Manjola Nallbani: Qytetari në respekt të traditës, s’dal dot jashtë vetes

Manjola Nallbani: Qytetari në respekt të traditës, s’dal dot jashtë vetes
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press artistja e mirënjohur: “Artisti ka shumë nevojë për një motivim. Por duhet edhe t’i thuash të vërtetën ashtu siç është. Ua them edhe studentëve që në ditët e sotme, një artist, nuk vlen në këtë profesionin tonë nëse nuk je një supertalent. Skena duhet të jetë vetëm për supertalentet, në të kundërt të rinjtë duhet të studiojnë ose ndjekin një pasion tjetër ku kanë zotësi e me të cilin të arrijnë jetesën. I tillë është vendi ynë, vend i vogël. Fati i mirë është që skena tani nuk është vetëm Shqipëria, është e gjithë bota dhe koha ka treguar që kush ka pasur talent, edhe kur nuk ka shkëlqyer këtu, ka shkëlqyer në botë, ku të jepen mundësi të mëdha.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Në vitet ’90 Manjola Nallbani ishte tashmë një këngëtare lirike e afirmuar, por që kishte krijuar një profil interesant edhe në këngën e lehtë e në disa role në filma të suksesshëm. Me një impakt direkt në publik e me një zë shumë të veçantë mexosoprano, Mandola Nallbanin pata fatin ta njoh teksa prezantoja Festivalin e Këngës në RTSH në vitin 1993, në një skenë që përfaqësonte demokracinë e brishtë e ku ajo triumfoi duke rrëmbyer vendin e parë. Pasi kanë kaluar 25 vite, duke kthyer kokën pas, Manjola Nallbani ka gjetur sekretin e artistit që qëndron koherent me veten dhe me muzikën që bën, e që përzgjedh me kujdes hapat e karrierës. Ajo vazhdon të jetë një nga ikonat e muzikës shqiptare, edhe sot që është bashkëshorte prej tre dekadash dhe nënë e dy vajzave tashmë të rritura, duke ruajtur një sharm dhe elegancë që e dallon menjëherë. Kjo kafe bisedë me të është një fluturim mbi vitet e gjata të saja në skenë e në jetën artistike, përmes këtij rrëfimi ekskluziv për Albanian Free Press.

Lidhja juaj me muzikën ka nisur që në fëmijëri?

Nuk mund ta them këtë. Unë kam qenë deri në moshën 8 vjeçare fëmijë i vetëm, më pas lindi vëllai im. Jam rritur pra shumë e afërt me mamin e me gjyshin dhe e mbaj mend veten pak si të përkëdhelur. Isha vërtetë një fëmijë që më llastonin shumë prindërit e më shumë gjyshërit, ngrihesha në mëngjes e doja aq shumë kokoshkat e mia, patatet e skuqura e atë qumështin Panda që vinte nga Kina. Aq shumë isha mësuar e vetme sa që kur shkova vetëm shkurt në kopsht, thoja me vete se çfarë doja unë mes atyre fëmijëve. Besoj që kjo gjë më ka bërë që deri edhe shumë më vonë, unë vazhdoja e kisha atë ndrojtje të brendshme e nuk isha njeri që të përshtatesha me këdo lloj natyre e të shoqërohesha me këdo. Kam ende brenda vetes një lloj tërheqjeje, ndrojtjeje e jam shumë selektive edhe në shoqëri, nuk përzihem me grupime njerëzish vetëm për hir të profesionit. Pra fëmijërinë e kam shijuar normalisht siç duhet ta bëjë çdo fëmijë. Vitet e para të shkollës i ka kaluar tek “Dëshmorët e Lirisë” e studiova për piano, më pas tek shkolla “Fan Noli” sigurisht që fillova të angazhohesha në aktivitetet shkollore.

Dëgjohej muzikë e huaja në shtëpinë tënde?

Sigurisht që dëgjonim shumë Sanremon, me ato antenat që mezi kapnin sinjalin, me atë zhurmuesin e tmerrshëm, por edhe “Pozdravin”, programin jugosllav. Ndërkohë u kuptua që isha talent në kanto dhe fillova përgatitjet për të hyrë në Liceun Artistik. Jam përgatitur me kushëririn tim që ishte bas-bariton shumë i mirë, Hysen Kurti e kështu nisa shkollimin për muzikë. Ishte një si epidemi në ato kohë që çdo këngë e “Anketës muzikore” në Radio Tirana, që jepej të dielën, ne të hënën e këndonim të gjithë në grup dhe këngët e festivalit që të nesërmen i dinim të gjithë përmendësh sepse ajo ishte jeta jonë artistike dhe shpirtërore, ku gjenim veten e shprehnim emocionet. Pallati buçiste nga “Anketa Muzikore” sepse hapnin të gjithë radion dhe e dëgjonin e unë mendoja me vete se kur do të vinte ajo ditë kur në pallat të dëgjohej zëri im në “Anketën Muzikore”. Imagjinoje se sa emocion ka qenë kur kjo ndodhi me të vërtetë dhe isha në vit të dytë në Liceun Artistik, vetëm 15 vjeçare. Pas kësaj pikënisjeje u përzgjodhëm tre vajza të reja nga Liceu për korrin e festivalit të madh si dhe kam prezantuar disa puntata të emisionit të rinisë në TVSH.

Por pas mbarimit të shkollës së mesme ju interpretuat edhe në film....

Po, unë kam interpretuar në filmat “Rikonstruksioni” dhe “Era” madje me rolin në filmin “Rikostruksioni” unë mora dhe çmim në festivalin e filmit, si aktore e re debutuese. Ishte një rol ku isha shumë vetvetja, me emocion shumë real. Mbaj mend që oferta që më ka mbetur në mendje gjatë ka qenë për në filmin “Përrallë nga e kaluara” për të cilin më takoi asistent-regjisori, Nriçim Daja. Elvira Diamanti e ka qarë atë film dhe absolutisht as që e mendoj se mund ta bënte kush më mirë se ajo atë rol, por thjesht më ka mbetur pikë në mendje se përse nuk e provova veten aty sepse ishte një superfilm. Unë konkurrova edhe për dramë edhe për kanto, por fitova kanton dhe vazhdova atë. Desha të isha këngëtare operistike dhe mendoja se edhe muzikën e lehtë, edhe aktrimin, unë e kisha bërë edhe pa shkollim, ndaj doja një formim të plotë lirik. Këtu ndihmoi edhe fakti se isha zë i rrallë, mexosoprano, pra kishte më shumë hapësirë për mua sepse janë më pak këngëtaret me këtë lloj zëri. Formimi profesional në maksimumin e tij të shërben gjithë jetën, këtë e kam pasur bindje. Gjithmonë je e përgatitur për të gjitha fazat e jetës.

Kjo mendon se është arsyeja që karriera juaj e vazhdimësisë së karrierës tuaj?

Shkolla, kur gërshetohet me një karrierë të gjatë e konstante, siç po më thua, besoj se të krijon një lloj qetësie dhe gjykimi të pastër në mënyrën se si ti do ta bësh karrierën tënde. Ne jemi një vend i vogël por për fat të mirë unë nisa karrierën në një periudhë të ndërrimit të sistemeve dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve që shkuan të jetojnë jashtë vendit e njihnin Manjolën, ndaj pata fatin edhe të punoja në mbarë botën. Kujtoj këtu edhe mbi 90 koncertet humanitare që ne kemi realizuar nëpër Europë gjatë luftës në Kosovë, një kontribut i jashtëzakonshme për viktimat dhe familjet e tyre por edhe një shkollë jete për ne sepse patëm rastin të njohim shumë aspekte të jetës dhe punë në Perëndim. Në dy muaj të jetës mësova më shumë se ç’mund të kisha mësuar në shtatë universitete.

Keni pasur periudha shkëputjeje nga muzika?

Kanë qenë ato pak periudha kur ose kam lindur vajzat ose nuk po kuptoja më se çfarë po ndodhte me muzikën në këtë vend e nuk e gjeja më veten askund. Sinqerisht, ka pasur momente që kam menduar ‘ta marr këtë diplomën e ta gris’ ose si në filmin “Koncert në vitin 1936” ku thonë se në Paris blihen lulet me para’ e këtu i hanë gomerët. Por sot mund të them me plot gojën se erdhi ajo ditë kur njerëzit u lodhën me artistë e muzikë “fake”, gjërat po zënë vendin e tyre, ndodhi ngopja me këtë të bërin pis të artit e njerëzit u janë rikthyer vlerave. Për fat këtë e ndjej shumë mirë nga ajo që më shprehin njerëzit dhe e ndesh kudo ku më ftojnë në evente dhe janë njerëz prej vërteti që duan muzikë prej vërteti.

Por pavarësisht këtyre vështirësive, keni përzgjedhur këngë të bukura dhe bashkëpunime me artistë të nivelit tuaj.....

Bashkëpunimet e suksesshme nuk lindin vetëm rastësisht. Me Kastriot Tushën ka qenë një këngë, “Ti Shqipëri më jep nder”, nga Edmond Zhulali dhe Agim Doçi, që ishte si një himn për vendin. Ishim në turne me koncertet humanitare për Kosovën e pati shumë sukses, një këngë drithëruese. Kjo u ndoq nga një kolazh me këngë popullore “Jepma mollën” që gjithashtu pati një sukses të jashtëzakonshëm. Ndaj na ftonin shumë sepse kishin dëshirë shumë të na shihnin të interpretonim bashkë, sepse edhe zërat shkonin shumë mes nesh. Kastrioti ka bërë shumë bashkëpunime por edhe atij vetë i thonë se me mua ka një rezonancë shumë të mirë zërash. Edhe bashkëpunimi me Shkëlqen Jetishin, një këngë e Flor Mumajezit, ka qenë brilant. E kam pasur idhull si këngëtar dhe ashtu më doli, një këngëtar i fisëm. Pra për ta përmbledhur, sado që të zgjasë periudha e tallavasë, sado që të marrin këngë greke e turke e ti shqipërojnë e të bëjnë koncerte pa fund, e kam parashikuar që do të vijë ai moment që gjërat do të shkojnë në vendin që u takon dhe për hir të respektit ndaj vetes time, emrit tim dhe respektit të të tjerëve ndaj meje, unë duhet të bëj vetëm gjëra që ja vlejnë, në art. Dua që kur t’i shikoj mos kem kokëçarje pse nuk ka klikime por të kem bërë diçka të bukur. P.sh kënga “Ti Shqipëri më jep nder” e cila u rendit e katërta në Festivalin e fundit në RTSH, është në stilin “musical” dhe sa herë ma dëgjojnë jashtë vendit bëjnë “uauuuu sa e bukur” sepse ja kuptojnë stilin por ndërkohë nuk ka shumë klikime sepse brezi im janë të angazhuar e me jetë të ngarkuar e nuk e kalojnë kohën në You Tube, siç është normale që të rinjtë të bëjnë të kundërtën.  Ka edhe këngë të tjera që mendoj se kanë lënë gjurmë, nga kompozitorë që kanë kompozuar me shpirt e ku unë jam kujdesur në detaj edhe për tekstet e shkruar nga poetë të njohur p.sh “Një tren drejt vendlindjes”, “Toka e diellit”, “Udhëtoj e menduar”, “Kur humba një dashuri”, “Përse të dua”, kënga ime më e fundit “Je fati im” etj etj. Madje unë kam shkruar edhe pesë poezitë e këngëve të mia të fundit, madje edhe në këngën popullore si “Zemër Tirane” ose “Kur u nisa nuse” etj. E kam me merak pjesën e tekstit, ndoshta fjalët e mia shumë të menduara nuk ngjisin aq sa disa fjalë më popullore, por kanë një mesazh e duan të shprehin një thelb, me qytetari në respektim të traditës. Unë nuk dal dot jashtë vetes.

Ju ishit pjesëmarrëse në vitin që shkoi në festivalin e këngës në RTSH me një këngë mjaft të bukur, për mendimin tim...

Është një nga këngët e mia që edhe vetë mua më ka transmetuar shumë emocion. Pavarësisht kësaj unë edhe sot nuk e di renditjen e saj sepse juria nuk nxori pikët se sa na vlerësonte e kjo është e pafalshme, për mendimin tim. Nëse je juri dhe ke dinjitetin profesional, atëherë i thua Manjolës se sa vlen, ndryshe mos të jetë aty juria. Një juri nuk është vetëm për pikët në letër, duhet ta mbrojë vendimin e saj. Edhe pse ajo këngë ishte nga të vetmet që u kthyen dy herë, edhe në natë të parë, edhe natë të tretë. Kur ke një publik me 2000 veta ku gjysma janë të rinj, unë as i kam blerë dot e as i kam shokë të brezit tim. Ndaj është publiku që e tha fjalën e tij për këngën e vjetshme.

Angazhimi juaj më i fundit në jetën artistike është edhe pjesëmarrja në jurinë e artistëve të rinj tek “Kënga magjike” 2018. Si erdhi ky bashkëpunim?

Është një detyrë me përgjegjësi dhe jam e lumtur që njerëzit e vlerësojnë si juri cilësore. Ishte një propozim i Ardit Gjebresë dhe unë e pranova si ftesë sepse është një gjë që ka saktë prerjen time, është ajo që unë di të bëj. Jo thjesht pse unë jam pedagoge në Akademinë e Arteve dhe vlerësimi i talenteve është pjesë e punës time, por edhe besoj që kam një lloj ndershmërie në natyrën time, jam e ndershme në atë që them dhe nuk i ha asnjë gram talentit të të rinjve. Kjo mendoj se është shumë e rëndësishme, unë vetë kështu kam bërë përpara. Është shumë e rëndësishme që unë ta motivoj një talent të ri e ta bëj që të besojë tek vetja, edhe në sensin e përkrahjes morale. Artisti ka shumë nevojë për një motivim. Por duhet edhe t’i thuash të vërtetën ashtu siç është. Ua them edhe studentëve që në ditët e sotme, një artist, nuk vlen në këtë profesionin tonë nëse nuk je një supertalent. Skena duhet të jetë vetëm për supertalentet, në të kundërt të rinjtë duhet të studiojnë ose ndjekin një pasion tjetër ku kanë zotësi e me të cilin të arrijnë jetesën. I tillë është vendi ynë, vend i vogël. Fati i mirë është që skena tani nuk është vetëm Shqipëria, është e gjithë bota dhe koha ka treguar që kush ka pasur talent, edhe kur nuk ka shkëlqyer këtu, ka shkëlqyer në botë, ku të jepen mundësi të mëdha. Por pranova edhe sepse e dija se Arditi do ta organizonte jurinë e këtij viti me figura vërtetë profesionistësh e jo siç ndodh shpesh me figura instagrami ose blogerë që merren atë vetëm për shoë, edhe pse nuk kanë një kredibilitet profesional. Kam parë edhe artistë me emër por që nuk i kam dëgjuar të këndojnë live, të shëtisin sa në një kolltuk jurie në një tjetër.

Pra premisat janë që do të dalë një festival i mirë?

Unë e besoj fort që do të jetë kështu. Të rinjtë do të këndojnë live dhe është një mënyrë e pastër për të kuptuar se kush është talent e kush jo.

Këtë jurinë tuaj unë e shoh si një precedent shumë i mirë....

Është edhe 20 vjetori i “Këngës Magjike” dhe të gjithë komponentët janë shumë kualitativ. Kurimi i festivalit është shumë i mirë ndaj për të rinjtë është edhe fat që të dalin në një skenë të tillë e të gjykohen nga një juri profesionale, me një foni, grafikë e skenë moderne.

Ju keni 12 vite si petagoge në Akademinë e Arteve. Ky aspekt i karrierës tuaj është më i fshehur nga publiku....

Jam krenare për këtë pjesë të jetës time, kam krijuar për herë të parë lëndën e zhanrit “musical” që u vendos për herë të parë në historinë e institucionit. Siç duhet të shkojë në çdo fushë të jetës, gjërat duhet të ecin me kohën, nuk mund të rrimë mbyllur brenda botës së ngushtë të një zhanri muzikë, vetëm brenda muzikës klasike, siç ishin fillesat e akademisë. Bota sot po ecën në hapësira 6 dimensionale, siç u them shpesh studentëve, jo të funksionojnë mono. Nëse një student mbaron akademinë e në Shqipëri nuk gjen punë, në botë do të këndojë “musical” si një këngëtar i shkolluar, por bën edhe populloren, që është pasuria më e madhe e vendit tonë. Pra kur bie, bie në këmbë, kudo që të shkosh, i hapur dhe i sigurt ndaj tregut të punës.

Të mos e mohojmë, edhe pamja juaj e jashtme të godet menjëherë. Mendon se plotësimi shpirtëror me karrierën dhe familjen, transmetohet në pamjen tuaj të freskët, të kuruar, të rregullt?

Absolutisht që unë jam pasqyrë e jetës time, me dilemat, ngërçet, sukseset e jetës por unë mendoj se jam njeri që besoj shumë tek energjitë e njerit dhe kam tendencën të marr e të shoh anën pozitive tek gjërat, anën e bukur. Unë jam luan në horoskop dhe ha ha ha nuk e durojmë dot dramën ne. Nuk jam për transformimin e vetes, unë nuk kam ndryshuar asnjë tipar, buzë sy e hundë, por sigurisht mirëmbaj atë që më ka falur perëndia e kjo mendoj se është pjesë e inteligjencës. Ime bijë, e madhje, me humor më thotë se mami ka për borxh që të lajë pjatat njëherë e pastaj të dalë nga shtëpia sikur po del pas sfilatës, ha ha ha. Sepse unë gatuaj për familjen time, me vite të tëra kam bërë çdo punë të shtëpisë time derisa u detyrova të marr një ndihmë sepse bëj tre punë. Nuk është krenari që të thuash se nuk di të bëj një vezë të skuqur. Nuk mbahet familja nëse nuk i jep dashuri edhe në detaj, familjen e mbledh edhe tryeza. Mendoj se edhe ja kam marrë dorën vetes dhe e di se çfarë më shkon e çfarë jo. Edhe regjimi komod në punë më ka ndihmuar sepse mbi të gjitha bëj punën që dua, të hysh në studio ose të këndosh, të jesh mes studentëve ose mes artistëve të mirë, është seanca e bukurisë më e çmuar në botë. Nga puna ime mua më karikohen bateritë ndaj ky është fat shumë i madh.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: