Keti Bashhysa: S’jargavitem pa fund në dyer institucionesh dhe biznesesh

Keti Bashhysa: S’jargavitem pa fund në dyer institucionesh dhe biznesesh
Flet posaçërisht për Albanian Free Press, artistja Keti Bashhysa: “Arti është kthyer në biznes. Më e keqja është se publikut po i serviret jo art por tallava! Ose diçka të vjedhur! Skena është tempull dhe nuk mund t'ja japësh mundësinë çdokujt. Mirëpo para lekut, shumica dorëzohet. Dëgjo se çfarë "muzike" i serviret publikut. Tmerr! Nuk bëhet më art me shpirt. Ky është konstatimi im.”

Kur shikon ndonjë pjesë të interpretuar nga Keti, ose lexon ndonjë konsideratë të saj, mendim ose shpërthim emocional mbi artin shqiptar, e më pas shikon fotot e saj, humbet orientimin. Këto dy fjalë m’u dukën më të saktat mbi të, nga ato artiste “sui generis” me të cilat humbet busullën derisa merr kohë t’i kuptosh. Për mua që pata fatin të takoj edhe babanë e saj të nderuar, aktorin Hysen Bashhysa, është më e qartë se një pjesë të shpirtit të lirë e revolucionit të brendshëm, e ka marrë prej tij. Keti Bashhysa i vë ballin, fytyrën, duart, trupin, zërin, gishtat një vepre, lufton për ta vënë në skenë, e në fund mbetet ajo shija që ke parë një gjë që vështirë se do ta hasësh përsëri.  Brune me bukurinë e një aktoreje të Fellinit, virtuoze në violonçel, provokuese dhe inteligjente, Keti Bashhysa është nga femrat më të talentuara të artit alternativ skenik në vitet e fundit dhe ky është një rrëfim i ndjerë i saj për ne.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Koha ka treguar që një rol në art është shumë “i ngushtë për ty”. Aktrim, këndim, performancë, muzikë klasike. Si u gjende në këtë larmi pasionesh?

Muzika klasike është investimi i jetës time ,pra profesioni im. Aktrimi ka qenë ëndrra ime që në vegjëli. Unë ëndrrat i bëj realitet. Ndërsa të kënduarit dhe kërcimi janë si ato flirtet e këndshme. Më pëlqejnë dhe i bëj.

Mua si natyrë, më pëlqen të eksperimentoj, të provoj gjëra të reja. Shkurt, kur e dua diçka ,do ta bëj timen. Gjithmonë gjendem në atë detin e pasioneve. Nuk mund ta perceptoj që njeriu të jetojë pa pasione.

Kam lexuar që dëshira dhe pasioni yt për një show jashtë “linjave” të rregullta është interpretuar si një “çmenduri”. Por a nuk është kështu i thellë shpirti femëror?

Unë nuk marr përsipër të flas për shpirtin femëror. Për shpirtin tim po.

Derisa unë notoj në një det pasionesh, ky det ka edhe dallgë. Ndoshta për shkëmbinjtë ose gurët buzë detit ,dallgët janë të çmendura ,por për detin jo. Shpirti im është shpirt i një njeriu që e dashuron faljen e emocioneve. Nëse ky fakt quhet shpirt i çmendur.......ok , unë kam një shpirt të çmendur.

Je bija e një prej aktorëve më të njohur të qytetit të Durrësit, Hysen Bashhysa. Sa ka ndikuar jeta me të e krah tij në formimin tënd si artiste?

Të qenurit bijë aktori, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Përfiton profesionalisht, mëson disiplinën e fortë që duhet të kesh në fushën e artit. Por ndonjëherë, gjallesa të ndryshme të cilët vegjetojnë në art, vetëm e vetëm se jam bija e Hysen Bashhysës, tentojnë të më prishin punë, ok, nuk arrijnë asgjë . Arsyen pse e bëjnë, nuk e di. Janë nga këto/a aguridhet që e fillojnë fjalinë me "Ne artistët...." , ndërkohë që nuk kanë bërë asgjë ! Asgjë për artin, përveç se e kanë degjeneruar.

Këtë vjeshtë erdhe me një tjetër “one woman show”. Ishte i vështirë rrugëtimi deri këtu? Sepse di që janë iniciativa të tuat pa shumë përkrahje...

Më 3 nëntor unë dhashë një tjetër “One Woman Show” me titull “E PAÇENSURUAR”. Çdo rrugëtim i imi është i vështirë. Përkrahja financiare nga institucionet që duhet ta bëjnë këtë gjë është zero. Edhe bizneset gjithashtu. E di pse? Sepse unë bëj art të mirëfilltë dhe jo paçavure. Unë nuk jargavitem në dyer institucionesh dhe biznesesh pa fund.

Mbështetësit e mi të vetëm janë Teatri " A. Moisiu" me gjithë stafin, familja ime dhe pak miq të ngushtë që kam. Asgjë dhe askush nuk më ndalon dot të bëj atë çka dua! As mungesa e lekëve nuk më ndalon dot.

Ti vjen edhe nga një eksperiencë e rëndësishme si gazetare dhe skenariste pranë Radio Televizionit Shqiptar. Më trego diçka më shumë për të dhe a ka një mendim për rikthim në televizion?

Puna ime si moderatore në RTSH ka qenë një eksperiencë fantastike. Kam punuar shumë dhe më kanë ndihmuar shumë në fillimet e mia. Përmend Engjëll Ndocajn, Etleva Zekthin etj etj. E kam bërë me shumë dashuri atë punë. Kisha çdo javë të ftuar nga të gjitha fushat në studio, përveç kronikave në terren që i përgatisja po vetë. Lodhja ishte e madhe dhe kënaqësia gjithashtu. Nuk e shoh rikthimin tim në televizion tani. Kështu si po funksionojnë televizionet tani........jo.

Ka ndodhur që të kesh aktruar përkrah babait tënd?

Tek shoë "MËKATARJA" kam interpretuar një pjesë të shkurtër nga Dino Buxati (JAGO), me babain. Ishte një eksperiencë aq e bukur, aq me emocion! Emocion dhe përgjegjësi dypalëshe. Një kujtim i bukur!

Ke gjetur mënyrën tënde për të shprehur kritikën, indinjatën ose pëlqimet mbi artin shqiptar. Në një mënyrë shumë origjinale por të fortë. Çfarë ka që nuk shkon në panoramën e tanishme të artit, muzikës dhe skenës?

Arti është kthyer në biznes. Më e keqja është se publikut po i serviret jo art por tallava! Ose diçka të vjedhur! Skena është tempull dhe nuk mund t'ja japësh mundësinë çdokujt. Mirëpo para lekut, shumica dorëzohet. Dëgjo se çfarë "muzike" i serviret publikut. Tmerr! Nuk bëhet më art me shpirt. Ky është konstatimi im.

“Të jesh kryeneçe, është fisnikëri” kështu je shprehur në nisje të njërit prej spektakleve të tua. Je kryeneçe? Sa fisnikëri gjen në ambientin ku jeton e punon?

Jam kryeneçe. Por kryeneçësinë e kam karshi gjërave që nuk shkojnë siç duhet, siç është e drejtë. Jam kryeneçe me injorancën , pa aftësinë ,ligësinë, pabesinë. A nuk është fisnikëri të mos pajtohesh me këto?!

Nuk pretendoj që fisnikëria të jetë prezente kudo që unë punoj dhe me këdo që unë punoj. Kurse në ambientin që jetoj po.

Si i zgjedh bashkëpunëtorët e tu, artistët që i japin jetë pjesëve që vë në skenë? Cilët janë ata më të ngushtët?

Unë para se të zgjedh shoh punën ose krijimtarinë e bashkëpunëtorëve. Nuk mund të them se kam të ngushtë, por ka raste që bashkëpunoj më shumë se një herë, si p.sh me  poeten Albina Gjergji, me Olti Currin, Joni Peçin, Edison Ballën, Avni Delvinën, Mariola Poron, Redon Makashin, Besmir Veshtin. Këta emra që përmenda përveç se janë plot shpirt në punën e tyre, si fillim janë NJERËZ.

Si të bëjnë të ndihesh duartrokitjet?

Duartrokitjet janë pasuria ime pas çdo premiere që unë shfaq. Janë lotët e mia të gëzimit. Janë dashuri.

Ku dallon joshja nga banaliteti dhe pse ka kaq shumë komplekse ndaj bukurisë femërore?

Diferenca mes banalitetit dhe joshjes qëndron në klasin me të cilin shprehet i njëjti mendim. Në diplomacinë me të cilën përcillet. Në sa i përkushtohet personi ne fjalë situatës, sesa në rastin e parë ku gjithçka transmetohet drejtpërdrejtë por ftohtë dhe aspak në mënyrë sensuale. Joshja i le vend misterit... Nuk mendoj se bukuria e femrës shihet si kompleks. Dallimi mes dy këndvështrimeve është që, nëse një femër sheh më tepër në brendësi të shpirtit, meshkujt janë më të fokusuar në pamje të jashtme.

Duke qenë se rrallë kalon shumë kohë që të jesh një det i qetë, çfarë ke në duar tani?

Për pak nis përgatitjet e shoë-t të radhës. Ku mes muzikës së zgjedhur do kem një stand up fantastik! Nuk po tregoj më shumë por me beso që do jetë një bombë!

Sa durrsake je në karakter?

Nga të qenurit durrsake kam marrë indiferencën. Nuk kam shumë lidhje me durrsaket në fakt. Nuk e di pse! Ndonjëherë më duket sikur nuk jam fare tokësore! (shaká por jo dhe aq)

Do dorëzohesh ndonjëherë ndaj konjukturave që dikton koha?

Kurrë! Unë i dorëzohem vetëm kushteve fizike dhe lutem që Zoti të më japë shëndet të mirë. Ndërsa për konjuktura etj etj nuk ma ndjen. Pasionin, shpirtin që kam, nuk e shes dhe askush nuk më ndalon dot për asgjë, përveç Zotit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: