Kosovë/ Votojnë Thaçi, Haradinaj, Kurti, Osmani, Veseli, Limaj dhe përfaqësuesi serb, shpresat për fitore

Kosovë/ Votojnë Thaçi, Haradinaj, Kurti, Osmani, Veseli, Limaj dhe përfaqësuesi serb, shpresat për fitore
Prej orës 7.00 të mëngjesit, në të gjithë Kosovën, janë hapur votimet për të gjithë qytetarët, ku deri tani janë shënuar edhe disa parregullsi të lehta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, në përjashtim të disave që janë vonuar për pak minuta. Komisioni i Zgjedhjeve për 41 ditë ka përfunduar të gjitha përgatitjet e duhura për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit. “Lista përfundimtare e Votuesve për Zgjedhjet e 11 qershorit përmban 1 milion e 872 mijë e 941 votues. Komision Qendror i Zgjedhjeve fton votuesit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, tha Elezi.

Politikanët më të rëndësishëm të Kosovës, si dhe kandidatë për postin e kryeministrit të vendit, kanë votuar thuajse të gjithë, duke dhënë edhe mesazhet e tyre.

Presidenti Hashim Thaçi: Ftoj qytetarët të votojnë për të ardhmen euroatlantike!

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka votuar sot në Prishtinë.

Pas votimit, Thaçi tha për mediat se, “i ftoj qytetarët që të votoj për të mirën e tyre, për të mirën e vendit të tyre, të votojnë për të ardhmen euroatlantike, të votojnë për një jetë më të mirë, për zhvillimi ekonomik, për mirëqenie”.

Edhe më parë në rrjete sociale ai kishte bërë ftesë për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe të ndershëm. “Sot le të fitojë Kosova”, ishte mesazhi që dha Presidenti Hashim Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj: Vetëm me votë ne vendosim vetë për Kosovën

Kreu i AAK, Ramush Haradinaj i është drejtuar kutive të votimeve i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të dalin në votime pa marrë parasysh bindjeve politike dhe përkatësisë etnike.

“Edhe ne votuam. I lus të gjithë qytetarët të votojnë. Vetëm me votë vendosim vetë. Është sukses për Kosovën një demokraci kaq e mirë", u shpreh Haradinaj. "Urime këto zgjedhje, urime të gjithëve. Jemi në proces të rëndësishëm. Të gjithë duhet të vendosim si është e drejta për vendin tonë. Ata që votojnë vendosin për fatin e tyre:, tha Haradinaj.

Krei i VV, Albin Kurti: Ta shfrytëzojmë këtë shans unik, të votojmë e të festojmë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pasi ka votuar, ftoi edhe të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin të votojnë. - “Të gjithë kemi të drejtën e votës dhe ta shfrytëzojmë këtë shans unik për nga karakteri e historik për nga pesha. Le të votojmë dhe të festojmë", theksoi Kurti. - "Sot është një ditë e veçantë. Në ditën e sotme nuk ka rëndësi a je i pasur, a je i varfër, a je grua a je burrë, a je i ri a je i moshuar, e je nga fshati a je nga qyteti, a ke mbaruar shkollën e lartë, apo jo, të gjithë jemi të barabartë. Ne duhet të presim rezultatet në orët e mbrëmjes dhe votimin masiv të sotëm ta shndërrojmë në një festë masive”, tha ai pasi votoi në Prishtinë”.

LDK, Vjosa Osmani: Ftoj qytetarë e Kosovës është të bëhen pjesë e këtij vendimi historik

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti, ka arritur në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë, ku edhe ka votuar.

"Thirrja ime për qytetarë e Kosovës është që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik sepse është një ditë historike për të ardhmen tonë, prandaj shpresoj se gjithçka do të ecën mbarë, dhe shpresoj që qytetarët të votojnë për të ardhmen e tyre, për fatin e tyre. Shpresoj që gjithçka të shkoj pa presion dhe të shkoj mirë”, tha Osmani, pas votimit.

Kandaidati për kryeministër Kadri Veseli i është drejtuar qendrës së votimit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, për të hedhur votën e tij.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli: Për hajër na qoftë të gjithëve

Pas votimit të sotëm, duke folur për mediat, edhe kreu i PDK-së, e ka cilësuar si të jashtëzakonshme këtë ditë.

“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, për hajër na qoftë të gjithëve”, ka thënë Veseli.

Veseli ka qenë politikani i parë i rëndësishëm, i cili i ka votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen sot në Kosovë

AKR-NISMA-PD/ Fatmir Limaj: Në mbrëmje, një rezultat që do t'i japë siguri vendit

I fundit nga të gjithë kandidatët për kryeministër në Kosovë, ka mbërritur për të votuar edhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AKR-NISMA-PD, Fatmir Limaj.

Limaj sapo ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

“Sot e shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që e ka çdo qytetar i Kosovës për të shprehur vullnetin e lirë për t’i dhënë mundësi vendit, besoj që vota sot do të jetë siguri e vendit. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga çdo qytetar i Kosovës. Sot në mbrëmje do të kemi një rezultat që do të jep siguri dhe perspektiv vendit”, tha Limaj pas votimit.

Kreu i Listës serbe, Goran Rakiç:: Presim një fitore bindëse!

Edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç ka votuar në Veri të Mitrovicës. Rakiç ishte në krye të rreth 250 persona, përkrahës së partisë së tij, njoftojnë mediat në Kosovë. Atij i është dashur të paraqesë letërnjoftimin e Kosovës, sipas rregullave të KQZ-së.

Rakiç tha se po presin një fitore bindëse dhe po presin t’i marrin 10 vende në Kuvendin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, u garanton pakicave kombëtare 20 vende në parlament, 10 prej të cilave komunitetit serb të Kosovës./Afp.al

loading...
loading...