“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Kapitalizëm apo Kapistallizëm?

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Kapitalizëm apo Kapistallizëm?
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Në dyqanet ku shiten pajisje elektronike, ka patur radhë të mëdha. Themi lajm i mirë, pasi ata që shesin do kenë mundësi, jo vetëm që të blejnë makina të shtrenjta për fëmijët, por nëpërmjet fitimit që realizojnë do mund të investojnë dhe sigurisht do hapin vende pune. Kjo nuk do ishte bërë e mundur, pa masën e mbylljes së kanaleve televizive.

E meqë ra llafi te biznesi. Si biçim sociologu që është autori i këtyre radhëve, ka vënë re se kapitalizmi ynë fare mirë, ndoshta mund dhe duhet të quhet Kapistallizëm. Është një lloj kapistalle, që i është vendosur blerësit e herë ia liron e dy herë ia shtrëngoj fytin. Po të shikosh pasanikët e vendit, vë re se shumica e tyre me zor e kanë mbaruar shkollën fillore. Një pjesë e mirë e tyre o kanë qenë shoferë, o fadromistë. (Është "sëmundje profesionale" fakti që dinë ta dredhin me çdo pushtët. Si ish-shoferë, kanë mësuar si ta dredhin timonin, e si ish-fadromistë, që në atë kohë quheshin manovratorë, dinë si të manovrojnë ne kohë e sotme).

E meqë nuk ra llafi te muaji që bëmë pushim. Ne po bëjmë një përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme të muajit gusht, parë dhe opinionuar nga analisti ynë, këtë radhë jo ai duarartë.

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Deshëm të dinim mendimin tuaj për takimin e shokut Edi me futbollistin Ronaldo. Cili është...?

Analisti: Ishte diçka që duhej. Opinioni botëror kështu njeh vendin tonë. Për këtë duhet falënderuar edhe klubi i Lacios që bëri të mundur udhëtimin me aeroplan të Kryeministrit.

Antena: Meqë ra llafi te bërja e mundur. Para pothuajse 18 vjetësh, grupi muzikor irlandez U2, i dhuroi kryeministrit të asaj kohe, shokut Toni Bler, një kitarë. Kjo nuk mund të merrej prej shokut Toni, pasi e kalonte shumën prej 250 paund, që i lejohet për dhurata një zyrtari.

Analisti: E çuditshme! Po më habisni me këtë veprim të Tonit. Ai ka marrë mijëra euro nga qeveria jonë e nuk i ka kthyer prapa.

Antena: Rikthemi te sondazhi i bërë nga të huajt, sipas të cilit 1 milionë vetë nuk kanë lexuar asnjë libër, gjatë një viti. Ju ç'mendim keni?

Analisti: E prisja këtë gjë. Jam i bindur se një pjesë e madhe e atyre që nuk kanë lexuar ndonjë libër, janë ata që i dhanë 1 milionë shuplaka Saliut. Siç dihet, shoku Edi Rama nuk ka botuar ndonjë libër këtë vit. Pjesa tjetër e moslexuesve, janë ata që vishen bukur dhe shkojnë e shikojnë, thjesht për sport, Panairin e Librit. Përpiqen që t'i kapë kamera e televizioneve që bëjnë kronika lajmesh aty.

Antena: Meqë ra llafi te sporti. Ish-lojtari Kola, sulmuesi i shquar i 17 Nëntorit dhe Kombëtares, akuzoi muajin që ne nuk botuam se, si futbollisti tjetër Josa ka qënë familjarisht komunistë. Ju si...?

Analisti: Nuk mendoj se ka patur komunistë në radhët e klubit Tirana. Siç e kanë thënë shumë gazetarë të sotëm që jetojnë këtu, apo përtej Adriatikut, atyre as shtëpi, as bursa studimi nuk u jepte partia. Ata, ato i merrnin me forcë dhe duke i dalë kundër vijës së partisë në qytet dhe në qendër. Partia nuk kishte forcë t'i nxirrte jashtë shtëpive, apo fakulteteve, pasi sportistët e tyre ishin muskulozë.

Antena: Meqë s'ra llafi te përgjimi. Gjatë kohës që gazeta jonë nuk u botua, doli një audio përgjim. Ju ç'mendim keni rreth...?

Analisti: Doni të dini se kush e ka nxjerrë, d.m.th. Partia, kush tjetër. Në vendin tonë të gjitha gjërat bëhen nga partia. Kur themi partia, nënkuptojmë të parin e saj. Ky, që i doli audio-përgjimi, jam i bindur që, i ka kërkuar të parit të partisë dhe qeverisë, rritje në detyrë.

Nuk të rris dot, -ka thënë i pari i partisë, - pasi kam piketuar një tjetër në atë post.  Ky tipi, që i ka dalë përgjimi, ka këmbëngulur për rritje. Në këto momente, futet përvoja e nënës parti, që i ha bijtë e tij. Më kupton?

Antena: Ju kuptova disi. Po edhe nëse nuk ju kuptoj unë, besoj se do kuptojnë lexuesit tanë, që e kanë njohur "nënën parti".

Analisti: Kjo gjë e nxjerrjes nga brenda te informacionit, nuk është veti vetëm e PS-së. Edhe PD-ja e ka trashëguar nga "Nëna Parti". Veçse te kjo parti ndryshon taktika. Saliu nuk u nxjerr përgjime, por dosjet e bashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: