Partitë në Kosovë nuk lejohen të shpenzojnë më shumë se 1 milion euro për fushatën elektorale

Partitë në Kosovë nuk lejohen të shpenzojnë më shumë se 1 milion euro për fushatën elektorale
Rreth një milion euro është shuma që iu lejohet subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të shpenzojnë për fushatën zgjedhore, e cila ka nisur më 25 shtator.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se kjo vlerë mund të jetë disa herë më e lartë, pasi disa nga subjektet politike, e kanë mbajtur të fshehte si shifrën e shpenzimeve, ashtu edhe mënyrën e financimit të fushatës.

Sipas ligjit për financimin e partive politike, burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhen nga financimi publik përmes buxhetit të Republikës së Kosovës.

Shuma e mjeteve buxhetore, dedikuar fondit për mbështetjen e subjekteve politike, nuk mund të kalojë 0,17 për qind të buxhetit të Kosovës dhe donacionet e tjera. Kurse në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton maksimumin e shpenzimeve të fushatës, që bazohet në numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e votuesve.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ, tha se institucioni, duke u mbështetur në listën paraprake të votuesve, ka ardhur në përfundim që maksimumi i shpenzimeve për secilën parti të jetë 986 mijë euro. Në KQZ janë certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti, 4 koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Bazuar në shifrat e lejuara të shpenzimeve, del se të gjitha subjektet së bashku, gjatë 10 ditëve të fushatës do shpenzojnë rreth 25 milionë euro.

Në bazë të ligjit, subjektet politike që veprojnë në Kosovë, nuk mund shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues.

Numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime. Por, që sipas shoqërisë civile, partitë politike vazhdimisht kanë tejkaluar shumën e parave për fushatë dhe shpenzojnë shuma të mëdha financiare.

Shpenzimet e partive politike, për shkak të mungesës së transparencës vazhdojnë të mbeten të mbyllura duke mos deklaruar saktë harxhimet.

Përveç Lëvizjes Vetëvendosje që ka pranuar të tregojë vlerën e pretenduar të shpenzimeve para dhe gjatë fushatës, asnjë parti tjetër, nuk ka qenë e gatshme të përgjigjet për shumën e ndarë.

Financimi transparent i partive politike është kërkesë e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian. Aty thuhet se transparenca e financimit të partive politike paraqet një përbërës thelbësor të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

loading...
loading...