SHBA-NATO, thirrje për formimin e qeverisë së re në Maqedoni

SHBA-NATO, thirrje për formimin e qeverisë së re në Maqedoni
Ambasadori i SHBA-së dhe zyra e NATO-s në Shkup kanë bërë thirrje për zgjidhjen e shpejtë të krizës institucionale në Maqedoni përmes respektimit të shumicës së re parlamentare dhe formimin e qeverisë së re.

Ambasadori amerikan, Jess Baily edhe njëherë ka inkurajuar presidentin Gjorge Ivanov që ta zhbllokojë formimin e qeverisë së re, duke thënë se respektimi i parimeve demokratike dhe zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës janë rruga e vetme që shpien vendin drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

“Ju keni Parlament ku mund të diskutohet për të gjitha çështjet. Por, me rëndësi është që të vazhdohet edhe me procesin e formimit të qeverisë... Po presim që vendi t’i përmbush të gjitha kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos. Kuvendi ka filluar me punë, shumica parlamentare është formuar dhe mendojmë se nuk është në pajtueshmëri me parimet demokratike dhe Kushtetutën mos lejimi i procesit të formimi i qeverisë”, ka thënë ambasadori amerikan, Jess Baily, duke shtuar se bllokimi i mëtejmë i formimit të institucioneve do të ketë pasoja mbi vendin dhe qytetarët e tij.

“Nëse kjo nuk ndodhë, kjo do të thotë se ka ngecje, nuk mund të sillen vendimet, projekte që nuk do të përfundojnë dhe në fund qytetarët duhet të vendosin nëse kjo është ajo që duhet të bëjnë Parlamenti dhe liderët e tyre politikë”, ka theksuar Baily.

Edhe Aleanca Veri Atlantike pret respektimin e shumicës parlamentare. Kreu i zyrës së NATO-s në Shkup, Gorazd Bartol, gjithashtu kërkoi shmangien e retorikës nacionaliste dhe veprimeve që cenojnë marrëdhëniet ndëretnike.

“Të gjithë liderët politik duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje të shpejtë për zhbllokimin e procesit dhe formimin e shpejtë të një qeverie funksionale dhe efektive, e gatshme të zbatojë reformat urgjente prioritare. Aleanca dhe Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu i bënë thirrje të gjitha partive t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet ndëretnike”, ka deklaruar Bartol. /e.a/

 

Kriza qeveritare është bllokuar në Kuvend nga VMRO DPMNE-ja, e cila përmes ndërhyrjeve procedurale me fjalime ‘maratonë’ të deputetëve të saj, tani e shtatë ditë, po pamundëson zgjedhjen e Talat Xhaferit nga BDI-ja për kryetar të ri të Kuvendit nga radhët e shumicës së re parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: