PROTESTAT! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

PROTESTAT! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ku është balta më e ëmbël se mjalta? Aty ku ke rifilluar të ndërtosh ëndrrat. U shkundëm, më në fund. Aq në gjumë letargjik kishim rënë sa që edhe sytë e militantëve të rilindjes janë ndezur gjak sepse fundja kur nuk ke me kë ndesh brirët, çfarë kuptimi ka të jesh ithtar i një kauze? U shkund edhe “populli” i Tironës së Re, plot drita e makina, u shkund edhe Shkoza kur i doli emri në regjistër, u shkund edhe opozita, pavarësisht se ca xheloze që ajo nuk mundi dot kurrë të ndezë shpirtrat e njerëzve kështu, u shkund edhe rinia që kuptoi se një kafe në qendër nuk të jep sigurinë e jetës së qetë e se një ditë, nëse nuk kap sinjalet në kohë e nuk vepron për të parandaluar, mund të të vijnë te dera e të të thonë “liro divanin se është imi”.

Duhet ta pranojmë, na kishte zënë fundshpina pambuk të gjithëve, kënaqeshim tuj u knaq, në pseudo-rehatinë tonë. Çalë çalë arrinim fundin e muajit, me shpresën se e mira e siguria për jetën do na vinte nga perëndia. Por as perëndia nuk na u përgjigj sepse na kishte humbur tabani e gjaku e na la në fatin tonë, deri sa t’i thërrisnim mendjes.

Nëse protestat e qytetarëve të “Unazës së Re” ose protesta e studentëve kanë sjellë një benefit madhor në këtë fundvit, është fakti se më në fund populli, masa, qytetari, studenti dhe të rinjtë morën në dorë të drejtën për të ngritur zërin e për të mbrojtur një të kauzë. E nuk ka kauzë më të shtrenjtë se trau i shtëpisë dhe arsimimi. Në fillimet e qeverisë Rama, asaj të parës, kur fadromat prishnin ndërtimet në Pogradec, Vlorë, Berat e gjetkë, ne këndej nga Tirana nuk u ndjemë dhe aq. Po ashtu sa nuk u ndjenë edhe bashkëqytetarët e atyre të cilët mbetën pa biznes e pa shtëpi. Në këtë vend të vogël ballkanik, komshiu u gëzua aq shumë kur atij tjetrit i bënë gjëmën dhe e lanë pa katandi. U hodh përpjetë edhe ajo kunata xheloze, edhe ai vëllai për vëllanë e në emër të inatit të pashpresë për mirëqenien e tjetrit, ata njerëz u lanë vetëm. Pas kaq vitesh, historia përsëritet, këtë herë në pragun kryeqytetas. E kjo na dhëmbi më shumë. Por edhe më shumë duhet të na ketë dhembur naiviteti me votën, nxitimi me të, rruga qorre ku na çon militantizmi politik. A duhet më vallë të marrim për të mirëqena premtimet elektorale? Jo. Koha dhe historia politike ka treguar se ka marrë fund respektimi i çdo fjale të dhënë për të vjelur vota. Por atëherë duhet që qytetari të bëhet pragmatist? Po. Vota duhet të shkojë paralel me interesin e mirëqenies së njerëzve që duam. Fundja kjo është jeta e një njeriu, ajo varet nga njerëzit që të rrethojnë dhe gjendja e tyre. Pse duhet vallë që qeveria të mendojë me shkurt-pamje e të na vështirësojë jetën ndërsa njeriu votues na u dashkërka të jetë largpamës e të mos e hedhë votën aty ku mendon se mund të jetojë më mirë? Ata qindra mijëra protestues francezë ishin po ata që “dashuronin” Makron vetëm pak muaj më parë, kur ishte aq lart në sondazhe nga pëlqimi i votuesve francezë, e po ata qytetarë votues, kur xhepi i tyre mund të boshatisej ca, bënë e po bëjnë namin në Parisin romantik. Protesta e “Unazës së Re” dhe protesta me mijëra studentët që mbushën lumë rrugët e Tiranës, shkundi identitetin tonë qytetar e risolli në vëmendje fuqinë që ka turma që mbron veten por njëkohësisht, uroj të ndërgjegjësojë edhe identitetin e qytetarit si votues, në mënyrë që vota të mos jetë më vetëm një trampolinë drejt diktateve të reja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: