
Kryeministri shqiptar u bëri thirrje kundërshtarëve politikë që të distancohen nga “nevoja e përditshme për të prodhuar sherr”. “Është me rëndësi, që të gjithë të përpiqemi ta nxjerrim debatin për Evropën dhe ecurinë tonë në raport me Evropën, nga sherri i përditshëm dhe nevoja e përditshme për të prodhuar sherr, duke u përpjekur të fajësojmë njëri-tjetrin, duke gënjyer veten dhe shqiptarët, pasi çështja është shumë më e gjerë dhe thelbi është shumë më i thellë se sa ndërveprimi mes nesh dhe gjithë akuzave të ndërsjella për kush e ka fajin? Pse nuk po ndodh?” pyeti Rama.
“Sot, cilido nga vendet e Bashkimit Evropian që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin që të kërkonte të futej në BE, nuk do të futej dot. E madje vendet që ishin në BE para rënies së komunizmit nuk do të futeshin dot në BE, sepse BE sot është në një debat të brendshëm, i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin, por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në një pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur dhe atyre që predikojnë perspektivën e zgjerimit, por që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhet fare as me argumentet e përdorura këtu për politikë të brendshme, as me Shqipërinë apo Ballkanin perëndimor. Shqipëria sot, është shumë më gati, për të hapur negociatat, se sa kanë qenë të gjitha vendet e tjera për të hapur negociatat. Sepse, procesi për çuarjen drejt hapjes së negociatave është bërë shumë më kërkues. Pikëpyetja është sa dhe si, Franca do t’ia adresojë këtë kërkesë Shqipërisë. Shqipëria sot, në raport me momentin kur mori statusin e vendit kandidat, është ku e ku”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama.
Rama i është përgjigjur edhe Lulzim Bashës duke thënë se opozita jashtë parlamentit nuk është në pozitat për të vënë kushte. Sipas tij reforma zgjedhore duhet bërë urgjentisht dhe mbi bazën e rekomandimeve të OSBE ODIHR.
Ndërsa, për kryetaren e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari, është kreu i qeverisë ai që duhet ‘të hapë krahun’ dhe të ndryshojë sistemin zgjedhor.