AJO NUK ËSHTË PRONA JOTE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

AJO NUK ËSHTË PRONA JOTE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Kur më ra telefoni atë ditë gushti dhe mësova se në mes të ditës, me plumba si në një atentat mafioz, gjyqtarja Fildez Hafizi u vra nga ish bashkëshorti, ka qenë një nga tronditjet më të mëdha që kam marrë nga një lajm mediatik në jetën time. Pak ditë më pas sigurisht që përdorimi bastard i lajmit për të bërë audiencë kaloi në një “justifikim” të turpshëm të faktit se përse ai burracak me thinja në kokë kishte ndërmarrë këtë hap. Pata fatin e keq edhe të dëgjoj kolegë meshkuj me një mëhallë shkollë të thoshin se ai i kishte “sponsorizuar” karrierën e se ajo më pas e la.

Kështu çalë kaloi një vit e gjysmë e më në fund, ky kriminel u dënua përjetësisht që të hajë me dhëmbë atë pak shpirt të mbetur. Të paktën një dënim i merituar, por që nuk ua kthen nënën fëmijëve të saj.

Janari hyri e po vazhdon edhe më i zi, me vrasje grash e nënash, e duket se ka nisur si mos më keq ky vit. Pavarësisht shumë masave e nismave, pavarësisht se bota po ulëret me forcë mbrojtjen e jetës së grave nga meshkuj agresivë e psikopatë, përsëri “gra-vrasja” nuk po di të ndalet e as të pakësohet. Sepse në themel të së gjithës është një mendësi e kalbur. “Ajo është prona ime!”. E nuk është vetëm një mendësi mbi gruan, ish të dashurën, ish bashkëshorten, motrën, vajzën. Është një mendësi mbi gjithçka që e ke pasur përkrah (se tënden kurrë) e nuk e ke më.

Dhe këtu hyn edhe pushteti. Pushteti politik dhe pushteti ekonomik. A nuk sillen këta meshkuj burracakë me të njëjtat metoda edhe për pushtet kur e kanë ose kur po u rrëshqet? A nuk i përdorin të gjitha mjetet e mundura e të paligjshme vetëm për ta pasur përsëri? A nuk ka dhunë, drogë, kumar, taraf, klan, pistoleta, bakshishe, tritol, përgjime, kërcënime, në bazë të luftës për pushtet e para’?

E pra karrigia nuk është e jotja, paraja është ahhhh kalimtare dhe ajo, femra, nëna, motra, nuk është e jotja por vetëm e vetes së saj. Mos e gënjeni veten që në nisje, nëse nuk keni pranuar këtë fakt, mos i hyni fare krijimit të një familjeje, shijoni vetëm mrekullitë e sharmit dhe joshjen e mishit, por familja nuk është për ju. Ajo, “shpëtimtarja e kryqit të kuq” do durojë ca, shpesh ca si shumë, me idenë e gabuar që të gjitha femrat kanë se “Ai” do të ndryshojë. Por kjo jo, nuk ndodh. E një ditë, si një bombë me sahat, Ajo do të shpërthejë e do të ridashurojë veten e saj.

Ah e di, djali i mamit, më i bukuri e më i miri, garipi dhe trimi i shtëpisë e i lagjes, e ka të vështirë të pranojë që një femër të jetë e aftë të bëjë gjithçka edhe më shumë se një mashkull. E kur e kupton dhe provon këtë, rrjedh inati, xhelozia, zilia në meshkujt e frustruar. Sepse një grua e fortë është e lirë dhe një grua e lirë mund të zgjedhë e kjo, ahhh, kjo është jashtë kontrollit të tyre.

Çdo psikolog ju mëson femrave se një mashkull i dhunshëm është një mashkull impotent, e kjo në sensin psikologjik të fjalës, një mashkull i pasigurt me veten e që nuk e vlerëson aspak veten. Ndaj për ta ruajtur pushtetin, pronën e tij, femrën e tij, i mbeten vetëm muskujt, realë ose virtualë, fizikë ose psikologjikë qofshin.

Çdo psikolog do të ju thoshte gjithashtu se përballë këtyre meshkujve, që në sinjalet e para, duhen këputur menjëherë kontaktet. Sepse këta meshkuj nuk shpëtohen dot nga vetvetja dhe se një person i tillë, i tillë mbetet tërë jetën!

Ajo nuk është prona jote por është përkrah teje. E nëse zgjedh ajo të ecë vetëm, nuk ka asnjë fuqi njerëzore që ta ndalë.