SISTEMI PO LËSHOHET – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

SISTEMI PO LËSHOHET – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tronditja ka nisur prej kohësh. Ka ndodhur që në momentin kur pothuaj dy vite më parë, një parlament i cili në mes tij kishte dhe të dënuar e kriminelë, u detyrua që të votonte në unanimitet ndryshimin e kushtetutës dhe forcimin e ligjit për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Padyshim që edhe në atë kohë, votimi nuk u bë me dëshirë, por me një presion të jashtëzakonshëm nga investuesit e procesit; faktorit ndërkombëtar. Nëse tronditja ka nisur në atë kohë, krisja ka filluar të japë efekt tani. Krisje e një sistemi të çmendur, ku lidhja midis politikës dhe krimit ishte një lidhje betoni e përforcuar. Dhe në këtë aspekt, nuk ka anësi dhe kahe. Pasi edhe rreshtimet e grupet e interesit ishin në varësi të situatave. Dhe nëse po zgjatet kaq shumë procesi, janë pikërisht lidhjet e interesat e përbashkëta, të cilat nuk kanë bërë të mundur që ligjet e ndryshuara të fillojnë efektet e tyre dhe institucionet e reja të drejtësisë të kishin nisur ndërkohë procesin e pastrimit: Të vetes, të politikës dhe të shoqërisë.

U bë kaq muaj që çështja kryesore, e cila ka marrë vëmendjen ka qenë ajo ndaj ish-ministrit Tahiri. Nuk ka patur asnjë raportim, të paktën mediatikisht, për avancim të saj, përveç faktit që pas dorëheqjes nga mandati i deputetit ka kaluar me arrest shtëpiak. Ndërkohë, saga e sulmeve të opozitës ndaj ministrit të Brendshëm aktual Xhafaj, ka kulmuar dje me nxjerrjen e një përgjimi me protagonist vëllain e tij. Ndërkohë, në drejtësi vijon vetingu për gjykatës e prokurorë dhe deri më tani, shumica nuk e ka kaluar dot provimin për justifikimin e pasurisë. Më tej, vijohet me pezullimin e çiftit të prokurorëve Gashi- Gina, të cilët janë nën hetim për deklaratë të rreme në deklarimin e pasurisë, proces ky që i penalizon nga ushtrimi i detyrës. Por duket se nuk do të mbarojë me kaq. Prej ditësh, quhet si fakt i kryer që është gati fleta e arrestit për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Së pari, duhet që të shprehet komisioni i verifikimit lidhur me objektin e hetimit të pasurisë së tij dhe më pas, prokuroria do të procedojë me lëshimin e masës së arrestit, pavarësisht se ish-kryeprokurori ndodhet në Gjermani për kurim.

Duke qenë hetime të hapura ndaj personave të tillë publikë dhe zyrtarësh të lartë, natyrisht që këto kanë marrë vëmendjen kryesore. Por panorama e hetimeve duket më e gjerë. Sipas raportimeve, gjatë këtyre viteve janë qindra dosje, të cilat prokuroria nuk i ka ndjekur dhe në to përfshihen politikanë, zyrtarë të lartë, por dhe biznese VIP që kanë abuzuar me taksat e tatimet. Nëse e shohim nga një këndvështrim më i gjerë pra, situata është që s’di nga ta kapësh më parë. Dhe kjo thjesht në aspektin e institucionit të akuzës. Pasi në pasojat që mund të sjellë në jetën politike, këtë ende nuk mund ta themi me siguri.

E veçanta në këtë trafik të madh dosjesh ndaj njerëzve me pushtet, në këtë lumë akuzash për lidhje me krimin që vijnë nga të dyja anët e politikës, apo dhe në babëzinë për përfitim të bizneseve të caktuara, është se nuk kemi institucione të drejtësisë që mund ta përballojnë këtë fluks. Pas dy vjetësh që kemi një kushtetutë të re dhe kur afatet ishin që deri një vit më parë të kishim prokurori dhe gjykata të reja, gjithçka ende vijon të konsumohet me ligjet e vjetra dhe me institucione të cilat kanë dalë jashtë afateve ligjore. Duke shtuar këtu dhe faktin që shumica e gjykatësve dhe prokurorëve, merakun kryesor kanë sesi të kalojnë vetingun dhe jo të bëjnë punën e tyre, gjendja është në kolaps. Në drejtësi, sot mbizotëron frika e të ardhmes dhe jo profesionalizmi për të ushtruar drejtësi. Dhe kjo ndodh po për faj të politikës, që ka penguar rrjedhjen normale drejt institucioneve të reja dhe zbatimin e reformës në drejtësi.

Sidoqoftë, pengesat në drejtësi duket se po kthehen në boomerang për vetë politikën, përderisa paniku ka përfshirë dhe vetë atë për të ardhmen e vet. Nëse po shohim shumë zhvillime vjen jo vetëm pse një pjesë e anijes po fut ujë, por dhe po bëhet një luftë e ashpër për t’ua ngecur kundërshtarëve se kush duhet të paguajë faturën e dëmeve. Gjithsesi, ndërsa lufta midis tyre ende është në vijim, do të kemi të tjera të reja të bujshme. Krisja e sistemit diku do lëshohet më keq dhe diga do të çahet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: