“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Dallëndyshe Bici: Do prishim stadiumin “Loro Boriçi”!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Dallëndyshe Bici: Do prishim stadiumin “Loro Boriçi”!
Satirë

Kolegu ynë i sportit, Arianiti, na spiunoi se ka plasur përditshmërisht korrespondenca midis Bashkisë së Shkodrës dhe FSHF-së. Kjo për arsyen se stadiumin “Loro Boriçi” e ka kërkuar për ta drejtuar Bashkia e atij qyteti. Federata e Futbollit, me thënë të drejtën e ka pranuar këtë kërkesë të tyre.

Deri këtu gjithçka është në rregull. Mirëpo, ka lindur një problem në dukje i vogël. Stadiumi nuk ka "Leje Ndërtimi". Sapo morëm vesh këtë gjë, ne vrapuam dhe folëm me shoqen Dallëndyshe Bici, që drejton për shumë kohë Inspektoriatin e Ndërtimit. Personin në fjalë e gjetëm në krye të punës, teksa një matrapik po prishte një ballkon pa leje në një shtëpi përdhese. Ja bashkëllafosja e shkurtër e bërë me të.

Antena: Përshëndetje shoqja Dallandyshe. Deshëm të dinim për stadiumin “Loro Boriçi”. Morëm vesh që nuk ka leje ndërtimi. Si...?

Dallëndyshe Bici: E lexova edhe unë atë lajm. Vetëm në shkofsha në Shkodër, pa ia tregoj unë. Me duart e mia do ta hedh në tokë.

Antena: Do prishni stadiumin?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua.

Dallëndyshe Bici: Ne nuk po lëmë në këmbë shtëpi përdhese pa leje e jo më një stadium, që ka zënë gjysmën e sipërfaqes së Shkodrës. Nuk e kuptoj si e kanë lënë të nisë dhe bitisë ndërtimi i tij, kur nuk ka marrë lejen e ndërtimit. Sa të mbaroj punë me këtë ballkon...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: