“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Lindita Nikolla: S'do më shkojë në bark kaposhi i Vitit të Ri!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Lindita Nikolla: S'do më shkojë në bark kaposhi i Vitit të Ri!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë, siç e ka bërë zakon që të vijë përherë. Kemi mësuar nëpërmjet kolegëve tanë kazanitë, se ministrja e Arsimit dhe e Sportit, e ka mesataren e studimit në universitet, 5.9 (pesë pikë nëntë.) Themi lajm i mirë pasi kjo mesatare përbën një shpresë për të gjithë studentët me mesatare kaq të lartë, apo afërsisht të tillë, se një ditë mund të bëhen edhe ata ministra.

E meqë s'ra llafi. Ka qenë përafërsisht e tillë si te titulli ynë, deklarata e shoqes Lindita Nikolla lidhur me tarifat e studimit në universitete. Këtë ajo ia ka thënë një punonjëseje të ministrisë, e cila merret me pastrimin, e pluhurave dhe dyshemesë, kur vjen uji.

Ja bashkëllafosja e bërë midis tyre:

Pastruesja: Qyqja mi Lindita, prapë paske kaluar te Tregu i Gabit dhe paske blerë çantë? Sa të shkoka me fjongon te cepi i bluzës mi gru!

Lindita Nikolla: Sa sy të mprehtë që ke moj shoqja... (emrin e symprehtës pastruese nuk po e shkruajmë, për arsye se mos studentët e ngritur në protesta, kërkojnë shkarkimin e saj).

Pastruesja: Sa fjongo kanë parë këto sy moj shoqja Ministre, aq të mira të kemi!

Lindita Nikolla: Aman më qafsh, meqë ti ke parë shumë. Cila nga ne gratë në Kuvend e ka fiongon më të kombinuar më mirë me bluzën, se të gjitha?

Pastruesja: Ju sigurisht, shoqja Ministre. Mua personalisht mi gru, jashtë Kuvendit, më shumë më pëlqen se si kombinohet në veshje ajo Linda e Edit. Ka një klas të veçantë ajo gru, mi gru, do të thosha. Di të mirëkombinohet si asnjë tjetër, përveç teje.

Lindita Nikolla: Si le ngacmimet ti moj ... (piiiip, emrin e shpoqitëses nuk po e shkruajmë, me qëllim se nuk duam ta personalizojmë çështjen)

Pastruesja: Kur ishe te Gabi mi gru? Se mos më thërritshe edhe mua të shkonim bashkë! Apo nuk preferon të shkosh më me klasën punëtore ti mi shoqe?!

Lindita Nikolla: Isha vetëtimthi, nuk e kisha programuar, se ndryshe do të të thosha. Sa herë kemi shkuar e kemi blerë bashkë neve, apo ke harruar?!

Pastruesja: E si të harroj mi gru. Vete me këto duar i kemi hapur dëngjet me rroba.

Lindita Nikolla: Edhe në Kuvend desha të flisja për ty, por pastaj mendova që ishte më mirë që mos të tregoja.

Pastruesja: Deshe të flisje në Parlament për mua?! Do kërkoje të më rritej rroga? Kam thënë unë, s'ka si ti mi Shefe.

Lindita Nikolla: Po prit moj shoqe të mbaroj fjalinë! Më je bërë si Linda, gruaja e Ramës...

Pastruesja: Atë që ke bërë ti për Arsimin, nuk e bëjnë 6 veta së bashku mi gru.

Lindita Nikolla: Mos ma kujto 6-ën se e kam alergji!

Pastruesja: Pse mi shefe ke alergji?! S'ma kishe thënë më parë këtë gjë.

Lindita Nikolla: Si mos ta kem inat numrin 6-të moj e dashur ...! (përmend emrin e pastrueses). M'u mbush libreza e studentit me këtë numër, në fakultet. Më dilte në ëndërr 6-ta, më tepër seç ju dilnin shoqeve të mia, sytë e Alen Delonit. Ç'kam hequr njëherë që ta ngrija lart.

Pastruesja: Kë të ngrinit lart? Alenin?

Lindita Nikolla: 6-ën pra! Doja ta ngrija, ta bëja 9-të. Aleni mirë ishte, s'kisha përse e ngrija! Eh unë e gjora, as në ëndrrat e mia studentore nuk e bëra dot 6-ën, 9-të.

Pastruesja: E çe do mesataren mi shoqe Ministre! Ka mesatare ajo çupa ime e katërt, e kot që e ka. Sa të mbarojë ajo universitetin...

Lindita Nikolla: Për çupën do bëj të pamundurën të ta rregulloj edhe kur mos te jem Ministre, se e di që një ditë do jap dorëheqjen me urdhër nga Edi. Të kam dhënë llafin...

Pastruesja: Do ikësh nga këtu? Qyqja mi gru! A i ka sytë në ballë ai Rama! Po ku ka patur Ministre që të kombinohej në veshje si ti! Pale në llafe! Shpuzë! Të dëgjova si fole në Parlament. I bëre rezil, e mirë ja u bërë! U bënë ata të të akuzojnë se blen gjera të shtrenjta!

Lindita Nikolla: Më dolën nga shpirti ato llafe. Nuk kanë parë Lindën e Edit ata që edhe kur futet në det për të notuar, merr me vete çantë 5 mijë euroshe dhe e përdor si kamerdare.

Pastruesja: Ju plaçin sytë! Pse nuk ju the që të gjitha veshjet, kemi shkuar bashkë dhe i kemi blerë te Tregu i Gabit. Shumë gabim bëre që nuk ja u the këtë fakt. Mua më mbeti shumë hatri që nuk ja u përmende që bashkë kemi shkuar shumë herë te "Gabi".

Lindita Nikolla: Kot që t'ja u thosha. E ku i mbushet mendja këtij populli. Unë të kisha para, nuk dërgoja vajzën të bënte shkollën në Francë ku studenti paguan 170-200 euro në vit, por e mbaja këtu pranë meje dhe i paguaja 500 mijë lekë në universitetet tona.

Pastruesja: Si do shkojë puna me këto protestat moj shoqja Linda?

Lindita Nikolla: Si do shkojë?! Do ma ngop fajin mua Rama në janar. Nuk do më shkojë në bark kaposhi i fundvitit mua të gjorës...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: