“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Ogerta Manastirliu: Të na rrojë Edi Rama, se nga Selaniku do vijnë për të lindur në Korçë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Ogerta Manastirliu: Të na rrojë Edi Rama, se nga Selaniku do vijnë për të lindur në Korçë
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Ne takuam dhe biseduam me shoqen Ogerta, ministër i shumë gjërave. Themi lajm i mirë, pasi është gjë e rrallë që një grua të mbajë gjithë këto lekë dhe institucione, në shpatulla.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoqja Manastirliu! Urime për maternitetin në Korçë! Jemi të bindur që do ju shërbejë më së miri banorëve atje dhe...

Manastirliu: Banorëve, ku the...?

Antena: Atyre të Qarkut të Korçës pra. Siç na spiunoi gazetarja jonë simpatike, Eglantina që merret me ekonominë, në tremujorin e parë qarku i Korçës pati 211 vdekje më shumë, sesa lindje. Jemi të bindur që tani me vënien në punë të këtij materniteti.

Manastirliu: Sigurisht që do rritet. Rroftë Edi Rama, ndaj e bëri të mundur ngritjen e këtij spitali. Tani do vijnë edhe nga Selaniku, për të lindur në Korçë. Pale sa do vijnë nga zonat e tjera. Jam e bindur se tani që po shtohet përvit numri i njerëzve që hedhin lotarinë amerikane do rrisë lindjet në Korçë. Një e njohura ime nga Fieri p.sh., u nis dje për të lindur në qytetin e serenatave. - Vetëm duke patur fëmijën pe Korçe, mund të rrisë përqindjen e fitimit të lotarisë, më tha, teksa po lindte.

Antena: Mirë ju ka thënë. Edhe unë...

Manastirliu: Këtë e dinte edhe rroftë Edi Rama. Ai këmbënguli që materniteti i Korçës të bëhej modern. Pikërisht që të ndihmonte jokorçarët të shkojnë dhe të lindin aty. -Duhen ndihmuar njerëzit e thjeshtë, që të rrisim te ta mundësinë për të shkuar në Amerikë, -më tha.

Antena: Edhe ai e ka kuptuar që nuk bëhet prokopi në vendin tonë, d.m.th.

Manastirliu: Mos ta kuptojë, rroftë Edi Rama, e kush tjetër! Ai nuk mund ta bëjë këtë vend, jo se nuk do që ta bëjë. Nuk ka çfarë t'u bëjë oligarkëve. Ata nuk e dëgjojnë fare. I thashë një ditë. -O rrofsh Edi Rama, mos u lodh kot me ta, se nuk të dëgjojnë. Ata nuk kanë dëgjuar mësuesen në shkollë fillore, jo më ty!

-E vërtetë është. Janë analfabetë, -më tha. Dhe më pyeti mua. -Si jemi me lindjet? Me shtimin e popullsisë?

Antena: Besoj se ia thatë se si jemi, apo po?

Manastirliu: Ia thashë sigurisht! -Kemi ca rënie,- i thashë, -por jo në nivel alarmant, problem kemi gjinekologët dhe mamitë.

Antena: Kemi mungesë të tyre, ç'është e vërteta.

Manastirliu: Nuk është puna vetëm te mungesa e tyre. Çështja është që rënia e numrit të lindjeve, u ka tkurrur xhepin. Kur s'ka lindje, s'ka as shpërblim.

Antena: Ju jepni shpërblim, në bazë të lindjeve të kryera? Shumë mirë bëni!

Manastirliu: A ti qenke aguridhe fare! Atyre vetëm një herë u janë rritur rrogat në këto pesë vjet që e kemi pushtetin ne të ish-Bashkisë, ti thua shpërblim. Kur thashë "u janë tkurrur xhepat", e kisha llafin që në shumatoren e vet, u ka rënë bakshishi. Lindjet janë më të pakta. - Të rrisim pak rrogat për mjekët, -i thashë një ditë rroftë Edi Ramës. - Jo, -më tha, -nuk mund t'ua u rris dot rrogat mjekëve, se pastaj më kërkojnë edhe punonjësit e profesioneve të tjera. Do shpërblej nënat që lindin fëmijë, - më tha.

Antena: Po, po e morëm vesh edhe neve këtë punën e shpërblimit.

Manastirliu: Pikërisht pra, për të mirë të doktorëve u bë kjo gjë. Meqë nuk ia dolëm dot të ulnim pagesat nën dorë të nënave, te doktorët dhe mamitë, rroftë Edi Rama vendosi që të dhurojë lekë te gratë që lindin. Ato pastaj, këto lekë le t'ua japin gjinekologëve.

Antena: Më bëri përshtypje që me shtimin e  numrit të fëmijëve të lindur, kishit rritur edhe shpërblimin për nënat. Përse e bëtë këtë diferencim?

Manastirliu: Ku di unë se përse, se mos më pyeti njeri. Unë di të them që është i madh, rroftë Edi Rama dhe kaq...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: