"Kopshti i Skacajve" çon katër të rinj në pranga për trafik droge dhe armësh, mes tyre edhe një vajzë

"Kopshti i Skacajve" çon katër të rinj në pranga për trafik droge dhe armësh, mes tyre edhe një vajzë
Operacioni u krye nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës në bashkëpunim me SHÇBA-në dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, duke çuar në arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve.

Policia tha se janë sekuestruar  drogë, armë zjarri e municione luftarake nga ky operacion .

Të arrestuarit janë: A. H., 33 vjeç, R. T., 23 vjeç, banues në Pukë, K. M., 25 vjeçe dhe F. M., 19 vjeç, banues në Shemri, Kukës.

Sipas hetimeve, në bazë të hetimeve të kryera  rezultoi se këta shtetas do të këmbenin një sasi lënde narkotike, armatim dhe municion luftarak.

Shërbimet e Policisë të DVP Kukës  kanë ndërhyrë në vendin e quajtur “Qafë-Shllak” dhe kanë bërë të mundur ndalimin e këtyre shtetasve, të cilët lëviznin me mjetet tip "Benz" dhe "Opel".

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në automjetet e tyre u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike, 2 armë tip automatik, si dhe rreth 900 fishekë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike" dhe "Armëmbajtja pa leje"./Afp.al/

loading...
loading...