Sonja Çemeri: Ëndrra dhe projekti im, të jem prezantuese në televizion

Sonja Çemeri: Ëndrra dhe projekti im, të jem prezantuese në televizion
Flet vajza e spektakleve, balerina dhe ish-velina Sonja Çemeri: “Mbi të gjitha qëndron talenti, puna dhe përkushtimi, më pas vjen bukuria e të tjera si këto. Të paktën në rastin tim, ajo që ka ndikuar për t’u përzgjedhur në formatet televizive si balerinë, kanë qenë ato që përmenda më lart. Është e vërtetë që bukuria luan një rol të rëndësishëm edhe në televizion por deri tani për mua nuk ka qenë kushti kryesor.”

***

Sonja Çemeri, vajza shtatlartë nga Lushnja, me një talent të lindur në gjimnastikën artistike e në balet, spikati më së shumti në spektaklet televiziove në TV Klan e më pas në emisionin investigativ “Fiks fare” si velinë. Por Sonja nuk erdhi në ekran nga anonimati, me shumë rezultate në gjimnastikë dhe me një plastikë fizike të admirueshme, Sonja pak e nga pak, prej dhjetë vitesh, provon të arrijë ëndrrën e saj më të madhe, prezantimin e një programi televiziv. E rezervuar mbi jetën e saj por me një pasion të madh për artin dhe të bukurën, Sonja vjen në këtë rrëfim mbi jetën dhe aspiratat e saja, posaçërisht për Albanian Free Press.

 

Si ka qenë fëmijëria juaj dhe sa ka ndikuar ajo në karrierën më pas?

Që e vogël fare kisha ide të qarta që do të bëhesha balerinë. Nuk e di pse por më dukej sikur ishte i lindur ky pasion bashkë me mua.

Kush ju ka mbështetur më shumë nga familjarët dhe a na rrëfeni ndonjë mbresë nga ajo kohë?

Talentin tim për herë të parë, e zbuloi mamaja ime. Në shtëpi unë kërceja me çdo muzikë që jepej në atë kohë në televizion. Normalisht mamaja ime kënaqej dhe më ka mbështetur gjithmonë që nga ajo kohë, po ashtu edhe babai im. Pa mbështetjen e prindërve nuk do të isha kjo që jam sot.

Nga gjimnastika artistike tek baleti. Sa e plotësojnë këto dy fusha njëra-tjetrën tek ju?

Tek të dyja, janë të ndryshme por ndërthuren shumë bukur me njëra- tjetrën. Mua më bëjnë të ndihem më e plotësuar.

Si erdhën kontaktet e para me televizionin?

Kam qenë njëra nga vajzat e emisionit "Gjimnastika e Mëngjesit" në TVSH, nën drejtimin e Mimoza Mevlanit. Isha vetëm 14 vjeçe kur do të konkurroja në një talentshow. Gjatë audicioneve Mimoza ka ardhur dhe i ka thënë trajnerit tim "Këtë vajzë e dua në grup". Aty pra nisi rrugëtimi im duke vijuar në programe të tjera.

Ku jeni ndjerë më shumë vetvetja nga këto eksperienca?

Nuk mund të veçoj asnjë, tek të gjitha programet ku kam qenë pjesë  kam punuar me njerëz të mire dhe mbi të gjitha kam bërë atë që dua më shume.

Sa mendoni se ka ndikuar edhe pamja juaj e jashtme në karrierën tuaj?

Mbi të gjitha qëndron talenti, puna dhe përkushtimi, më pas vjen bukuria e të tjera si këto. Të paktën në rastin tim, ajo që ka ndikuar për t’u përzgjedhur në formatet televizive si balerinë, kanë qenë ato që përmenda më lart. Është e vërtetë që bukuria luan një rol të rëndësishëm edhe në televizion por deri tani për mua nuk ka qenë kushti kryesor.

Sa kohë i dedikon asaj?

I dedikoj kohën e mjaftueshme për të qenë komode me veten.

Rrjetet sociale, jeni shumë aktive. Janë ndihmë apo pengesë?

Varet si e menaxhon. Në rast se unë postoj për qëllime marketingu, normalisht që është ndihmë. Në rastin tjetër nuk është aspak pengesë.

Cila është ëndrra juaj mbi karrierën?

Kam zgjedhur të fokusohem më shumë tek e tashmja dhe të jap maksimumin për të. Kam disa ëndrra dhe besoj se me punë do t’i realizoj. Ngelet për t’u parë.

Të qenit Velinë, keni hasur në paragjykimin e publikut?

Paragjykime ka pasur sigurisht, ka individë, kryesisht meshkuj, që nuk dalin dot nga mentaliteti i tyre dhe mënyra edhe se si janë mësuar me femra të tjera të cilat ndoshta i kanë toleruar në këtë aspekt. Por unë i fus një “block” dhe u mbyll filmi ha ha ha...Nuk kanë qenë të shumta paragjykimet, shumica e njerëzve kanë qenë pozitivë me mua.

Jeni arsimuar për sportet. Pse kjo zgjedhje?

Kam bërë këtë zgjedhje sepse unë u rrita me sportin me gjimnastikën, plus që të studiosh për sporte është shumë bukur. E bëra këtë zgjedhje edhe sepse në një të ardhme dua të kem palestrën time.

Keni ndonjë pasion tjetër përveç televizionit?

Unë e dashuroj televizionin, mund të them që kam lindur për aty. Më jep një energji të jashtëzakonshme kur jam përpara kameras, publiku, ndriçimi dhe çdo gjë që ka  televizioni brenda. E dua televizionin!

Keni hasur xhelozi në punën tuaj?

Po, e kam hasur dhe nuk e kuptoj këtë punën e xhelozisë. Përse duhet të xhelozosh? Çdo njeri ka riskun e tij në jetë. P.sh më ka ndodhur të lexoj komente për mua të tipit "U bë kjo Lushnjarja të dali e para"...Un nuk punoj me inat, unë nuk jam xheloze, unë punoj që të tregoj  veten dhe atë vendin e parë dua ta fitoj me punë.

Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?

Varet shumë nga mundësitë që do të më jepen. Njeriu mendon më të mirën për veten. Normalisht që veten e shoh në televizion. Por jo si balerinë por në rolin e prezantueses.