UNIVERSITETET NUK KËRKUAN TARIFA, KUSH I NDEZI PROTESTAT?

UNIVERSITETET NUK KËRKUAN TARIFA, KUSH I NDEZI PROTESTAT?
INVESTIGIMI/ Studentët shpërthyen në protesta, pikërisht nga tarifa për provimet e bartura. Rama akuzoi fakultetet se i kërkuan të shpallë VKM, që e firmosi pas propozimit të ministres së Arsimit. Denoncoi dekanët se u kërkuan studentëve parapagim për provimet. Universiteti i Tiranës mohon zyrtarisht: Nuk kemi bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash. Misteri, kush i ndezi protestat me tarifa të pakërkuara nga universitetet, duke precipituar në rreth vicioz

Një deklaratë e bërë publike nga universiteti më i madh në vend, Universiteti  i Tiranës duket se ka ndezur një sërë dyshimesh për të gjetur se kush janë iniciatorët e vërtetë për vendosjen e tarifave për provimet e mbartura. Me anë të kësaj deklarate, universiteti më i madh në vend bën të ditur se nga ana e tij nuk ka pasur asnjë propozim drejt Ministrisë së Arsimit, në lidhje me vendosjen tarifave të reja për ata studentë të cilët kanë mbartur provime. Kjo deklaratë duket se ka shënuar fitoren e parë të studentëve dhe ndez debatin mes drejtuesve të universiteteve me Qeverinë. Por përse pak ditë më parë, kryeministri Rama pohoi se VKM nr. 288 i datës 21.05.2018 ka ardhur nga drejtuesit e universiteteve? Gazeta “Albania Free Press” kërkoi informacione edhe tek universitetet e tjera në vend nëse ato kanë dërguar propozime për ndryshimin e tarifave të provimeve të mbartura, por ky  argument as nuk është mohuar dhe as nuk është pohuar nga to.

Deklarata

“Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet” kjo pikë e VKM 288 i datës 21.05.2018 nuk është propozuar nga Universiteti i Tiranës. Kjo ka qenë deklarata e bërë publike gjatë ditës së djeshme nga Universiteti i Tiranës pas përfundimit të mbledhjes së Senatit Akademik e cila shënon fitoren e parë të studentëve në këtë protestë, por nga ana tjetër ndez edhe debatin se kush ka qenë propozuesi i këtij vendimi. Por, jo vetëm kaq, por UT është gati të përgjysmojë edhe tarifat e shkollimit duke ia ngarkuar këtë detyrë Bordin e Administrimit për llogaritjen e efekteve financiare. “Universiteti i Tiranës nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e mbartura (pika 4 e shfuqizuar e Vendimit nr.288, datë 21.5.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”). Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit, dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për UT-në” thuhet në deklaratën e bërë nga UT.

Madje ky universitet bën me dijë se në kuadër të arsimit cilësor, etikës në kërkim, transparencës dhe përfshirjes më të gjerë të studentëve, merr përsipër të përshpejtojë të gjitha mekanizmat përkatëse materiale dhe proceduriale për realizimin e tyre brenda këtij viti akademik.

Gjithashtu bëhet e ditur se në aktet e brendshme të Universitetit të Tiranës do të parashikohen rregulla të qarta për rritjen e pjesëmarrjes së studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare. Ndërsa merr përsipër edhe ngritjen e një grupi të përbashkët pune pedagogë-studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura si dhe të çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UT-së.

Deklaratat e Ramës

Vendosja e tarifave për provimet e mbartura pranë disa fakulteteve ishte shkaku kryesor i cili nxori studentët në protestë. Të nisur fillimisht nga studentët e arkitekturës dhe ata të inxhinierisë me mbledhjen e 900 firmave të cilat kundërshtonin vendimin e qeverisë, dhe  më pas me bashkimin e të gjithë studentëve të universiteteve në Tiranë. Por edhe përmirësimi i kushteve në konvikte si dhe ulja e tarifave të studimit, ishin tre nga kërkesat kryesore të cilat studentët i drejtuan qeverisë në ditët e para të protestës. Kur qeveria nuk mendoi se protesta do të merrte përmasa kaq të mëdha, kreu i saj me anë të një deklarate në media në ditët e para pohoi se -“buxheti i shtetit nuk ka para për të mbajtur “mbetësit”. Ndërkohë që vetëm një ditë më vonë kur u tërhoq nga pika 4 e VKM nr.288, datë 21.5.2018, Rama deklaroi se ky vendim ka qenë një propozim i bërë nga vetë universitet. Por përse sot drejtuesit e universitetit më të madh në vend dalin dhe kundërshtojnë haptazi se nga ana e tyre nuk ka pasur një kërkesë për shtimin e tarifave për provimet e mbartura? Kush e ndezi protestën me kërkesën e rritjes së tarifave, Universitetet, Ministria e Arsimit apo Qeveria?

E ndërsa vendimi i qeverisë parashikonte ti shtrinte efektet financiare të saj në vitin 2019, një pjesë e universiteteve kërkuan pagesat e provimeve të mbartura që këtë vit, kur ende nuk kishte filluar edh sezoni i provimeve. Kjo duket se ka qenë edhe arsyeja kryesore që detyroi studentët e painformuar në rrugë për të protestuar.

E ndërsa ende nuk duhet se përse zbatimi i VKM-së pati disa standarde, ajo tashmë duket e qartë është vendosmëria e studentëve për të shkuar drejt zgjidhjes së problemeve të mbartura prej vitesh.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: