Zgjedhjet shpallin kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti: Erdhi dita!

Zgjedhjet shpallin kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti: Erdhi dita!
Në Prishtinë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka vazhduar me numërimin e votave për zgjedhjet e 6 tetorit.

Nga 96,07% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me një diferencë prej rreth 0.7 pikësh të përqindjes ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LVV momentalisht ka 25,77% ,  në krahasim me 25,08% të LDK-së.

PDK-ja vazhdon të mbetet partia e tretë me 21,17% të votave, e duket se rezultati nuk mund të përmbyset.

Po sot pritet mbyllja dhe shpallja zyrtare e rezultateve.

Në vend të katërt po ashtu i pandryshuar mbetet koalicioni AAK-PSD me 11,63%.

Pas tyre është Lista Serbe me 6,20% dhe i fundit, që rrezikon pragun zgjedhor, është koalicioni Nisma Socialdemokrate - Aleanca Kosova e Re - Partia e Drejtësisë me 4,92%.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pret të marrë postin e kryeministrit, falenderoi të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët morën pjesë në këto votime.

Në postimi ai shkruan gjithashtu se qytetarët folën me votën e tyre, ndërhyn në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Partia e Albin Kurtit pritet të formojë qeverinë e re, në koalicion me LDK-në.

Postimi i plotë i kryetarit të LV-së, Albin Kurti:

“Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë.

Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.

Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua. Sepse: Erdhi dita!”/Afp.al/

loading...
loading...