Flet shoku Fidel Ylli: Ne mundësit dhe mundësitë...

Flet shoku Fidel Ylli: Ne mundësit dhe mundësitë...
“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me lajmin e mirë. Dje dhe pardje shqiptarët festuan kudo nëpër botë Festën e Pavarësisë e disa, edhe të Çlirimit. Dhe pas festave, ia vlen të kemi në rubrikën tonë një politikan që i ndjen të dyja këto ngjarje. Vjen për ju politikani i majtë dhe sigurisht miliarder, shoku Fidel Ylli. Shokun në fjalë, e gjetëm pranë Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Saktësisht, te lulishtja ku janë bustet e tre vëllezërve Frashëri.

Shtojmë diçka jo shumë të rëndësishme. Kemi shkruar se disa personalitete të shquara politike i kemi takuar në këtë lulishte të famshme. Përse në këtë vend do thoni ju?

Sepse kjo është ndoshta lulishtja e vetme që ka mbetur në kryeqytet. Na vjen çudi vërtet se përse ka ndodhur kjo gjë, ndërkohë që aty mund të bëhej një alamet kulle. Me këtë pyetje në mendje iu afruam shokut Fidel dhe me të biseduam me plot kulturë amerikane.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Fidel! Ç'po bëni këtu?

Fidel Ylli: Më ka lënë Rama të ngrohem në diell. E ç'të bëj tjetër!

Antena: Po ku ka diell tani, o shoku Fidel?!

Fidel Ylli: E kisha llafin që "po ngrohem në diell", d.m.th. mbeta edhe këta mandat pa u bërë ministër i Sportit.

Antena: Meqë ra llafi te dielli dhe nuk ra tek ata që kanë ndërtuar tek ish-Astiri, që do t’u prishen shtëpitë e do ngrohen në diell, desha t'ju pyesja. Përse nuk ndërtuat ndonjë kullë edhe këtu ku janë bustet e tre Frashëllinjve? Apo nuk donit t'i shkatërronit meqë jeni patriot?

Fidel Ylli: Që jam patriot, dihet nga të gjithë. Arsyeja tjetër është që si proamerikan që kam qenë "që në krye të herës", siç thotë edhe Edi Rama, nuk doja të ndërtoja diçka ndryshe nga ajo që është bërë në Amerikë.

Antena: Mund të jeni pak "më shterues" shoku Fidel, siç edhe thotë miku juaj, shoku Edi?

Fidel Ylli: Ju po thoni që Edi Rama është miku im? Absolutisht që jo! Këtë po e them ekskluzivisht për ju, megjithëse nëpër studio televizive them të kundërtën. E si mund të kem ende për mik një njeri që po e katandis Shqipërinë me 1 milionë banorë?

Antena: Ndoshta keni të drejtë në gjyk...

Fidel Ylli: Unë habitem me ata socialiste që vazhdojnë të vlerësojnë Enverin, se e mori vendin me 1 milionë banorë dhe e bëri me 3.2 milionë. Ndërkohë që po këta socialistë vlerësojnë Edin, që po e çon vendin me 1 milionë banorë. Janë të çuditshëm vërtet.

Antena: Kthehemi te ajo që thatë. Që ndërtuat këto dy kullat për shkak të proamerikanizmit tuaj. Nuk mundeshit të merrnit leje ndërtimi për një kullë tjetër?

Fidel Ylli: Kush nuk mundej, unë? Si mund ta thuash këtë llaf! Ku ka pamundësi për ish-mundësat. Ne mundësat kemi qenë të parët që ndërtuam. Disa te Bulevardi e disa në vende te tjera të qendrës së Tironës. Unë nuk doja të ndërtoja tre kulla, sa për ta ditur ti dhe të tjerët, meqë më pyete. Ndërtova vetëm dy, meqë edhe në Nju Jork vetëm dy kulla binjake kishte në atë kohë.

Po të kishte atje tre kulla edhe unë, si socialist proamerikan i thekur që jam, tre kulla binjake do ndërtoja. Te jesh i sigurt për këtë. Ti ke ndërtuar ndonjë godinë, meqë nuk ra llafi?

Antena: Kulla trinjake, deshët të thoshit. As unë, e as ndonjë te gazeta jonë nuk ka mundur të ndërtonim, shoku Fidel.

Fidel Ylli: Siç duket, nuk keni në redaksi asnjë mundës, që të mundnit të ndërtonit.

Antena: E pra, se mos isha mundës unë që të kisha mundësi të ndërtoja në qendër të Tiranës dhe nuk ndërtova, o shoku Fidel. Larg qendrës nuk preferoja të ndërtoja, se aty para 25 viteve kishte baltë dhe nuk kishe ujë. Ja kështu...

Fidel Ylli: Ky është kapitalizmi, pra. Ndaj ne si parti mendojmë që ta zbusim sa më shumë. Si në mundje. Një mundës i mirë p.sh. di si ta mundë kundërshtarin, pa i shkaktuar dhimbje.

Antena: Faleminderit shoku Fidel për mendimet tuaja të vyera, për kapitalizmin human që përpiqeni të ndërtoni, si të majtë që jeni.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: