhequr. Unë në emigracion shkova 52 vjeç. Më pyeti ime shoqe për emocionet dhe unë i thashë kur ajo mbërriti se “unë Agim Krajkën e kam lënë në Shqipëri”. Pra fillova një punë shumë të thjeshtë. Punë e thjeshtë ishte, por ishte derivati i profesionit tim. Unë kompozitor u bëra nga fizarmonika. Edhe ushtar kur isha, në sajë të atij instrumenti më mbajtën me hatër dhe më lanë t’i bija vetëm fizarmonikës dhe të përgatisja shfaqjet e ushtarëve. Më pas punova një vit në ansamblin e Ushtrisë dhe më pas në Radiotelevizion. Atje mora pjesë në festivalin e parë ku shkrova “Lemzën”, etj., etj. dhe vazhdoi e gjithë karriera ime. Unë me të vërtetë mbarova shkollën për kompozitor, por puna e përditshme ishte fizarmonika. Ndaj në Amerikë nuk ndërrova zanatin, por pata fatin të çaja në këtë fushë ku kishte vështirësi të mëdha. Atje nuk bëhej muzikë e mirëfilltë sepse pronarët e lokaleve donin jo muzikën e vërtetë shqiptare, por muzikë tallava. Ata shpesh ishin nga Mali i Zi apo nga Maqedonia dhe njihnin si muzikë shqipe vetëm atë lloj rryme. Me shumë përpjekje arritëm të formonim një grup të mirë me Parashqevi Simakun dhe Morena Rekën. Por dhe kjo, për një periudhë të caktuar. Më pas iu ktheva punës në restorante amerikane duke interpretuar këngë italiane dhe detyrimisht muzikë amerikane filmash, këngëtarësh dhe xhaz. Veçanërisht këngët e Domeniko Modunjos që ishin të preferuara në ato lokale. Në restorantet e Nju Jorkut kam punuar rreth 12 vjet duke perfeksionuar më shumë repertorin dhe me muzikë kontemporane. Në Amerikë shkova dhe punova me një disiplinë të hekurt sepse atje punohet ndryshe nga Shqipëria. Thonë shqiptarët që punojnë, por gjatë ditës i pinë nëpër kafene 3 gota me fërnet, kurse në Amerikë ka vetëm punë. Në Amerikë kam punuar gjithë këto vite vetëm për t’i siguruar të ardhmen dy djemve të mi. Ata i shkollova dhe i bëra të zotët e vetes. Nuk fitova asnjë dollar, por nuk mbeta borxh asnjë dollar.

Agimi dhe Amerika. Në ato 16 vjet a e ndjetë ndonjëherë peshën e racizmit dhe kur u kthyet në atdhe?

Po, kam qëndruar afërisht 16 vjet në emigracion, dhe se ndjeva kurrë, kurrë racizmin. Me thënë të drejtën edhe malli për Tiranën më kishte marrë shumë, shumë. E mbaj mend si sot kur jam kthyer. Ishte viti 2001, kur u bë ai koncerti “E dua më shumë Shqipërinë”. Më kishte marrë malli shumë për vendin tim ndaj u përlota shumë. Atdheu është një ëndërr. Por atë dhjetëvjeçar që kisha qenë larg mendova se gjërat në Shqipëri do të kishin ndryshuar. Në kohën tonë të gjithë njerëzit ishin njëlloj, të gjithë të varfër. Kur erdha në Shqipëri kishin mbetur ata disa gjoja profesionistë që nuk dihet nëse kanë bërë ose jo shkollë, sepse kishin devijuar nga muzika e vërtetë. Tirana kishte ndryshuar pak, por kishte mijëra dyqane, pisllëqe, lulishte në qendër dhe më dukej vetja si në Afganistan. Ishin kryer masakra të tëra mbi arkitekturën e kryeqytetit. Edhe tani ka shumë lokale dhe restorante luksoze që nuk dihet se kush i frekuenton.

Muzika e lehtë shqiptare dhe muzika e deformuar, tallava, mund të na sillni ndryshimet?

Ndryshimet? Së pari nuk kanë asnjë lidhje. Muzika jonë e lehtë ishte qelibar. Tërësisht shqiptare. Të gjithë e donin dhe e respektonin. Ata që hodhën themelet e muzikës së vërtetë shqiptare kanë qenë njerëz të mençur dhe kanë ditur që gjëja më e bukur dhe e rëndësishme e një populli është kultura e tij dhe ia kanë arritur qëllimit. Shqiptarët sot e kanë të drejtën të gëzojnë lirinë absolute, por më duket se një pjesë e madhe e saj lufton për disa gjëra më imediate. Ka njerëz që po pasurohen me këtë krim që bëhet në muzikën e sotme shqiptare. Është më i fuqishëm ai që e prish këtë muzikë se ç’mund të jetë një Cesk Zadeja e baballarët e tjerë të muzikës shqiptare! Tek ne kultura kombëtare nuk ka më rëndësi. Për Ansamblin e Shtetit nuk investon askush, për institucionet e tjera, gjithashtu. Nuk besoj se ky është arti dhe kultura shqiptare. Sot paratë investohen vetëm tek ato VIP-a që vishen e zhvishen nëpër skena, huazimet, drita lart e poshtë. Kjo nuk është kënga shqipe për mua. Në muzikën shqiptare nuk ka më konkurrencë. Në kohën time vetëm ndonjë kompozitor super i talentuar i pashkollë mund të shkruante ndonjë këngë, të tjerët absolutisht jo. Nuk luhej me muzikën, me artin, me atë që na lanë të mëdhenjtë e muzikës shqiptare. E kanë lënë amanet.

Si do ta përcaktoni sot realitetin e shoqërisë shqiptare?

Sot në Shqipëri shikohet se në raport me shtetet e tjera janë rritur ndjeshëm divorcet, krimi dhe papunësia. Rinia do që të ikë. Nuk është e drejtë. Pa rini, një komb vdes.

Emancipimi për mua është i nevojshëm. Mendoj se kategoria më e persekutuar në këtë drejtim është femra. Ndaj është normale që shumë njerëz që kanë vuajtur në lidhjen e tyre ta shpërbëjnë atë, për të gjetur veten. Por mendoj se është detyra e shoqërisë dhe familjes apo dhe shkollave për edukimin e tyre dhe mbi të gjitha për vlerësimin e një institucioni të rëndësishëm siç është familja. Jeta të përball me shumë të panjohura, me shumë vështirësi, duhet të përgatitemi. Unë vërtet kisha një fizarmonikë që e kisha pasion, por kompozimin e mësova nga rastësia. Mendoj se nëse do të kisha lindur në një vend tjetër nuk do isha bërë kompozitor. Ndoshta mund të isha bërë një miliarder, por jo kompozitor.

Po huazimet në tërësi të muzikës së huaj sa ndikojnë në humorin tuaj?

Unë hyj në ata kompozitorë dhe krijues që dua dhe mbroj këngët e vendit tim. Në kompozicionet ruse në çdo moment të veprave të tyre do të ndjesh jetën, kulturën dhe zakonet ruse. Edhe në kulturat e popujve të tjerë janë evidente këto dhe artistët e vërtetë i ruajnë me fanatizëm. Ata investojnë për këngën e tyre. Ndërsa këtu tek ne këngës shqipe i bashkëngjisin muzikën turke, rome, serbe dhe greke. Me rastin e shpalljes së Pavarësisë isha në Prishtinë dhe kam jetuar momente të lavdishme që nuk do t’i harroj kurrë. Aty gëlon kënga shqiptare dhe kjo tregon se populli ynë jashtë kufijve ka derdhur gjak për fitimin e Pavarësisë, por njëkohësisht ka investuar shumë dhe në ruajtjen e kulturës kombëtare. Gjuha më e veçantë në këtë pellg është shqipja. Ai ka një kulturë të veçantë, gjuhë dhe kostume të jashtëzakonshme. Ndërsa tek ne në Shqipëri nuk tingëllojnë shqip këngët tona. Tek ne nuk pyet njeri a ke apo jo diplomë. Unë i respektoj shumë profesionistët e muzikës që vlerësojnë pikësëpari kulturën e tyre. Ne para se të marrim pasaportën europiane duhet t’i heqim një herë pluhurin pasaportës shqiptare, nga pluhuri grek, turk, muzika e evgjitëve, serbëve, etj....

Dy dekada e ca vite në Shqipëri, mendoni të riktheheni në Amerikë?

Amerika më dha shumë mundësi. Mu gjend në momente të vështira por tani në moshën time Amerikë për mua është Shqipëria dhe vetëm Shqipëria.