Pashk Përvathi: Frymëzimi ynë vjen nga natyra e bukur shqiptare

Pashk Përvathi: Frymëzimi ynë vjen nga natyra e bukur shqiptare
Piktorët e natyrës, ose në termin profesional, peizazhistët, do të mblidhen bashkë për të katërtin vit radhazi në një ekspozitë. Biseduam për këtë aktivitet me njërin prej piktorëve më të njohur edhe në këtë fushë. Flet për Albanian Free Press piktori Pashk Përvathi: “Ne kemi dalë edhe vetë në inkursione personale në krahina të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Secili nga ne, në aktivitetin e fundvitit përpiqet të ketë përfaqësimin më të mirë të mundshëm. Punimet akoma nuk kanë mbërritur dhe nuk mund të them për risinë e radhës. Por i sigurt jam se  përgjegjësia e tyre për përfaqësim të mirë është e madhe.”

 

Dymbëdhjetë artistët e grupimit të piktorëve peizazhistë “Plein Air” çelin më 14 dhjetor ekspozitën e tyre të katërt, në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitë kjo që vjen nga piktorët, që janë pjesë e këtij grupimi, të cilët përmes saj kanë si qëllim të prezantojnë vetëm tablo me peizazhin shqiptar. Edhe në ekspozitat e mëparshme kur këta artistë u prezantuan me krijimtarinë e tyre për publikun u përcollën me interes, por dhe këtë vit tablotë e tyre janë me një larmi të madhe, peizazhi i vendeve të ndryshme është në veprat të cilat mbajnë emrin e peizazhistëve të njohur shqiptarë. Këtë herë për ekspozitën vjetore në pikturë "Plein Air 4”, që çelet në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar përveç peizazhit shqiptar që zë pjesën më të madhe në punime, nuk mungojnë dhe disa tablo me peizazhe të shteteve përreth. Të 60 veprat e realizuara nga 12 peizazhistët e njohur janë realizime të vitit 2018 dhe produkt i frymëzimit të mjaft kolonive të piktorëve ose udhëtimeve në mesin e natyrës shqiptare. Përgjatë këtij viti, piktorët që janë pjesë e këtij grupimi kanë udhëtuar në vende të ndryshme për të sjellë peizazhin shqiptar në tablo, një punë krijuese e cila gjithmonë është vlerësuar në aktivitetin e tyre artistik dhe këtë herë premton shumë për artistët. Më shumë mbi këtë aktivitet, që tashmë është bërë një traditë e mirëpritur nga dashamirësit e artit pamor shqiptar, na rrëfen piktori Pashk Përvathi, pjesëmarrës me 5 punime të tijat.

 

Intervistoi për Albanian Free Press Juela Meçani

Të premten hapet në Tiranë, ekspozita “Plein Air” 4. Është kjo një ekspozitë në vazhdën e organizimeve të këtij grupi peizazhistësh, që janë zhvilluar më parë?

Ekspozita e titulluar “Plein Air” 4, është përfaqësimi vjetor i piktorëve peizazhistë. Secili prej nesh ekspozon  nga 5 punime të realizuara në harkun e këtij viti. Është edicioni i katërt me ekspozitë që do të bëhet në Muzeun Historik Kombëtar, ditën e premte dhe do të qëndrojë hapur deri më datën 22 dhjetor.

Çfarë risie mendoni se ka sjellë këtë herë “Plein Air”?

Piktoret peizazhistë apo, siç themi më mirë, piktorët që pikturojnë direkt nga natyra, vitet e fundit kanë kaluar një periudhë të mirë krijimtarie. Kjo falë edhe organizimeve  nga individë të ndryshëm të kolonive të artit. Vlen të përmendet kontributi i Institutit të Librit dhe Promocionit, që në një periudhë rreth 3 vjeçare ka organizuar mbi 50 koloni të tilla. Por ne kemi dalë edhe vetë në inkursione personale në krahina të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Secili nga ne, në aktivitetin e fundvitit përpiqet të ketë përfaqësimin më të mirë të mundshëm. Punimet akoma nuk kanë mbërritur dhe nuk mund të them për risinë e radhës. Por i sigurt jam se  përgjegjësia e tyre për përfaqësim të mirë është e madhe.

Si jeni bërë bashkë, d.m.th si lindi kjo nevojë përfaqësie e peizazhit shqiptar dhe jo vetëm?

Ky grupim peizazhistësh lindi si nevojë e të shprehurit dhe të ekspozuarit të këtij lloj arti, që në Shqipëri ka një traditë. Tradita shqiptare fillon me Vangjush Mion por edhe kjo traditë është frymëzuar nga peizazhistët francezë të organizuar, në vitin 1860, në të ashtuquajturën “Shkolla e Babilonit”. Edhe mbas Vangjush Mios u lëvrua gjinia e peizazhit në Shqipëri, duke u formuar emra e personalitete në këtë fushë. Mbas viteve 90-të pati një lloj paragjykimi për këtë gjini arti duke e quajtur paksa të vjetruar. Organizimi ynë është për të vërtetuar të kundërtën. Ky lloj arti ka “lojtarët” që e luajnë dhe spektatorët që e shijojnë. Duke qenë kështu është i destinuar të jetojë gjatë. Ne vetëm sa po  e rikonfirmojmë se edhe në Shqipëri  ky art është i dashur dhe ka konsumatoret e tij. Grupi përbëhet nga 12 piktorë dhe janë nga qytete të ndryshme të vendit dhe konkretisht Kujtim Buza, Qamil Prizreni, Buron Kaceli, Vangjo Vasili, Sefedin Stafa, Nikolin Ivanaj, Sadik Kasa Agim Kadillari, Pashk Pervathi, Xheneta Kadillari, Agron Polovina, dhe Arsen Kurti. Risi e këtij viti është se kemi ftuar edhe piktorin Jorgo Mici nga Janina, i lindur në Dropull dhe shkolluar në Tiranë në vitet 80-të.

Në këtë periudhë a keni qenë në vende të ndryshme për të marrë inspirim? A keni ndonjë mbresë që mund të na e tregoni nga kjo stinë dimri?

Rrugëtimi i këtij grupi është një proces normal dhe frymëzimi i tij ka qenë dhe është natyra e bukur shqiptare. Mbresa e fundit e këtij viti ishte udhëtimi ne Bjeshkët e Nemuna të Vermoshit dhe vjeshta e luginës së Shkumbinit. Lëpusha dhe Vermoshi janë “zbulimi’  më i fundit, për shkak se ka mbërritur rruga dhe ka mundësuar vajtjen tonë atje. Ajo zonë është perla e Shqipërisë dhe veçanërisht e jona në vjeshtë por dhe në periudhën me borë. Ne po e shijojmë këtë mundësi.

Jemi në prag festash por edhe në një kohë zymtësie shpirtërore e paqartësie në jetë, a ka ndikuar kjo në punën tuaj si artistë?

Të pikturuarit është pasioni ynë. Edhe në kushtet më të vështira se të sotmet ne nuk ndërruam profesion por rezistuam. Nuk them se sot është më mire por konfirmoj se infrastruktura është më e mirë se më parë. Ne jemi  përpjekur të qëndrojmë  larg politikës por jo indiferentë të kulluar. Arti që bëjmë na e ka zbukuruar jetën tonë dhe kjo na ka mjaftuar.  Aktiviteti ynë i përbashkët është konfirmimi edhe i një marrëdhënieje pozitive e miqësore që kanë piktorët e natyrës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: