Gjaknxehtë

Gjaknxehtë
Nga Juela Meçani

Jashtë shtëpisë, jashtë kontrollit. Nervat të tendosura si tel violine, nofullat shtrënguar, damarët e nxirë në mes të ballit, dhëmbët skërmitur, vetulla ngrysur, sytë e kuq. Mjafton një fjalë e thënë jo kur duhet, mjafton një “vegim” se një “konkurrent” po të shikon bukuroshen që ke në krah, mjafton një debat mbi Berishën, Ramën ose Bashën, mjafton një humbje e Juventusit ose tallje e Interit. Gjaknxehtët shqiptarë nuk duan shumë arsye që ta kthejnë një dasmë në lëngim, një mort në zhurmë, një plazh në plagosje, një gotë verë në filmin “Gladiatori”. Jo më larg se parmbrëmë, kafeja e qetë e lagjes ku kemi zyrat u kthye në ring, kur katër djem, në dukje të parë djemuri universiteti, nga muhabeti për qejf, shpërthyen në një sherr me grushte e gjakosje hundësh, familjet me karroca fëmijësh u tmerruan, pleqtë e lagjes ngrinë, ca dolën me vrap, ndërkohë që ja behu policia copë 5 e djemuria u largua me pranga në duar. Shumë e sigurt qe që sherri ishte banal, një llaf goje, asgjë parimore, një idiotësi. Janë ato shakatë e shëmtuara që sedra e sëmurë prej shqiptare ngjall shpesh, por që lindin befas, aty ku nuk e pret e aq e pat edhe dita jote.

Por gjithmonë e më shumë i kam bërë pyetjen vetes por edhe e kam diskutuar shpesh me miqtë se përse ne shqiptarët jemi kaq të “magjepsur” nga dhuna, grushtet, sharjet? Çfarë i shpie dy a më shumë meshkuj të kokolepsen nga krahët e të godasin njëri-tjetrin?

Në kohët e lashta dyluftimi, grushtet, shigjetat e shpatat ishin një mënyrë e vetme për të ruajtur territorin, për të treguar hierarkinë, për të fituar një luftë për mbijetesë. Ishin kohët kur çdo gjë arrihej vetëm me luftë. Por sot, në vitin 2018, pse ende në arenën shqiptare, ky mjet pagan i supremacisë, shikohet si i vetmi mjet për t’u dëgjuar e për t’u shprehur, në një mjedis mashkullor, ku femrat janë vetëm spektatore? Nëse hedh sytë që në klasat e fillores, dallon që që në moshë të brishtë, ka një atraksion të djemve ndaj dhunës verbale dhe fizike, ende është mendimi ndër grupet e të vegjëlve se nëse nuk grushton ose mbrohesh me dhunë, nuk je mashkull. Kjo gjë më pas rritet në volum e vijmë në kohën kur sherret lindin për hiçgjë e shpesh bëhen burim ankthi qytetar. Por pyetja lind se çfarë ka mashkullore në faktin që grindesh e grushtohesh për tema idiote? A nuk është edhe mençuria dhe maturia një pikë e fortë e mashkullitetit? A nuk është burrë pikërisht ai që ka padronancën e plotë të vetvetes, që me gjakftohtësi zotëron instinktet, dominon nervat edhe pse i plagosur në sedër, merr kohën e tij, përpara se të veprojë? Nuk është kjo më forcë se forca? E pra njeriu i ftohtë në veprime, është edhe më i forti, këtë e thonë shumë psikologë. Atëherë pse kjo gjaknxehtësi shqiptare nuk mësoi kurrë të kanalizohet në energji për të bërë më të mirën? Nuk është normale që është normale. Këtu është thelbi i asaj që gjithmonë më ka shqetësuar. Dhuna, gjaknxehtësia në ambientin që na rrethon tashmë konsiderohet normale e kjo është një dramë kombëtare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: