“Si ia fali Hysni Kapo jetën Ali Bej Këlcyrës së kapur rob: Ta lirojmë!"

“Si ia fali Hysni Kapo jetën Ali Bej Këlcyrës së kapur rob: Ta lirojmë!"
“Të gjithë u ngritën në këmbë dhe bërtitën: “Ta vrasin Ali Bej Këlcyrën, ta vrasin qenin!”. Por kur zhurma u qetësua, ndërhyri Hysniu: “Jo, shokë. Ne nuk do ta vrasim Ali Beun, se këtë duan kundërshtarët tanë. Ne do ta lirojmë atë, por jo nga frika e Ballit, që është mbledhur në Mesaplik për ta liruar. Por që vetë populli ta kuptojë se cili është Ali Këlcyra, me qëllim që ta shqyejë me duart e tij në qoftë se ai do thellohet në rrugën e tradhtisë”. Ky është vetëm një pasazh, nga kujtimet e partizanit veteran, Qazim Nanaj, që “Albanian Free Press” i sjell për lexuesit. Sipas tij, Hysni Kapo ishte një njeri strikt në kohë lufte dhe që nuk donte t’i shkelte rregullat e saj, ku njëri prej tyre qe edhe ai i respektimit të robërve. Madje, kur disa prej tyre u vranë pa leje, Nanaj tregon se ai u pezmatua shumë...

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

***

“Me shokun Hysni Kapo, jam takuar në shtëpinë e dëshmor Mynyr Xhindit. Aty më kërkoi që kur të shkoja në Vlorë, të takohesha me Arif Haskon dhe Vehbi Hoxhën. Ishte shumë konfidenciale dhe jo rastësore, e prandaj e vlerësova. Porosia e Hysniut më bëri të mendohem pak. Përse ma tha? Unë do shkoja në Vlorë për hallet e mia, por tani e shpejtova dhe u nisa para kohe. Shkova disa herë në Vlorë edhe më pas, por nuk po e takoja Hysni Kapon. Doja ta takoja patjetër atë. Ndërsa kur vajta në Tërbaç dhe fshatarëve u thashë se nuk ka bukë për fukaranë, reagimi i tyre ishte i menjëhershëm. “Të bëhemi zotët e vetes, nuk durohet kjo jetë e keqe”. Ishin porositë e Hysniut këto që sqaronin popullin për jetën nën okupacion, që rrisnin urrejtjen popullore për liri dhe jetë më të mirë. Ndërkaq, atë e takova në vitin 1941, kur kisha shkuar në Bestrovë të Vlorës për të blerë pak bereqet. Te burimi, teksa bisedonte me disa shokë dhe aty i thashë se e kisha kërkuar disa herë në Vlorë por ... Ai më foli për hallet e popullit dhe fare papritur, ngriti zërin: “Po kjo re e zezë që po na errëson, a ikën vetë po nuk u luftua?”. Iu përgjigja se “çdo armik nuk bën vaki të largohet me dëshirë, por duhen armët, kështu bënë të parët, këtë të bëjmë dhe ne”. Hysniu më mori për qafe dhe më dha disa porosi: “ Të bësh shumë kujdes për këto që thamë, shokëve t’u thuash se këto janë armët me të cilat do pajisur çdo shqiptar në tru e zemër, se armiku me terrorin që bën do të na trembë e largojë nga rruga jonë. Lidhjet t’i mbash me Arifin dhe Vehbiun. Unë tani do kthehem. Rruga e mbarë e të fala të gjithëve”. U ndava me Hysniun dhe u nisa për në fshat. Fjalët që më tha ai më trazuan pak e mendimin ma bënë si ato fletët që merr era në vjeshtë në një pyll të rrallë, por e mblodha vetën shpejt, më erdhi në mendje një fjalë e zgjuar e Halim Xhelos: “Kush vetëm dyshon, nuk mundet kurrë të fitojë...”.

Ndërkaq, me porosi të Hysni Kapos në vitet 1940-1941, bëja biseda në fshat e kudo ndodhesha për hallet që kishte vatani. Populli ishte si gjithmonë “i uritur” për lajme mbasi në fshat nuk kishte as gazeta, që edhe në qytet ishin plot gënjeshtra, veç faktit që populli ishte në masë analfabet, nuk dinte shkrim e këndim. Ndërkaq, në shtëpi të Isa Hoxhës në vitin 1942 erdhi Hysni Kapo, ku u realizua edhe regjistrimi i ushtarëve të popullit.

Mbaj mend që ai ishte shoqëruar nga Sadik Premtja me pseudinomin “Xhepi”, i cili më vonë do të vinte në Tërbaç, por me një mision tjetër, atë të provokatorit, të një të shituri e tradhtari që e bënte jo se nuk ishte i zgjuar, por për egoizmin, karrierizmin dhe inatin që kishte ndaj sukseseve të Hysniut. Një javë më parë e kisha biseduar me Arifin këtë porosi të Hysniut për regjistrimin e ushtarëve të popullit mbi baza vullnetare. Ne kishim punuar për këtë punë, por kur erdhi Hysniu krijoi një atmosferë tjetër. “ O shokët e mij, të dashur vëllezër, kjo është thirrja e vatanit. Qazim shkruaji me radhë emrat e atyre që me dëshirë duan të luftojnë armikun sa ta shporrim”, tha ai. E unë, më pas shkruajta Nr.52: Hysni Kapo!

Roli i Hysni Kapos në të bërit komunist

Si jam bërë komunist? Ishte një takim i posaçëm i 8 marsit 1942, ku Hysniu na foli direkt dhe na sqaroi përse duhej bërë greva e urisë.  Sipas tij, greva do niste me parrullat “Duam miell”, “Na jepni misër”, “Poshtë kusarët”, ndërsa ne do bënim sytë katër për të paralizuar sabotatorët, për të mos u futur midis turmës. Ndërkaq, majori i kishte thënë Hysniut të urdhëronte popullin të shpërndahej se për ndryshe do vepronte me forcë, por Hysniu pa iu dridhur syri, qetë-qetë i tha popullit të mos lëvizte nga vendi. Në këto momente Hysni Kapua paralajmëroi prefektin me ton të ashpër, i cili u detyrua të largojë nga detyra oficerin italian. Kjo e qetësoi disi gjendjen dhe Hysniu me ton të prerë i tha Lele Koçit: “Tani futu brenda në arkiv dhe mbaroje atë që të kërkova në emër të popullit”. Kështu përfundoi greva me fitore dhe njerëzit u mbushën tërë gëzim. Duke e kthyer demonstratën e vitit 1942 në një moment historik për popullin tonë. Ndërsa në një ditë përvëluese pas 3-4 muajsh që kisha qenë herën e fundit në Vlorë, na erdhi lajmi i rëndë: Teli Ndini ra heroikisht për të mos vdekur kurrë në kujtesën e popullit.

Porosia e Hysniut: Robërit të trajtohen me kujdes!

Ishte viti 1943 kur më thanë se në Llogora ishin kapur robërit, të cilët iu dorëzuan Hysni Kapos, i cili i nisi për në Tërbaç. Ne e kuptonim se vlera e njeriut është e madhe, por lufta ka ligjet e saj dhe megjithatë, robërit duhen trajtuar me shumë kujdes. Hysniu thoshte gjithnjë që robërit të ruhen dhe të mos vriten. Ndaj, karabinierët robër të Llogorasë i morëm në dorëzim dhe i sistemuam që të mos i gjente armiku dhe këtë detyrë Hysniu ua dha Vehbi Hoxhës e Hasan Muharremit. Të dy këta u nisën nga mali, ndërsa unë e Fejzua u kthyem për te vendi sekret ku ndodhej teknika e Partisë (shtypshkronja), të cilën do ta çonim në një vend tjetër sekret. Por tërheqja e operacionit për në Vranisht dhe arrestimi i burrave nga italianët koinçidoi me mungesën tonë. Partizanët me Banush Goxhon vranë karabinierët, që kërkonte koloneli italian e bashkë me ta vranë edhe një ballist kusar nga Velça, Osmën Ymerin. Ky ishte incidenti, që tërboi kolonelin në Horë të Vranishtit. Hysniu e kritikoi rëndë vrasjen e robërve dhe paralajmëroi se do të merreshin masa të rënda për veprimet ekstreme. Edhe për të velçjotin Hysniu tha se do ishte mirë të mos vritej se ishte djalë trim dhe po të punohej pak, si u punua me Veledin Kuqon, besoj se po ashtu si ai, trim do ishte bërë.

 

MBLEDHJA E AMONICËS

Debati: Ç’do bëjmë me ballistët? Hysniu: PKSH-ja nuk do lejojë kurrë vëllavrasjen!

Mbledhja e Amonicës (Aktivi i PKSH për zonën Vlorë-Mallakastër), ishte ajo ku u zbërthyen vendimet e Pezës dhe Labinotit. Në këtë aktiv morën pjesë 40-50 vetë si delegatë dhe punimet e saj i drejtonte Hysni Kapua, edhe pse aty ndodheshin shumë nga shokët e tjerë të udhëheqjes. Aktivi u hap me një fjalim programor të Hysniut si dhe sqarimin e situatës së vendit dhe atë botërore. U fol për këshillat nacional-çlirimtare dhe frontin, u dhanë udhëzime për formimin e brigadës së parë partizane e cila do formohej si një repart i madh luftarak që do të përfshinte në radhët e tij partizanët më të mirë e me përvojë luftimi nga zona e Vlorë-Mallakastrës, krahas partizanëve nga e gjithë Shqipëria. Ishte bërë edhe studimi se sa partizanë do të jepte çdo fshat. Në Amonicë u fol gjithashtu edhe për marrjen e pushtetit, i cili dhe atje aty ku ishte formuar duhej forcuar. Në një moment u fol edhe për aleatët e Luftës sonë Nacional-çlirimtare si dhe për qëndrimin ndaj tyre. Madje, në një seancë të posaçme u fol edhe për Stalinin dhe Ushtrinë e Kuqe, për jugosllavët, marshallin Tito, si dhe për ushtrinë greke dhe luftën e tyre. Kurse në një seancë tjetër u fol për aleatët anglo-amerikanë, ku përshtypje më bëri konkluzioni: “Do bërë kujdes ndaj miqve të largët, se nuk i kuptojmë edhe aq mirë”. Mbaj mend që dikush nga presidiumi foli për fjalët e bukura që ata thonë. Na çuditi se Hysniu nuk e kundërshtoi. Në seanca të tjera u fol edhe për hallet e popullit dhe nevojat urgjente për rindërtimin e vendit. Por aty u shtrua edhe çështja: Çfarë qëndrimi do mbajtur ndaj Ballit? Natyrisht jo të gjithë shokët e kuptonin qëndrimin e PKSH-së ndaj forcave të ndryshme në luftë, e ngatërronin popullin me disa tradhtarë e të gënjyer, nuk e kuptonin mirë të gjithë se cili ishte qëllimi final i partisë. Kurse në odën e madhe ishte dhe një jugosllav mustaqelli, që e quanin Dushan Mugosha, por që ne i thoshim Sava Dushanoviç. Ai, pa mbaruar mirë pyetja, nuk pati durim, u ngrit nga vendi në presidium dhe foli: “Në rast se Dukati nuk do na pranojë nga dera, atëherë ne do hyjmë nga penxherja”. Diçka ndodhi midis tij dhe Hysniut, e që ne e kuptuam kur Hysniu edhe pse shtirej se ishte i qetë, në fakt ishte në një mendje me ne pjesën më të madhe të delegatëve... Hysniu me shumë kujdes dhe qetë-qetë u ngrit dhe tha: “Shokë, të mos ngatërrojmë rrezikun e disa tradhtarëve të shitur me popullin e mirë e të mrekullueshëm të Dukatit. PKSH nuk do lejojë kurrë vëllavrasjen. Për këtë, këto ditë do punojmë edhe një material. Bëni kujdes se lufta jonë është e gjatë dhe e vështirë, ku baza është te masa e popullit. Në këtë çështje të jini vigjilentë”.  Kuptohej se Hysniu, i vënë në vështirësi donte të kuptonte se jugosllavi e tha vetë këtë ide apo e kishte nga dikush tjetër. Në ato kohëra çdo fjalë që thuhej matej me presën e briskut. Sava nuk kundërshtoi e nuk foli më dhe në moment sikur ra në ujdi. Por papritur u ngrit nga vendi ku ishte ngjitur me mua Salo Në odën e madhe ishin edhe Manush Myftiu, Mehmet Shehu, Rrapo Dervishi dhe ndonjë tjetër. Aktivi vazhdoi 13 ditë, si një kurs teorik, kur në një nga ditët u fol dhe se çfarë qëndrimi duhet mbajtur nga PKSH ndaj nacionalistëve. Madje, aty u ngrit edhe çështja e Ali Këlcyrës që e kanë kapur partizanët, ndërsa Balli kërkonte që të lirohej. Ndodhi një çudi se të gjithë u ngritën në këmbë dhe të gjithë gati bërtitën: “Ta vrasin Ali Bej Këlcyrën, ta vrasin qenin”. Kur zhurma u qetësua diçka, ndërhyri Hysniu: “Jo, shokë. Ne nuk do ta vrasim Ali Beun, se këtë duan kundërshtarët tanë. Ne do ta lirojmë atë, por jo nga frika e Ballit, që është mbledhur në Mesaplik për ta liruar. Por që vetë populli ta kuptojë se cili është Ali Këlcyra, me qëllim që ta shqyejë me duart e tij në qoftë se ai do thellohet në rrugën e tradhtisë”. Dhe vërtet partia e liroi, por e paralajmëroi se po të vazhdonte rrugën e tij të tradhtisë do ta meritonte, si i thonë, gjysmën e lekut në lule të ballit. Por problemi ishte që të gënjyerit të mos i linim në influencën e Ballit.

EPISODI

“Ballistët janë në rrugën e tradhtisë. Mos na dalin para!”

Një ditë erdhi një korrier i Ballit hipur në një kalë që binte një letër për Hysnin. Pasi e hapi letrën, ai ashtu siç ishte në këmbë, u vërejt në fytyrë dhe e grisi në copa, para korrierit, i cili i tmerruar vetëm sa kërkoi se çfarë përgjigje t’u thotë... Nuk e mbaroi fjalën korrieri, kur Hysniu tha prerë: “U thuaj atyre se janë në rrugën e tradhtisë. Ti ik tani e mos më dil para syve”. Korrieri iku i hutuar... ”Kush e lejoi të vinte këtu”, - i tha Hysniu një partizani që ishte përgjegjës për rojet, i cili heshti dhe me kaq u mjaftua. “Shoku Rrapo, - foli Hysniu -mblidhi këto letrat dhe fotografoi se do na duhen”. Dhe Rrapua i mblodhi dhe i fotografoi. Se çfarë shkruhej në to nuk di gjë, por mbaj mend se Sava Dushanoviçi ishte interesuar shumë për letrën dhe kishte pyetur disa shokë se mos me ne delegatët, kur ai nuk kishte qenë, ishte punuar ndonjë letër si ajo që i kishte ardhur Hysniut. Kur ia thanë këtë Hysniut (atëherë për çdo gjë jepej informacion) ai kishte thënë se nuk do merakosur, të shohim hallet tona, por gjithmonë të jemi vigjilentë.

Celula e Partisë Komuniste shqiptare në Tërbaç të Vlorës

Mehmet Shehu: Duam një jetë më të mirë, si ajo që ka ndërtuar Lenini dhe Stalini në Rusi

Ditët dhe javët rridhnin si lumë, por plot lavdi derisa erdhi 10 nëntori 1942, kur u  u krijua celula e Partisë Komuniste së Tërbaçit, ndërsa qarkori ngarkoi përfaqësuesin e tij Mehmet Shehu. Ai na foli për një jetë më të mirë, si ajo që kishte ndërtuar Lenini dhe Stalini në Rusi... Në dhomë rreth oxhakut ishim ulur 8 shokë, që do bënim betimin solemn. Për një moment në dhomë ra një qetësi e plotë dhe u dëgjua zëri metalik i qartë i Mehmet Shehut, i cili nxori një letër dhe lexoi: “Të dashur shokë. Sot është një ditë e shënuar për Partinë tonë Komuniste. Lufta jonë është drejtuar kundër pushtuesit dhe tradhtarëve. Ajo udhëhiqet me vetëmohim nga PKSH, e vetmja fuqi drejtuese e organizuese e popullit tonë dhe është lufta më e pashembullt në historinë e gjithë luftrave për liri. Gjendja që po kalojmë kërkon shumë djersë e përpjekje e po të jetë nevoja dhe gjakun tonë për çlirim. Qëllimi i Partisë është ta shpiem deri në fund këtë luftë”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: