“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Erion Veliaj shikon fatin në filxhanin e kafesë!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Erion Veliaj shikon fatin në filxhanin e kafesë!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Çmimi i benzinës në tregun e pakicës, ka pësuar rritje me 7-8 lekë për litër. Themi lajm i mirë, pasi kjo rritje do të bëjë sigurisht, që njerëzit të lënë në, apo pranë shtëpive, makinat dhe të lëvizin me autobusët urbanë. Kujtojmë se kjo ka qenë një ëndërr e Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, shokut Erion.

E meqë ra llafi te kjo figurë e shquar e lëvizjes Mjaft, duam t'ju sjellim në kujtesë se ai takoi edhe disa pensionistë. Dhe nuk i takoi kot. U dha lajmin e mirë se, nisma "Kafe me Gjyshin", do të rinisë përsëri. Kujtojmë se, falë kësaj nisme, pensionistët e kryeqytetit pinë disa kafe me çmim të zvogëluar, për disa ditë me radhë. Nisma nuk funksionoi, pasi me atë që ne zbuluam, nipërit dhe mbesat nuk kanë pranuar që të pinin kafe me gjyshërit e tyre. Ndryshe nuk mund të shpjegohet se përse kjo nismë, duhet të rinis(m)ë përsëri.

Gjithsesi, i lëmë kritikat për nipërit dhe mbesat dhe kthehemi tek i pakritikueshmi, shoku Erion Veliaj. Antena jonë e stacionuar në majë të tarracës së godinës së Bashkisë, ka mundur të kapë bisedën e shokut Erion, me një pensioniste. Ja bashkëllafosja e bërë mes tyre:

Pensionistja: Ke një 7 këtu në fund të filxhanit, në anën e majtë.

Erion Veliaj: Çfarë do të thotë ky numër?

Pensionistja: Haber qeverie. Së shpejti do marrësh, ose ke marrë një lajm të mirë nga qeveria.

Erion Veliaj: Do jetë ai vendimi për ngritjen e Kullave te Teatri. Çudi, se ai nuk është vendim qeverie, por parlamenti. Qenka një trekëndësh këtu. Ça është kjo?

Pensionistja: Do të thotë që në punë do kesh së shpejti një ndryshim. Qenka me kokë poshtë, ndërsa njëra qenka me kokë lart. Ja shikoje!

Erion Veliaj: Po, e vërtetë, paska dy koka. Mos bëhet llaf për Partinë Demokratike, që ka dy koka udhëheqësa, se në partinë që jam unë tani, vetëm një kokë ka.

Pensionistja: Jo, jo, PD-ja nuk del fare në filxhan. Kjo me kokë poshtë tregon që ndryshimi do jetë për keq. Ajo me kokë lart, d.m.th. do jetë për mirë. Ke dhe një kalë këtu. I ke hipur. E shikoj këtë bishtin e kalit dhe këtë që është mbajtur fort pas tij?

Erion Veliaj: Po, po e shoh! Duket sikur nuk do që kali të eci. E di unë kush është, por s'ka për të më ndaluar dot. Qenka pa syze ky personi, çudi.

Pensionistja: Ja ku i ka edhe syzet. I ka futur më këmishë.

Erion Veliaj: Si me syze, ai pa syze, asgjë nuk ka ç'më bën. Iku koha e tij. Po kjo këtu ç'është? Më duket si numri 3, apo po?

Pensionistja: Ti e shikon filxhanin me mirë se unë. 3-sh është. Do të thotë që ke ca siklete.

Erion Veliaj: Kam ca në fakt. S'po mbaron akoma ajo vila ime. S'jemi marrë shumë me të, tani që po merremi me çupën. Edhe mermeri që po shtrojmë, nuk më duket shumë cilësor. Nejse, se do e zgjidhin shpejt atë ngërç. Po ky si gjarpër që herë është i tkurrur, e herë i hapur...?

Pensionistja: Është dikush që e ke armik, por të hiqet si mik. Duhet të ruhesh!

Erion Veliaj: Qenka Monika e Ilirit, d.m.th.

Pensionistja: Ke edhe një rrugë për të bërë.

Erion Veliaj: Për të bërë me ndriçim? Ashtu kam plot rrugë. Shumicën pa llamba i kemi. Po kjo këtu ç'është? Kjo këtu me këtë llumin e ngjeshur.

Pensionistja: Është zog. Do të thotë që ti je një zog...

Erion Veliaj: Kështu më kanë thënë që kur isha në shkollë në Amerikë. Po këto këtu ç'janë? Këto vijat?

Pensionistja: Janë pemë. Shiko sa të larta janë!

Erion Veliaj: Pemë?! Nuk ka mundësi.

Pensionistja: Ju lutem shoku Erion, kini besim te unë. Kam 50 vjet që shikoj filxhan.

Erion Veliaj: Të paskam dhënë filxhanin e një homologu tim që është kryetar bashkie në një qytet të Evropës. Të ishte filxhani im, nuk do dilnin pemë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: