“Antena Jashtë Familjes” - Ja përse sh. Erion Veliaj merr çmimin për (jo)shpifje!

“Antena Jashtë Familjes” - Ja përse sh. Erion Veliaj merr çmimin për (jo)shpifje!
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Udhëheqësi numër dy i opozitës, shoku Luli është shfaqur dje në gjendje të mirë shëndetësore. Themi lajm i mirë pasi edhe këtë herë dyshuam, meqë nuk nisi "revolucionin e shtatorit".

E meqë s'ra llafi te shoku Erion Veliaj. Para disa vitesh shoku Erion Veliaj, i dërgoi një e-mail shumë ambasadave të huaja në vend. Ngjarja ndodhi pasi një vajzë shtatzënë, bashkëjetuese e një figure bashkiake të një qyteti të njohur, u rrëmbye nga njerëzit e paguar dhe të shtyrë nga shoku Sali.

Gjithçka më vonë doli që ishte e vërtetë. Vajzës së gjorë jo vetëm i kishin hequr fëmijën nga barku, por e kishin  lënë më mes të katër rrugëve, të Shijakut. (Kujtojmë se, atëherë këto rrugë ishin të pandriçuara, e jo si tani që janë plot drita dhe fosfor.) Falë këmbënguljes së madhe së vetë shokut Erion, që i ndenji online problemit, gjithçka u zbulua. Ishte ky zbulim që bëri të mundur që shoku Erion të shpallet prej organizmave joshtazorë ndërkombëtarë, si njeriu që thotë vetëm të vërtetën.

Ja ç'shkruhej shkurtimisht në letrën që më të ardhmen do të merret si simbol i vërtetësisë dhe joshpifjes.

"Miq! Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të bashkisë..., u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. (Shoku Erion, nuk e përmend emrin e qendrës tregtare, pasi në atë kohë pronari i saj nuk ishte i lidhur fare me sh. Erion, pasi ai ishte shumë i zënë me punë me shokun Ridvan, ish Ministër i Financës.)

(Më tej letra vazhdon): Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. (Akoma nuk dihet se ç'është bërë me fëmijën e gjorë të hequr prej barku. Erioni më tej shkruan të vërteta më të veçanta, apo siç e themi neve në gazetari, specifike. Ja ç'shtoj ai): Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, ...është lënë afër shtëpisë së saj në ..., 50 kilometra larg kryeqytetit. (Sigurisht që larg kryeqytetit do shkonin kriminelët, përderisa atëherë kryeqyteti nuk ishte i zhvilluar sa sot, e parallinjtë nuk preferonin që rrinin e t'i harxhonin paratë te ish Blloku. Në fund letra mbyllet me mjaft edukatë kryeqytetare. Ai shkroi): Faleminderit, Erioni!

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të falënderojmë shokun Erion, që në emër të të shokuarve të PS-së, gjeti forcën të shkruante një joshpifje të madhe.

E në mbyllje. Po risjellim sondazhin tonë të javës, që ka të bëjë siç edhe e keni lexuar, me çështjen më të rëndësishme, para rrogave dhe pensioneve. Atë të vëllait të sh. Fatmir, që vuan dënimin në Itali, për një krim të bërë në rini. E ndërkohë Babalja bën qejf në Kosovë, e familja e tij në Belgjikë. Gjithsesi këto janë punët e zotit. Kalojmë të sondazhi, i cili është:

Përderisa siç tha edhe vetë shoku Edi Rama, çështja e Babales është një sajesë, a mendoni se italianët duhet ta lirojnë vëllain e shokut Fatmirit?

Vazhdoni të votoni ku të mundeni!

Shënim: “Antena Jashtë Familjes” është një rubrikë e përditshme nga Helidon Tahiraj shkruar ekskluzivisht për “Albanian Free Press”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: