Vjosa Osmani pranon koalicionin me Albin Kurtin kryeministër: LDK-VV ka shumë sfida para vetes

Vjosa Osmani pranon koalicionin me Albin Kurtin kryeministër: LDK-VV ka shumë sfida para vetes
Pas numërimit të votave, LDK-ja doli forca e dytë politike pas Lëvizjes Vetëvendosje, me një diferencë shumë të ngushtë votash.

Pritej koalicioni për dy partitë fituese, por më parë duhej zgjidhur ngërçi pasi posti i kryeministrit i takon partisë fituese dhe me konfirmimin që vjen nga Vjosa Osmani, nuk ka më asnjë dyshim. "Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës", theksoi Vjosa Osmani, duke konfirmuar kështu arritjen e marrëveshjes me Kurtin. Mbetet që të krijohet qeveria e re dhe ndarja e ministrive.

Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre, pas zgjedhjeve dha mesazhin, duke e cilësuar rezultatin më të mirë që nga viti 2004. Në rast se dy partitë më të votuara në Kosovë nuk do të krijojnë një koalicion, Albin Kurti ka paralajmëruar së Kosova mund të futet sërish në zgjedhje.

Reagimi i plotë i Vjosa Osmanit:

"Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e vendit tim. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë."

"Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen. I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim."

" Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku".

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj për vendin tim pavarësisht se ku jam.

Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund! E juaja, Vjosa

/Afp.al

loading...
loading...