Studentët ende në rrugë me protesta, Rama: Dialog!

Studentët ende në rrugë me protesta, Rama: Dialog!
“Ne duhet të përballemi me faktin që ose do të vdesim të gjithë së bashku, ose do të mësojmë të jetojmë së bashku dhe nëse kemi ndërmend të jetojmë së bashku, ne duhet të dialogojmë - Eleanor Roosevelt”, shkroi dje Rama

Studentët duket se nuk po tërhiqen nga protesta e tyre mbi plotësimin e “8 kërkesave”. Ajo ka vazhduar edhe dje, për të dymbëdhjetën ditë, teksa është paralajmëruar dhe për ditën e sotme. Kështu, studentët e universiteteve publike të Tiranës, por edhe nga rrethet e tjera të vendit u mblodhën përsëri para mjediseve të Kryeministrisë, teksa një grup i vogël i tyre vazhdon të qëndrojë aty edhe gjatë orëve të natës.  Ata janë shprehur të bindur se do t’i vazhdojnë protestat e tyre deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog. Ata madje kanë paralajmëruar edhe protestë masive ditën e sotme, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve. “Ditën e sotme protesta do të jetë masive, do të na bashkohen edhe qytetarët. Nuk pranojmë dialog pa u plotësuar 8 kërkesat tona. Protesta jonë do të vazhdojë deri në plotësimin e tyre”, u shprehën studentët. Por nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe’ ndaj tyre, duke u bërë të ditur studentëve se kërkesat e tyre do zgjidhen vetëm përmes dialogut. Madje kësaj radhe, kryeministri Rama ka gjetur edhe një shprehje të ish-zonjës së parë, politikanes, diplomates dhe aktivistes amerikane, Eleanor Roosevelt. “Ne duhet të përballemi me faktin që ose do të vdesim të gjithë së bashku, ose do të mësojmë të jetojmë së bashku dhe nëse kemi ndërmend të jetojmë së bashku, ne duhet të dialogojmë - Eleanor Roosevelt”, shkroi dje Rama. Për të vijuar me një tjetër koment ndaj protestës së studentëve, shoqëruar edhe me foton e një studenteje, që mban një pankartë ku shkruhet: “S’jemi Luli që të bëjmë pazare” dhe shkruan: “S’jeni Luli? Po atëherë pse bëni ekzaktësisht si Luli që futet në çadër e bërtet, s’dua dialog, plotëso kërkesat se s’dal nga çadra!? Kush ju kërkon pazare?Unë jo njëherë. As negociata. DIALOG”, - shkruan Rama.

 

APELI

LSI: Le t’i bashkohemi protestës së studentëve!

Gjatë një takimi në Korçë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u ka bërë thirrje të rinjve të LRI-së që të "hedhin" kartat e anëtarësisë dhe t’i bashkohen protestës së studentëve”. Sipas saj, studentët i dhanë një mësim të mirë politikës shqiptare. “Studentët janë e ardhmja e Shqipërisë. Nesër të gjithë në protestë para kryeministrisë. Protesta e studentëve, një mësim për politikën. Bashkohuni me studentët. Kur jemi bashkë, jemi më të fortë. Nëse pedagogët në Korçë kanë pak dinjitet, duhet të ngrihen dhe të protestojnë bashkë me studentët. Bashkohuni me studentët dhe mos lejoni përçarësit", u shpreh Kryemadhi në fjalë e saj. Duke vijuar më tej se "vetëm një i çmendur nuk pranon të heq paratë nga xhepi i vet, për të mos u dhënë mundësi minimale studentëve shqiptarë”. “Shqipëria po kërkon bijtë e saj, për liri e të ardhme. Të zgjoni gjyshërit tuaj që marrin minimumin e pensioneve. Kërkoni ndihmesën e gjyshërve tuaj që të jenë në krye të kësaj proteste", apeloi gjithashtu ajo.

 

PËRGATITJET

Protesta e sotme, studentët: Do të jemi 40 mijë në shesh!

Bashkimi Studentor Shqiptar, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se sot do të zhvillohet protesta me praninë më të madhe studentore dhe mbështetës të tyre. Kjo organizatë që është kryesorja në organizimin e studentëve në protesta, tha dje se të paktën 40 mijë të rinj e të reja do të marrin pjesë në tubimin e të hënës. Kështu, sipas saj, duke nisur nga ora 08.30 studentët do të mblidhen nga Fakulteti i Mjekësisë e njëherësh në të njëjtën orë edhe nga fakultetet e tjera. Ndërsa në orën 10.00, të gjithë studentët do të bashkohen para Kryeministrisë ku do të qëndrojnë pa afat. Organizata në fjalë lajmëroi gjithashtu se nesër do të ketë “bojkot absolut të universiteteve në të gjithë Shqipërinë”. Po ashtu, ajo ka lëshuar një thirrje ndaj bizneseve që sot të sigurojnë transport falas për të gjithë studentët nga rrethet që do vijnë në Tiranë. Duke apeluar në fund, që liderët e opozitës, kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, të mos marrin pjesë në protestë. Nga ana tjetër, edhe Këshillat Studentorë bënë dje thirrje për protestë kombëtare gjatë ditës së sotme. Duke ftuar në këtë protestë, jo vetëm studentë e pedagogë, por edhe çdo prindi e qytetari, “që të na bashkohen në këtë kauzë të drejta e cila po hedh bazat e një arsimi cilësor për ne dhe brezat që po vijnë”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: