EJANI TË LOZIM LUFTASH! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

EJANI TË LOZIM LUFTASH! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Në dekadat e errëta të komunizëm-socializmit kishim disa lojëra të preferuara, ishim një minimaket i së tërës, luanim luftash duke ulëritur “bababammmm” nëpër qoshe pallatesh ose luanim luftash, në një skenar më të gjerë, duke u përgatitur të ishim heronj të paepur kur “armiqtë tanë revizionistë e imperialistë” të na sulmonim se pa ne nuk bënin dot. Pra jemi rritur me këtë lojë luftash në fëmijëri e “aktorë” të pavetëdijshëm në një lojë luftash që na rrinte mbi kokë që të na mbante të shtypur por krenarë si pak të tjerë.

Përfundimisht një rrjedhje kolektivi e trurit, do ta quaja pa frikë, sepse kolektivisht bënim sikur nuk kuptonim asgjë, e fryheshim si gjela, ndërkohë që as një ide nuk kishim se çfarë bëhej përtej detit e jo më përtej oqeanit.

U ndërruan motet por ndalesh e kupton se nuk ka ndërruar aspak mënyra jonë sjelljes dhe mendimit.

Hamë bukë e politikë por pavarësisht se e nuhasim ose e përflasim ndër nesh se tashmë nuk ka të djathtë e të majtë, përsëri shikojmë filma me ngjyra se si, edhe sot, që Lufta e Ftohtë ka mbaruar, se ajo e nxehta po se po, ata që vendosin për ne bëjnë ligje ose kërkojnë t’i korrigjojnë ato, në të vërtetë “luajnë luftash” për kokërr të qejfit.

Nën petkun e një “politike perëndimore” me kode e etike dhe tone të zbehta, ndasitë që në fakt janë thelbi i demokracisë janë përzierë keqas dhe në thelb, demokraci nuk ka më. Politika është bërë një hibridizim e duke qenë se skeleti i saj është karakteri njerëzor, politika shqiptare nuk ka më skelet, as gjak, as adrenalinë. Është një makineri kibernetike që, sipas komandës nevrikoset si Spartakus ose ëmbëlsohet si një Geisha. Shahen me libër shtëpie, rrihen, kapen nga xhaketa, përfyten, goditen, godasin, nga mesi e lart, nga mesi e poshtë, e mjafton një ceremoni ose një festë e ja ku puthen turkçe, gushë më gushë, me një aktrim brilant kollaresh e kamishash me iniciale, parfumesh franceze dhe celularësh me shumë sms.

Për sa kohë që je një entitet që bën sikur nuk sheh e nuk kupton, je ok, je pjesë e “lojës luftash”, por nëse ndiesh i neveritur sepse je kthjelluar, kthehesh në metal të rëndë që duhet rifarkëtuar.

Por ndërkohë, edhe pse me rezerva në blerje e shitje, e vetmja që sot “nuk bën dashuri me armikun” është VOTA. Shpresa e fundit që mbetet për të treguar se ka ende burra që nëse shajnë e ngrenë grushtin, i qëndrojnë deri në fund.

Kollaret e politikës mbeten më pak në numër e numrat janë gjithmonë të frikshëm. Ata janë fluidë, ata mund të ndryshojnë, mund të të përmbysin, mund të të lënë pa para, pa prestigj, pa mburojë.

Ja që nuk ka ndryshuar shumëçka, “loja luftash” vazhdon, pret terezinë e tranzicionit të pushteteve, përdor median për hartim skenarësh, me një grup ushtarësh të mirë që stërviten për një luftë imagjinare por që po lodhen e po pakësohen në numër, çdo ditë.

Nga një politikë “rrok”, kjo shqipoja, është tashmë një politikë “tallava”. Që në ekran përleshet e pas telefonit këndon: “Më do apo s’më do?”....”Të dua po mos trego!”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: