
Të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, si dhe ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila mban një detyrë të lartë të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca tha se askush nuk e ndal reformimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
“Gjithçka ka të bëjë më drejtësinë, sepse ajo është themeli i demokracisë funksionale. BE ka qenë krenare dhe është krenare që ka punuar pa fund për të mbështetur Shqipërinë në reformën në drejtësi”.
“Reformat nuk ndodhin se pse i kërkojmë ne, por reformat kërkohen nga qytetarët. Asnjë ndryshimi themelor nuk ndodh brenda natës, por duhet të filloj diku”, tha Soreca.
Soreca u shpreh se askush nuk e ndal Reformën në Drejtësi, sepse ajo është e lidhur fuqishëm me të ardhmen e Shqipërisë në familjen e madhe Europiane dhe tha indirekt se bota perëndimore e di që populli shqiptar është pro kësaj reforme dhe çdo reforme tjetër që kërkojnë parnerët ndërkombëtarë.
“Reformën në dritësi shumë pak vende e kanë bërë dhe gjyqtarët e korruptuar janë jashtë sistemit të drejtësisë. Reforma në drejtësi, është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë. Ne presim krijimin e BKH dhe SPAK dhe detyra është që mos të këtë ngadalësim në këtë rrugëtim. Historia e reformës në drejtësia është një histori përkushtimi konsensusi mes palëve politike. Nuk ka demokraci pa drejtësi që mbron të drejtat e qytetarëve”- tha Soreca.
Për të dytin vit radhazi kjo konferencë e nivelit të lartë, sipas ministres Gjonaj, është tregues kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.
“Kjo konferencë rajonale e nivelit të lartë, e organizuar me inisiativën dhe mirëkuptimin tonë, pa mbikëqyrjen e zakonshme të institucioneve ndërkombëtare, mbart edhe një tjetër vlerë të rëndësishme”, tha Gjonaj.
“Është një sinjal pozitiv, një tregues mjaft kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive tona, të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, angazhimin për të bashkëpunuar edhe vetë në nivel rajonal me synimin për të çuar përpara me reformat për forcimin e shtetit të së drejtës edhe në funksion të integrimit evropian”, shtoi ajo.
Ministrja e Drejtësisë vuri theksin edhe te sfidat e rajonit për forcimin e shtetit të së drejtës.
“Vendet tona ndodhen sot përpara objektivave të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi vende që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Forcimi i shtetit të së drejtës qëndron në themel të demokracisë evropiane dhe kjo mbetet sfida kyç e vendeve tona, sfidë e rajonit tonë në përpjekjet për t’ju bashkuar familjes së madhe të bashkësisë europiane”, nënvizon ministrja e Drejtësisë.
Sa i takon Reformës në Drejtësi, ministrja solli në fokus interesin që kanë treguar disa nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të ndjekur shembullin e Shqipërisë.
“Ndjehem mirë t’ju informoj se reforma në drejtësi në vendin tim ka qenë mbresëlënëse dhe rezultatet e para pozitive justifikojnë plotësisht sfidat e vështira në rrugëtimin e gjatë, thuajse 5-vjeçar të inicimit, hartimit dhe zbatimit të saj. Jam e kënaqur tek shoh që shumë vende të tjera në rajon dhe jashtë tij, shohin tek kjo përvojë modelin për t’u replikuar si një përvojë pozitive”, theksoi Gjonaj në fjalën e saj. /Afp.al/