Xhevahir Zeneli: Raporti që kam me mëkatet e qejfit

Xhevahir Zeneli: Raporti që kam me mëkatet e qejfit
 

Aktori i njohur rrëfen hallet e artit përmes batutave: “Po mendoj të bëhem regjisor, që të mbaj gjithë fisin në punë”, “Na kanë mbetur edhe 25 vite tranzicion” e plot të tjera që vijnë në këtë bisedë pikante

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Xhevahir Zeneli kishte prova dhe u takuam herët në mëngjes. Jemi të dy, për fat të keq, duhanpirës dhe u ulëm jashtë në një kafene ngjitur me Teatrin e Metropolit të cilin, Xhevahir Zeneli vazhdon ta quajë estradë. “Sa mirë Xhevahir, na mbajti dhe kohë e bukur, me diell!”- i them me buzëqeshje. “Njerëzit me shpirt të mirë sjellin kohën e mirë!”- më përgjigjet menjëherë. E kuptova që atë çast se do të kisha përpara një orë me humor e ku do të kënaqesha edhe vetë.

AFP: Më fol pak për shfaqjen e re që po përgatisni. Të shikoj tepër entuziast.

Këtë shfaqje e prita me kënaqësi vërtet, sepse na kishte marrë malli për një shfaqje shqiptare. Kur shikon ato “tmerret” që bëhen andej, atij teatrit tjetër i themi “krahu matanë”, pavarësisht se ne atje do të shkojmë të interpretojmë me këtë vepër. Ftesën nga Bujar Kapexhiu e prita me kënaqësi të madhe, jo vetëm për faktin se, që para viteve ’90, ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të mitë në Varietenë e Tiranës, por, siç e thashë, kishim mall për një vepër shqiptare në skenë! Aktualiteti për të cilën flet vepra, është një mrekulli! Besoj se çdo qytetar i këtij vendi, në mos shumë apo pak, shikon veten e tij në secilin nga personazhet që ka vepra “Gjenerali Play Boy”. Jemi në procesin e mizanskenës dhe, në fund të muajit, jemi gati për shfaqje.

Unë aty do të jem një hamall i thjeshtë, por në mendjen e tij, me kohët që kanë ardhur, ai quhet gjeneral, e në këto rrethana, gjenerali i vërtetë bie poshtë. Janë dilemat e kohës që jetojmë. Ai i mburret me të drejtë gjeneralit që është shkarkuar, duke vlerësuar veten e tij si hamall, duke i thënë se ai është një gjeneral shumë i mirë në ushtrinë e hamejve të Shqipërisë.

AFP: Kolegët e tjerë me ty në këtë pjesë, kush do të jenë?

I madhi Bujar Asqeriu, aktorja Natasha Sela, Suela Konjari. Kjo është katërshja bazë, presim të na bashkohet dhe kolegu im i mirë simpatik i Durrësit, Muharrem Hoxha.

AFP: Çfarë po ndodh me teatrin, shumë zhurmë ka. Është shumë zhurmë për asgjë?

Po të them vetëm një fakt, pastaj konkluzionet bëjini vetë. Shikon aktorë që fërkojnë duart duke thënë shprehjen “kemi dhe tre shfaqje dhe e mbyllim, e bëjmë numrin”. E rëndësishme për ta është që bëhet numri limit i shfaqjeve në muaj, e të marrin rrogën. “Pallati 176” është shfaqur mbi 500 herë apo kryevepra të tjera shqiptare. Nuk e di se kush e ka shpikur këtë gjë, merr 5000 euro nga bashkia, edhe 5000 ti jep ministria e po bëhen të gjithë regjisorë. Dalka më mirë të jesh regjisor, jo për gjë, por edhe kastin e aktorëve e zgjedh vetë. Madje po mendohem, po e zbulova edhe unë këtë shteg, do filloj edhe unë të bëhem regjisor, të bëj projekte. E unë kam shumë, çuna xhaxhallarësh, fis. Erdhi momenti të bëj diçka për fisin edhe unë.

Jashtë humorit, nuk e kuptoj si mund të heqësh shfaqje nga repertori, siç ka qenë. Le ta lënë të dielën e të hënën pushim, se ne aktorët jemi pushim siç kanë qenë berberët, të hënave. Shfaqje le të ketë gjatë gjithë javës. Publiku e kërkon. Ai do të dijë ta bëjë përzgjedhjen se cila vepër i pëlqen, e cila jo. Tani në kohë të bukur veçanërisht, në fundjavë, njerëzit ikin jashtë Tiranës e do të preferonin një shfaqje në ditë jave.

AFP: Pra është kthyer në konsumizëm edhe teatri?

Po. Regjisori është dhe pronar, administrator i një shfaqjeje dhe vendos edhe se cilët duhet të paguhen e cilët jo. Ata harrojnë se spektatori nuk mban mend emrin e regjisorit, por mban mend batutat e një aktori. Ka shumë raste kur, pa pikë turpi, regjisorët të thonë, kishe rol të vogël, nuk duhet të paguhesh. Kolosët pedagogë që ne kemi pasur atëherë, këshillën e parë që kishin për artistët e rinj, ishte se nuk ka rol të madh e rol të vogël, por ka aktor të madh e aktor të vogël.

AFP: Artisti nuk ka prioritet paranë, por i duhet për të qenë i qetë. Kur do mbarojë ndonjëherë ky kalvari i aktorëve shqiptarë, për t’u shpërblyer siç duhet?

Po të diskutojë artisti se i erdhi data për qiranë e shtëpisë, është fatkeqësi. Miqtë e kolegët e mi, thonë se ky tranzicion do të zgjasë edhe 25 vjet, sa të barazohet me atë tjetrin që iku, pastaj mund të fillojë një epokë e ndritur për ne artistët. (ha ha ha ha)

AFP: Janë pjesë e repertorit tënd disa role mjaft të spikatura, madje ku flisje paksa lirshëm e me shumë gjeste, moderne për kohën. Ta kanë tërhequr ndonjëherë veshin?

Jam krenar që jam brezi ’80-’90 dhe i bie të jem brezi që ka lidhur dy kastat e aktorëve gjigantë me të rinjtë. Materialet e para që kam bërë, ishin disa skematizma të kohës. “Sa u gëzua minatori!” Kisha batutën kur më dhuronin mineral për ditëlindje. Por për kohën, ishte skenë e hidhur, pavarësisht se me mënyrën e interpretimit unë e kaloja si me humor. Por e thënë tamam, në ato vite, doli një nismë për të ndihmuar veriun dhe unë i bëra nja dy vite në Kukës, në teatër, por ruaj kujtime tepër të bukura me artistët atje!

AFP: E ke familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa herë takohesh me ta?

Falë teknologjisë, flas shpesh me ta. Sipas mundësive financiare dhe dashamirësve të mi, të miqve të mi, del herë pas here, ndonjë që më pret ndonjë biletë. Ata më thonë ta presim ne biletën, por ti mos na i thuaj emrat. Por ata vetë e dinë kush janë dhe se sa shumë unë u jam mirënjohës! Se me logjikën e fitimit në Shqipëri, mesatarisht do i binte të shkoja një herë në 5 vite. Shpresën e kam që në moshën e pensionit të kem një pension amerikan e të shkoj atje, Duke dëgjuar çfarë po bëhet këtu. Por edhe kur u ktheva nga SHBA-ja u gjenda menjëherë mirë, dy rolet në filmat nga Pluton Vasi më dhanë frymëmarrje. Gjithmonë gjej rast ta falënderoj!

AFP: Por ama e ke bërë një gjë shumë të mirë për fëmijët, duke i çuar në SHBA

Njerëz të shumtë më thonë se kam humbur vite të tëra nga karriera kur ika në Shtetet e Bashkuara. Unë e di, jam i ndërgjegjshëm, por duke qenë se filmat shqiptarë shfaqen shpesh, nuk i kisha munguar edhe aq spektatorëve dhe u integrova menjëherë. Ishte sakrificë që ia vlente, të shkollosh dy fëmijë në një vend që e ka zili kushdo! Notat në shkollë i kanë marrë pa babanë, vendin e punës do ta fitojnë pa babanë. Pra, janë të zotët e vetes.

AFP: Nuk dua të prekesh, por dua të më thuash diçka pikante për Vasillaq Vangjelin, mikun dhe kolegun tënd të shtrenjtë, që sot nuk rron më!

Do të të tregoj një ngjarje pikante. Ishim tepër të lidhur pas familjeve dhe donim që të mos u mungonin edhe atyre pushimet që ne, si mësuesit, i kishim të gjata. Shkojmë tek kavalishenca e ushtrisë, por nuk kishte dhoma. Na thotë drejtori, keni ca mjedise të ish-çerdhes, po arritët ti bëni të jetueshme, rrini aty. I hyjmë me themel, me bojaxhi e me pastrim dhe si përfundim, unë bëra pushime në një dhomë 13 m me 6 m e Vasillaqi në një dhomë 11 m me 7 m. Për herë të parë, atë vit u bëmë nder edhe vëllezërve dhe motrave se ishte kollaj, i ndanim mjediset me çarçaf dhe erdhën edhe ata një 15-ditësh.

E kujtoj gjithmonë një batutë të tijën në ato pushime. Në orën 10, fëmijët turreshin për plazh. Ne pinim kafé, te bar Bunkeri, siç i thoshin. Kishin dalë aty dhe  kuadrot e lartë të ushtrisë. Dëgjohet një ulërimë, ishte Vasillaqi që thërriste: “Mblidhuni këtu!”- dhe vraponin dy fëmijët e mi, dy të Vasos dhe dy të Kozma Dushit. Dhe aty lëshon batutën: “Mos vraponi shumë, se ju hahet prapë!” Kam kujtime shumë me të, një nga miqtë e mi më të afërt.

 

AFP: Të shikoj të dobësuar ca. Si i ke raportet me mëkatet e qejfit, ushqimin dhe pijen?

Eh, unë e kam me sezon. Jo me sezon çfarë rritet në çdo stinë, por me sezonin e xhepit, kur kam ha, kur nuk kam nuk ha. Pastaj, jam sigurisht nepsqar në të ngrënë se jam kolonjar, madje jam krenar që jam 24 karat kolonjar, me babanë nga fshati i Petro Nini Luarasit. Po ashtu edhe me “ujin e bekuar”. Moj vajzë, unë them gjithmonë, ruaju nga ai që pi vetëm ujë! (Hahahaha)

AFP: Pra, je bërë fiks aktor se ju kolonjarët shquheni për gojëtari

Po, por edhe për letra anonime. Një profesori im i historisë, Skënder Aliu, ka qenë një nga arkeologët më të mirë e më merrte me vete në punë. U gjet një pllakë që nuk e deshifronin dot. E sollën në Tiranë dhe tërë ekspertët e panë. Në fund tha njëri, çojeni në laboratorin e ministrisë së Brendshme, se është letër anonime e para 2000 viteve.

Ndërkohë që flasim, afrohet një zotëri shumë i moshuar, profesor i filozofisë i Xhevahir Zenelit e më drejtohet mua. Ah, ta dish ti çfarë ka bërë ky në provim, lëmsh e ka bërë komisionin ha ha ha ha dhe largohet...

AFP: Si ishte kjo historia e komisionit të arteve, Xhevahir?

Në provimin për të hyrë në Akademinë e Arteve, garonin 300 veta e fituam 27. Unë, në fakt, vajta në provim pa shumë emocione, sepse më kishte premtuar kryetari i komitetit, Suat Leka, një bursë tjetër ndoshta për histori-gjeografi, edhe po të mos fitoja. Se unë vetëm këtë degë mund të bëja, se të vetmen dhjetë në shkollë e kisha në kimi se e kisha profesorin komshi e më mbante me hatër, e ajo dhjetë ma rregulloi pak mesataren. Se unë ndryshe do isha i tmerruar. Unë jam shumë frikacak, deri në maturë flija me vëllanë, se na e kishin shpëlarë trurin me histori me diversantë. Unë çdo natë kontrolloja poshtë krevatit se mos kishte diversantë, se helbete, vend kufitar!

Në provimin e hyrjes në Akademi, atëherë ti dilje në një komision kolosësh, 14 artistë të popullit përpara, kishte filtër të jashtëzakonshëm. Por unë isha tepër i lirshëm. Ata para meje kërkonin ujë, se u thahej buza përpara tyre. Unë jo. Në një moment, më pyet Sandër Prosi: “Mos deshe ujë dhe ti se harruam të të pyesim.” I përgjigjem: “Nga vendi ku vij unë, pihet vetëm dhallë.” “Po mirë, të marrim dhallë.” “Jo profesor, unë mbarova, merrni për dikë tjetër.”

Në sallë plasi gazi me të madhe. Një tjetër detaj që kujtoj, ishte se nuk kisha durim derisa të dilnin rezultatet, e shkoj tek e madhja Vera Zheji që ishte në komision. E pyes: “Profesoreshë, nëna më ka blerë një copë për kostum, si ta pres, me model fshati apo model qyteti?” Pra, doja të dija nëse kisha fituar. Vera qeshi me të madhe e më tha: “Qyteti, qyteti.”

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: