PRO DHE KUNDËR/ Figura e dyzuar e Mit’hat Frashërit, flasin politikanë dhe historianë

PRO DHE KUNDËR/ Figura e dyzuar e Mit’hat Frashërit, flasin politikanë dhe historianë
Gjatë të gjithë këtyre ditëve që paraprinë ceremoninë e kthimit të eshtrave të Mit’hat Frashërit në atdhe, pati diskutime, prononcime dhe vlerësime mjaft kontroverse mbi jetën dhe veprën e tij. Historianët dhe politika, edhe në këtë rast, mbajtën qëndrime kundërshtuese mbi këtë figurë madhore të letrave dhe dijeve shqipe.

Edi Rama

“Mit’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdimensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij,   të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit.” – vijoi me tej kryeministri ndërsa theksoi se kthimi i eshtrave të tij, të shërbejë edhe si një reflektim. Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive.”

Artur Roshi

Kryetari  i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi është shprehur se Mit’hat Frashëri bashkoi kombin nga ana kulturore. Sipas tij sistemi diktatorial deformoi të vërtetën për Mit’hat Frashërin. “Ky veprim i qeverisë është një ndjesë nga të gjitha qeveritë. Njeriu nuk mund të jetë edhe bashkëpunëtor edhe ta luftojë kundërshtarin. Sistemi diktatorial deformoi jetën kulturore, historinë dhe deformoi edhe të vërtetën për kundërshtarin e sistemit, siç ishte Mit’hat Frashëri. Ne do punojmë për të lançuar profilin e tij të lartë. Mit’hati bashkoi Kombin nga ana kulturore.  Mit’hat Frashëri dha firmën për njehsimin e gjuhës shqiptare. Jemi në një ditë që shpresojmë që shqiptarët do ta marrin vesh profilin e vërtetë të Mit’hat Frashërit”

Lulzim Basha

“Është një nga ditët e rralla, që qëndrojmë para një arkmorti me një sens krenarie, nderimi por edhe kënaqësie. Kënaqësi që u përmbush amaneti i tij, detyrim i madh kombëtar i gjithë patriotëve shqiptarë. Kënaqësi që eshtrat e këtij burri të madh dhe shkencëtari të një dimensioni Europian do të prehen sipas amanetit të tij. Falenderoj deputetin Shehaj, Akademinë e Shkencave kjo ishte gjetja e duhur për ta pasur këtu këtë burrë të jashtëzakonshëm. Një shembull që duhet të ndiqet edhe për shumë të tjerë. Eshtrat e çdo patrioti që padrejtësia e diktaturës gjakatare të Enver Hoxhës i kanë lënë të dergjen jashtë vendit duhet të kthehen e të nderohen në Shqipëri.”

Brizida Gjikondi

“Pavarësisht broçkullave të Edi Ramës së viteve 90 se kur bota ish në luftë botërore ne ishim në luftë civile, pavarësisht çdo makiavelizmi, justifikimi dhe rehabilitimi që mund t’i bëhet figurës së Mit’hat Frashërit si figurë kombëtare, personalisht mendoj që Mit’hat Frashëri me tradhtinë e tij ndaj interesave të kombit, nuk dëmtoi komunistët që ishin armiqtë e tij të vegjël, përkundrazi ata deri në një farë mase me atë që bëri i ndihmoi për ta denigruar dhe për të ardhur në pushtet, por ai dëmtoi mbarë kauzën kombëtare, përfshi këtu dhe atë që vetë ai kish kontribuar deri në vitet 41 për ta ngritur. Ai nuk justifikoi të qenit i biri i të atit, as trashëgimtari dinjitoz i Frashërllinjëve të mëdhenj. Ai nuk tradhtoi vetëm brezin e shqiptarëve që ishin prezent gjatë Luftës së Dytë Botërore, por sidomos ata që ishin përpara por dhe ata që erdhën pas. Gjithçka ai kish bërë përpara u kompromentua dhe shumëzua me zero më atë që bëri më pas. Pasi Lufta e Dytë Botërore dhe shkaktari i saj nazifashizmi, ishte një luftë shfarosëse jo vetëm për identitetet dhe dinjitetet kombëtare por dhe për mbarë njerëzimin.”

Orhan Frashëri

“Unë jam dëshmitar i asaj kohe, një pjesëmarrës aktiv në Luftën antifashiste Nacionalçlirimtare dhe mund të dëshmoj gjithë punët e fëlliqura të Ballit Kombëtar me Mit’hatin në krye. Dëmin më të madh popullit dhe atdheut të vet Mit’hati me Ballin e tij Kombëtar, ia bëri me qëndrimin gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Ai nuk pranoi të merrte pjesë në Konferencën historike të Pezës më 16 shtator 1942 i ftuar si pinjoll i një familjeje të madhe, e cila ishte dhe është krenaria e kombit shqiptar, por edhe si nacionalist edhe pse kuvendi po e radhiste Shqipërinë në anën e duhur të popujve përparimtarë që luftonin kundër nazifashizmit. Mit’hat Frashëri me dhelpërinë e tij për t’iu kundërvënë vendimeve të Konferencës së Pezës e cila kërkonte as me shumë e as me pak bashkimin e popullit pa dallim feje, krahine dhe ideje në një front lufte kundër pushtuesve fashistë, krijoi organizatën e Ballit kombëtar. Mit’hat Frashëri me Ali Këlcyrën, Hasan Dostin, Abaz Ermenjin dhe të tjerë nuk punoi për bashkimin e ndihmën për të organizuar rezistencën kombëtare kundër okupatorit, me pretekstin se sipas tij punët aq kardinale nuk munden të bëheshin me “çunakë” e “kalamaj”, përpos asaj që trumbetonte se nuk ka ardhur koha për luftë. Dhe këtu nuk është fjala për një gabim rastësor e të shkëputur e të veçantë. Pas më shumë se 75 vjetësh, unë ish-pjesëmarrësi i luftës antifashiste nacionalçlirimtare, e them me bindje se ky nuk ishte një gabim rastësor i Mit’hat Frashërit. Ai ishte një krim kundër kombit të tij.

Paskal Milo

Nëse më detyroni të shprehem për Mid’hat Frashërin si politikan apo për ta trajtuar figurën e tij në rrafsh politik, po e them me bindje të plotë dhe me argumente të padiskutueshme se ai jo vetëm nuk ka shkëlqyer, por ka gabuar dhe jo në një rast. Mid’hat Frashëri ka gabuar në radhë të parë në vitin 1913, kur braktisi Ismail Qemalin dhe qeverinë e tij dhe u bashkua me Esat Pashë Toptanin. Që para pavarësisë e deri në 1923 ka shkruar disa herë me terma tepër të ashpra e plot akuza kundër Ismail Qemalit. Ai u tërhoq nga jeta aktive politike pas vitit 1926 dhe u mbyll në botën e tij kulturore e letraro-shkencore. Qëndroi neutral ndaj politikave të Ahmet Zogut kur e kaluara dhe formimi i tij nuk ia lejonin indiferencën dhe mbylljen në “kullën e fildishtë” të librarisë së tij famëmadhe. Mid’hat Frashëri gaboi në një moment historik kur njerëz si ai duhej t’i bashkoheshin rrymës së përgjithshme dhe aktive të antifashizmit. Ai u bë kryetari i Ballit Kombëtar, i një force që tradicionalisht duhej të përfaqësonte alternativën politike të djathtë shqiptare, aq sa ajo mund të ekzistonte si e tillë në rrethanat e Shqipërisë së kohës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: