"Mbaje shofer se më shpëtoi..."

"Mbaje shofer se më shpëtoi..."
Nga Juela Meçani

Mbaje shofer se më shpëtoi...Kur ishim të vegjël këtë shprehje nga një film i njohur, e dëgjonim shpesh, sa herë që bëhej fjalë për një akt natyral njerëzor por që ndizte alarmin e organizmit në një moment të papërshtatshëm. Por po flasim për një kohë kur baret e lokalet ishin shumë pak e po ashtu mundësitë që në mënyrë diskrete të kryesh zbrazjen e lëngjeve të trupit në një ambient të mbyllur, ishin shumë të pakta. Një hall i madh ky që përfshin, ta pranojmë, thuajse kryesisht meshkujt. Të pakujdesshëm, të padurueshëm e pas një nate me birra ose alkool, nuk është e rrallë që të hasësh persona që në ambiente publike urinojnë pa asnjë problem. Por kjo ka një lidhje të padiskutueshme me qytetarinë dhe edukatën personale që kthehet në kolektive. Nuk është ky vetëm një problem shqiptar por doli në dritë pas nismave të Bashkisë së Tiranës, aty rreth vitit 2016, për të bërë me turp, përmes kamerave të sigurisë, të gjithë ata që thyejnë rregullat e bashkëjetesës qytetare e urinojnë rrugëve e urave. Një ditë, diku një vit më parë, vura re disa të huaj turistë, të cilët kishin ndaluar dhe po fotografonin diçka, buzë Lanës, tek ura e ujdisur dhe zgjeruar pranë Shallvareve. Është kjo edhe hyrja kryesore në Ish bllok, pra në një nga zonat më qendrore e të frekuentuara të Tiranës. Më bëri përshtypje fakti dhe u bëra kurioze se çfarë po fotografonin. Për habinë time, ata shkrepnin kujtimin e vëzhgimit të një tabele bashkiake, atë që me ikona u bën me dije njerëzve që nuk duhet të urinojnë në publik, poshtë urës ose buzë lumit, se ndryshe filmohen nga kamera. Kjo tabelë, pjesë e nismës bashkiake që u përhap me bujë mediatike, në fakt, në Evropë nuk është aspak risi. Lindi si nevojë në Mançester, në Angli, në Këln të Gjermanisë e në shumë vende ku edhe ka shumë godina që mbartin historinë e që po dëmtoheshin nga gërryerja dhe aroma neveritëse e urinuesve të rrugës. Madje u arrit deri në përdorimin e një boje speciale që zmbraps urinën, e shpikur nga Nissan kundër ndotjes së makinave. Tifozët dhe ultrasët anglezë lënë nam nëpër mrekullitë e shesheve italiane, kur mësyjnë për ndeshjet e pas dehjeve masive kanë ndotur shumë mrekulli të lashtësisë. Madje në shumë vende quhet “Akt i turpshëm në vend publik”, njësoj si ngacmimet pedofilike nëpër parqe. Në maj të vitit 2018 një 20 vjeçar italian u dënua me plot 3000 euro gjobë sepse urinoi në një parking. Por përsëri kjo ndodh shumë më rrallë se në Shqipëri. Tradita shqiptare e të rënit për shkurt dhe urinimi në publik është aq shqetësues saqë edhe dikur, në diktaturë, kur feja nuk lejohej, gjyshërit e prindërit u thoshin djemve se “nëse urinohet jashtë, zemërohen xhindet” sepse ishin vitet kur vetëm frika funksiononte si edukim. Por fotografimi i tabelës më bëri të mendoj se në vitin 2019, kur tashmë kemi të tjera aspirata, vishemi me marka, bëjmë pushime në Tailandë, bëjmë masazh me vaj argani dhe makinat janë me detyrim qeveritar, të reja, për këtë ves të keq duket se gjërat nuk kanë ndryshuar e na duhen tabela që të “na e mbledhin” ose të na detyrojnë që të mos bëhet më. Është një absurd por që është fakt që tregon se pasurimi nuk sjell qytetarinë e se aroma e rëndë e urinës, edhe ca shekuj, në mënyrë të pandreqshme, do të kundërmojë në rrugët e shtruara të kryeqytetit.