BETEJA MEDIATIKE PËR KAMPET E ISIS – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

BETEJA MEDIATIKE PËR KAMPET E ISIS – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kryeministri Rama përgënjeshtroi zërat se në Shqipëri do të ngrihet një kamp për ish-luftëtarët e ISSIS-it që kanë luftuar në Irak e Siri, të cilët do të grumbullohen në një vend jashtë BE-së. Duke i quajtur fantazi lajmet e përhapura, ndonëse për këtë kanë shkruar dhe media të rëndësishme europiane. Në fakt, në Shqipëri nuk ka patur shumë hapësirë për këtë lajm. Përjashto përcjelljen e artikujve nga gazetat ndërkombëtare për këtë çështje nga portale të caktuara, nuk ka patur ndonjë analizë ose thellim mbi çështjen, duke kontaktuar me autoritetet përkatëse zyrtare.

Por çështja nuk është e re. Rreth dy muaj më parë, ndërsa më së shumti trajtohej mbi ngritjen e kampit të ri të muxhahedinëve iranianë që janë instaluar në Shqipëri, është folur se, në zërat e shpenzimeve përfshihej dhe ngritja e një kampi tjetër diku në rrethin e Krujës. Lidhur më këtë, por pa konfirmime zyrtare, është folur se do të përdoreshin për ngritjen e një kampi ku do të strehoheshin familjet e ish-luftëtarëve të ISIS-it. Në kushtet kur këta tërhoqën në Siri dhe Irak dhe familjet e tyre në territoret e pushtuara, pas avancimit të forcave që luftuan ISIS-in, këto familje mbetën atje të izoluara. Dhe për këtë arsye, mund të konsiderohej i arësyeshëm se ka një vendim që këto familje të grumbulloheshin në një kamp të caktuar jashtë zonës së luftimeve. Gjithsesi, në atë kohë nuk është folur se në këtë instalacion do të përfshiheshin dhe vetë ish-luftëtarët. Gjithsesi, ky lajm që anashkaloi dhe nuk u bë dot kurrë titull kryesor, u harrua e nuk u kujtua më njeri.

Deri sa të trajtohet sërish lajmi i një kampi që lidhet me luftën në Lindjen e Mesme, lëvizën të tjera ujëra. Në raportet nga Departamenti i Shtetit si dhe nga CIA, ndërsa flitej për Shqipërinë, përmendej se në vend ekziston dhe "rreziku nga ekstremizmi". Në fakt, për herë të parë nuk cilësohet qartë se për çfarë lloj ekstremizmi bëhet fjalë, për atë mbi baza fetare apo të ndonjë lloji tjetër, kur në vende të tjera mund të ketë dhe ekstremizëm etnik për shembull. Kjo frazeologji e rrezikut nga ekstremizmi, nisi më tej të artikulohet dhe nga zyrtarë të BE-së, por edhe në disa prononcime të zyrtarëve shqiptarë. Ashtu siç nisi të këtë më vëmendje dhe çështja e refugjatëve që vijnë nga zona e luftimeve dhe që mund të krijojnë një korridor kalimi dhe nëpërmjet territorit shqiptar. Deri në këtë kohë, me përjashtim të rasteve sporadike të kalimit të ndonjë grupi të rrallë sirianësh nga kufiri me Greqinë, raportimet nuk kishin ngritur ndonjë situatë alarmi për këtë çështje.

Për këtë problem, kryeministri Rama vizitoi dhe Vjenën ku, në prani të presidentit të Austrisë, së bashku me liderë të tjerë të rajonit, patën në vëmendje pikërisht çështjen e refugjatëve dhe mënyrën se si mund të akomodoheshin, pa u dhënë mundësi të vijonin drejt kufijve të vendeve të BE-së. Menjëherë pas kësaj, në Tiranë mbahet një konferencë me temë "Kundër Ekstremizmit", ku të ftuar përveç kryeministrit të Bullgarisë, ishin dhe Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, si dhe Princi Jordanez. Këto dy vende, si dhe vende të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme, e kanë të sanksionuar me ligj që, ish-qytetarët e tyre që kanë marrë pjesë në luftimet në favor të ISIS-it, u ndalohet hyrja në atdheun e tyre të origjinës dhe në rast se kapen aty, dënohen me burg.

Menjëherë pas këtij takimi, në media të huaja gjeti vend lajmi për ngritjen e një kampi që do të mirëpriste në Shqipëri, ish-pjesëmarrës të luftës në Lindjen e Mesme e që kanë kontribuar në radhët e ISIS-it. Dhe ç’është e vërteta, lajmi përcillet me këmbëngulje, pavarësisht mohimit që i ka bërë pala shqiptare. Sidoqoftë, kjo nuk e pengoi opozitën të deklarojë se vendi po bëhet një kosh mbeturinash të ISIS-it, dhe se për këtë çështje duhet të vendosë Parlamenti dhe jo të mbetet me një vendim qeverie.

Kronologjia e deklaratave dhe e qëndrimeve të bën të mendosh se, diçka po ndodh. Por ka një ndryshim thelbësor në rastin e ngritjes së kampeve për refugjatët dhe kampeve për ish-luftëtarët e huaj të cilët kanë qenë në Lindjen e Mesme. Deri më tani, ideja e kampit për ish- luftëtarët është mohuar. Vetë kryeministri Rama, ndërsa flet për ngritjen e një qendre kundër ekstremizmit në Shqipëri, shpjegon se kjo është së pari një qendër studimore, programesh, analizash e ndërveprimi, porse nuk ka të bëjë me kampe me grumbullime njerëzore. Në qoftë vetëm kaq, e gjithë zhurma që ngrihet për kampe në Shqipëri, i bie të jetë një flluskë. Sidoqoftë, përderisa për këto çështje nuk ka ende transparencë dhe bashkë dakordësi, opozita do të bëjë punën e saj e dikush tjetër do të tund kokën në qejf të vet!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: