Në Serbi shqiptarëve u mjafton vetëm karta e identitetit dhe anasjelltas, takimi i radhës në Ohër

Në Serbi shqiptarëve u mjafton vetëm karta e identitetit dhe anasjelltas, takimi i radhës në Ohër
Kryeministrat e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, vendet e të cilave aspirojnë integrimin në BE-së, kanë hedhur një hap historik në marrëdhëniet mes tyre, duke i treguar Europës se qytetarët e tyre janë gati të lëvizin lirshëm.

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku me presidentin e Serbisë kanë arritur në një dokument të përbashkët që, ashtu siç u tha në konferencën e Novi Sadit, do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Rama theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është më prioritet i Bashkimit Evropian, por kjo nuk duhet t’i pengojë tre shtetet që çojnë përpara agjendën e bashkëpunimit.

“S’ka ndryshim agjende në raport me partnerët ndërkombëtarë, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioritieti i tyrë është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar garantoi se në bashkëpunimin midis tre shteteve nuk ka asgjë të panjohur nga çfarë është diskutuar më parë edhe me shtetet e tjera të rajonit.

Aleksandar Vuçiç theksoi se synimi është që qytetarët e Serbisë dhe Shqipërisë të kalojnë kufirin vetëm me kartë identiteti dhe kjo pritet të arrihet deri në vitin 2021.

“Dokumenti që do të shihni bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, pasi qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe më pak papunësi. Qëllimi ynë është që të krijojmë mundësinë që deri në fund të 2021 të kalohet kufiri vetëm me kartë identiteti. Kamionët në Ballkanin Perëndimor humbasin 26 milionë orë pritje”, deklaroi Vuçiç.

Takimi i radhës midis tre shteteve do të zhvillohet më 10 nëntor, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe një muaj më pas liderët do të mblidhen në Shqipëri.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili do të jetë mikritësi i takimit të radhës, tha se marrëveshja e lëvizjes së lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor tregon ndryshimin e madh që ka pësuar rajoni. Ai shtoi se kjo nismë tregon se Ballkani nuk është më “fuçi baruti”.

“Kjo është një nismë që përcjell një mesazh: marrëdhëniet politike në Ballkan po përmirësohen. Nuk jemi më “fuçia e barutit” si në vitet 1800 jemi në shekullin XXI që i kushtohet përmirësimit të jetë ssë qytetarëve”, u shpreh Zaev.

Edhe pse në këtë takim mungonte Mali i Zi dhe sidomos Kosova, Zaev i bëri thirrje vendeve të tjera të rajonit që të bashkohen. “Më 10 nëntor do të kemi takimin tjetër dhe shpresojmë që të kemi diçka konkrete dhe të nënshkruajmë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve”, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut./Afp.al

loading...
loading...