“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Ilir Meta: Papa më tha mos hani vetëm ju, por dhe të tjerët

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Ilir Meta: Papa më tha mos hani vetëm ju, por dhe të tjerët
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Më qytetin e Elbasanit ka rënë tërmet. Banorët e tij kanë dalë jashtë shtëpive të tyre të frikësuar. Themi lajm i mirë, pasi këtë radhë në këtë qytet nuk ka rënë ndonjë bombë, apo ka shpërthyer ndonjë kallëp tritoli. Nëse do të kishin ndodhur këto, atëherë banorët nuk do dilnin prej shtëpive, por në sajë të përvojës që kanë krijuar, për disa sekonda, do ishin ndodhur nga rruga, në shtëpi.

E meqë nuk ra llafi te shoku Ilir Meta. Ai këtë javë ishte për vizitë në Vatikan, ku takoi vetë kreun e katolicizmit, Papën. Pas kësaj vizite, ne folëm më Presidentin e Republikës.

Ja bashkëllafosja e shkurtër e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Ilir! Ju sapo keni ardhur nga vizita në Vatikan. Cilat janë përshtypjet tuaja, për takimin me....?

Ilir Meta: Vizita pati për qëllim shkëmbimin e përvojave tona. Duke qenë se si unë, po ashtu edhe Papa përpiqemi për të njëjtin qëllim, paqen. Madje edhe taktikën e kemi të njëjtë.

Antena: Pak më i qartë, shoku Ilir. A mund të na i ...?

Ilir Meta: Duke qenë se edhe Papa, edhe unë, duam që t'i arrijmë gjërat "me qetësi dhe dashuri", vendosëm të takoheshim dhe të flisnim për ç'ka kemi arritur me këtë taktikë. Ajo që dua të them është se Papa ishte tepër i mërzitur dhe ma shprehu. "Nga vendi juaj po largohen të rinjtë", më tha.

Antena: Po, e mora vesh edhe unë këtë. Po ju ç'i thatë?

Ilir Meta: Nuk kam faj as unë, as Monika. Neve po e bëjmë tonën që të rinjtë mos të largohen, mirëpo kur na hoqi Edi Rama nga "tepsia", të rinjtë u hoqën nga puna. Pa punë nuk rrinin dot në Shqipëri, ndaj po ikin në Evropë të rinjtë tanë, i thashë.

Duhet të përpiqeni që të bëheni prapë pjesë e tepsisë, më tha Papa. Ndryshe s'do mbetet këmbë i riu në vendin tuaj. Ja kështu më tha.

Antena: Po thoni që Papa ju ka bërë thirrje që të pajtoheni me Ramën dhe Rilindjen? Po ky është një lajm i thënë ekskluzivisht për mua.

Ilir Meta: Për hir të moslargimit të të rinjve, duhet bërë diçka. Ia thashë edhe Monikës këtë gjë. Nuk mund t'i lëmë të rinjtë që të marrin udhët.

Antena: A do pranojë shoku Edi që ju të ribëheni pjesë e "tepsisë" së pushtetit, shoku Ilir?

Ilir Meta: Koha do ta tregojë, por siç tha edhe shoku Gazmend Oketa dje, më politikë kurrë mos thuaj kurrë. Pastaj duhet të dish diçka! A mund ta them?

Antena: Sigurisht që mundeni, shoku President.

Ilir Meta: Me afrimin e partisë së çamëve me PD-në, partia jonë, d.m.th., partia e Monikës humbet shumë. Tepsia e pushtetit të ardhshëm, nëse fiton opozita, do ndahet edhe me çamët. E ç'na mbetet neve pastaj?

Antena: E vërtetë! Duhet me duar edhe kjo gjë.

Ilir Meta: Bela e madhe me këto tepsitë. S'di njeriu i shkretë se ç'tepsie t'i afrohet.

Antena: Nuk u këshilluat me Papën për këtë gjë?

Ilir Meta: E pyeta larg e larg. I thashë: O Papë! Nëse do kishe dy tepsi. Një me revani dhe tjetrën me bakllava, ti cilën do të zgjidhje?

Antena: Pyetje tipike folkloriko-shqiptare. Duket që jo më kot jeni më karrigen e Presidentit. Po Papa si u përgjigj? Besoj se do na e ...?

Ilir Meta: "Biri im! Duhet tolerancë! Të mos hani vetëm ju! Duhet të lejoni edhe të tjerët të hanë, më tha. Mëshira është virtyt". Ja kështu më tha. E ka në terezi Papa...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: