“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Ilir Meta: Sapo shikoj gishtin e madh, ndjej dhimbje 

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Ilir Meta: Sapo shikoj gishtin e madh, ndjej dhimbje 
Satirë

“Antena Jashtë Familjes vjen” më një lajm të mirë. Ajo u vendos me zyrë në Amerikë. Themi lajm i mirë, pavarësisht se shkuam me paratë tona. E meqë ra llafi te dërgimi, po japim një lajm të keq. 28 vajza me emrin Vlora, nga Kosova erdhën në Shqipëri dhe konkretisht në qytetin e Vlorës. Themi lajmi keq, pasi numri i vajzave me emrin Vlora në Kosovë, është mjaft i madh. Mbi 7 mijë. Do ishte mjaft mirë për ekonominë e vendit, nëse të gjitha ato do të kalonin kufirin dhe të paguanin taksën e Rrugës së Kombit. Ju kërkojmë ndjesë që nuk arritëm të merrnim vesh se kush ua pagoi taksën këtyre milionereve të patriotizmit. Na vjen mirë që këtë vit, siç e kemi thënë në një shkrim në rubrikën tonë, që vajzat me emrin Flaka, këtë vit nuk erdhën.

E meqë nuk ra llafi te Bashkia. Nëse ju kujtohet, ne botuam një shkrim ku shoku Erion Veliaj pa fatin e tij në filxhanin e kafesë. Ju bëjmë me dije, se ka qenë Presidenti i vendit, shoku Ilir i cili sapo ka marrë vesh zbulimin tonë, na foli në video.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Ilir Meta: Përshëndetje, Antena! Dua të më shikoni filxhanin? A mundeni?

Antena: Nuk ka gjë të pamundur me kohën intenerare ku jetojmë. Mund të na tregoni llumin...

Ilir Meta: Më falni, por nuk kam tagrin institucional që të tregoj llumin, duhet të më mirëkuptoni. Nuk jam më pjesë partiake. Nuk mund të përmend emra biznesmenësh dhe politikanësh. Nëse doni llumin, pyesni tim shoqe. Ajo merret me llumin në politikë.

Antena: E kisha llafin për llumin në filxhanin e kafesë, shoku Ilir. Më tregoni filxhanin!

Ilir Meta: Aaaa, tani ju kuptova! Ja ku është filxhani. Sapo e piva, këtu në Berat.

Antena: Tani vendosni ju lutem gishtin e madh të dorës së djathtë në anën e majtë të filxhanit, shoku President. Shtypeni!

Ilir Meta: Eh, ku u katandisa! Ndjej dhimbje në shpirt, sa shikoj gishtin e madh.

Antena: Po ky qenka lajm i thënë eksluzivisht për mua.

Ilir Meta: Më parë, duke fërkuar gishtin tregues te i madhi, u bëja shenjë të tjerëve që duhet "të hidheshin" dhe të numëronin paratë që duhet të më dorëzonin. Tani më ka mbetur për ta përdor për të parë filxhanin.

Antena: Fërkoje, ju lutem! Më falni, se u bëra lëmsh. Shtypeni fundin e filxhanit, ju lutem! Ashtu bravo!  Ma tregoni tani. Shoh një si gjarpër që është mbledhur kokoliç. Qenka në gjumë.

Ilir Meta: Është Ulsiu. Është mbledhur, pret urdhrin nga Rama. Me të marrë sinjalin, do të hedhë në sulm Artën e tij, kundër meje.

Antena: Keni për të marrë një telefonatë së shpejti.

Ilir Meta: Nga brenda institucionit do jetë, se nga jashtë nuk kujtohet njeri të më telefonojë. Më qenka mbushur filxhani me numrin tre. Lexova te rubrika juaj para tre pak ditësh, që Veliaj vetëm një tresh kishte në filxhan. Unë kam gjithë këto tresh-siklete. Është sikleti i Ligjit të Teatrit, sikleti i...

Antena: Sikleti i Teatrit?! E ç'siklet mund të ketë ai ligj, shoku Ilir.

Ilir Meta: A ti qenke aguridhe fare. Sikleti në politikë është kur nuk merr asnjë lek dhe e di kush i ka marrë lekët.

Antena: Të paska kthyer shpinën kjo gruaja simpatike. Monika e tanishme është, sigurisht. Keni edhe një rrugë të gjatë për të bërë.

Ilir Meta: Taksirati im. Mbeta në ajër, ndërkohë që lekët bëhen në tokë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: