Studentët mes mësimit dhe ngujimit, çfarë po ndodh në të gjitha fakultetet

Studentët mes mësimit dhe ngujimit, çfarë po ndodh në të gjitha fakultetet
Të ndarë në qëndrime, në debate hidh e prit përmes dyerve, e komente vesh më vesh, askush nuk di ende ku do ta ketë fundin kjo situatë.

Edhe bojkot, edhe mësim. Kjo është situata në shkollat e larta publike të përfshira prej javësh nga protesta dhe ngujimi i studentëve. Ndërkohë në disa prej fakulteteve ka nisur peticioni për rifillimin e mësimit, siç është dhe Juridiku, ku shumica kanë kërkuar të zhvillojnë mësim. Disa prej dekanateve kanë vendosur të shtyjnë mësimin deri në mesin e verës

Sonila Isaku

Situata në auditorët universitarë vijon të jetë kaotike. Në disa fakultete është zhvilluar mësim, ndërkohë që në një pjesë tjetër vijon bojkoti. Grupe të vogla të rinjsh kanë bllokuar hapësirat universitare për të penguar zhvillimin e mësimit, pjesa më e madhe e universiteteve në Tiranë janë shprehur edhe gjatë ditës së sotme pro zhvillimit të mësimit.

Situata te Juridiku dhe Ekonomiku

Studentë të shumë degëve kanë nisur firmosjen e peticioneve ku kërkojnë rifillimin e mësimin. I tillë është edhe rasti i Fakultetit Juridik. Studentët e këtij fakulteti shprehen pro zhvillimit të mësimit në auditorë dhe kundër bllokimit nga një grup i vogël të rinjsh të lidhura me forumet politike. Studentet e Drejtësisë shprehen se janë aty për të zhvilluar mësim, por, një grup i vogël studentësh, për arsye politike kanë bllokuar edhe mësimin, edhe vazhdimin normal të procedurave nga studentët që përfitojnë bursa, përgjysmim tarifash etj.

Pikërisht për t’i dhënë fund këtij bllokimi, studentët e Drejtësisë kanë nisur një peticion ku secili shkruan emër, mbiemër dhe firmos, që të fillojë normalisht procesi mësimor për të mos humbur më orë që do të zëvendësohen në verë, apo më keq akoma, për të mos humbur vitin akademik i cili do të kishte kosto të larta për të gjithë ata. Siç shprehen studentët, ky peticion është firmosur nga mbi 200 studentë të drejtësisë në pak orë, ndërkohë që ata që bllokojnë janë jo më shumë se 50 studentë.

Ndërkohë në fakultetin e Ekonomisë, janë hapur dyert por nuk është zhvilluar mësim, sallat ishin bosh dhe studentët qëndronin të vendosur për të vazhduar ngujimin.

Ndërsa fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinieria e Ndërtimit pritet të bëjnë një sondazh për të vendosur nëse do të vazhdojë bojkoti apo do të bëhet rikthimi në auditorë.

Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në universitetin e Mjekësisë, dje ka rinisur mësimi. Studentët thanë se koha e protestës për ta përfundoi, ndërsa kolegët e tyre në Universitetin e Politeknikut, Fakultetin e Ekonomisë apo Histori Filologjisë vijojnë bojkotin.

Pas protestave në sheshe, studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja pohuan se pjesa më e madhe e tyre iu rikthyen auditorëve. Në klasa shiheshin pedagogët dhe studentët që kishin nisur procesin e mësimit rregullisht. "Kemi filluar, kemi rreth një javë. Gjithmonë një ditë po, një ditë jo. Besojmë se protesta mjafton dhe jemi pro mësimit. Mësimi ka filluar që më datë 7 janar, mësimet që nuk janë bërë duhet t’i studiojmë vetë”, - tha një prej studentëve.

Edhe Universiteti i Mjekësisë e ka nisur mësimin duke mos iu bashkuar studentëve të Ekonomikut e Juridikut që kanë vijuar bojkotin. "Nga fillimi i kësaj jave jemi kthyer në mësim. Ishte vendimi i gjithë shkollës”, - u shpreh një prej studentëve të këtij fakulteti. Në auditorë janë rikthyer edhe studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ngujohen edhe studentët e Universitetit të Korçës

Pas studenteve të disa universiteteve, ngujimit i janë bashkuar edhe studentëve e Universitetit Fan Noli në Korçë. Këshilli Studentor i këtij Universiteti, bën me dije se kanë vendosur të ngujohen në ambientet e Fakultetit Ekonomik. "Ndonëse temperaturat janë nën zero gradë dhe nuk ka asnjë ngrohje, ne do të ngujohemi deri në plotësimin e kërkesave tona", thekson Këshillit Studentor. Studentët e këtij universiteti kërkojnë rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë si dhe plotësimin e 17 kërkesave nga rektorati.