Studentët nuk binden nga drafti i qeverisë, flenë në rrugë pranë Ramës dhe Nikollës

Studentët nuk binden nga drafti i qeverisë, flenë në rrugë pranë Ramës dhe Nikollës
Sot, studentët kanë paralajmëruar se do të mblidhen përballë parlamentit ku do të mbahet edhe seanca e radhës plenare

Edhe pas 8 ditësh, studentët protestues duken të palëkundur në kërkesat e tyre dhe nuk binden për të dialoguar me kryeministrin. Në pamundësi për të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit, studentët e kanë amplifikuar protestën e tyre para Kryeministrisë. Protesta e ditës së djeshme ka përkuar edhe me mbledhjen e radhës të qeverisë, e cila ka ngritur një grup pune që po përgatit edhe dialogun me studentët.

Një grup pune pranë kryeministrit Edi Rama, po punon intensivisht për përgatitjen e dialogut me studentët dhe elementë surprizë do t'u shtohen 8 pikave që kërkojnë studentët. Drafti i uljes së tarifave shkon përtej kërkesës së studentëve dhe pret firmën e Ramës. Po ashtu është punuar për të gjitha pikat e tjera, në pritje të studentëve që duan të dialogojnë. Por nga këta të fundit duket se nuk ka asnjë shenjë për tu ulur në tavolinë dhe të flasin në lidhje me propozimet. “Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktorreshë Monës e të Profesor Lulit. Unë jam gati dhe s’kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 PIKA” shkruan Rama.

Sa i takon protestës, gjatë ditës së djeshme është zhvilluare ndarë në tre grupe. Një Një pjesë e studentëve protestuan dje para Ministrisë së Arsimit, një pjesë e tyre para Kryeministrisë, ndërsa një pjesë tjetër protestuan tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Një pjesë e vogël e studentëve e kanë kaluar natën para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke përballuar temperaturat e ulëta gjatë natës, që kanë shkuar në minus 2 gradë C, ndërkohë që është e paqartë situata për vijimin e protestës.

Të enjten studentët kanë paralajmëruar se do të mblidhen përballë parlamentit ku do të mbahet edhe seanca e radhës plenare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: