Presidenti kthen mbrapsht buxhetin, Kryeministri: Presion mbi studentët!

Presidenti kthen mbrapsht buxhetin, Kryeministri: Presion mbi studentët!
Argumenti:“Duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në Kushtetutë, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, kthehet për rishqyrtim në Kuvend ligji “Për buxhetin e vitit 2019”

Ndërsa studentët e universiteteve publike në Shqipëri kanë protestuar edhe gjatë ditës së djeshme, para mjediseve të Parlamentit, Presidenti Ilir Meta i ka kthyer atij mbrapsht ligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm, 2019. “Presidenti duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objekti-vave sociale të parashikuara në Kushtetutë, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij”, ka qenë njoftimi zyrtar i kreut të shtetit, lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar se ai ka besimin e plotë se “Parlamenti i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”. Menjëherë pas kësaj ka reaguar kryeministri Edi Rama. Sipas tij, vendimi i Ilir Metës vjen pikërisht pas kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvend, mbi dy amendime ligjore, të cilat ishin përkatësisht, ajo që qeveria të japë 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin dhe së dyti, që të krijohet një Fond Emergjence për Arsimin me vlerën e 5 miliardë lekëve.

“Interesant! Presidenti kthen buxhetin e Shqipërisë pas prezantimit të kërkesave të LSI-së. Vazhdon pa pushim dhe në çdo formë, presioni mbi studentët për të qëndruar në kor kundër dialogut. Miq! Dilni nga kurthi i atij kori dhe bëhuni individë që flasin në emër të vetes”, tha gjithashtu shefi i qeverisë.

 

REAGIMI

Rikthimi i Buxhetit nga Presidenti, Braçe: Qëllime të pastra partiake!

Deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi kryetar i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë, Erjon Braçe u shpreh dje se rikthimi për rishqyrtimin i ligjit për buxhetit 2019, nga Presidenti Ilir Meta, pas protestës dhe kërkesave të studentëve për arsimin e lartë, reflekton qëllime të pastra partiake duke e lidhur këtë me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas tij, ligji u dërgua vetëm dje në Presidencë, ndërkohë që Meta ndodhej jashtë vendit dhe dje u shpreh duke e rikthyer. “Kam një pyetje, pasi Presidenti s’është në Shqipëri, si e ka shqyrtuar? Kjo një pyetje akoma më e madhe se firma. Ligji është dorëzuar pardje, ai nuk ka qenë në zyrë. Si e mori informimin për buxhetin e arsimit të lartë? Nuk ka. Vendimi reflekton qëllime të pastra partiake. Nuk e kam hallin fare te firma apo dekretimi në mungesë. E kam hallin në mungesë totale të shqyrtimit, nëse gjërat dekretohen pa u shqyrtuar, kjo është fatkeqësi e madhe për këtë vend”, tha ai. Duke shtuar se “nëse Presidenti do të kishte njohur me detaje buxhetin nuk do ta kishte kthyer, sikur pretendon LSI, ish-partia e Presidentit”.

 

KRYETARJA E LSI

Kryemadhi, apel: Hidhni kartat e anëtarësisë, dilni me studentët!

Gjatë një takimi me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë, kryetarja Monika Kryemadhi u ka bërë thirrje anëtarëve të LSI-së që të hedhin kartat e anëtarësisë dhe të dalin në protestë në mbështetje të studentëve. Sipas saj, të gjithë duhet të hedhin flamurin e partisë dhe të ngrenë flamurin kombëtar. Madje, ajo u shpreh se ndihet mëkatare që nuk ka bërë asgjë më përpara për studentët dhe se sot duhet të flasë. “Kemi parë pas 28 vitesh një lëvizje të tillë. Kur i pashë studentët që rrinin në -2 gradë harrova që jam politikane dhe mendova se sa bujar Zoti ka qenë me mua dhe me Edi Ramën. Por dhe me ministrat dhe oligarkët që marrin paratë. E ndjeva veten time në mëkat që nuk bëj asgjë. Që fëmijët e mi hanin tre vakte dhe flinin ngrohtë dhe ata 140 mijë studentë nuk hanë një vakt dhe duhet të paguajnë rryshfet për të gatuar dhe për të larë rrobat në konvikte. U ndjeva mëkatare sepse nuk kam bërë asgjë për ta dhe sot duhet të hap gojën dhe të flas”, shtoi ajo. Duke akuzuar më tej se Rama bëri një skenar të turpshëm dje në Kuvend, “ku kërkon negociata me fëmijë të pa ngrënë dhe me fëmijë që bëjnë punë për të paguar librat”. Kërkon negociatat me fëmijë të paveshur. Hidhni kartën e anëtarësisë dhe dilni me studentët. Merrni flamurin kombëtar dhe hidhni flamurin e partisë”, - ishte thirrja e Kryemadhit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: