Meta komenton Gruevskin: Italia dhe Greqia më ofruan edhe mua azil politik për t’i shpëtuar burgut

Meta komenton Gruevskin: Italia dhe Greqia më ofruan edhe mua azil politik për t’i shpëtuar burgut
Kreu i shtetit shqiptar komenton arratinë e ish-kryeministrit maqedonas drejt Hungarisë, për të përfituar azil politik, duke kaluar përmes Shqipërisë

“Kam edhe një rastin tim. Në vitin 1992, në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit. Unë isha në opozitë dhe vajta i shpëtova nga ajo pengmarrje.

Për këtë çështje, prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Mua më ofruan strehim politik në Greqi se kishim parti aleate në atë kohë, dhe në Itali. Edhe pse isha fare i ri, nuk e pranova një gjë të tillë”

 Edhe atij i kanë ofruar marrjen e azilit, në një moment të vështirë të jetës së tij politike, por ai nuk ka pranuar që ta marrë.

Fjala është për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e ka pohuar këtë dje publikisht, teksa komentoi marrjen e azilit politik nga ana e ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski.

Në kuadrin e konferencës ndërkombëtare për gazetarët, ai tha se kanë qenë pikërisht dy vendet mike, Italia dhe Greqia, ato që ia kanë bërë një propozim të tillë, të cilin nuk e ka pranuar. Siç bëri në fakt gjatë këtyre ditëve, ish-kreu i qeverisë maqedonase, që mori azil politik në Hungari.

Kështu, për ta konkretizuar situatën dhe për të bërë një lloj paralele me të, Meta solli në vëmendje edhe një rast personal, kur në vitin 1992, Prokuroria i ka hequr imunitetin dhe ka lëshuar fletë-arresti ndaj tij.

“Kam edhe një rastin tim në vitin 1992, kur në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit. Unë isha në opozitë dhe nuk isha këtu e vajta i shpëtova nga ajo pengmarrje pa dashje e njerëzve të painformuar. Për këtë çështje, prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Mua më ofruan strehim politik në Greqi se kishim parti aleate në atë kohë, dhe në Itali. Edhe pse isha fare i ri nuk e pranova një gjë të tillë”, tha Meta.

Ndërkaq, duke folur për rastin “Gruevski”, ai u prononcua se asnjë politikan nuk duhet t’i shmanget drejtësisë dhe se me një akt të tillë, në njëfarë mënyre, ish-kryeministri maqedonas ka pranuar fajësinë e tij.

“Çdo politikan, aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë, nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike”, u shpreh ai. Duke vijuar se gjithsesi, nuk mund të gjykojë për çështjen në fjalë, se kemi të bëjmë me një vend tjetër, por edhe duke pasur pozicionin e kreut të shtetit, nuk ka përse të hapë një debat për këtë çështje.

“Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje të cilat janë konsideruar politike, që janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”, shtoi më tej Meta.

 

Gruevski në Hungari përmes Shqipërisë, me makinën e ambasadës hungareze

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski ka shkuar drejt Hungarisë duke kaluar nga Shqipëria. Ky fakt u pohua dje nga vetë policia shqiptare. Madje po sipas saj, kjo u mundësua përmes makinës së ambasadës hungareze në Tiranë. Por ende nuk ka të dhëna se nga hyri ai në territorin e vendit tonë.

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski ka shkuar drejt Hungarisë duke kaluar nga Shqipëria. Ky fakt u pohua dje nga vetë policia shqiptare. Madje po sipas saj, kjo u mundësua përmes makinës së ambasadës hungareze në Tiranë. Por ende nuk ka të dhëna se nga hyri ai në territorin e vendit tonë.

“Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD 1013 A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”, citon policia shqiptare lidhur me një fakt të tillë. Duke sqaruar më tej edhe situatën e krijuar me faktin se ai ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe si i tillë, nuk duhej në fakt ta kalonte kufirin e Shqipërisë.

“Në datën 11. 11. 2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi në datë 13. 11. 2018, rreth orës  19:35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, sqaron në njoftimin e saj zyrtar Policia e Shtetit.

Ndërkaq, detajet e tjera të zbuluara prej mediave rreth kësaj çështje kanë nxjerrë se në makinë bashkë me Gruevskin ndodheshin shoferi i ambasadës hungareze në Tiranë, si edhe një punonjës i saj.

Dy punonjësit e ambasadës kanë paraqitur pranë policisë kufitare, pasaportë diplomatike, ndërsa ish-kryeministri Nikola Gruevski thuhet se ka kaluar me kartën e identitetit. Më tej, thuhet makina me targa diplomatike është kthyer në Shqipëri rreth 45 minuta më vonë, por pa Gruevskin.

Nikola Gruevski u shpall në kërkim ndërkombëtar më 13 nëntor, dy ditë pasi ishte larguar dhe kur ai njoftoi përmes rrjetit social se ndodhej në Budapest ku kishte kërkuar edhe strehim politik. Mbi Gruevskin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: