Xhelil Aliu: Rastësia më mori për dore e më çoi në Radio Tirana

Xhelil Aliu: Rastësia më mori për dore e më çoi në Radio Tirana
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press, regjisori, skenaristi, gazetari dhe folësi i njohur i Radio Tiranës, Xhelil Aliu: “Kur dola nga radio, i shikoja njerëzit e më dukej sikur të gjithë më kishin dëgjuar e më njihnin edhe prej fytyre. Më dukej sikur do më ndalonin e do të thoshin: “Ja ky është ai që foli në radio!”. E kupton se sa rastësisht kam hyrë në radio? Më duket sikur rastësia më mori për dore, më shoqëroi nëpër korridoret e radios e jam ky që jam sot. Ajo punë më dha mundësinë që të shpalos talentin që duket se e kisha por më dha dhe shansin e madh që të punoja me njerëz të mëdhenj të artit dhe skenës.”

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Me Xhelil Aliun, burrin me zërin më të famshëm që njohin shqiptarët, përmes mijëra emisioneve, dokumentarëve, reportazheve, biseduam pa doreza, ashtu shtruar sepse gjuha e tij e pasur, shumëngjyrëshe por me një shqipe të pagabueshme, të fton që të hysh në themelet e punës dhe jetës së tij, pa ndjerë lodhje ose monotoni. Miqtë dhe kolegët e kanë përshkruar si djalin e papërtuar nga Tepelena, që me shumë thjeshtësi por me punë të palodhur, i bëri vendin vetes mes “të mëdhenjve” në skenës, ekranit dhe radios. Është nga ato rastet e rralla kur edhe pse vetëm një zë pas mikrofonit, emrin e Xhelil Aliut e njohin kudo flitet shqip. Ende aktiv përmes shumë aktiviteteve dhe punës me dokumentarët, edhe pse flokëbardhë, Xhelil Aliu më rrëfen me dinamizëm episode nga jeta e një djali nga fshatrat e Tepelenës që rastësia e solli në radion që, më pas, do të bëhej shtëpia e tij e dytë.

Bisedojmë menjëherë për profilin shumëplanësh të radios shqiptare dhe, teksa ndalet tek ish drejtuesit e saj më të njohur, Xhelil Aliu më flet me respekt të veçantë për Thoma Nanon..

Thoma Nano, si drejtues i institucionit, la trashëgimi disa shtylla të forta që janë ende sot pjesë e aktivitetit të RTSH-së. Radio Tirana transmetonte tetë orë program gjithsej. Ishte Thanasi që mblodhi intelektualë nga fusha të ndryshme të artit, sportit, shkencës etj, u këshillua me ta, i hapi horizont vetes dhe rrjedhimisht edhe radios, sepse ashtu u piketuan bazat se cilat emisione dhe mbi cilat tema do të hapeshin. Filluan emisione për gruan, për bujqësinë, për rininë, për shkencën, për artin. U bë radio më vete Redaksia e Fëmijëve. Radio Tirana kaloi me 19 orë transmetim, ishte radio e brendshme dhe radio e jashtme, për shqiptarët jashtë atdheut. Sinjali i Radio Tiranës transmetohej në 22 gjuhë të huaja në të gjithë botën, kishte kontakte me të gjithë botën dhe lidhjet mbaheshin me letra.

Por eksperienca juaj është ajo e një djali të lindur shumë larg Tiranës..

Unë jam lindur dhe rritur në një fshat të Tepelenës, në Kalivaç. Tre vite kam ndenjur pa shkollë fare sepse nuk kishte shkollë 7 vjeçare fshati im, u detyrova të prisja e të shkoja në një fshat tjetër që të vazhdoja shkollën. Bëja vajtje-ardhje në diell e në borë në kushte të vështira. Më pas interesohesha shpesh në Komitetin Ekzekutiv për një të drejtë studimi e më thanë se do më çonin në një shkollë shumë të mirë. Në fakt, ha ha ha, ajo kishte mbetur. Më thanë se do bëhesha inxhinier e do të kthehesha të punoja në Memaliaj, në minierë. Mirëpo Memaliaj për mua, në atë kohë, ishte Paris sepse kur zbrisja nga fshati, të varfër si ishim, ato rrugët me asfalt na dukeshin përrallë. Ne vinim nga mesjeta, ishin vitet ’60. Pyeta se ku do shkoja në shkollë e më thanë se do të shkoja në Përrenjas. Duke qenë se afër Memaliajit ishte një fshat me emrin Përrenjas, mendova se do të shkoja atje. Por mësova se do të vazhdoja shkollën e mesme në Përrenjas të Librazhdit. Kur vajta në Përrenjas ndenja në konvikt dhe mbarova shkollën për Gjeologji-miniera. Pas shkollës më dërguan në Martanesh, në minierën e kromit, ishte ende sektor. Një muaj kisha dyzim brenda vetes të shkoja a të mos shkoja. Edhe im atë kishte shumë merak për mua e më thoshte: “Ku do vesh ti andej, të humbasësh maleve me ata gegët.” Por pas një muaji e ndava mendjen e shkova. Ishte shumë e vështirë por edhe një eksperiencë e jashtëzakonshme. Kishte episode shumë interesante jete, ishte një vend me një natyrë të mrekullueshme, me pisha e ahe, vinte ariu dhe arusha rrotull barakave, ketrat hidheshin nga një pemë në tjetrën. Më dukej, si djalë i ri që isha, se isha në një planet tjetër. Dimri ishte shumë i ashpër, 6 muaj dëborë, madje bënim tunel në dëborë për të hyrë në fjetore. Miniera kishte vështirësitë e veta, isha një djalë i ri por nga rezultatet e mira në shkollë, kur u bë ndërmarrja, më vunë shef të sigurimit teknik. Shpesh ngrihesha natën e shkoja kontrolloja galeritë. Ishte një eksperiencë e vështirë dhe e bukur. Kur kthej kokën pas sot, edhe në ato kushte të rënda, gjej poezi.

Por ndërkohë kishit nisur ndonjë angazhim kulturor?

Nuk kishte shumë aktivitetet, se helbete, minierë, por na lajmëruan nga Batra, në Burrel, që duhet të paraqiteshim në konkursin e estradave. Unë kujtoj që recitoja dhe i bija skenës kryq e tërthor, plot pasion. Recitoja gjithë këmbë e duar një poezi të gjatë të Haxhi Ramës. Marshoja, bërtisja, hapja krahët, sikur fluturoja. Aty fati deshi që inspektorët e Ministrisë së Arsimit të më ngacmonin kureshtjen duke më pyetur se përse nuk konkurroja për t’u bërë aktor.

Nga Martaneshi në Tiranë?

Mund edhe të të vijë për të qeshur, por unë shumë pak herë kisha qenë në Tiranë, madje njihja vetëm zonën e stacionit të trenit, as që e dija ku binte Akademia e Arteve, siç quhet sot. Kur hyra atje, hyra rastësisht. Më kishin thënë se përpara konkurrimit të dëgjojnë njëherë e pastaj konkurron. Imagjinoni që unë përpara komisionit me 13 veta, artistë të mëdhenj, mendoja se thjesht po më dëgjonin. Por kjo më zhveshi nga emocionet frenuese. Kujtoj se si qeshte Kujtim Spahivogli me budallallëqet që thosha. Në fund të fakultetit pata një konflikt me një pedagog sepse kam qenë edhe shumë kokëfortë në karakter. Ndaj ma pezulluan diplomën. Unë interesohesha për ndonjë punë se më duheshin të ardhura dhe një shok më thotë të vija të bashkëpunoja në radio, pikërisht për ndonjë honorar.

Si e kujton kontaktin e parë me radion?

Kur dola nga radio, i shikoja njerëzit e më dukej sikur të gjithë më kishin dëgjuar e më njihnin edhe prej fytyre. Më dukej sikur do më ndalonin e do të thoshin: “Ja ky është ai që foli në radio!”. E kupton se sa rastësisht kam hyrë në radio? Më duket sikur rastësia më mori për dore, më shoqëroi nëpër korridoret e radios e jam ky që jam sot. E kujtoja radion vetëm si një njeri që fliste atje pas mikrofonit. Por radio ishte një institucion madhor që kishte bërë emër, kishte gati 35 vite që funksiononte, kishte një brez gazetarësh e regjisorësh, që filluan në vitet ’50 me Kadri Metohun. Ajo punë më dha mundësinë që të shpalos talentin që duket se e kisha por më dha dhe shansin e madh që të punoja me njerëz të mëdhenj të artit dhe skenës. Ata më mësuan shumëçka e nëse kam arritur diçka, e kam arritur sepse kam punuar si regjisor me aktorët më të mëdhenj shqiptar. Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Prokop Mima, Violeta Manushi, Ilia Shyti, Marie Logoreci, Drita Pelingu, Besa Imami, Margarita Xhepa etj. Janë shumë e më shumë, ishte fat i madh. Unë ulesha në pult të regjisë e nuk guxoja t’i korrigjoja. Por ata ishin aq të thjeshtë, po aq sa ishin të mëdhenj, më dëgjonin si të isha unë profesori i tyre.

Por ky është edhe ndryshimi juaj, nuk u mjaftuat me rolin e regjisorit.....

Po, në radio unë mësova edhe profesionin e gazetarit. Kam bërë emisione dhe reportazhe komplekse, edhe jashtë Tiranës. I kam bërë si gazetar dhe këtë ma mësoi radio. Unë nuk e mbaj veten për gazetar por them se diçka e kam mësuar edhe në atë fushë.

Ju keni dhënë edhe një kontribut të madh në ruajtjen e gjuhës shqipe...

Prandaj unë theksoj mësimet që kam marrë nga aktorët e mëdhenj. Kur unë shkova në radio, ishte koha e Kongresit të Gjuhës Shqipe, në ato vite kërkesat mbi gjuhën ishin të forta. Përveç kësaj, edhe unë vetë, e kam pasur si traditë që të flas gjuhë të pastër edhe në jetën e përditshme. Nuk është e lehtë sepse ambienti na ndikon. Por e folura është art dhe jo çdo kush mund ta arrijë siç duhet.

Por ju nuk qëndruat në radio rastësisht, edhe pse hytë rastësisht...

Unë doja edhe të mbyllja diplomën në fakultet por edhe të vazhdoja me radion. Ndaj nxitoja nëpër shkallë, ngjitu e zbrit, pa ndalim. Më kujtohet se Nefo Myftiu, një grua e jashtëzakonshme edhe pse pjesë e nomenklaturës komuniste, (si bashkëshortja e Manush Myftiut) e pyet Agron Çobanin, që ishte shef redaksie por kishte shumë peshë, se cili ishte ky djalë i ri që vraponte nëpër korridore. I kërkon informacion nëse isha djalë i mirë dhe i thotë të më ftonte në mbledhje. Unë u habita shumë por hyra. Kujtoj Todi Lubonjën, drejtues i asaj kohe, që qëndronte në mes, Nefo Myftiu në të djathtë dhe shefi i kuadrit në të majtë. “Aman more se na vdiqët me ato çiftelitë, me atë vallen e Bradasheshit. Jepini more rinisë muzikë të bukur, të kënaqet rinia se na vdiqët. Apo jo moj shoqja Nefo! Ju keni merak se përse vjen gazetari në 7 e pesë. Po le të vijë more, nuk më intereson kjo mua, mua më intereson që të bëjë punën se mund të vijë në 7 pa pesë e të rrijë pa bërë asgjë. Por mund të shkojë deri tek ura e Lanës, ju kujtua diçka e bukur dhe ja, për gjysmë ore bëri detyrën”-thoshte Todi Lubonja. Pas kësaj më thirri sekretarja e partisë e më pyeti se ku do të shkoja pas diplomës. “Ku të më çojnë!”-ju përgjigja. “Se kanë ardhur ata minatorët e më thonë që ti të shkosh në Shtëpinë e Kulturës në Memaliaj se e kemi djalin tonë.” E keni idenë që edhe ajo më dukej shumë bukur sepse nuk do të isha në minierë? Kaq pa pretendime isha. “Po këtu të pëlqen puna?”-më pyeti. “Më pëlqen shumë!”-ja prita menjëherë.

Kërkesat e RTSH-së nuk diskutoheshin ndaj ajo bëri kërkesë që unë të punoja në Radio Tirana. E kujtoj edhe sot kur erdhi telegrami në Tepelenë që më lajmëronte se do të filloja punë në radio. Kështu nisi karriera ime, që vijoi me radiodramatizimet, një kapitull me rëndësi dhe i ndritur i radios.

Ndalemi tek radiodramatizimet, sepse kanë qenë me dekada, më të preferuarat e publikut...

Radiodramatizimet bënë histori, bënë epokë në radio. Jam habitur sa herë kam shkuar në Kosovë se si e dëgjonin në mënyrë të organizuar “Heroizmin e popullit tonë në shekuj” ndërkohë që këtu u paragjykua dhe u lidh vetëm me figurat e komunizmit. Por ai program ka hedhur dritë mbi qindra figura heroike të kombit. Kemi transmetuar historinë e figurave madhore që edhe sot kanë mbetur.

Por pse ndodhi kjo çoroditje e strukturave të radios?

Radio është e magjishme. Por sot nuk është më ajo që ka qenë. Sot është kthyer në një transmetues muzike diskoje e klubesh dhe më vjen keq ta them. Kjo ka ndodhur edhe me televizionin por jo sa me radion. Radio ra viktimë e ndërrimit të sistemit, si Estrada Profesioniste që sot u zhduk fare, si teatri, si kinostudio. Për mua janë një dhimbje e madhe. Diktaturës mos i kopjo ideologjinë dhe politikën por merri shembullin e mirë të ruajtjes dhe krijimit të institucioneve të artit. Ne duhet t’i kishim ruajtur sepse ne, pas luftës, nuk kishim asgjë, as teatër e as kinostudio. Radio kishte qenë edhe më parë por mori fuqi pas çlirimit. Radiodramatizimet erdhën pas shembullit të të famshmes “Ora gazmore”. Fatkeqësisht nuk ka asgjë të regjistruar nga ajo sepse aparaturat kanë ardhur më vonë. Por traditat u respektuan. Kujtoj se jo çdo program në radio regjistrohej sepse nuk kishte materiale si bobina e shirita, por më pas edhe ana teknike u zgjidh. Pas një pjese teatrale ose komedi në teatër, më pas aktorët futeshin në studio dhe e regjistronin për radion. Në fillim në mënyrë amatoreske e më pas në mënyrë më profesionale sepse përvoja u shtua. Kur unë kam shkuar në radio në 1972 kishte një dhjetëvjeçar radiodramatizimi dhe kushtet ishin pjekur. Ka një specifikë radio sepse të vë imagjinatën në lëvizje por duke pasur karakter individual. Dëgjon për një mal a pyll, por ndryshe e imagjinoj unë malin e pyllin, e ndryshe ti, që i thërret fëmijërisë tënde, kujtimeve personale edhe pse dëgjojmë të dy të njëjtën gjë. Këtu ndoshta qëndron magjia e radios. Ka edhe raste zhgënjimi, ja mua më ka ndodhur që të habiten kur të më takojnë ha ha ha. Nga zëri më imagjinonin një burrë të vjetër e të madh në shtat.

Por ajo që ka mbetur shumë tek publiku është zëri juaj, mijëra dokumentarë, ju njohin menjëherë nga zëri...

Po është shumë e vërtetë, dokumentarët ndiqen shumë.

Pse vendosët të ulesh e të shkruash mbi personalitetet e skenës?

Ishte një vlerësim, një respekt për ato figura njerëzish të mëdhenj të artit shqiptar. Kur hodha një si tek shënimet dhe regjistrimet e mia, pasi i zbardha, pashë që ishin bërë shumë. Mendova se Kadri Roshi është ajo që ka thënë vetë, personalitetet e mëdha nuk mund të korrnizohen nga mënyra se si ne i shohim, Ata janë ato çfarë kanë thënë me gojën e tyre. Janë një shkollë më vete, siç ka thënë edhe miku im, kolegu Ylli Pepo. Unë librat e mia i kam dhuruar shumë, miqve, kolegëve, gazetarëve. Dua të tregoj një gjë që është edhe për të qeshur, edhe për të qarë. I dhuroj librin tim një kolegu, me dedikim. Një ditë kaloj nga rruga e trenit ku është një zotëri që shet libra të përdorur, të vjetër, më përshëndet e më thotë që kishte në shitje edhe një librin tim. Me habi shkova ta shikoj dhe ishte libri që unë i kisha dhuruar kolegut tim me dedikim. Me këtë dua t’u them që kur një koleg, një intelektual, njeri që ka punuar me artistët, i jep këtë vend librit, çfarë presim nga populli, nga brezat e rinj? Kjo është një klimë e përgjithshme dhe kjo është e dhimbshme.

Dua t’i rikthehem radiodramatizimit, sot çfarë ndodh me të?

Në fillim të viteve 2000 nisi një eksperiencë shumë e bukur me BBC-në, radionovela “Rruga me pisha”, që ngjalli në publik një reagim të jashtëzakonshëm. Merrnim letra të çuditshme, kishte dëgjues që ishin aq të afeksionuar me të sa që na shkruanin se vallë si do të ishte jeta e tyre pasi kjo radionovelë të mbaronte. Ishte një grup shkrimtarësh, emra të njohur. Një eksperiencë shumë interesante me drejtim nga BBC. Ishin 6 shkrimtarë dhe kryeredaktori bënte planin e episodeve. Punova me këtë radionovelë për tre vite por hoqa dorë në momentin kur në dorë projektin e morën pala shqiptare. Vitin e parë u udhëhoq nga BBC e unë isha përfaqësues i Radio Tiranës. Pas një viti e lanë në dorën shqiptare dhe u habita nga emrat që më erdhën në staf. Nuk e kuptoja se nga më erdhën ata njerëz, që ishin sigurisht dërgime politike. Vazhdoi sa vazhdoi me rrakapjetë sepse mendja nuk ishte më tek suksesi dhe cilësia por se sa do fitohej, sa para do futeshin në xhep. Filluan ndërhyrjet dhe unë “lashë çelësat”. Në këtë vend, interesi që futet në mes dhe ndërhyrjet e politikës, prishin shumë vepra të bukura. Kjo mbylli edhe epokën e radiodramatizimeve në Shqipëri, një epokë e ndritur sepse edukoi dhe argëtoi shumë breza dhe e luajti rolin e vet në të gjitha fushat e jetës. Tani ja ka lënë vendin një radio  që nuk është më e dikurshmja, në staturë dhe në cilësi. Për ta mbyllur mjafton të them vetëm një episod. Disa kohë isha drejtues në radio dhe një kosovar, sa hyri, tha: “Tash le të vdes. Në emigracion ju më keni mbajtur shpirtin gjallë për 35 vite. Sot unë po eci nëpër këto korridore. Tash edhe mund të vdes i lumtur!” Kjo ka qenë Radio Tirana dhe gjurma që ajo linte në jetën e njerëzve, sot fatkeqësisht kjo nuk është më.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: