50 pedagogë i bashkohen protestës së studentëve: Të shfuqizohet ligji i arsimit të lartë

50 pedagogë i bashkohen protestës së studentëve: Të shfuqizohet ligji i arsimit të lartë
Mbi 50 pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, i janë bashkuar protestës së studentëve të tyre që kanë braktisur prej më shumë se dy javësh auditorët.

Pedagogët kanë firmosur një dokument të shkurtër ku i kërkohet qeverisë shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë që cilësohet prej tyre si thelbi i kaosit të shkaktuar në universitetet publike.

Kryeministri Rama në takimet e tij të ditëve të fundit me studentët e ka mohuar kategorikisht abrogimin e ligjit që ai e cilëson si një nga reformat kryesore dhe themelore në arsim.

Por, pedagogët e quajnë këtë ligj si “shkakun themeltar të problemeve në universitetet publike shqiptare”.

Për të mbështetur kërkesën e tyre, pedagogët kanë shpërndarë edhe një letër drejtuar rektoratit, që thanë se e kishin dërguar që në fillim të vitit 2015. Në këtë dokument, ata bënin vërejtje thelbësore për reformën në arsimin e lartë, ende të pamiratuar në Parlament.

Pedagogët u shprehën se ashtu sikurse ndodh rëndom, kërkesat e tyre nuk u morën parasysh nga mazhoranca.

Futja në lojë e një numri kaq të madh pedagogësh, mund ta bëjë edhe më të vështirë pozitën e qeverisë, sepse ajo përveç rritjes së përmasave i jep dhe një artikulim tjetër debatit mbi rrëzimin e Ligjit për Arsimin, për të cilin qeveria nuk ka pranuar ta përfshijë në çështjet për dialog.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: