Rudina Hajdari: Nuk jam ushqyer me bukën e kalbur që të dua partinë përpara vendit tim

Rudina Hajdari: Nuk jam ushqyer me bukën e kalbur që të dua partinë përpara vendit tim
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, në fjalën që mbajti sot në Kuvend, mbi Projektrezolutën "Për Çeljen e Negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian", tregoi ndër të tjera edhe arsyet pse vendosi të mos i përgjigjet thirrjes së Partisë Demokratike, për të djegur mandatin.

"Nuk do punoj asnjë ditë të vetme kundër përparimit të Shqipërisë, premtoi ajo.

"Dua të mbahem mend se edhe pse jam në opozitë," tha Rudina Hajdari, ndër të tjera në foltoren e Kuvendit.

"Që në momentin që u vendosa në listën e Partisë Demokratike, kam patur vetëm një synim, dhe nuk kam lëvizur asnjë centimetër nga ky synim dhe as nuk kam ndërmend të bëj kompromis në lidhje me këtë fakt", theksoi ajo.

"Arsyeja se pse i jam futur politikës dhe do vazhdoj të qëndroj në politikë, për aq kohë sa më jepet mundësia, është pikërisht për të shtyrë axhendën tonë Evropiane, dhe për të çuar përpara ëndrrën e vetme të Shqiptarëve".

Fjala e plotë e Rudina Hajdarit

Çdo hap që kam bërë deri më sot e kam bërë me këtë idealizëm në mendje dhe asgjë tjetër…

Vendimi final për çeljen e negociatave nuk është fitore për partitë apo kryetarët e partive. Qëllimi për të futur Shqipërinë në Bashkimin Evorpian është një interes që shkon përtej partive dhe individëve. Nuk është ushqim për militantët për të lavdëruar veten apo për të hedhur baltë mbi kundërshtarin.

E vërteta është se ky mentalitet dritëshkurtër, militantesk, ka prodhuar kriza të vazhdueshme dhe Shqipëria e ka pësuar, duke zvarritur të gjitha proceset e nevojshme për zhvillimin e vendit.

Është pikërisht kjo elitë politike, që ka mbjellur pesimizëm duke bllokuar transformimin e Shqipërisë.

Kolegët e mi të opozitës, gjithashtu ndihen po aq patriotë dhe të ndershëm që të thonë se reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore janë dy nga reformat që u mbajtën në këmbë pikërisht se qëndruam në Parlament.

Ne do të jemi opozita e parë e këtij vendi, që në 30 vitet e tranzicionit vendosëm vendin përpara interesit partiak. Ne jemi rebelët e parë të këtij sistemi të kalbur që ka skllavëruar shqiptarët pas partive dhe ka mbytur besimin dhe shpresën te vota e lirë dhe te e ardhmja evropiane e vendit.

Jam krenare që jam nismëtare e kësaj rezolute bashkarisht me kolegët e Kuvendit, që ne t’i cojmë përpara detyrat tona deri në fund si atdhetarë në radhë të parë, duke vendosur interesin e vendit mbi çdo gjë tjetër.

Nuk do punoj asnjë ditë të vetme kundër përparimit të Shqipërisë, nuk do punoj asnjë ditë të vetme që të mbaj zvarrë vendin dhe t’ja lë pushtetin atyre që e kanë shkatërruar deri më sot. Beteja do jetë e vështirë, por jo e pamundur.

Sistemi i tanishëm është sistemi i atyre që e kanë shkatërruar Shqipërinë me luftra politike të ashpra, që e kanë përdorur këtë sistem për të akumuluar pushtet dhe para për interesin personal. Ky sistem është shfrytëzuar dhe keqpërdorur deri në fund nga kryetarët e partive.

Ne nuk do ndalemi asnjë ditë së thënuri, që ky është sistemi më i keq që ka njohur Shqipëria, edhe ndonëse kanë ardhur më shumë gra në Parlament nga ky sistem, demokracia e vendit është varfëruar, dhe ne nuk mund t’i shërbejmë më këtij qëllimi.

Të nderuar kolegë,

Dua të mbahem mend se edhe pse jam në opozitë, luftova për çeljen e negociatave, edhe pse jam në opozitë dua të sjell një shembull të ri të një gruaje që lufton edhe përballë një shoqërie maskiliste për të bërë diferencën përballë atyre që nuk e duan progresin e Shqipërisë dhe progresin e shoqërisë Shqiptare.

Edhe pse jam në opozitë, dua që Shqipëria të këtë mundësitë por dhe realizimet e projekteve që sjellin zhvillim ekonomik, e mirëqënie në shoqëri.

Unë nuk jam ushqyer me bukën e kalbur që të dua partinë përpara vendit tim.

Prandaj, pritshmëria ime është për një vendim final pozitiv për Shqipërinë, por të kushtëzuar.

Një vlerësim negativ për Shqipërinë, do t’i shtynte shanset tona së paku 3-4 vite, ndërkohë që brenda vendit keqqeverisja si model do të mbetej e paprekshme, ndërsa vala e pesimizmit mund të ekstremizohet dhe të kthehet pjesërisht në një investim anti-evropian dhe anti-amerikan.

Me datë 26 Shtator, Parlamenti gjerman mori një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë, me 9 kushte ndërsa me Maqedoninë e Veriut pas një asnjë kusht. Presim që do të ketë një vendim edhe nga shtete që ende nuk kanë një pozicion të përcaktuar, si Franca, Holanda, Danimarka dhe Greqia.

E vërteta është që vendimi duhej të merrej që prej vitit 2017, por problemet tona të brendshme e shtynë për në Qershor të 2018 dhe më pas për në Tetor 2019.

Nga viti 2018 dhe deri tani, në aspektin e demokracisë funksionale, Shqipëria ka bërë hapa pas, - dështoi me zgjedhjet lokale, ka rritje të raportimeve për shkelje të të drejtave të njeriut, ka presion mbi median, si dhe ka një opozitë të gjymtuar që sillet në menyrë desktruktive dhe jashtë institucioneve përfaqësuese.

Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe ka patur progres të lehtë në ecurinë e Vettingut në drejtësi, krijimin e KLP, KLGj, KED dhe ecurisë drejt kuorumit në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ka ende rezultate reale në luftën ndaj korrupsionit.

Dënimi i vetëm i bërë si maskim i një dënimi të një zyrtari të lartë, ishte dështim përballë një realiteti të hidhur të viteve të fundit, ku rritja e grupeve kriminale në valën e mbjelljes së kanabisit 2015-2017, që në fakt kanë ndikuar negativisht në ekonomi dhe në tregun konkurrues dhe perspektivën Evropiane, ka mbetur pa autor dhe përgjegjës.

Si anëtare e këtij Kuvendi, me shumë keqardhje më duhet të pranoj se përballë shtatë kritereve caktuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian në 2018, ne akoma marrim notë jo kaluese.

Si qytetare e di, dhe gjithashtu e pranoj se vendimmarrje të tilla nuk janë statike dhe se midis të gjitha opsioneve, më shumë “Europë” në Shqipëri do të na bënte mirë të gjithëve, përfshirë forcimit të demokracisë dhe stabilitetit në rajon.

Ndaj, pritshmëria jonë është për një vendim final pozitiv për Shqipërinë. Bashkimi Evropian, sidomos Holanda e Franca, duket se midis pritjes pa datë për kohën kur Shqipëria do të mund të bëjë progres në kushtet që u vendosën në takimin e Këshillit të BE-së në 2018, dhe midis një vendimmarrjeje mbështetëse gjeopolitike në “paketë” me Maqedoninë e Veriut, do të zgjedhin këtë të fundit.

Prandaj kam bindjen se një vendim pozitiv ndaj Shqipërisë nuk do të ishte shpërblim për qeverinë e ministrave dhe zyrtarëve të lartë.

Gjithashtu, një vendim negativ nuk do të ishte as sukses për një pjesë të opozitës, e cila ende nuk është e qartë se çfarë do të arrijë.

Cilado të jetë vendimarrja, ajo do të jetë një humbje apo fitore për të gjithë.

Vendimi pozitiv, në çdo formë e përmbajtje, është e do të jetë lajm i mirë për shoqërinë dhe qytetarët, një shpërblim për mbështetjen e madhe pro perëndimore dhe për miratimin e Reformës në Drejtësi, një korrektim i strategjisë së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, një shans për ndryshime të forta në sistëm, një ftesë për mbi 70% të atyre që duan të largohen sidomos për të rinjtë, për të mos e braktisur vendin dhe një sinjal për të pasur një perspektivë të pastër evropiane për Shqipërinë.

Vendimi pozitiv do të ishte dhe në interes të Kosovës, si dhe një investim kundër rritjes së influencës dhe prezencave të tjera jo perëndimore në Shqipëri.

Për më tepër, vendimi pozitiv do të ishte një mundësi më e mirë për të rritur monitorimin dhe llogaridhënien mbi qeverisjen.

Vendimi pozitiv do të ishte për më shumë Bruksel dhe Europë në Tiranë, për shumë respektim për zërat kritikë të qytetarëve dhe për një standard të ri drejt shtetit të së drejtës dhe të demokracisë funksionale.

Vendim pozitiv do të thotë më shumë bashkëpunim me “Brukselin” dhe praninë e tij në Tiranë, e aq më të lirë do të jemi e ndihemi nga cilido që e sheh, e trajton dhe e sundon Shqipërinë si pronë private, familjare apo partiake.

Politika e viteve të fundit ka bërë gjithçka për ta pamundësuar integrimin, për të penguar rritjen e prezencës së investimeve perëndimore në Tiranë dhe për të pasur liri pa kufi në sjelljen e tyre abuzive, korruptive dhe kriminale.

Por sot më në fund, asnjëra palë politike, as qeveria dhe as opozita jashtë Parlamentit, nuk mund ta pengojnë më dhe as ta dëmtojnë vendimmarrjen e Bashkimit Evropian, për sa kohë nuk janë partnerë të besueshëm dhe nuk kanë ndonjë ide reformatore dhe as ndjenjë apo sens përgjegjësie për gjendjen që është vendi sot.

Me QEVERI por PA qeverisje reale, me opozitë por pa alternativë reale për mirëqeverisje, - kanë sjellur vetëm vendime të imponuara nga një klasë politike e paaftë të sjellë ndryshim dhe e pashpresë për të frymëzuar. Dhe si e tillë, nuk do të sjellë asnjëherë progres dhe stabilitet afatgjatë.

Eksperimenti me qeverisje të një partie dhe ai me dorëzim mandatesh, - ishte unik për tranzicionion tonë, por EDHE aq unik u bë mllefi personal i palëve drejt krizës së radhës politike, duke dalur hapur kundër interesit publik dhe parimeve bazë demokratike.

Zgjidhja sot vjen nga kjo opozitë në Parlament, që është gati t’i thotë po kësaj rezolute dhe shpreh gadishmërinë jo vetëm për kryerjen e reformave të nevojshme, por mban peshën e një detyrimi moral për të pastruar një herë e mirë politikën nga ata që e kanë mbajtur peng progresin e vendit."/Afp.al/

loading...
loading...