
Duke përfituar nga ky takim Malaj, tha për ish-presidentin Meidani, se nuk kemi të bëjmë vetëm me, "një personalitet njerëzor modest, por edhe me një politikan model për integritetin, karakterin e fortë dhe reputacionin publik maksimal, me të cilat i shërbeu Shqipërisë dhe Partisë Socialiste në momentet dhe sfidat më të vështira."
Malaj renditi më tej edhe figurat historike të PS-së, duke përfshirë edhe Kastriot Islamin dhe Ilir Metën, por duke lënë jashtë Edi Ramën, teksa bëri edhe lidhjen e tyre me ngjarjet e 14 Shtatorit 1998, kur PS-ja kishte vetëm një vit në pushtet.
"Qëndrimi dinjitoz në situatën e vështirë të 14 Shtatorit 1998, qëndrimet strikte shteteformuese gjatë mandatit si President por dhe kontributet e spikaturit modenizuese në PS së bashku me Nano, Pëllumbin, Agolli, Moikomin, Dokle, Ermelinden, Artën, Islamin, Hajdaragën, Angjelin, Maqon, Majkon, Metën, Zelën, Legisin dhe kolegë të tjerë, sidomos në rrethe, janë modele inspiruese për lidershipin e shqiptarëve", u shpreh Malaj, në mesazhin e tij.
"Një mirënjohje për ish-Presidentin Meidani edhe personale për inspirimin dhe mbështetjen e veçantë që më ka dhënë në angazhimet e mia jo vetëm politike", mbyll reagimin e tij Arben Malaj. /Afp.al/