Kastriot Tusha: Shpirti im e di sa rëndohem kur dal jashtë zhanrit tim

Kastriot Tusha: Shpirti im e di sa rëndohem kur dal jashtë zhanrit tim
Tenori i mirënjohur, “Mjeshtër i Madh”, Kastriot Tusha në një rrëfim të gjerë mbi jetën, angazhimet në art, familjen, pasionet jashtë skenës, mendimet, shqetësimet e tij mbi artin shqiptar dhe pasurinë e muzikës burimore shqiptare.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni studiuar për muzikë qysh në shkollë të mesme e më pas në Akademinë e Arteve për kanto. Si kanë qenë fillimet tuaja me këngën?

Aktivitetin e kam filluar qysh me festivalet e pionierëve në shkollë. Më pas konkurrova për kanto dhe ndoqa shkollën e mesme për kanton në Elbasan, më pas në Akademinë e Arteve në degën e kantos në Tiranë. Nuk kam filluar vonë, por jam aktivizuar që herët. Edhe në aktivitetet e Akademisë së Arteve kam pasur angazhim të madh. Pas vitit 1963, ishte hera e parë që riktheheshin në skenë vepra të repertorit që ishin asokohe të ndaluara dhe ka qenë diploma e parë ku u vu në skenë akti i tretë i operës “Madame Butterfly”, sepse dhe vetë brumi i atij viti ishte shumë i plotë, me zëra të mirë bariton dhe tenor. Ishte një risi ku salla e Akademisë së Arteve u mbush plot, e në mes tyre kishte dhe mjaft personalitete. Interesant është fakti se profesor Gaqo Çako, e ka kënduar këtë pjesë në premierën e vitit 1963. Pra, pas 1963, vetëm në vitin 1988, u rikthye kjo premierë se, siç dihet, u deshën vite që këto vepra të mëdha të lejoheshin të viheshin përsëri në skenë.

 Më pas, si mori ngritje karriera juaj?

Më pas u emërova solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku kalova 10 vite si solist në role të rëndësishme si, Arlekini tek opera “Pagliacci”, Nadiri tek opera “Peshkatarët e Perlave”, Alfredo tek “Traviata”, Almavivën tek opera “Berberi i Seviljes”, Dodën tek opera “Mrika”, Nikollën tek opera “Dasma Arbëreshe” e premiera të tjera të shumta.

Kaloi më pas një periudhë tranzicioni kur premierat u rralluan, madje edhe një herë në vit, më pas periudha e vështirë e vitit 1997. Në ato kohë të vështira, ne kishim një grup artistik me artistë të RTSH-së, si Shpëtim Saraçi, Edison Miso, Mira Konçi dhe unë, me të cilët lëviznim në koncerte në të gjithë diasporën. Një periudhë që ne na ndihmoi ekonomikisht të rezistonim, por edhe në këtë rast ne performonim muzikë të mirëfilltë, të lehtë, popullore qytetare, por edhe klasike. Ne nuk mund të dilnim jashtë profesionalizmit tonë dhe në ato koncerte performonim program shumë qytetar dhe me nivel. Në ato vite kishte nostalgji nga diaspora dhe u pritëm mjaft ngrohtë nga bashkatdhetarët tanë nëpër Europë.

Kjo ju bën mjaft të veçantë, sot nuk ndodh kjo apo jo?

Sot, fatkeqësisht, është prishur muza, janë futur rryma që unë i shoh të përkohshme dhe mendoj se në atë periudhë muzika ishte më e pastër.

Si nisi rrugëtimi juaj si pedagog?

Pas kësaj periudhe, me koncerte jashtë Shqipërisë, u riktheva dhe nisa punën si pedagog i jashtëm i kantos në Akademinë e Arteve, dhe vazhdoj deri më sot, që jam Asistent/Profesor dhe drejtoj Departamentin e Kantos, me një staf pedagogjik profesionist, nga të cilët të gjithë studentët kanë çfarë të fitojnë. Katedra e kantos ka bërë dhe bën punë të shkëlqyer për mbështetjen e talenteve, si një trashëgim i pedagogëve tanë të shquar, nga ai brez i artë që vinte nga një shkollim shumë i mirë i shkollave ruse dhe më pas italiane. Një katedër tepër profesionale që ka nxjerrë talente të cilët sot na nderojnë në botë, si Inva Mula, Josif Gjipali, Adrian Xhema, Ermonela Jaho, Hektor leka, Saimir Pirgu, gëzim Mushketa. Emra që ia kanë ngritur lart prestigjin Shqipërisë.

Nuk dua të nënvleftësoj punën heroike do ta quaja, të artistëve të cilët vazhdojnë të punojnë në Shqipëri, në këtë tranzicion pa fund, me këto kushte të vështira. Ndiej respekt për Suzana Frashërin, Shqipe Zanin, Marjana Lekën, Agim Duron, Burhan Spahiun, Mandola Nallbanin, Nereida Ficon etj.

Ne jemi dëshmitarë që nuk po kalojmë periudha të mira, herë me mbështetje e herë jo, herë të paguar e herë jo. Artisti nuk mund të bëjë çdo lloj pune. Vërtetë, ne mund të këndojmë edhe muzikë që nuk ka lidhje më pasionin apo përgatitjen tonë dhe kjo nga nevojat ekonomike, sepse do të mbajmë familjet, por shumë nga ne zgjedhin të mos e bëjnë dhe kanë kosto për këtë gjë. Është tepër e vështirë të ruash staturën, figurën dhe profesionalizmin kur nuk ke një mbështetje.

 E keni fjalën për mbështetje nga institucionet e kulturës?

Unë jam 53-vjeçar. Për një tenor është kulmi i moshës, mosha më e mirë. Ndërkohë unë pres vetëm “Tre tenorët” që të dal në skenë. Presim angazhime, aktivitete, aktivitete të cilat nuk janë më shumë se tre në vit, kur një tenor si unë duhet të dalë në skenë një herë në muaj. Duhet të kuptoni, të shkosh në një studio regjistrimi, duhet të paguash se janë private, të shkosh të bësh një album ku dhe si do ta promovosh? Televizionet jashtë i paguajnë artistët, këtu duhet t’i paguash që të regjistrohet aktiviteti. Si mund të jesh i qetë e të këndosh kur honorarët janë mjaft të ulëta, ndërkohë që duhet të jesh i qetë për performancën tënde, duhet në fakt të merresh vetë me të gjitha. Është periudhë e vështirë, edhe pse unë nuk dua me këtë rast të qahem. Por dua që publiku, të kuptojë se shumë gjëra i kemi bërë privatisht, me miq të biznesit, por edhe biznesi po kalon periudhë të vështirë.

Si mendoni se zgjidhet ky ngërç?

Duhet menaxhim i mirë i fondeve të institucioneve të kulturës dhe të caktohen prioritete të qarta. Duke angazhuar artistët e mirëfilltë, bën edukimin e brezave, të publikut, edukon siç duhet shijet mbi artin dhe e ruan kulturën shqiptare nga rryma që nuk kanë të bëjnë me të dhe që e kanë prishur linjën e muzikës së bukur shqipe, atë me taban, atë burimore. Publiku çfarë t’i sugjerosh, çfarë t’i ofrosh, atë ndjek dhe nuk ka arsye përse mos tu ofrohen evente me muzikë cilësore. Ka shumë artistë të skenës, të cilët nuk duan të zhyten në rrymën që ka marrë muzika, nuk duan të mbeten nëpër dasma, por duan të ruajnë muzikën qytetare. Jo vetëm Kastrioti, por Irma Libohova, Eli Fara, Manjola Nallbani, Aurela Gaçe dhe të tjerë, duhet të dalin në aktivitete me dinjitet, ku të shpalosin talentin e tyre, jo në aktivitete që nuk na përfaqësojnë. Këto natyra artistësh duhen stimuluar, nuk duhen parë me xhelozi. Edhe unë, ka pasur raste që jam detyruar të marr pjesë në aktivitete që nuk ishin të tipologjisë, të zhanrit tim e kjo më ka rënduar shumë. Shpirti im e di, sa më kanë rënduar, por kam mbajtur familjen e kam shkolluar fëmijët! Kjo është një e vërtetë e dhimbshme për artistin sot!

Duket që kjo ju shqetëson shumë..

Ne kemi në Shqipëri, jo shumë artistë që ta mbushin skenën, që kanë publik qëndrestar, me një menaxhim të mirë të fondeve, mund të organizohen aktivitete që të jenë me fitim edhe për artistin edhe për institucionet. Kjo gjë më ka munduar gjithmonë. Edhe ato fonde që ti merr, çfarë të bësh më parë kur 6 milionë kushton Salla e Pallatit të Koncerteve, po fonia, po ndriçimi etj., etj.

Shumë artistë që këndojnë nëpër botë, pranojnë të këndojnë në Shqipëri me kënaqësi e me çdo lloj çmimi. Por pavarësisht kësaj, a nuk mund të bëhet një politikë promovuese e këtyre aktiviteteve edhe jashtë kufijve? Mendoj se kjo e nderon kulturën shqiptare. Ne vërtetë kemi vullnet të mirë për të bërë vepra prestigjioze, por nuk mund të bëjmë edhe menaxherin, edhe ndriçuesin, edhe rrobaqepësin, edhe këpucarin. Ne jemi artistë dhe duhet të mendojmë vetëm për artin.

Ne rrimë te balada, te serenata, te romanca. A mos vallë, duhet patjetër në këtë vend të rrish te tallavaja që të punosh? Janë bërë aktivitete me korrin “Lira” me serenatën korçare, me muzikën e Shqipërisë së Mesme, me titujt origjinalë të Isuf Myzyrit, me këngëtarin Shkëlzen Jetishi. Dasma shqiptare është shumë e bukur dhe është kënduar në shekuj në të, por jo me muzikë ordinere. Pra, artistët e mirëfilltë punojnë e luftojnë ta ruajnë muzikën, por kanë nevojë për mbështetje. Këtë përballje kulturash e kemi çdo ditë, por me dhimbje dhe me kosto.

Nëse një artist si unë, do të kishte dy recitale në vit, do të punonte për to me adrenalinë, niveli i tij artistik do të ishte në “kreshendo”. Ka pasur plot raste që kemi hyrë në sallë dhe as këmbët nuk na mbanin nga stresi apo shqetësimi se a funksiononin gjërat apo jo, sepse para shfaqjes ishim marrë me foninë, me sallën, me mediat, me veshjet, me punëtorin e skenës etj etj. Kjo është shumë e rëndë për një artist. Ndaj shpesh them që artisti shqiptar është hero. Duhet dashamirësi dhe menaxhim, asgjë më shumë.

Tani që flasim cili është projekti që keni në dorë?

Jam në përgatitjen e një turi vere me koncerte nga tre tenorët por edhe me zëra të rinj të talentuar në disa vende të bukura historike të Shqipërisë, në Vlorë, në Fier, shpresoj edhe në Shkodër dhe në Durrës. Bashkitë kanë mundësi të limituara por kanë një publik të etur për art dhe shumë të ngrohtë. Këtë gjë e kam vënë re me kënaqësi dhe gjatë aktivitetit tim në Bordin e Teatrit të Operas për zërat e rinj. Kam parë që turneu i Teatrit të Operas me premiera në rrethe është pritur jashtë mase mirë dhe ishte një ide e shkëlqyer. E falënderoj Zana Çelën sepse edhe eventi “Marie Kraja” është e vetmja tribunë ku vijnë personalitete botërore. Shqipëria është një zonjë me halle por ka dhe emra që e kanë nderuar në botë.

Jashtë të qenit artist i madh, çfarë pasioni tjetër keni?

Kam merak shumë peshkimin, e kam pasion të madh. Jam me fat se kam edhe disa miq që kanë disa motobarka, e dal me ta për peshk. I kam të gjitha mjetet e peshkimit dhe dal shpesh. Kjo nuk është risi për artistët shqiptarë; shumë artistë e kanë pasion, aty gjejnë prehjen dhe qetësinë shpirtërore. Jam vetëm unë, deti dhe peshku. Mendon se peshkun e ke afër bregut dhe je në një lojë se kush është mashtruesi më i madh, ti që je lart apo peshku.

Bashkëshortja juaj, nga cila fushë vjen?

Anila, bashkëshortja ime, ka mbaruar studimet për koreografi, por, tashmë, merret me një organizatë joqeveritare, sepse unë kam dhe momën në shtëpi, nënën time 94-vjeçare, nënë Deten. Djali im do më bëjë gjysh në qershor dhe mezi po e presim. Kam edhe një vajzë që po mbaron studimet për informatikë. E kam pikë të dobët.

Të pëlqen që do të të thërrasin gjysh?

Shumë, është dekoratë e Zotit!

Ju shquheni që kujdeseni për pamjen tuaj. Merreni shumë me veten?

Mendoj që për profesionin që kemi duhet të jemi të kujdesshëm. Jam merakli për gardërobën, nuk jam pas veshjeve të firmës por siç thotë një miku im, jam tradicionalo-klasik. Se unë edhe në shtëpi kështu jam, dukem modern por jam shumë tradicional. Kujdesem shumë për ushqimin, pazarin e bëj vetë. Moma më thotë që i kam ngjarë gjyshit, një tregtar me emër në Krujë. Përpiqem të bëj kujdes në ushqim dhe stërvitem në shtëpi gjysmë ore çdo ditë.

Ka miqësi në art? Keni ju miq në punën tuaj?

Cilido nga ne ka nevojë për një mbështetje. Do të përmendja familjen time që më kanë mbështetur shumë, “Artistin e popullit” Gaqo Cako, i cili më ka dhënë drejtimin e jetës, profesor Ibrahim Madhin, prof. dok Isak Shehun dhe Suzana Frashrin. Këta kanë qenë mbështetësit dhe miqtë e mi më të mirë në jetë. Ne në jetë duhet të jemi mirënjohës, gjithmonë. Këtë eksperiencë jete mundohem tua transmetoj edhe studentëve të mi, duhet të jemi mirënjohës për udhërrëfyesit tanë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: